Një e-mail nga Australia e largët dhe aktorja Singrit Thorton…

1620
Petraq Pecani, piktor

Duke kontrolluar postën elektronike, i ndodhur në studion time, mes motiveve të shumtë, të cilat për më tepër përbëjnë kujtimet e mia, një e-mail tjetër informonte për një konkurs ndërkombëtar pikture. Pa përfunduar leximin, instinktivisht dora lëvizi mbi tastierë dhe gishti tregues sa po binte mbi butonin “delete”. Në çast konstatova se e-maili vinte nga larg, nga shumë larg, dhe, kur syri më kapi fjalët: Brisbanë…Australia, u ndala. I heshtur u zhyta në mendime. Veç të tjerash në atë çast nga gjithë ai kontinent m’u shfaq edhe një imazh: silueta e një vajze, një fytyre e njohur, e afërt, që dikur si personazh i një seriali televiziv, pa e ditur, ishte bërë pjesëz e botës time, e jetës sime të trazuar artistike, duke ndikuar sadopak me temperamentin e saj në rrugën që kisha nisur. Ajo kishte mbetur në kujtesën time duke i rezistuar pluhurit të harresës. Në mendje më erdhi vajza me sy të mëdhenj e buzëqeshje enigmatike që me avulloren e drunjtë ndiqte me kurajë gjarpërimin e lumenjve në kërkim të një jete të dëlirë. Filadelfia!..citova me zë. M’u kujtuan si në mjegull udhëtimet e saj e të gjata mes natyrës e personazheve, mes peripecive të shumta, e cila me aq kurajë, kapi penelat e pikturonte mbresa nga natyra, bukuritë e te cilës përjetonte.

