Një histori pellazgo-shqiptare e Epirit

1432
Sigal

Shënime mbi librin e Besnik Imerit “Epiri një histori Pellazgo-Shqiptare”, botuar në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë

Isha i lumturuar që u ndodha i ftuar në veprimtarinë e organizuar nga bibliote ka publike “Shefqet Musaraj” Vlorë në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë në promovimin e librit “Epiri një histori Pellazgo-Shqiptare”, dhe kënaqësia ime e veçantë që m’u dha mundësia të shprehesha për vlerat historike dhe aktuale të këtij studimi të autorit Besnik Imeri.

Me Besnik Imerin, një rastësi e beri të mundur të njihesha që në ditët e para të kthimit tim në atdhe, kur pa dritën e botimit libri im i parë “Jipet e Iperit-Himarjotet”, në ditët e para të vitit 2005 dhe u mahnita me horizontin e gjerë njohës që kishte për historinë e shqiptareve e të Shqipërisë në tërësi dhe në veçanti të asaj pjese që dhe e ka ngacmuar më shumë, të Shqipërisë së Jugut e të Epirit.

Libri i tij “Epiri një histori Pellazgo-Shqiptare” që këto ditë e kemi në duar e po e lexojmë, reflekton pikërisht këtë njohje të gjerë të autorit. Vet titulli reflekton ose të përgatit për të mirëpritur diçka më të ndryshme nga tradita shumë e rezervuar e studimeve shqiptare për Epirin. E aq me keq, që veç rilindësve askush nga historianet shqiptare të kohëve tona, nuk ka patur kurajon t’i thotë gjerat shkoqur dhe qartë për Epirin Pellazgo-Arbëror, si autori i këtij libri.

Vet autori ka kurajon të jetë i sinqertë e të komunikojë drejtpërdrejt me lexuesin dhe historinë. Libri që reflekton punën e tij studimore të një stili e metodike të veçantë e të papraktikuar nga askush deri sot, është më e reja e këtij studimi.

Së pari, kjo “sprove historike dhe politike” siç e prezanton autori studimin e tij në fjalë, është një “monografi” veprash historike e autoresh që në lashtësi e deri në ditët tona, dëshmish dhe të vërtetash mbi Epirin historik dhe rrënjor që tregojnë horizontin e gjerë njohës të autorit, por dhe interesin këmbëngulës e kërkues të tij bindjen e vet, si domosdoshmëri e vetëdijes së tij për t’u ndërgjegjësuar rreth këtyre të vërtetave historike mbi Epirin dhe shqiptarët e sotëm të vijimësisë pellazge të fillesës europiane të njeriut të bardhë. Në këtë libër autori besnik Imeri ka kurajon, dhe pse jo edhe guximin t’i thotë të bardhës “e bardhë” dhe të zezës  “e zezë”.

Nuk e pati të lehtë për të arritur deri këtu. Kam komunikuar me autorin që në ditët e para, kur botova librin tim të parë “Himarjotët”. Bisedonim dhe diskutonim. “Epiri një histori Pellazgo-Shqiptare” për mendimin tim, është një tregues kategorik për njohjet e autorit mbi Epirin, bindjen e tij absolute për të pavërtetat e sajuara dhe të vërtetat historike të mohuara në eklipsin hënor të historisë së tij ose të pseudo-historisë, që me shfaqjen e kulturës së katedrave helene të shtresës elitare të grekeve të vjetër pellazge që e quajtën veten ELENË, për t’u dalluar nga masa e gjerë dhe e pashkollë e kohëve. Dhe si u përqafua kjo ndryshesë deri në “marri’, në mënyrë graduale e permanente deri sa u arrit fitorja e së zezës mbi të bardhën historike e rrënjore. Pellazgia greke e këtij populli pellazg  u bë Helladë, dhe GRAIKOI-t (fis pellazg) u bënë dhe njihen si HELENË.

Sikur elitarët e kulturës së atëhershme greke, të kishin bërë atë që bëri Odiseas Elitis, poet grek i shekullit të kaluar i lauruar edhe me çmimin NOBEL në poezi, i cili për mbiemër të vet vendosi epitetin ELITI, për t’u dalluar e veçuar nga poetët e tjerë të letërsisë bashkëkohëse greke, nuk do të ishte errësuar dhe eklipsuar faqja e tjetër e hënës që quhet dhe njihet me emrin PELLAZGJI.

Besnik Imeri e prek dhe e trajton se gjeri këtë analogji dhe e rreh mirë deri në paprekshmëri këtë dukuri historike të tjetërsimit të grekeve të vjetër pellazge në helene dhe të vërtetave historike mbi helenizmin dhe qytetërimin e Greqisë së lashtë.

