Një festë e bukur plot emocione dhe këngë

694
Sigal

Dje, në Muzeun Historik Kombëtar, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” kremtoi 23-vjetorin e krijimit të saj

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar, dje, datë 12.12.2014, në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, kremtoi 23 vjetorin e krijimit të saj. Në këtë kremtim të bukur merrnin pjesë deputetë, ministra, historianë, gazetarë, pjesëtarë të shoqatës “Labëria” të degëve nga Vlora, Gjirokastra, Tepelena. Fieri, Saranda si dhe pjesëtarë të shoqatave të ndryshme në Tiranë. Salla prej 400 vendesh e muzeut ishte mbushur plot e përplot. Fjalën e rastit në këtë kremtim e mbajti Kryetari i Shoqatës “Labëria” Prof. Dr. Ago Nezha. Në fjalën e tij ai theksoi se: “Shoqata Kulturore Atdhetare Labëria në këto 23 vjet ka zhvilluar 5 Kuvende, me destinacion , të parin në Tiranë në Qershor 1998, që ishte dhe kuvendi themelues e konstituivi i shoqatës, që zgjodhi dhe organet drejtuese, ku kryetar u zgjodh shkrimtari Halil Qendro. Kuvendin e dytë në Vlorën e flamurit në  Maj 2001, të tretin në Himarë në Maj 2005, për të kujtuar se Himara është Labëri dhe ka qenë dhe kryeqendra e Labërisë me 52 fshatrat, të katërtin në Kuç të Kurveleshit në 21 Nëntor të 2009, në 85 vjetorin e kongresit të Labërisë që u zhvillua në 28 Nëntor-4 Dhjetor 1924, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve nga të gjitha trevat e Labërisë, përfshirë këtu dhe nga Kosova dhe Çamëria dhe të pestin në kryeqendrën e kulturës së Labërisë në Gjirokastër, më 24-25 Maj 2014, ku ende nuk na është shuar jehona e suksesit të tij. Këto vend zhvillime të Kuvendeve, nuk kanë qenë të rastësishme, as sentimentale, por janë të motivuara, për evenimente historike që ka kaluar Labëria dhe shoqata e saj.

Shoqata Labëria, në shumë raste kur është kërcënuar integriteti shqiptar, ka marrë rolin e liderit, duke thirrur në tubime shkencore edhe mbi 70 shoqata nga mbarë vendi nga Tropoja në Sarandë.

Kështu ka ndodhur për çështjen e marrëveshjes së Detit, midis qeverisë shqiptare dhe asaj  greke, për vetë deklarimin e popullsisë mbi bazë etnie dhe feje, për çështjen e shembjes së Piramidës,  shkatërrimin e gjirit të Vlorës,e shumë problem që sensibilizojnë opinionin shoqëror për ti prerë rrugën aferave korruptive që kryhen në rrugë okulte.

Degët e shoqatës Labëria në rrethe kanë rritur shumë numrin e veprimtarive dhe nivelin e organizimit të tyre. Ato kulmuan në 100 vjetorin e Pavarësisë dhe 70 vjetorin e Çlirimit, që startuan me një sesion shkencor që u mbajt në Tiranë.  Një performancë të shkëlqyer për nga niveli dhe kultura në organizimin e veprimtarive në kuadrin e dy festave emblematike për vendin tonë, ka treguar dega e Labërisë në Vlorë me kryetar Amet Demën, që ka ditur të alternojë çdo javë aktivitete me nivel të lartë sipas shoqatave të fshatrave. Por shembuj të mirë gjen edhe në degët e Tiranës, Fierit, Patosit, Gjirokastrës etj.

 Sesioni Shkencor që u mbajt në Tiranë në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit me korifenjtë e shkencës historike shqiptare, që dua ti falënderoj edhe një herë të gjithë kumtuesit, tregoi për seriozitetin dhe përgjegjësinë që merr kjo shoqatë para historisë kombëtare. Akademiku Rexhep Qosja, u shpreh në Gjirokastër se :”Mund të themi me plot gojën se aktivitetet e saj janë aq të mirëorganizuara sa që mund të themi se sot ajo është kthyer në një institucion të mirëfilltë kulturor që gjithkush e ka zili”.

