Një komb që ka vetëm një shkrimtar është një komb i vdekur shpirtërisht

771
Nikolla SPATHARI
shkrimtar
Nihilizmi nuk është veti e njerëzve të kulturuar. Ai është shpirtëzimi i njerëzve diabolikë, të cilët janë gati të shembin dhjetëra pallate të bukura që të ndërtojnë në vend të tyre kasollen e vet të mjerë, me mure prej qerpiçi dhe çati prej kashte. Dhe pasi të kryejnë këtë vepër “dinjitoze” ftojnë turmat me bujë për të parë sa “madhështore” është kasollja që bënë. Për të evidentuar shkurret e tyre, u duhet të presin me sëpatë pemët e larta. Ndryshe nuk kanë si të betohen se shkurret janë drurët më të lartë të pyllit. Të mohosh gjysmë shekulli letërsi nuk është nihilizëm dosido. Ai është një nihilizëm vërtetë qesharak, por në të njëjtën kohë edhe antikombëtar. Duke pranuar që në një pauzë të gjatë pesëdhjetëvjeçare kombi nuk ka pasur letërsi, ke pranuar që kombi yt për gjithë atë kohë ka qenë i vdekur shpirtërisht. Mirëpo një komb të vdekur para gjysmë shekulli nuk e ngjall dot më as Krishti, edhe sikur të zbresë për herë të dytë në tokë. Nihilistët kalojnë gjithandej si “luanët” nëpër dyqanet e qelqurinave. Rroposin dhe shumëzojnë me zero kudo. Por, të shumëzosh me zero një letërsi të tërë, do të thotë t’u vësh flakën bibliotekave shqiptare. Në këtë lavë politike zjarri do të digjeshin edhe kryeveprat. Kështu do të zhdukej njëra nga pronat më të mëdha dhe më madhështore të kombit. Dhe mendoni që kjo pronë nuk është tashmë vetëm pronë e popullit tonë. Ajo është bërë pronë e mbarë njerëzimit. Ky nuk është thjesht një mohim politik. Është përpjekje e dështuar për të çmontuar shpirtin dhe kujtesën e kombit. Fatmirësisht një nihilizëm kaq i egër është si një xhuxh i mjerë para kolosëve të tillë si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Jakov Xoxa, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spase, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Frederik Reshpja, Moikom Zeqo, Skënder Drini etj., etj. Pra, mohimi i të pamohueshmes të shqetëson vetëm si marrëzi. Të thuash se Shqipëria ka vetëm një shkrimtar sigurisht se i bën keq vendit tënd, po i bën keq edhe vetë Kadaresë. Se nga pikoi, nga qielli? Pa një mjedis letrar, a mund të bëhej ai që është. Letërsia e një vendi është si puna e pyllit që ka drurë të lartë, drurë mesatarë, drurë më të ultë dhe shkurre. Në qoftë se ka vetëm një dru s’ka pyll dhe s’ke me kë e krahason lartësinë e tij. Me që ia hymë kësaj pune, le të themi ca fjalë edhe për këto njëzet e gjashtë vite. Është fakt që veprat kanë vërshuar. Ka ndodhur siç ndodh me energjinë potenciale të ujit, kur hapen të gjitha portat njëherësh. Ajo kthehet e gjitha në energji kinetike dhe vërtet zhduk etjen që ka pllakosur, por rrezikon edhe për përmbytje. Me zhdukjen e censurës dhe të autocensurës, libraritë dhe bibliotekat sa vijnë e po mbushen. Kriza e rafteve ka kohë që ka filluar të ndjehet. Padyshim ky është një sukses. Edhe në mos paçim rafte, le t’i fusim librat në sëndukë. Por sasia nuk është kurdoherë cilësi. Ky është një shqetësim i kohës, pasi, nëse sasia është e butë si një sheqerkë që e kap kushdo, cilësia është si një mushkë xanxare. Të kesh apo të gjesh një grusht para për të botuar një libër nuk tregon se je i talentuar. Të gjithë e dinë se talenti nuk blihet me para e, megjithatë shihet një këmbëngulje e çmendur për ta blerë me çdo kusht. Kjo i ka sjellë dëme të pallogaritshme letërsisë. Unë nuk dua të përzihem në zejen e kritikëve. Shumë-shumë mund të them se: Çfarë po bën?! Në përgjithësi kritika po bën panagjerikën. Boton një djalë i ri një cikël me tre-katër vjersha plotësisht të influencuara, për të mos thënë plagjiaturë, dhe nuk mungon ndonjë “kritik” të çirret: “U shfaq Migjeni i dytë në letërsi!”. E vetmja lutje që mund t’iu bëj kritikëve është, të kursejnë një çikë epitetet superlative, se ka rrezik t’i venë kazmën letërsisë, në vend që t’i vënë supet. Dyshimi se ndonjë artikull panagjerik për krijimet mediokre, mund të jetë i paguar nga autorët, mbetet vetëm dyshim. Ai nuk përbën fakt. Prandaj kritikët mund të shkruajnë si ua do zemra, por mos t’u shkojë kurrë mendja se mund të krijojnë lavdi të paqena… Kur puna intelektuale është vërtetë e tillë, kombi e nderon dhe përulet me respekt edhe para atij që e kryen atë. Por popullit nuk mund t’i shesësh kunguj për bostan. Sharlatanizmi nuk është punë intelektuale. Më vjen keq ta pohoj, por shumë sharlatanë janë shfaqur në qiellin e kulturës shqiptare. Ata po tentojnë ta nxijnë këtë qiell me pseudo kulturë, me pseudo shkencë, me pseudo letërsi. Sa për termin “intelektual” me keqardhje e them,se është bërë një term për t’i qarë hallin. Është interesant se askush nuk pretendon se është fshatar, kur nuk është fshatar. Askush nuk pretendon se është punëtor, kur nuk është i tillë. Askush nuk pretendon se është prift, kur nuk është prift. Por për çudi janë bërë aq shumë që pretendojnë se janë intelektualë, sa populli i gjorë ka mbetur në minorancë. Të merr malli të gjesh një njeri me shtatë klasë shkollë e lart, që nuk e quan veten intelektual dhe që nuk flet në forume të ndryshme në emër të intelektualëve. Mos të qajmë mjerimin e djeshëm se ai iku, të qajmë të sotmin që po e largojmë lexuesin nga libri me kaq shumë libra të palexueshëm.
Sigal