Niko Gjoni/ Kostumi që të ha drekën

170
Një miku im i vjetër dhe që jeton në Kanada më sjell si dhuratë një kostum me këmishë dhe kollare. Në atë valixhe nuk kishte harruar të vendoste edhe këpucët me çorapet që i shkonin mjaft mirë kostumit. Kur i vesha dhe dola në rrugë mu duk vetja si një pasha i kohës së re. Në të vërtetë qejf shumë për të punuar nuk kam por sidoqoftë manovroj sa andej-këtej për të jetuar. Ishte një ditë e ngrohtë prilli kur u ndodha poshtë një pallati të sapondërtuar. Aty pashë të grumbulluar shumë njerëz. Mendova se do të kishte ndërruar jetë ndonjë banor. Dhe nuk kisha gabuar. Nuk vonoi shumë kur pashë të dilnin nga shkallët grupe grash të veshura me të zeza. Doli dhe arkivoli i shoqëruar nga të afërm për te makina e funeralit “MAN”. Dikush më përshëndeti dhe foli si nëpër dhëmbë emrin e të vdekurit. Duke më vështruar nga koka në këmbë më ftoi të futesha në makinën e tij luksoze. Në krah meje ishte një vajzë e re, e zbehtë që më përshëndeti. “ Është e bija, më tha burri që ndodhej në sedijen e përparme. Pastaj heshtje. Një heshtje që zgjati deri në Sharrë, tek varrezat. “Behar i bëri koha, ashtu siç e kishte zemrën. Pas ceremonisë për nderimet e fundit që iu bënë të ndjerit, më rreshtuan në krah të familjarëve. Po prisja ngushëllime.
-Urdhëroni për drekë, më tha burri që më ndodhej sërishmi afër me sytë e skuqur nga lotët. Dhe kështu u bë. Në restorant ku ishte e shtruar dreka që i jepej lamtumira e fundit të ndjerit zura edhe unë vend. Njerëzit më shikonin dhe mendova se më respektonin pa më njohur nga veshja ime. Një veshje luks. E ç’është luksi? Çdo gjë e panevojshme për ta bërë njeriun të lumtur. Por kjo për mua ishte një e vërtetë. Mbarova së ngrëni drekën dhe bashkë me të tjerët takova sërishmi të afërmit duke u larguar për në shtëpi. Kaloi dhe para kjo mesditë pak e lodhshme por me një drekë të shijshme. Të nesërmen shkova sërishmi nga zyra e punës se dikush më kishte premtuar, por më thanë se duhet të prisja akoma. Pastaj i veshur aq bukur, si zor të mendonin se isha një kacidhe në xhep. Duke ecur u ndodha në qendër të qytetit. Në krah të djathtë në faqen e murit të një pallati vendosur lajmërime të reja të vdekurish. Lexova orën e varrimit të secilit dhe shënova adresën tyre. I veshur dhe i krekosur u nisa drejt vendbanimit të të vdekurit më të afërt. I hipa autobusit, dy stacione deri tek Medreseja. Kish filluar të frynte pak erë dhe të pikëlonte shi. Por sapo u afrova jashtë portës, një burrë më afrohet me çadër duke treguar se ishte gjynah të lagej kostumi që kisha veshur. Të jerët më afrohen dhe më tregojnë dhomën e burrave. Më zgjatën paketën dhe tërhoqa një cigare.
E ç’është jeta?
“Asgjë, i thashë duke e vështruar dhe menduar nëse e njihja njeriun që mu drejtua.
“ E ke patur mik?
“Po,tunda kokën pa e vështruar në sy. Nga dera e hapur u dëgjua e qara e një gruaje të moshuar.
-Është e motra. Banon në Itali, më tha burri që më zgjati çadrën. Pas pak i njëjti ritual. Zbritëm shkallëve, hipëm në autovetura dhe autobuza e sërishmi në sharrë. Dreka ishte planifikuar në një restorant të ri luksoz.
“E pëlqente këtë restorant, prandaj dhe i biri drekën e varrimit ia bëri këtu. Gatuar shumë mirë, më shijoi gjithçka. Përsa kohë nga zyra e punës nuk merrja asnjë përgjigje, kështu veproja. Vishja kostumin, këmishën, kollaren, këpucët lluks dhe nisesha. U bëra profesionist Kishte raste që merrja pjesë në dy funerale brenda ditës. E lodhshme sigurisht lodhshme, por ç’të bësh, duhet respektuar i vdekuri deri në momentin e fundit të dhënies së lamtumirës. Kaloi prilli, maji dhe erdhi vjeshta. Asnjë përgjigje punësimi. Një shoku im biznesmen më propozoi të bëhesha ortak me të, por unë sytë i mbaja tek fletushkat e ngjitura në pallate që lajmëronin vdekjet në qytet. Kaluan shumë kohë dhe kostumi filloi të bëhej me njolla. Mu desh ta çoja më në fundi në pastrimin kimik. Punonjësja që shërbente aty më tha të shkoj ta merrja të nesërmen të larë dhe të hekurosur. Më dha dhe një faturë. Me rrobat e tjera nuk mi hidhte njeri sytë. Të nesërmen mezi prisja për të marrë kostumin dhe për tu nisur për në sharrë. Duke pritur para sportelit del një zonjë dhe më thotë: “Ju zotëri keni sjellë një kostum për tu pastruar. Ndodh. Dhe më vjen keq t’ju them se punonjësja e kishte harruar atë në lavatriçe dhe ka humbur shkëlqimin. Sidoqoftë ne do ta dëmshpërblejmë. Dhe ma solli kostumin që ishte katandisur si mos më keq. “Po kjo është e tmerrshme, u thashë. Ju s’mund ta kuptoni rëndësinë e këtij kostumi. Ju nuk e dini sigurisht që ky ka qenë kostumi që hante drekë. Po,po kostumi që hante drekë. Përgjegjësja dhe punonjësja po më shikonin me habi dhe të shqetësuara. Ndofta menduan se po më ikte mendja. Ndofta, por kjo ishte e vërteta. Më pas asnjë kostum nuk mund të më drejtonte të shikoja lajmërimet për vdekje. Kostumi i vërtetë nuk ishte më.