Një rol të veçantë ka luajtur zëdhënia e shoqatës, gazeta “Labëria” në gjithë jetën e kësaj shoqate, nën drejtimin e kryeredaktorëve Pëllumb Tare, poetit të talentuar Lirim Dede si dhe shkrimtarit, publicistit Albert Zholi. Por ajo që dua të theksoj se gazeta e botuar nën kujdesin e pronarit të gazetës “Telegraf”, Agim Çiraku dhe drejtorit të saj Engjëll Musai, ka ndryshuar në formë dhe në përmbajtje, është rritur tirazhi, gjë që duhet ti përgjigjen degët nëpërmjet abonimeve. Labëria ka edhe pasaportën e vet, që është Kanuni i Labërisë, i punuar me mjeshtëri nga Profesor Ismet Elezi.

Angazhimi i shumë intelektualëve, drejtuesve dhe veprimtarëve për punët e shoqatës që pa dyshim ka vlerën e vet për mbarëvajtjen e saj, por do të qe i pa arrirë në rast se nuk do ishte kontributi financiar i disa biznesmenëve, që janë për ti nderuar nga gjithë komuniteti lab e më gjerë. Kështu mund të përmendim të ndierin Enver Guga, Kastriot Zoto, legjendarin Gafurr Duda, që vazhdon me përkushtim për gati dy dekada, Fatmir Toçi për botimin e gazetës, etj. Por në rast se nuk do ishin futur në lojë dhe disa të rinj me kontributin e tyre, si Dr. Bujar Leskaj, një lab i larë me flori për përkushtimin ndaj Labërisë, dueti Agimi, Çiraku dhe Rrapi, jeta e shoqatës do ish ndërprerë në mes. Shprehim keqardhje për shumë biznesmenë lab, që nuk japin asnjë kontribut për Shoqatën Labëria, edhe pse kanë mundësi të kontribuojnë”. Pas fjalës së tij u nderuan disa personalitete dhe aktivistë të Shoqatës. Pikërisht me këtë rast u nderuan me tituj të lartë “Personalitet i shquar i Labërisë”, Prof.Dr. Paskal Milo, Mjeshtër i Sportit, Bejkush Birçe, Piktori i Popullit Skënder Kamberi dhe Kryetar i Shoqatës Labëria dega Vlorë z. Ahmet Dema. Njëkohësisht u nderua me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, drejtori i gazetës “Telegraf”, z. Engjëll Musai. Në fjalën e tij Prof. Milo tha se ky vlerësim nga Shoqata është më e rëndësishme se ajo që mund të japi shteti i sotëm dhe se kjo shoqatë bën aktivitete që si bën dot shteti. Ndërsa piktori i madh Kamberi theksoi se piktor më bëri Labëria dhe Vlora dhe ndaj tyre kam detyrime. Ndërsa Kryetari i Shoqatës Labëria Ahmet Demaj e vuri theksin tek ndihma dhe tek puna që duhet të bëjë gjithsecili që Shoqata të rrisë cilësinë e aktiviteteve, të rrisë numrin e të rinjve në anëtarësi dhe të jetë më pranë traditave labe. Drejtori i gazetës telegraf, z. Musai theksoi se ndihet i vlerësuar me titullin dhe se do të kontribuojë në përhapjen e vlerave dhe të traditave të Labërisë në gazetën që drejton. Më pas ceremonia vazhdoi me këngët labe të mjeshtrit të polifonisë Nazif Çela deh grupit të tij. Kënga për Isamil Qemalin bëri që të gjithë të pranishmit të ngrihen në këmbë dhe të këndojnë me grupin. Emocionet më të rralla në këtë ceremoni i përcolli do “Mjeshtri i Madh” Mirush Kabashi i cili me vargjet për Labërinë e ngriti peshë gjithë sallën. Emocione të papërshkruara kur ai e cilësoi Shoqatën Labëria, më të veçantën dhe më patrioten.

Albert Z. ZHOLI