Filmi “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”
“Të gjithë lumenjtë rrjedhin”, klikova me nxitim në google-serialin,i shoqëruar nga imazhi i saj, për më tepër,për të ditur se në ç’pikë të globit, mund të ndodhej tani aktorja e vërtetë, ajo që i kish dhënë jetë atij personazhi të mrekullueshëm, dhe i ngazëllyer lexova: Singrit Thorton,…jeton në Melburn,…rininë e saj e ka kaluar në Brisbanë…Pra Thorton do të marrë pjesë në konkursin e pikturës, belbëzova duke lexuar me nxitim kondicionet e konkursit. Vendosa të aplikoja, për më tepër, në respekt të kujtimeve aq të bukura, të inspirimit që aktorja pa dashje më kish dhuruar. Më dukej se, me këtë veprim do të shlyeja një detyrim të hershëm, pavarësisht se “atje” larg në vendin e saj nuk më njeh askush, e ndoshta nuk kanë fare informacion mbi vendin tim të vogël. Shqipëria e asaj kohe kalonte një periudhë të plotë izolimi. Gjithkujt i privohej e drejta e lëvizjes nga qyteti në qytet ndërsa për të udhëtuar jashtë vendit as nuk bëhej fjalë.. Funksiononte vetëm një kanal televiziv shtetëror i monitoruar dhe kush tentonte të shihte stacione të huaja do pikasej e do të ndëshkohej nga autoritetet. (Përktheheshin edhe autorë të njohur, por pas ca kohe ndaloheshin e hiqeshin nga qarkullimi). Linjat interurbane të autobusëve ishin të pakta e të amortizuara e nuk e përballonin fluksin e udhëtarëve. Nëpër provinca e qytete si mjet transporti përdorej ende karroca me kuaj. Treni si mjeti me komod mbulonte disa qytete të vendit. Ndërsa jeta artistike kish dinamizëm, në teatro e koncerte nuk gjeje lehtë bileta po kështu edhe bibliotekat rrinin plot me lexues. Krijimtaria artistike survejohej, ajo duhej t’i përmbahej frymës të realizmit socialist. Nëse konstatohej se vepra kish devijim nga vija ideologjike e përcaktuar nga pushteti, ndëshkimet nuk mungonin. Hasje fakte tronditëse të asaj kohe, poetë të ekzekutuar, piktorë e shkrimtarë të burgosur, por edhe krijues të shumtë të internuar në kantiere e zona rurale ku kryenin dënimin në punë të vështira. Tenorë të nivelit ndërkombëtar shtynin vagonë në miniera qymyri. Apo romancier të suksesshëm që korrnin grurë me drapër nën diellin përvëlues. Nëse për letërsinë gjej përkthime të shumta të autorëve botërore, për artin figurativ nuk qarkullonte thuajse asgjë. Botoheshin artikuj për arritje të artit partiak e shkrime kritike mbi artin modern për të cilin ne nuk kishim informacion, e ato shkrime bënin të kundërtën, na shtonin kureshtjen për ta njohur. Në çdo qytet kish vetëm nga një galeri arti dhe për të marrë pjesë në ekspozita veprat gjykoheshin nga dy komisione, ai artistik dhe ai politik që ishte vendimtari. Nuk ekzistonin as dyqane me artikuj profesionalë për piktorët. Në kushtet e izolimit, institucionet e kohës hartonin lista të veçanta për furnizimin me materiale për artistë që, sipas shtetit ishin profesionistë, ndërsa shumica e gjendur jashtë asaj liste mbetej e zhgënjyer e ngushëllohej me ato nuanca ngjyrash që tepronin. Ne ishim një brez ëndërrimtarësh kapriçozë, një grup shokësh pasionantë pas letërsisë e artit, që dëshirën e vetme kishim të bëheshim artistë më famë. Ne ëndërronim që një ditë të preknim shkallët e Luvrit, të shihnim kryeveprat, madje njëri prej nesh (që bënte transporte me motorkarro, por merrej edhe me skulpturë dhe improvizonte) shkonte më tej imagjinonte se si do t’i puthte shkallët e atij muzeu, nëse do vinte ajo ditë. Por në vetvete të gjithë e dinim që ai çast ish i pamundur. Ne vizatonim e pikturonim vazhdimisht, shkruanim edhe poezi e prozë, pavarësisht se punonim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Shpesh shkonim në shtëpitë e njëri-tjetrit, e diskutonim për punimet e reja dhe flisnim edhe për gjëra të ndaluara. Ne njihnim piktorët rusë të periudhave të ndryshme por edhe piktorë evropianë. Por mbeteshim admirues të impresionizmit për piktorë si: Mile, Koro, Mone… Van Gog. Mundoheshim të visheshim bukur e të ishim të veçantë në qytet, dëgjonim muzikë klasike e përpiqeshim të gjenim e të lexonim autor të njohur nga letërsia botërore. Sa herë gjenim rastin, ne mblidheshim në lokale të veçantë në qendër të qytetit dhe me orë të tëra diskutonim për romanet e Tolstoit apo novelat e Çehovit. Veç autorëve të lejuar pëshpëritnim edhe për Gjeniun e Drajzerit apo Dostojevskin, Shollohovin që ishin rreptësisht të ndaluar e për këtë mund të përfundojë pas kangjellave të hekurta. Mbrëmja na zinte duke recituar poezi të Pushkinit apo Eseninit, pjesë të cilat i dinim përmendësh. Shpesh debatet bëheshin të ashpra në mbrojtje të autorit që secili kish për zemër apo për nivelin më të mirë të recitimit. Pas mesnate zbrisnim në lokalin veror me mështekna buzë lumit të qytetit, ku një miku ynë kamerier mblidhte karriget e fundit dhe para mbylljes të lokalit na priste ne për “finalen”. Të ekzaltuar e të dehur nga poezia e humori, qëndronim në tavolinën e lënë enkas për ne e ndiqnim interpretimin e mikut tonë që pretendonte se ish aktor i lindur. Për të improvizuar Hamletin ai hidhte supeve mbulesën e tavolinës dhe merrte pamje dramatike duke mbajtur në dorë një kanë uji. “Të rrosh, a mos të rrosh!”, kumbonte zëri i tij në mesnatën e ndriçuar nga drita e hënës i ndjekur nga shikimi kureshtar i qenve të rrugës që prisnin të dilnin mbeturinat e lokalit. Duartrokitjet ishin të stuhishme nga kënaqësia e suksesit, por edhe nga frika e natyrës së tij impulsive. Skena e mbylljes mund të ishte një improvizim pak intim, si hipej në një avion pasagjerësh apo si mund të zbritej nga një limuzinë luksoze. Ne pikasnim të etur çdo të re që kish të bënte me artin e vërtetë që na frymëzonte e na jepte kënaqësi në antitezë me zymtësinë që krijonte sistemi. Derën e shtëpisë time e kisha hapur i përgjumur nga e trokitura herët në mëngjes e mikut tim që jetonte në provincë për të më dhënë sihariqin, se ishte botuar Remarku, por edhe kur doli në treg jeta e Van Gogut e Irving Stounit bëmë kilometra të tërë në këmbë për ta blerë atë në libraritë e provincës, se në qytetin tonë kish mbaruar menjëherë.

