Niko Gjoni: “Qaramani i varrezës” një vrasës me pagesë që pendohet

612
Sigal

INTERVISTA/ Flet mjeku opticien dhe shkrimtari Niko Gjoni: Në Shqipëri nuk është kthyer në edukatë mbajtja e syzeve në kompjuter

 Një specialist opticien, por dhe një shkrimtar i sinqertë që po hyn bindshëm në rrugën e tregimtarëve të lexueshëm. Ka botuar  tetë vëllime me tregime dhe tashmë është në pritje të vëllimit të ri. Libri i tij i fundit “Qaramani i varrezës” është një libër me temë aktuale, për vrasjet me pagesë. Njëkohësisht ai është nj specialist opticien shumë i kërkuar.

 Duke parë botimin e librit të fundit, kur përkon fillimi i lëvrimit të tregimit nga ana juaj?

 Unë kam filluar ta lëvroj tregimin vitet e fundit. Mbase kanë kaluar dhjetë vjet. Unë kam pasur dëshirë  të shkruaj qysh në fëmijëri. Madje, në shkollë hartimet e mia lexoheshin apo viheshin në stendat letrare të shkollës. Ndaj mund të them që për mua lëvrimi i tregimit ka qenë një talent i përgjumur.

Në këto tregime shihet qartë që e njihni mirë letërsinë, keni lexuar shumë?

Mund të them se isha i uritur për të lexuar. Lexoja pafundësisht, tregime, novela dhe romane. Këto tri gjini ishin tek unë. Lexoja kryesisht krijimtarinë e Balzakut, Tolstoit. Pra shkrimtarëve rus dhe atyre francezë. Unë përmenda pak, por ata janë shumë, pasi nuk rrija kurrë pa lexuar, do më gjej gjithmonë me libra në dorë. Për novelat do të veçoj Cvajkun, ndërsa për romanin Ernest Eminguej. Kanë mënyrën e tyre të rrëfyerit që të mbërthen, të fut në botë me vete, të përcjell art të vërtetë rrëfimi.

 Gjinia e tregimit ka vështirësitë e veta, pse keni ngulur këmbë tek tregimi?

Pasi tregimi më erdhi vetiu. Bujti vetë tek unë, natyrshëm, hyri si një mysafir i paftuar, duke më diktuar jetën e tij interesante. Në këtë mënyrë gjeta veten, pasi edhe unë dua të shkruaj shkurtër, më mbledhur dhe me trajtesa jetësore sa më të formësuar dhe me fabul të spikatur, pa shumë tejzgjatje. Tek tregimi gjej shumë gjëra që janë pjesë e jetës sime, ose më mirë që më bëjnë të ndihem vetvetja.

 Cilët nga shkrimtarët e realizmit socialist keni lexuar më shumë në atë kohë?

 Për mua Dritëro Agolli dhe Ismail kadareja mbeten ndër më të veçantët, të cilët edhe sot lexohen po me atë interes. Ndiqja në vijimësi të gjithë krijimtarinë e tyre dhe sa herë dilnin libra të rinj i blija menjëherë. Lija shumë gjëra, si dëfrime të moshës për një libër.

 Si je ndjerë kur ke botuar librin e parë?

Jam çuditur me veten. Nuk e besoja. Ishte një ëndërr jetësore që u bë realitet. Pra ndihesha i çuditur për vetë faktin se nga një lexues i rregullt, tani po bëhesha dhe një krijues, që deri dje se kisha menduar. Libri i parë më bëri të njoh shumë krijues, të bëj bilance, të jem racional, të mos nxitohem, të lexoj më shumë krijues tregimtarë, më shumë tregime nga Shqipëria, etj…Pra libri i parë më futi në një krosi tjetër, kualitative si lexues, por edhe më të përgjegjshëm si krijues.

 Kush të nxiti më shumë në librin tuaj të parë?

Kam pasur një shok që e kam dhe kushëri, Jani Duro. Ai ka shkruar më shpejt dhe më nxiste që të merrja penën. Deri në librin e parë ai ka qenë shtysa kryesore. Lexonim të dy, diskutonim për librat kush na pëlqente, komentonim, kjo bëri që të jem çdo ditë në korrent me letërsinë dhe të marr iniciativa të tilla.

 Cilat janë problemet e letërsisë sot?

Letërsia ka problemet e veta si në çdo vend. Problemi kryesor është shpërndarja dhe reklama e dobët e librit. Problem tjetër është se krijuesi nuk vlerësohet, nuk shpërblehet për atë që bën.

Sot ka shumë botime, a mendon se është një hap i mirë për letërsinë?

 Po, për mua heqja e censurës, është gjëja më e mirë. S’ka pse të ketë ngurtësime në krijimtari. Kushdo që e ndjen veten dhe që dëshiron të shpreh çka ka dhe çka mendon është i lirë ta bëjë. Asnjë e keqe nuk të vjen nga botimet e shumta, përkundrazi.

 Nuk e ul cilësinë numri i madh i botimeve?

