Një mbrëmje poetike për Ali Pashë Tepelenën “Vërtitu, kokë e prerë!”

1898
Sigal

 Sot në TK, teatër poetik sipas baladës me të njëjtin titull të Petrit Rukës

Një mbrëmje poetike disi e veçantë, apo më mirë të themi një risi në mënyrën e interpretimit skenik. Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një figurë aq interesante, për Ali Pashë Tepelenën. Në Greqi thuhet që ai mbetet figura më e çuditshme, ku për çdo vit botohen libra të rinj dhe asnjëherë nuk thuhet se arritëm të zhbirojmë dhe të lexojmë plotësisht figurën e Vezirit të madh.  Për më tej vetë aktori legjendë i Shqipërisë Kadri Roshi, vdiq me një peng, të vinte në skenë apo të realizonte në film, figurën e Ali Pashë Tepelenës. Dhe ja tani, në skenën e Teatrit Kombëtar më 11 qershor do të ngjitet në skenë jo një dramë, as dhe një komedi, por një mbrëmje poetike për Ali Pashë Tepelenën  e ndërtuar me mjeshtëri nga regjisori dhe poeti tepelenas Petrit Ruka. Ai ka zgjedhur një staf të ngushtë për nga numri, por mjeshtër të skenës, të këngës dhe të regjisë të shoqëruara me balerina, me grupe të këngës polifonike labe. Në gjithë hapësirën e ndërtimit skenik ku do të interpretojë “Mjeshtri i Madh”, Bujar Asqeriu, po aq bukur do të tingëllojë zëri i vajticës magjike Paro Zifla. Aktrim, vajticë, këngë polifonike, balet (në rolin e Vasiliqisë), kjo do të jetë hapësira skenike e ndërtimit të kësaj mbrëmjeje të veçantë. Duke ndjekur të gjitha premierat e dramave dhe komedive në Tiranë, mund të them me bindje se kjo mënyrë e të sjellurit skenik është një provë ndryshe e të përcjellurit me ndërthurje të elementëve të veçantë që janë sa delikat por po aq dhe madhështor. Një mënyrë e tillë interpretimi do kujdes, përqendrim, korrektësi, profesionalizëm, bashkëpunim të ngushtë, seriozitet, por po aq dhe vizion. Çdo gjë e rrallë ka dhe një kosto të rrallë. Ndërtimi i libretit, por dhe i regjisë, koreografisë, kanë një performancë të pakultivuar specifikisht më parë, për vetë ndërthurjen e elementëve skenik, si vajticat, këngët labe, harmonia me balerinën, timbri i zërit të kumbueshëm të Bujar Asqeriut që janë kaq në harmoni me skenografinë, që është një element kaq i rëndësishëm në një vepër të tillë të një stili tjetër.

Ja si fillon mbrëmja poetike

Në gjysmë errësirë dëgjohet një këngë labe e shtruar drejtpërsëdrejti nga skena diku në një cep të saj. Një zjarr artificial flakëron nëpër “natë”  fytyrat e këngëtarëve të ulur përreth tij.  Duken si të ngrirë në kohë aty që nga marsi i vitit 1822, disa ditë (ose orë) pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës… E thonë

këtë veshjet e tyre, fustanellat, dy – tre guna krahëve, armët e gjata mbi gjunjë, çibukët që nxjerrin tym….Dhe kënga nr.1 thotë:

Janinës e zeza Janinë, Janino,

Çe bëre Pasha Alinë, Janino,

Seç ta vranë e seç ta grinë, Janino,

Një pasha në Tepelenë, Janino,

Gjarpri që tronditi dhen-ë, Janino,

O gjëmimi që gjëmon, Janino,

O veziri që gjykon, Janino,…Kënga është e lehtë, fare e lehtë sikur vjen nga thellësitë. Duket sikur ata e këndojnë më shumë për vete se sa për të tjerët dhe një mikrofon i fshehtë midis tyre e bie në sallë….

Skena nr. 2

Pastaj befas midis heshtjes që pllakos, po në këtë gjysmë errësirë, aktori Bujar Asqeriu hyn i veshur si një mësues fshati, por me një veshje që të kujton atë të Rilindësve shqiptarë. Në duar mban një qiri të trashë të madh. Kur afrohet në qendër të skenës atëherë vëmë re që aty është një tryezë e rëndë druri e thjeshtë, pa lustër, disi e ashpër. Mbi të shkëlqen një tepsi gjigande prej bakri, e vendosur disi pjerrtas, që të duket nga salla. Ulur në një karrige po kaq të vjetër druri shohim një siluetë. Është një grua e veshur e tëra në të zeza e kthyer me shpinë. Dallohet që në kokë ka të lidhur një shami të zezë si gratëlabe. Është Vasiliqia, aktoria- balerinë. Mësuesi  (Bujar Asqeriu,) e vendos qiririn në mes të tepsisë dhe pikërisht atëherë dëgjohet tre herë rresht një kambanë e largët drithëruese. Mësuesi ecën përmes skenës dhe zë vendin e tij ulur diku në anën tjetër ballore të skenës. Fillon të fryjë erë dhe ai duket sikur kërkon me sy të dallojë se nga vjen firoma e ftohtë e saj.