“Helenizmi dhe qytetërimi i Greqisë së lashtë është kulmi ose maja e qytetërimit pellazg”,- thekson ai. Me këtë tjetërsim “teknik” të pellazgëve-grekë dhe të të mëvonshmëve arvanite në helene si dhe të Pellazgjisë greke në Heladë sa dhe të Epirit dhe epiroteve-arvanitas (shqiptare) në helene, autori angazhon afërsisht 1/3 e librit (fq. 91-188) në tre zëra: 1) Cilët janë helenët? 2) A ishin helenet një kombësi unike? 3)  Përbërja etno-sociale e Epirit dhe helenizimi i tij.

Duke lexuar librin “Epiri një histori Pellazgo-Shqiptare” të Besnik Imerit vëmë re që autori nuk ka zgjedhur mënyrën tradicionale të studiuesve të tjerë të derisotëm. Ai ka zgjedhur strukturën e pyetësorit e të përgjigjeve retorike, në të cilat parashtrohen të dhëna burimore nga një mori autorësh historianë të lashtësisë si: Herodoti, Dionisi i Halikarnasit, Polibi, Straboni, Hesiodi, etj., deri tek studiuesit e shekujve XVIII-XX europiane e amerikane, sllave, greke e shqiptare, të djeshëm e të sotëm, me kryezotër të botës së mirëfilltë të shkencës historio-grafike shqiptare, rilindësit e pavdekshëm europianë e botërore si: Beonlew, Han, Gustav Glotz, Jean Hatzfeld, Edison Clark, Uilliam Martin Leak, etj., etj..

Për të qenë me konkret, do të përmend disa nga pyetjet me të cilat i drejtohet autori lexuesit “të padukshëm” dhe vetvetes për të pasuar pas kësaj me citimet e të dhënave historike mbi këto të vërteta, me një kthjelltësi mendimi, saktësi burimesh dhe autorësh si të pranishme autorësh e thënësish të këtyre të vërtetave, që lexuesi ndjek sikur bisedon direkt me ta, ndonëse shekujsh të shkuar, mijëvjeçarësh sa dhe të viteve dhe të ditëve tona: Pse Diokleciani përdori emrin, termin “Epirus Vetus” dhe jo “Vorio Hellada”? Pse emërtimi Hellade u injorua plotësisht nga romaket, edhe për vete emërtimin e së ashtuquajturës Hellade Klasike? Pse Mihal Engjëlli do ta quante Despotati i Epirit? Pse nuk e quajti Despotati Helen?

Pse Gjergj Kastrioti e quajti veten epirot dhe jo ndryshe? Pse Gjergji i dha vetes një origjine epiroto-pellazge e jo një origjine simbolike ilire?… Perse Gjergj Kastrioti zgjodhi qytetin e Lezhës për të realizuar besëlidhjen shqiptare?… Cilët nga fiset pellazge që formonin Epirin e lashtë kanë hyrë sot brenda territorit të shtetit helen?…A ka qenë Epiri-Toskëria helene? Dhe a ka qenë Epiri (Toskëria) grek? Cilët janë helenët? Kur lindi dhe si lindi gjuha helene (greqishtja, e vjetër dhe e re)? A ishin helenët një kombësi unike?…e të tjera… e të tjera.

Të gjitha këto pyetje kanë marre përgjigjen e PRERË, të SAKTË dhe të ARGUMENTUAR teorikisht, historikisht dhe bindshëm, gjë  që përbën edhe vlerat e këtij libri. Mënyra e ndërtimit të pyetje-përgjigjeve me fakte, parashtrim, argumente dhe përfundimeve që jep autori, nuk e bëjnë këtë vepër thjesht interesante për t’u lexuar, por jep zgjidhje që nuk lënë hapësira të tjera për mëdyshje e paqartësi në çështjet kardinale, mbi të cilat në këto tre shekujt e fundit është krijuar një mjegull hamendësish dhe tjetërsimi i të vërtetave historike mbi Epirin, shqiptarët dhe Shqipërinë, sa dhe një histori të ndërtuar të zezën mbi të bardhën pellazgo-shqiptare (arbërore,FB) për helenizimin absurd dhe Helladën e vërtetë, si një sajesë jashtë përmasave të tyre historike dhe etno-kulturore.

