Nishani jep sot “Mjeshtër i Madh” për Edmond Zhulalin

691
Presidenti i Republikës vlerëson kompozitorin e njohur dhe krijuesin e dhjetëra këngëve. Një jetë në muzikë; nga Festivali Evropian, te himnet për UÇK-në

Kompozitori i njohur, Edmond Zhulali, do të marrë sot nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, titullin “Mjeshtër i Madh”, pas një karriere shumëvjeçare dhe krijimtarie tejet të pasur. Për njeriun e artit, me një arkiv gjigante në krijimtari, vjen sot vlerësimi i merituar nga Kreu i Shtetit. Një kompozitor virtuoz, Zhulali mbetet ndër njohësit dhe krijuesit më të mirë të muzikës së vërtetë shqiptare. Me natyrën e tij të qetë, ai ngjan me pak me kompozitorët e zakonshëm, por tingujt e Zhulalit dinë të trazojnë shpirtin dhe të ngrohin zemrat e miliona shqiptarëve në mbarë botën. 

Jeta
Edmond Zhulali u lind në qytetin e Peshkopisë. Prindërit e tij me origjinë nga Gjirokastra kanë qenë arsimtarë dhe kanë punuar si mësues në rrethin e Dibrës. Që i vogël ka lindur dashuria e talenti i tij për muzikën dhe në moshën gjashtë vjeç e gjysmë, luajti në kitarë me Ansamblin e Pionierëve në Tiranë. Dëshira e tij për të studiuar muzikën u plotësua në shkollën e mesme, pasi konkurroi dhe fitoi në shkollën e mesme të muzikës në Shkodër. Pastaj bëri stazhin e zakonshëm që ishte një vit pas shkollës së mesme dhe më pas ka mbaruar Akademinë e Arteve për degën muzikë trombë dhe ka studiuar edhe për kompozicion. Pas përfundimit të Akademisë u emërua në qytetin e Peshkopisë si drejtues muzike i Estradës. Aty ka punuar rreth 8 vjet. Në vitet 1991-1992, Edmond Zhulali erdhi në Tiranë, ku punoi në Liceun Artistik si pedagog. Disa vjet ka punuar në Qendrën Kulturore të Ushtrisë si drejtues muzike dhe prej 1 Nëntor 1997 për 10 vjet ka qëndruar në profesion të lirë, në krijimtari të lirë, duke punuar në studio për aktivitete të ndryshme. Në vitin 2007-2008, ai punoi në “Radio Tirana” si zëvendësdrejtor dhe drejtor artistik, ku ka drejtuar dhe dy festivalet e RTSH-së. Së fundmi, ai u largua edhe nga detyra që mbante në RTSH.

Krijimi i parë
Në intervistat e tij, Edmond Zhulali ka kujtuar edhe krijimin e parë. “Ka qenë një duet, që e kanë kënduar dy këngëtarë të rinj që ishin atëherë në Peshkopi. U prit shumë mirë edhe orkestrimin e kam bërë vetë dhe e kam kompozuar”, është shprehur Zhulali, duke shtuar se atij krijimi nuk i mbante mend as titullin. “Ka qenë një këngë lirike, i kushtohej dashurisë”, është shprehur ai.Zhulali ka kujtuar edhe një këngë të njohur të vënë në skenë në vitin 1984 në Peshkopi. “Është një këngë e njohur dhe e famshme në Shqipëri. Në premierën e parë që kam realizuar, unë përpunova një këngë të kompozuar nga kompozitori i njohur në Peshkopi, Kolë Susaj. Është një këngë që i kushtohej Jakup Ferit që e kanë kënduar edhe ‘Djemtë e Detit’. Unë atë këngë e pata orkestruar për Arif Vladin. Pata fatin që nuk e kisha dëgjuar këngën të realizuar, por e mora dhe e konceptova si desha vetë. I bëra një vokalizëm, e përpunova dhe ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm”, ka kujtuar Zhulali.

Festivali Evropian
Megjithatë ai është shprehur se suksesi më i madh ka qenë në Festivalin Evropian. “Suksesi më i madh ka qenë, kur kam marrë pjesë në Turqi në Festivalin Evropian në 2004, që unë u përfaqësova me Anjeza Shahinin. Me këtë këngë unë mora çmim të parë në Tiranë. Unë jam kompozitori i parë shqiptar që kam shkuar për herë të parë në Festivalin Evropian”, është shprehur Zhulali. Ka qenë hera e parë që Shqipëria përfaqësohej në Festivalin Evropian. “Për ne ishte një emocion i madh. Nuk dinin si do të na prisnin, si do të realizoheshin provat, nuk dinim shumë gjëra. Për ne ishte një përgjegjësi shumë e madhe. Kritika e huaj e cilësoi si një këngë evropiane me mentalitetin muzikor të orkestrimit. Ka qenë një këngë e ndjerë, një krijim pa asnjë paragjykim. Prandaj them që ka qenë një këngë e suksesshme. Rezultati ka qenë i mirë që zumë vendin e 7-të”, kujton Zhulali.

Këngët për Kosovën dhe Veriun
“Unë faktikisht më shumë krijime kam bërë me motivet e veriut, edhe për vetë kushtet që unë këngët i kam kushtuar Kosovës (që janë me dhjetëra). Në fakt në këto këngë që kam krijuar, ndjehet motivi shqiptar i veriut shumë qartë. Por nuk jam mbështetur në asnjë këngë të mirëfilltë, pasi pa dashje më kanë dalë këngët me atë lloj intonacioni, duke e dashuruar shumë atë muzikë, pasi janë bërë pjesë e imja. Më shumë këngë kam krijuar për veriun, sepse edhe kërkesat kanë qenë shumë të mëdha dhe këngëtarët me të cilët kam bashkëpunuar në fillim kanë qenë nga veriu, të cilët më kanë kërkuar dhe më kërkojnë”, është shprehur. Ai spikati me këngët për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke i kthyer disa prej tyre në himne të vërteta. “Për mua pjesa më e bukur e krijimtarisë ka qenë lufta në Kosovë, kur unë i jam përkushtuar dhe kam krijuar muzikë patriotike. Kjo do të mbetet pjesa më e ndritur e imja”, ka thënë Edmond Zhulali, vlerësimet për të cilin nga Kosova nuk kanë munguar. 
Sigal