    Skena nr. 3. Vajtimi nr. 1

Befas dëgjohet një vajtim tipik lab. (Paro)

Ali Pasha i Kalave, O Ali,

Qysh të mba dheu përbrenda

Dheu sterrë  i zi.

O tërmeti me shtatë ballë, O Ali,

Kokë e prerë po vjen vërdallë, o Ali…

Dyqind vjet kerkon n jë varr, o Ali…. Vajtimi ndërpritet në mënyrë të thiktë, pikërisht ashtu siç filloi,

Skena nr. 3. Vajtimi…Kapedani fillon baladën e tij.

Pse vërtitesh, kokë, moj kokë,-

Meteor në histori,

Shpirt, që vetëm rebelimi

Të jep prehje në stuhi.

Ç’më vërtitesh, kokë e prerë,

Përret meje-dyzet vjet,

Shkon mbi Vjosën ku kam lindur:

“Ende jam pa varr, poet!”

Diku, në fund, në një monitor gjigand fillojnë pamjet filmike…Shfaqet figura e Ali Pashë Tepelenës në  Kalanë e Butrintit, interpretuar nga Kadri Roshi. Pjesë nga filmi dokumentar “Butrinti i gjallë” me regji të Petrit Rukës.

Pjesa e dytë.  Skena e parë.

Vasiliqia që deri tani është me shpinë kthehet nga publiku, ngrihet në këmbë dhe fillon të kërcejë në mënyrë dramatike. Pjesa tjetër e skenës është në errësirë. Ajo ecën dhe duket sikur çjerrë faqet, qan, përkulet, lidh nyje shaminë mbi ballë…. ( koreografi e improvizuar.)  Tërë skenën e shoqëron vajtimi rrëqethës i Paro Ziflës. Vajtimi nr. 2.

                      Ti pa varr e unë pa zot,

                       Bir, o bir,

                       Ti pa kokë e unë në lot

                       Bir, o bir,

                       Bën të vish e nuk vjen dot

                       Bir, o bir,

                      Se je thellë në atë gropë,

                       Bir, o bir,

Gjatë vajtimin , në monitor shfaqet Kalaja e Janinës, varri atje, portrete të tij pikturuar nga të huajt etj.. Ndërsa në fund të këtij vajtimidelbalerina që kërcen nja valle  kallogreje, Vasilika, përkulet duke u shtrirë mbi dysheme si e vdekur. Kënga Nr. 2

Një kala në anë të detit

Çi ktheu gjoksin dovletit,

Një kala në anë të gjolit,

Çi ktheu gjoksin Stambollit…

Harro mushkë Valarenë,

Se Ali Pashën e prenë,

Në Stamboll po të shpjenë,

                        O gjarpri që drodhe dhenë…

Pjesa e dytë.  Skena e dytë.

                                                      Vijon interpretimi i Bujar Asqeriut:

Nëpër natën e Ballkanit,

Shtatzënë me dredhi,

Hipur mbi kalë të baladës-

Gjer në palcë i zi…

Në ekran janë shfaqur ndërkohë  një dy, pastaj tre kuaj që vrapojnë, relent…male, harta, fusha, lumenj, varri i Thanas Vajës në Lekël, Portete të Marko Boçarit  dhe sërish kuajt që ecin e ecin ne ekran.

Pjesa e dytë.  Skena e tretë.

“Grupi i ushtarëve” të Aliut vijon të këndojë shtruar rreth zjarrit. Rreth tyre si hije ecën si somnambul herë pas here kallogreja balerinë, Vasiliqia e veshur në të zeza.

Kënga Nr. 3

Përpiqi, o toskë përpiqi,

Të përpiqi e të luftoni;

Ali Pashën ta kujtoni,

Të përpiqi, mor jezitë,

Se do të vijë një ditë,

Që t’ju vijnë osmanlinjtë,

T’ju vënë përpara si dhitë.

Në ekran shfaqen thënie të mëdha historike për Ali Pashën si më poshtë:

“Aliu ishte përbindëshi më romantik që ka parë historia, një nga tmerret më të bukura që lindi natyra.

                                                               Hofman.

“Aliu ishte i vetmi personalitet i shekullit për t’u krahasuar denjësisht me Napoleonin. Sundonjësi i Janinës dhe Perandori i Francës shkonin përbri njeri-tjetrit si tigri me luanin”

                                                            Viktor Hygo.

“Ali Pasha shtypi mesjetën dhe i hapi rrugë qytetërimit. Në Shqipëri dhe në Greqi duhet të ndërhynte despotima e Aliut që këto vende të kalonin në kohën e re”

                                                                  Bartholdy.

“Tu shenjtërofshin kockat, o Ali, se vetëm ti dije se si t’u përgjigjeshe,shqiptarëve që u pëlqen mendja e tyre.“

Me aktorin Bujar Asqeriu. Mësues fshati, interpreti i autorit të Baladës.  Grupi popullor “Antea”. Balerinë: Isida Mullaymeri (Vasiliqia) Aktore: Alesia Xhemalaj. Vajtojca: Paro Ziflaj Libreti: Petrit Ruka. Skenografia: Bashkim Zahaj. Koreografia: Arjan Sukniqi. Regjisor: Naun Shundi