Një këngë për flamurin

1663
Sigal

Flasin: Enkelejda Arifi (Çamëri), Ilir Shaqiri (Kosovë), Kastriot Tusha, Selami Kolonja (Maqedoni), Nikollë Nikprelaj, (Mal i Zi)

Një këngë për flamurin. Një këngë me pesë këngëtarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Një këngë si një himn i dytë. Një këngë që të çon nga Kosova, në Maqedoni, Mal të Zi, Tiranë dhe Çamëri. Ndoshta është unike, por dhe me një tekst dhe muzikë që janë në unison me zërat e këngëtarëve. Pikërisht në vigjilje të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë del një këngë që përçon erën e mirë të të qenit një komb, por jo një shtet. Ndaj dhe kënga titullohet “Në një flamur të pandarë”. Kjo duhet të jetë e ardhmja e shqiptarëve, të gjithë nën një flamur. Historikisht kështu kanë qenë me flamurin e Skënderbeut në çdo kuvend, luftë, apo moment historik. Përderisa kemi një gjak, një gjuhë, të njëjtat doke dhe zakone, pse të jemi me flamur të ndryshëm?

Enkelejda Arifi

Në një prononcim për “Telegraf”, për këngën më të re këngëtarja Enlelejda Arifi u shpreh:”Ishte një surprizë për mua kur më ofruan këtë këngë. Kjo ka shumë arsye, por vetë fakti që për këtë këngë janë mbledhur këngëtarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë nga Kosova në Mal të Zi dhe nga Maqedonia në Çamëri, komentet janë të tepërta. Kjo këngë është e vetmja në llojin e vetë. Realizimet e klipit në të katër anët, ku trojet janë të banuara nga bashkëkombësit tanë tregon atë që kënga ka një dimension të vërtetë kombëtar, ku secila krahinë ka përfaqësuesit e vetë. Ndoshta është e vetmja këngë shqiptare, ku këndojnë njëherësh 5 këngëtarë me dialekte të ndryshme dhe nga pozicione të ndryshme gjeografike, por gjithmonë brenda një kombi. Por një vend ka ngelur pa u filmuar direkt ajo është Çamëria ime, ajo Çamëri që më bën të ndihem krenare dhe pse e plagosur. Megjithatë qenia ime si çame në këtë këngë e plotëson atë boshllëk. Mund të them se klipet janë realizuar në mënyrë shumë profesionale. Por deri tek kënga tek klipet nuk do të vinim n.q.s nuk do të ishin autori i tekstit Agim Doçi dhe kompozitori Edmond Zhulali. Ishte nisma e tyre, krijimi i tyre, ideja e tyre e bukur që ne u mblodhëm të pestë (ose më mirë na mblodhën të pestëve për të realizuar këtë klip të rrallë). Me këtë këngë ne duam t’u urojmë të gjithë shqiptarëve gëzuar 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Për mua ky klip mbete nga realizimet më të bukura të jetës sime jo vetëm, sepse punuam pa dimensione kohore dhe me përkushtim, por kryesorja se një këngë e tillë në një ditë të tillë kanë shumë kuptime dhe kanë shumë mesazhe. Ky 100-vjetor është i papërsëritshëm dhe ka një simbolik tepër të veçantë, ku shihet një angazhim total i shtetit dhe i çdo krijuesi për të dhënë maksimalen”.

Kastriot Tusha

“Kur më thanë se do jem pjesë e kësaj kënge e ndjeva veten të lumturuar. Kushdo që do ta dëgjojë këtë këngë do të ketë po ato emocione si ne, se vetë titulli i këngës e shpreh shumë qartë mesazhin. “Në një flamur të pandarë” ka përbrenda atë pjesë të historisë që Europa i ka borxh tokës arbërore. Ideuesit e kësaj këngë poeti Agim Doçi dhe kompozitori Edmond Zhulali, në bashkëpunim me njeri-tjetrin po nxjerrin në dritë një vepër me përmasa kombëtare që ndoshta do të kthehet në një himn të dytë. Titulli, vargjet, muzika, pjesëmarrja e disa këngëtarëve nga të gjitha trevat e Shqipërisë e bëjnë këtë këngë një monument të ri në ditën e madhe të Pavarësisë. Është hera e parë që realizohet në këtë mënyrë një kompozim kënge, ku marrin pjesë 5 këngëtarë. Të gjithë të veçantë, me zëra krejt karakteristikë që i përkasin të gjithë trevave nga jugu në veri nga lindja në perëndim. Si risi do të thosha është dhe zëri karakteristik i Enkeljeda Allushit (Arifi) e cila përfaqëson krahinën e Çamërisë. Ishte një gjetje kjo e kompozitorit dhe poetit, pasi kjo vajzë ka një zë karakteristik çam dhe dihen tashmë këngët e saj të bujshme për Çamërinë martire. Kënga shpreh qartë atë dëshirë, etje, kërkesë të të gjithë bashkëkombësve tanë, për të qenë nën një flamur, nën flamurin kuq e zi të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit. Kënga e shpreh qartë mesazhin një mesazh që vjen nga thellësia e shekujve për tu bërë realitet në kohët moderne”.

Selami Kolonja

(Maqedoni)

“Mbase e teproj, por dua të them se kjo është kënga që më ka munguar. N.q.s do ta realizoja vetëm solo, s’do të kishte këtë timbër, s’do të kishte këtë zjarr të brendshëm, s’do të kishte këtë vullkan shqiptarizmi. Kur ma ofruan këtë ide, këtë muzikë dhe këtë tekst u mrekullova. E ku ka më dhuratë të bukur që mund t’i bësh flamurit tënd në këtë 100-vjetor? E ku ka simbolik më të bukur se sa rreshtat e tekstit dhe notat e muzikës së kësaj kënge aq më tepër që këngëtarët janë zgjedhur në mënyrë perfektë dhe me një shtrirje gjeografike që me të vërtetë plotëson më së miri këngën si shtrirje gjeografike. Askush se Doçi dhe Zhulali nuk mund ta realizonin në këtë mënyrë një këngë me të vërtetë interesante në një ditë kaq të shënuar. Për mua kjo mbetet gjetja më e bukur, apo realizmi më kualitativ. Në këtë këngë janë mbledhur në një zë, zëri i ndërgjegjes kombëtare për ëndrrën e madhe të shqiptarëve për të qenë në një flamur. Historia me ne është treguar e padrejtë, pasi ajo na ka ndarë në mënyrë të çuditshme në 5 shtete kur kemi pasur dhe kemi një flamur. Ndoshta kjo këngë në këtë 100-vjetor do të jetë dhe një thirrje tjetër për mbarë politikën botërore që kjo padrejtësi të vihet në vend. Një komb duhet të jetë në një shtet aq më tepër që Çamëria dhe çamët janë krahina më e nëpërkëmbur që ka njohur historia europiane. Ne kemi xhiruar kudo, ku ka shqiptarë, por vetëm në Çamëri jo”.

Kënga titullohet:

Në një flamur të pandarë

Teksti: Agim Doçi

Muzika dhe orkestrimi: Edmond Zhulali.

Këndojnë:

Enkelejda Arifi (Çamëri)

Ilir Shaqiri (Kosovë)

Kastriot Tusha, (Shqipëri)

Selami Kolonja, (Maqedoni)

Nikollë Nikprelaj, (Mal i Zi)

Videoklipi është realizuar nga VIDEOART për të cilin është filmuar në Ulqin, Tuz, Tiranë , Durrës, Vlorë, Strugë, Manastir, Prishtinë dhe Gjilan