Një  libër sqimatar

903
Sigal

Artistikja është gjithnjë e thjeshtë, sepse komunikon me të tëra shtresat

 (Shënime  mbi librin “Beatifull Amerika” të Prof. A. Ficos )

       Jetojmë kohët, kur  lexuesit janë të paktë, për shumë arsye objektive, por dhe për mangësi të theksuara të autorëve. Disa prej tyre, duan të imitojnë shkrimtarët dhe humbasin çdo ngjyrë origjinale. Të tjerë shkruajnë romane, pa pasur nevojë të shkruajnë dhe një tregim. Sidoqoftë, libri e luan rolin e vet pozitiv, sepse e ve mendjen njerëzore në veprim. Kur shteron dëshira, për të shkruar libra, vdekja kulturore ka ndodhur. Lexuesit e ndjejnë nevojën e librit të mirë, përpara se ai të botohet. Këta libra shtjellojnë subjekte jetësore dhe i përmbahen standardeve gjuhësore dhe atyre  artistike emocionale . Një libër i tillë është “Beatiful America” (Mozaik shkrimesh ) e autorit Prof. Agron F. Fico, botuar në 2014.Autori na ka dhënë, të bashkuara  57 shkrime me tematika dhe personazhe të ndryshëm, që i bashkon një gjë e vetme: shqiptarizma  dhe dashuria për Amerikën . Një  bashkëbisedues  më tha se titulli anglisht nuk do t’i shkonte një libri të shkruar shqip nga një albanolog . Kjo vërejtje nuk qëndron gjithnjë dhe veçanërisht në këtë rast. Libri i Petro Markos “Hasta lavista” e ka lenë hapur këtë shteg.  Shprehja “Amerika e bukur” shqiptohet në të tëra gjuhët e botës, por e shqiptuar anglisht, është orgjinalisht e bukur, ashtu siç e kanë bërë Baballarët e kombit amerikan. Amerika   është e bukur në përmbajtjen e shtetit multietnik, multifetar, multiracor dhe kulturor. Të tëra kulturat veprojnë njëherësh dhe e bëjnë atë, “Beatiful”.  Autorin e njoh në rininë e hershme. Jemi bashkënxënës të shkollës “Drita” dhe të gjimnazit të famshëm të Gjirokastrës. Ai ishte fëmijë qytetar, krejt i veçantë, për sytë  tonë,  nxënësve  të ardhur rishtas nga fshati. Ishte i shkathët, i bukur, mbahej pastër dhe krenar. I pa diskutueshëm “I shkëlqyer” në të tëra mësimet, kryesisht në gjuhë, prandaj ishte i përkëdheluri i Thoma Papanos, një personalitet i shquar i kulturës dhe arsimit gjirokastrit dhe mbarëkombëtar. Agroni gjimnazist ishte nxënës autoritar, që sfidonte komitetin e rinisë së shkollës.  Është bashkëkohës i Ismailit, Dritëroit, Agim Shehut, Ibrahim Tafilaj, Luan  Kapaj, Jorgo Bulo, Kristian Bukuroshi, Hulsi Hako, Vedat Shehu , Bardhyl Xhama  etj.,  por këta ishin të profilizuar në rrethet shkencore, gjuhësore  ose  atë letrar, sipas prirjeve. Agroni aktivizohej në shumicën e rretheve jashtëshkollore. Ishte koha që shumë maturantë dilnin jashtë shtetit, për studime universitare, por Agronin nuk e çoi shteti komunist, sepse duket nuk plotësonte kriteret biografike. Pak kam dëgjuar, gjatë veprimtarisë së Agronit, gjatë monizmit, por e dija, që i ishte përkushtuar folklorit. Mendoja se nuk ishte e mjaftueshme kjo fushë, për një ish nxënës të shkëlqyer dhe  me profil të gjerë. Jeta i vendosi gjërat në vendin e vet. Ai u shqua në albanologji, mësuesi, gjuhëtar, autor botimesh të shumta dhe veprimtar atdhetar i kudo ndodhur. Për të hyrë i përgatitur në shkencë, mësoi autodidakt dhe me themel anglishten, duke arritur të bëhet mësues, në atë gjuhë.  Në të tëra fushat studimore, veshi kostumin e  titullarit. Si autor  bashkon inteligjencën natyrore, shkëlqimin e nxënësit, formimin akademik, për të na dhënë librin, që bëjmë fjalë dhe do mundohem ta sqaroj disa  dukuri të tij. Libra të tjerë te tij nuk kam lexuar, shkrime po. Kush shkruan për vete, është shumë më i besuar se ai, që flet për vete. Përmbajtja e bën jo thjesht libër reference, për studiuesit, por të rrallë, në llojin e vet për larmin e temave, që shtjellon dhe formën e thjeshtë të paraqitjes të mendimeve.