Ç’rëndësi ka. Lexuesi di se çfarë zgjedh. Tregu është i lirë edhe përzgjedhja është e lirë. Njeriu shkon aty, ku është më mirë, aty ku gjen veten, aty ku ai mendon se i shërben ky apo ai libër.

Po poezia ç’është për ju?

Është moment shplodhës, meditimi, por nuk është në shijet e mia krijuese.

Ju jeni opticien, pra specialist për syzet dhe mbajtjen shëndosh të shikimit, a ka ndikuar ky specialitet në të qenit krijues?

Po ka atë anën e shikimit, ka atë anën e lidhjes me jetën, përditshmërinë. Njerëzve që u ikën shikimi ti ua kthen këtë, u jep udhëzime, u jep këshilla.. Ti, me anë të shikimit lexon, shkruan. Pra të dy profesionet kanë lidhje të drejtpërdrejta, me dritën, me dëshirën për të parë jetën me të gjitha ngjyrat, syri me shikim dhe lexim, krijimi me prurje të ndryshme që thithen nëpërmjet syrit, shikimit.

Pra, me këtë profesion ju keni lidhje të drejtpërdrejta me njeriun?

Sigurisht, ka dy gjëra, ose do shkosh ti tek personazhet, ose personazhet do të vijnë tek ty. Në këtë rast personazhet vijnë tek unë. Vijnë për vizita njerëz të profesioneve të ndryshme, njerëz të moshave të ndryshme, krijues të ndryshëm. Kur vijnë për vizitë unë zhvilloj biseda nga më të ndryshmet që edhe ata dhe unë të ndihemi mirë për aq kohë sa jemi afër njeri tjetrit. Nga bisedat, nga këshillat dhe klienti ndihet mirë, dhe un ndihem mirë që kam shërbyer. Shumë biseda me ta më kanë shërbyer për tema për tregime. Kam marrë shumë spunto nga këto biseda.

 Sot ka shumë probleme me sytë, mos vallë janë probleme të shekullit?

Anomalitë e shikimit nuk është se janë të sotmet. Janë sëmundje të shoqëruara në gjithë jetën. Njeriu vjen tek unë ose për të marrë ilaçe për pastrim shikimi ose për numër syzesh. Kështu që ata me këto shërbime të mos kenë anomali. Unë mund të them se këto anomali kanë qenë edhe më përpara, s’ka ndonjë sëmundje të re. Por dikur, njeriu kishte më pak kulturë mjekësore për sytë. Kishte më pak specialistë. Kishte më pak njohuri dhe informacion.

 Mos ndoshta dje ishte dhe si turp të mbaje syze se të ngjisnin nofkë qorr?

Edhe kjo ishte. Pasi nuk është kthyer në edukatë domosdoshmëria e mbajtjes së syzeve gjatë leximit. Gratë kryesisht në veri e kishin për turp të mbanin syze pasi mund të etiketoheshin  si të paafta për punë, ose jo të mira për t’u martuar dhe ato mundoheshin t’i mbulonin këto të meta shumë normale, duke mos u vizituar.

A janë të domosdoshme syzet sot në punën e përditshme kryesisht në kompjuter?

 Mëse të domosdoshme. Madje, edhe ata që nuk kanë probleme me sytë, është e domosdoshme mbajtja e syzeve me numër zero, për të mos pasur kontakt direkt me rrezet e kompjuterit. Domosdoshmërisht është që në çdo 50 minuta njeriu duhet të çohet dhe të bëjë 5 minuta pushim. Këto janë këshilla të detyrueshme.

 Cili është tregimi më interesant, ku fabula ka lindur nga biseda me klientët?

Ah, është një tregim “Syzet e drejtorit”.  Çdo dy javë tek unë vinte për të vendosur një xham të ri tek syzet një burrë. Patjetër njëherë  në dy javë ai do të vinte ose për të vënë një xham ose tjetrin. I them pse i thyen kaq shpesh xhamat e syzeve? Ai më thotë se nuk janë syzet e mia, por të drejtorit të burgjeve. Sa herë lirohen të burgosur atij i thyejnë xhamat të liruarit pasi e shtrëngojnë fort nga kënaqësia që lirohen dhe sjellja korrekte e tij.

 Nga është marrë fabula e vëllimit “Qaramani i varrezës”?

Nga një i papunë, i cili rrinte gjithmonë në një klub me një kafe. Aty e panë disa shokë që rrinin gjithmonë bashkë dhe merreshin me vrasje me pagesë. Ata në fillim i dhanë kafe, një birrë pastaj e ftuan që të shoqërohej me ta. E morën disa herë në vrasjet e qenve pastaj e morën në një vrasje me pagesë. Padashur ai u bë pjesëtar i bandës pasi e mikluan paratë. Një ditë i vdes një komshi dhe shkon në varreza. Midis të tjerëve ai pa dhe ata që kishte vrarë vetë për para. Këtu fillon pendesa, thirrje e ndërgjegjes për gabimin apo fajet që kishte bërë. Një pendim i thellë, njerëzor. Reagimi i tij ishte i menjëhershëm.