Nis me një “friend request”, verë e vodka në banesë dhe përfundon…

753
Dy persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës pasi akuzohen se i kane vjedhur sendet personale një francezi i cili i ftoi të pinin verë në banesën e tij në Tiranë ku prej vitesh jetonte me qira. A.T dhe E.Sh akuzohen për vjedhje e kryer në bashkëpunim, ngjarje e ndodhur më 21 dhjetor të 2016-ës.
Francezi punon si ndihmës teknik në një kompani në kryeqytet dhe në dëshminë e tij ka deklaruar se një nga të pandehurit, E.Sh. e ka njohur pasi ky i fundit i ka cuar ftesë për miqësi në rrjetin social Facebook. E. SH, i është prezantuar si “R” dhe se punonte në një palestër.
Më 20 dhjetor 2016, rreth orës 23:40, E.Sh i ka telefonuar francezit dhe i ka thënë që donte ta takonte për qejf me një shokun e tij. 38-vjerçari francez i ka ftuar për të pirë në banesën e vet, verë, vodka e pije të ndryshme dhe kanë biseduar në anglisht.
Francezi ka thënë se ka hyrë në një moment në tualet dhe kur ka dalë që aty ka vënë re që i mungonte telefoni celular. I ka pyetur të dy ata dhe nga mimika e fytyrës së tyre kuptoi që ata diçka fshihnin, madje njeri prej tyre kishte diçka të fshehur në xhepin e pantallonave.
Kallëzuesi ka zgjatur dorën dhe ia ka marrë nga xhepi dhe ka njohur telefonin e vet. I irrituar i ka dëbuar nga shtëpia e tij. Ndërkaq, pasi kanë kaluar ca minuta, ka vënë re që në banesë i mungonin edhe laptopi, i mungonte një karikues wireless i celularit, si dhe 5.000 lekë në çantën e laptopit. U ka telefonuar të dyve por ata nuk i janë përgjigjur. Të nesërmen ka shkuar në punë dhe mandej në polici ku ka bërë kallëzimin.
Gjatë pyetjes nga hetuesit, E.Sh. deklaroi që kishte shkuar në banesën e francezit ftuar prej tij dhe do të kryenin marrëdhënie homoseksuale. Këtë do e bënte sipas tij sepse kishte nevojë për të holla meqenëse kishte sëmurë fëmijën.
A.T pohoi që kishte qenë në banesë dhe se ftesën për të shkuar aty e kishte marrë nga E.SH që i ka shpjeguar se e kishte njohur francezin përmes rrjeteve sociale dhe se atje do të pinin verë. A.T ka deklaruar se kanë konsumuar që të tre shumë pije alkoolike, ai është dehur dhe ka humbur kontrollin. Nuk është në gjendje të shpjegojë se si u gjet telefoni në xhepin e pantallonave të tij dhe nuk është në gjendje të thotë se çfarë sendesh të tjera mund të jenë marrë në atë banesë. Kur ka dalë nga ajo banesë ka ikur me taksi sepse nuk mund të ecte. Megjithatë prokuroria ka faktuar se ata janë autorë të vjedhjes në banesën e francezit.
Sigal