 

Artistikja

Artistikja është gjithnjë e thjeshtë, sepse komunikon me të tëra shtresat. Shumica e materialeve i përket miqësisë me Amerikën dhe rolin  e kombit të madh në fushën e gjerë dhe problematike, të faktorit shqiptar në Europë. Ekzistenca e 2 shteteve shqiptare është e lidhur drejt për drejt me veprimtarinë specifike të tre Presidentëve amerikanë, përveç veprimtarive të Departamentit të shtetit, në marrëdhënie me të dy shtetet tona. Për këtë problem të rëndësishëm të shtetit dhe kombit, ka  shumë shkrime në gjuhën shqipe dhe angleze . Të tërë kanë vlerën dhe orgjinalitetin e tyre, sepse janë në shërbim të një misioni të madh. Trajtimi i problemit nga Prof. Fico është disi më specifik. Fraza dhe mendime të shkurtra dhe të ngjeshura. Shqipe e kulluar, pa asnjë fjalë të huaj, ose dialektiale. Referenca të  sakta dhe bindëse e bëjnë tregimin e Ficos  një prozë  të letrarizuar  dhe të dokumentuar.  Ngjajnë me shkrimet e Konicës dhe të Nolit. Për të tëra tregimet është e njëjta prozë, i njëjti brumë, sepse autori Fico nuk di të shkruaj ndryshe, veç  kështu, siç na është paraqitur në këtë libër. Secili tregim i librit, mund të jetë një mësim didaktik, për njerëzit e shumtë, që shkruajnë në  trojet tona, përfshi dhe shumë shkrimtarë të rinj.  Kjo është e përgjithshmja e shkrimeve të  “Mozaikut “.Ai , që merr përsipër të bëjë një recensë si kjo që po bëj unë, duhet të vendosi në dukje dhe mangësi të veprës . Me këtë tendence e pashë dhe veprën e autorit Fico. Shkrimet e veprës mund t’i quash perfekte, sepse nuk mund t’u shtosh, as të heqësh gjë. Këtë mendim dua ta shtjelloj më gjatë. Në fakultete ku mësohet gjuha, gazetaria, deklamacini, bëjnë shumë mirë të praktikohen edhe me shkrimet e Ficos. Nuk them se vetëm Fico shkruan bukur dhe gjakftohtë shqip. Ka dhe të tjerë, por shkruan shqip dhe rrok një diapazon të gjerë tematik, që fillon nga eposi i Kreshnikëve, atdhedashuria, albanologjia, diaspora,  vijon tek letërsia, tek politika dhe problemet e rëndësishme sociale, që ka kaluar vendi dhe aleatët. Përshkrimi dhe origjinaliteti i trajtimeve nuk mund të jetë standard. Gjuhëtari shkruan për gjuhën, por ta përdorësh gjuhën si instrument të pastër në të tëra tematikat, nuk është dhe kaq e thjeshtë. Për te sqaruar këtë, që sipertregova, do të  ndalem shumë tagent në pak dukuri dhe disa shkrime të “Beatiful”-it.  57 shkrimet  janë të pa varura,  secili mbart ide, dukuri, probleme dhe zgjidhje, si të kesh lexuar një libër të  tërë, të shkruar mirë dhe me përgjegjësi. Te shohim njërin, që nuk është më tipiku , “Fjalori enciklopedik, një botim kaotik”. Në libër ndodhet në faqen 225 .  Bëhet fjalë, për një botim nga më seriozët, që mund të botoj një Akademi e një shteti.  Mendimet tërësore, për Akademinë, autori na i jep në faqen 92, ku është bërë skaneri i akademisë, me një frazë të vetme. Sekretari i Akademisë, nuk i përgjigjet letrës së një Akademiku të vërtetë  vendas, siç është realisht Fico, pikërisht për botimin, që konsiderohet  nga më seriozët.  Më pas jepet letra që i është drejtuar n/Kryetarit, Salvator Bushati, një emër i pa dëgjuar në shkencë, por    N/ Kryetar i Akademisë. Autori i letrës, i shpreh , me modesti autoritetit shkencor, legjitimitetin e përfshirjes së emrit të tij në fjalorin enciklopedik. Në 3 faqe ka dhjetëra mesazhe, për gjendjen e shkencës, personelin drejtues, mungesën e korrektesës zyrtare  e dhjetëra të tjerë. Lexuesi kupton se jemi përpara një administrate akademike të mirëpaguar, por pa institucion  akademie.