Ishte kjo periudhë…
Ishte kjo periudhë kur u transmetua seriali televiziv “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” që pa dyshim u bë pjesë e diskutimeve tona, e që na bënte të linim gjithçka e të nxitonim të arrinim orarin e filmit. Në ato vite mua më quanin njeriu me bllok për arsye se vazhdimisht mbaja një të tillë nën sqetull dhe në çdo moment skicoja motive, shënime, apo hidhja karaktere personash që takoja. Merresha me vizatime për arsye të mungesës së ngjyrave, të kohës që e kisha të limituar e për më tepër mungesës së një ambienti për të punuar. Jetoja me shtatë anëtare të familjes sime në tre dhoma, njëra prej të cilave përdorej edhe për gatim. Shpesh preferoja që netët t’i kaloja si dispeçer në qendrën e punës ku në një dhomë të vogël me tavolinë e telefon mund të gjeja qetësi dhe gjer në orët e vona mund të lexoja, të shkruaja a të vizatoja. Gjatë ditës punoja si specialist. I matja vetë parametrat e puseve të gazit, në një ndërmarrje të industrisë së naftës. Ditët që nuk shkoja në puset e largët, do të punoja me orë të zgjatura me bojë kine skema teknike, harta gjeologjike me izoipse të lakuara, punë të cilën jo gjithkush mund ta bënte. Duke pasur shkrimin e bukur më kërkohej rëndom nga eprorët e mi të plotësoja formularë e blloqe të shumtë në ndihmë të zyrtareve mediokër, që të vetmen meritë kishin se burrat e tyre ishin drejtues të lartë partiake apo pushtetarë. Shpesh jeta me demoralizonte e më dukej se do mposhtesha e do të braktisja pasionet e mia. Nga disa sektorë të largët ku unë punoja, dy prej tyre ndodheshin pranë detit e kishte derdhje lumenjsh, pisha të larta, ndaj shkoja me kënaqësi. I vetmi avantazh i punës sime ishte mundësia për të lëvizur për tu gjendur mes natyrës e njerëzve të thjeshtë. Mundësia për të pikturuar ishte gati e pamundur, por thellë në shpirt shpresoja që një ditë gjërat do të ndryshonin.

Impresionet e serialit “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”
I përshkuar me një frymë impresioniste seriali që filloi të jepej në ekranet e TV-se,në atë kohë (vitet 1970), më tërhoqi që në sekuencat e para të tij. Personazhet, veshjet, ambientet piktorike, por edhe zhvillimi i ngjarjeve në rrjedhje lumenjsh i jepte filmit dinamizëm e të nxiste kureshtjen. Por nuk mund ta fsheh, që personazhi i Filadelfias më rrëmbeu me temperamentin e saj, me kurajën e guximin për t’u përballur me situata të vështira, por dhe lidhja e saj me pikturën me gjininë e peizazhit që unë e kisha për zemër. Shihja një lloj paralelizmi të jetës sime. Nga kjo m’u shtua kurajoja për të luftuar me vështirësitë e kohës, por njëkohësisht për t’iu përkushtuar më tepër pikturës. Edhe pas mbarimit të serialit, ajo figurë më shfaqej në momente të caktuara si për të më shtuar besimin për të vazhduar rrugën time. Në atë periudhe kam punuar një seri motivesh me pemë, pellgje uji e derdhje lumenjsh. Që së bashku me punë të mëvonshme ishin pjesë e ekspozitës sime të parë në Greqi.