Të me falë lexuesi të citoj një pjese të vogël për ilustrim të këtyre të vërtetave që na sjell autori Besnik Imeri, në librin e tij që kemi tani e prapa në fondin e leximeve tona historike:

-Në të mirë të tezës se Dorianët kanë ardhur nga veriu ndihmon edhe legjenda e Herakliut, sipas së cilës ai la në Epidamn djalin e tij me emrin YLLI. Mirëpo gojëdhëna të tjera flasin se fisi i Yllëve, i quajtur edhe fisi i Dorëve zotëronin territoret pranë Akrokerauneve, madje gadishulli që sot quhet Karaburun, së bashku me Akrokeraunet, të parë nga lart dukeshin si një “dorë”. Prandaj nuk përjashtohet mundësia që fisi i Dorëve (fjalë shqipe dora), të jetë ai fis që historia e njeh me emrin Dorianë…

-Sipas Apianit “Dyrrahasit, pa e mohuar Dyrrahun, krenoheshin më shumë me prejardhjen nga Herakliu”… Pseudo Skylaksi i përcakton HYLLËT si Ilirë, fqinjë të Bylinëve si pasardhës të Hyllit, birit të Herakliut… Pindari, Hylli është i biri i Herakliut dhe i Dejanirës Epirote.

-Një djalë i Trojanit Priam quhej Helen…Nipi i Akilit, djali i Neoptolemit (Pirros) quhej Helen…Djali i Pirro Burrit quhej Helen i martuar me Brikenën, vajzën e mbretit ilir Bardhylit…Nëna e Kostandinit  të Madh, dardanasit të shenjtëruar, perandorit zulmëmadh, quhej Helena. Por edhe vajza e Kostandinit quhej Helena…Nga këto të dhëna del se emri njerëzor Helen nuk është simbol i helenizmit, përkundrazi është një emër simbolik pellazg…Autorët e lashtësisë me emrin “Elin” emërtonin priftërinjtë e Dodonës, dhe me këtë fjalë nënkuptohej të diturit, të ndritshmit, të ndriçuarit nga mendja. Dhe duke qenë se Dodona është pellazge, edhe emri “Elin” është emër emër simbolik Pellazg.

-Në poemat e tij Homeri nuk flet as për grekë e as për helenë, por për Akene, Danaene dhe Argiane nga njëra anë dhe Trojanë nga ana tjetër. Ai nuk bën asnjë dallim race, gjuhe dhe feje. Helenët për Homerin nuk ekzistonin (dhe autori përfundon)… Pra bie poshtë pretendimi se origjina e lashtë e helenëve, është e lidhur me ngjarjet zulmëmëdha të Luftës së Trojës. Luftën e Trojës e kanë bërë kundër njëri-tjetrit popujt pellazgë të Ballkanit dhe të Azisë së Vogël. Lufta e Trojës ka qenë një luftë civile midis pellazgëve.

-Botërisht dihet se jonianët para se të bëheshin helenë, ishin pellazgë. Dhe këtë e ka murosur në mur, Herodoti, dhe nuk ka burrë që t’i heq këta gurë të vendosur në mur prej tij…

Citimi i të vërtetave historike (nga autori) në burimet në kohë e autorë, që ai i ka bërë pjesë të formulimeve edhe të konkluzioneve të veta mbi këto të dhëna, duke arritur të bëjë pjesë të natyrshme të tërësisë së këtij studimi, duke i njëtrupëzuar ato në rrjedhë, gjithmonë në rritje dhe pasurim, si përrenjtë që nisin udhën e vet nga burimi i fillesës e duke ndjekur rrjedhën, bashkohen njëri pas tjetrit për të formuar lumin ujëshumë e jetëdhënës. Një rrjedhë si hallkat e një zinxhiri, të cilat kur lidhen midis tyre e bëhen pjesë të së tërës, nuk mundesh me t’i veçosh, se lidhin e formojnë të njëtrupëzuar  tërësinë.

Të tërheq në këtë studim siguria e autorit, katërçipërisht bindës, me vijimin e pashterë të të dhënave e argumenteve të parashtruara në kohë e autorë të ndryshëm.

Në këtë këndvështrim vlerash të këtij libri të Besnik Imerit do të mund të citoja akoma më tej 2-3 fragmente të tjera, që përbejnë një pjesë të thelbësores së këtij studimi dhe seriozitetin e përgjegjshëm të autorit, por nuk dua të kapërcej masën e kureshtjes e të interesit te lexuesit, për të rejat që na sjell autori në këtë vepër.

Në këtë reference, reflektova një pjesë shumë të vogël nga përgjigjet e shumta dhe bindëse që na jep Besnik Imeri në shërbim të kthjellimit të mendimit shqiptar sa dhe atij grek, për historinë dhe rrënjët e përbashkëta të dy popujve tanë, të cilët që në krijimin e njeriut, kanë një rrënjë e trung të përbashkët. Ndërsa ne jemi dy degët konservative e që duhet të kthjellojmë mendjet tona dhe historinë tonë të përbashkët nga mjegullat e krijuara prej subjektivizmit historik.

 

Foto  BIXHILI, Studiues-Historian