 Antishqiptarizmi në enciklopedinë e Maqedonisë

          Të shohim një shkrim tjetër. “Antishqiptarizmi në enciklopedinë e Maqedonisë” shkruhet në faqen 251. Është një shkrim, më pak se dy faqe.  Problemi sado i njohur, mu duk sikur e lexoja për here të parë, sepse ishte shprehur saktë, shkurt, shqip dhe shkencërisht . Është studim i plotë dhe bindës i problemit. Ka shumë mundësi, që do të më duhet një referencë, për këtë problem, do t’i drejtohem “Beatifull”-it të Ficos 251.  Nuk e teproj po të shënoj se të tërë sythat  kanë përmbajtje të zjarrtë atdhetare  dhe shkencore . Janë studime të mirëfillta  sythi për F. Konicën, Eposi shqiptar, Eposi kosovar, Kultura çame, “Aulona Interfolk Festival” etj..  Studimet, që trajtojnë probleme të shkrimtarëve dhe shkencëtarëve  Kadare, Çabej, Peter Prifti, Agim Shehu, janë konsiderata të përkora  të veprës së tyre, në shërbim të Kombit. Na ka dhënë material të mjaftueshëm , për personalitete më të reja, që japin ndihmesë të shquar në kulturë dhe atdhetari. Në këtë plejadë përfshihen : Reuf Fico, Peco Kagjini, Selahedin Velaj, Baca Ahmet  Zherka, Gjergj Ded Vukaj, Luigj Cakaj, Agim  Mero, Agim Zogaj, Pirro Mani –dramaturg, Fron Nahzi, Agim Perolli dhe shumë veprimtare të shquar të Diasporës. Në secilin shkrim  zemra e autorit rreh bashkë me atë të personazhit. Për të sqaruar këtë fakt le të përmendim shkrimin, për Adem Jasharin, që jepet në faqen 157. Në jetën e të tërë personazheve të përshkruar, autori  bëhet pjesë e problemit dhe e zgjidhjeve, që personazhet i janë përkushtuar. Ka mbi tre dekada, që gradat shkencore të Shqipërisë janë moralisht të zhvleftësuara, në shumicën absolute të rasteve.  Falsiteti i shkencës  i ka paraprirë dështimit të shtetit ligjor të tranzicionit. Nga sa folëm për veprimtarinë e Prof. Dr. Agron Ficos, bëhet e qartë  se ka ende personalitete, që  nderojnë gradat  shkencore  të  vendosura me punë, përpara emrit të tyre. Brezi i ri shkencëtarëve do të mundësoi ngritjen e një Akademie, në vend të pesë akademive shterpa, që aktualisht vegjetojnë në trojet tona. Një Akademi dinjitare meriton Kombi shqiptar, me histori dhe kulturë të lashtë në Europë.

 Illo Foto, studiues, në NY – gusht 2014