Viti 1990…
Në vitin 1990 regjimi diktatorial u përmbys duke u zëvendësuar me sistem pluralist që në fillimet e veta që tepër i brishtë e mund ta quajë pa nguruar anarki. Nga njerëz të papërgjegjshëm të parat u prenë mështeknat buzë lumit, ku në luanim Hamletin që ishte atraksion i qytetit. Me gjithë përpjekjet që unë me shokët bëmë nuk mundem ti shpëtojmë ato nga sëpata. U vazhdua më pas me pemë nëpër qytete e deri te pishat në bregdet për t’u zëvendësuar me ndërtime pa kriter. Shihje trungje të shtrirë, rrënjë të shkulura e pyje të masakruara. Betonizimi i shfrenuar nga qytetet kaloi në provinca e deri në natyrë duke prishur imazhe të pa përsëritshme. Të trishtonte edhe mungesa e zërit të zogjve. (shumëkush për ta bërë një pronë “të patundshme” e thurte atë me mur betoni pavarësisht se historikisht i përkiste dikujt tjetër Hileqarë të pangopur, në emër të popullit ngjiten spiralet e pushtetit me qëllimin e vetëm për të përvetësuar atë që popullit i takonte. Për të ngritur vila e çifliqe pa kriter, duke dëmtuar lëndina, kodrina e bregore që ishin silueta magjike e këtij vendi. Kjo kakofoni çjerrëse nuk kish asnjë lidhje me elegancën e bukurinë tradicionale të ruajtur e trashëguar ndër brezat. Estetikisht gjithçka u përket të gjithëve dhe askush nuk ka të drejtë ta dëmtoje.) U desh shumë kohë që këto veprime deri diku të ndërpriteshin. I pa fuqishëm për t’i ndalur ato unë mund të gjeja ngushëllimin duke pikturuar, motive, të cilët me kohën edhe mund të transformoheshin. Këtë periudhë u vendosa në qytetin e Athinës ku mora pjesë në disa aktivitete, e pata kontakte me galeri e qendra arti. Mund të kisha qëndruar në Greqi apo Itali ku ndihesha komod, por preferova të kthehem shpejt në Shqipëri për t’iu larguar frymës mbytëse të qyteteve të mëdhenj. Të pikturoja motivet e vendit tim që i njihja mirë e i kisha aq për zemër. Duke u vendosur me studio në Tiranë vazhdova të pikturoj e të marr pjesë në aktivitete edhe në disa vende të Evropës, në SHBA dhe së fundi në kontinentin Aziatik. (Në Shangai e Korenë e Jugut në bashkëpunim me Galeri “Steinner”, Vjenë).

Në pritje të përgjigjes nga Australia
Në ditët që prisja përgjigjen e komisionit, nëse do ë isha apo jo pjesëmarrës në Brisbanë i telefonova miqve të mi të vjetër. Nisur nga ngjarjet e shumta, informacioni pa fund që shpërndahet nga interneti e stacionet televizive që sot janë me tepricë, mendova se kujtime të hershme ndoshta edhe janë fshirë nga kujtesa e njerëzve. Por jo, u gabova. Të gjithë miqtë e mi e të tjerë që pyeta e mbanin mend mirë filmin, madje edhe detaje të shumta që unë vetë i pata harruar. E pra, sot mund të përsëris me bindje: “Të gjithë lumenjtë rrjedhin”.

Shënim i autorit
Disa kohë pas aplikimit që unë bëra, më erdhi njoftimi se nga shumë kandidatura, isha fitues dhe do të isha pjesëmarrës i këtij eventi. I emocionuar, i kërkova organizatorëve, nëse do ishte e mundur që një nga punimet e mia t’i dhurohej aktores së njohur australiane Sigrid Thornton, në kujtim të kënaqësisë që më kish dhuruar me personazhin e Filadelfias në serialin “Të gjithë lumenjtë rrjedhin” i shfaqur gjatë periudhës së zymtë të diktaturës. Organizatorja e eventit Cathy Condon, e mirëpriti me kënaqësi dëshirën time dhe më premtoi se do të kontaktonte me zyrën menaxhuese të aktores për të më konfirmuar kërkesën që unë bëra dhe njëkohësisht më kërkoi disa kujtime në lidhje me serialin dhe aktoren për t’i përdorur në ditën e promovimit. Me vullnetin e saj dhe me vlerësimin e aktores, u bë e mundur ardhja e saj në Brisbane për të qenë pjesë e eventit, ku u promovua dhe historia e mësipërme, gjë e cila më krijoi respektin ndaj tyre duke më emocionuar përsëri.
Sigal