Niko Gjoni/ Aksidenti i murgeshës

698
Edhe pse kishim shumë vite larguar nga fshati, shtëpia e ngritur aty, na tërhiqte si me magji të gjithëve. Pemët e shumta, frutat e verës, rrushi i vjeshtës, por dhe stoçeni i dimrit mbeteshin në kujtesën tonë si një pikturë e rrallë, që do të quhej më e bukura në cilëndo ekspozitë natyre. Ndër vite, asaj filluan t’i dukeshin gurët dhe trarët, por përsëri për ne ishte e veçantë. Aty na mblidhnin dashuritë dhe kujtimet, ëndrrat dhe dëshirat, e djeshmja dhe e sotmja. Ndodhte të thoshim ta shesim, sepse askush nuk kishte më kohë të shkonte atje, por mamaja këmbënguli që ta rikonstruktonim, sepse në çdo kohë një shtëpi e tillë në fshat bën që t’i qëndrosh brenda vetes dhe të ndjesh aromën e gëlqeres dhe të barit, me flladin e mbrëmjeve e romantizmin e yjeve. Nëna jonë ishte pronare e ligjshme e asaj shtëpie dhe ne na u mbush mëndja të bënim atë që dëshironte nëna. U desh rreth një vit që ajo shtëpi të rritej një kat, të bëhej më e bukur dhe e këndshme për të jetuar në të. Një bukuri të rilindur tradicionale solli muri rrethues me dritaret e hapura në mes nga ku duken oborri me lulet dhe shatërvani ku nuk ndalon uji duke krijuar atë mozaik që të ngop syrin. Ambientin e oborrit e plotëson pusi, pak në anësore të oborrit, mullari i barit i kompozuar me shumë mjeshtëri. Kur dielli perëndon, gjithçka e kësaj shtëpie duket edhe më tërheqëse, e harmonizuar dhe poetike. Ndihemi mirë sepse kjo shtëpi u bën përshtypje në atë zonë pak të banuar në vitet e demokracisë, të gjithëve. Kanë përshkruar rrugë shumë përfaqësi fondacionesh, të huaj ardhur nga vende të ndryshme të botës. Propozuar për ta marrë me qira, por asnjëherë nuk u dha dhe qëndron si një shtëpi e veçantë, gati-gati muzeale, të cilën e hapin dhe e rinojnë fëmijët tanë. Kalimtarë të shumtë, ndalin, e shikojnë dhe bëjnë foto të ndryshme, shumë prej të cilave të botuara në gazetë. Unë jo rrallë ditët e shtuna dhe të diela fillova t’i kaloj për qejf në atë shtëpi. Ishte një mëngjes pranvere. Nga larg dëgjoja ende ndonjë të lehur qeni. Kisha dalë në oborr dhe po laja sytë tek pusi. Kështu kishin bërë ndër vite dhe prindërit apo gjyshërit tanë. Mbaja ende peshqirin në dorë, kur një goditje e madhe më tronditi. I fshiva sytë menjëherë dhe vrapova për tek zhurma afër derës së oborrit. Me shqetësim pashë dy makina të përplasura fort me njëra-tjetrën. Njëra nga ato ishte me targa italiane. U grumbulluan shumë njerëz aty rreth, mes tyre isha edhe unë. Në makinën e zezë me targa italiane ishin tre murgesha. Ishin të tria brenda dhe nuk po lëviznin, të shokuara dhe të plagosura. I nxorëm nga makina që të tria, por njëra ishte më keq. E shtrimë në oborrin e shtëpisë dhe bëmë gjithçka që të vinte në vete, të përmendej. Ndërkohë që prisnin të vinte autoambulanca, për t’i ardhur në ndihmë të shpejtë fillova t’i bëj frymëmarrje gojë më gojë dhe shtypje të gjoksit. Këto i kisha mësuar në shkollë, por nuk kisha pasur rast ta praktikoja në realitet. Mu desh të bashkoja buzët e mia me të sajat. Nuk e fsheh. Ishin buzë të nxehta dhe të shijshme, buzë murgeshe. Por dhe tiparet e fytyrës dukeshin aq të virgjëra dhe si të vizatuara me ngjyra pafajësie. Vetullat e harkuara, të zeza dallonin në fytyrën e saj të bardhe e gati të mermertë. Fillojë të lëvizë dhe po mendoja se edhe në këtë lloj ndihme është puthja që të jep jetë. Kur erdhi auto-ambulanca ajo ishte përmendur. Qëndroi ashtu pa lëvizur deri afër darkës dhe nën kujdesin e mjekëve me auto-ambulancën e transportuam për në Tiranë. Më erdhi keq që ndodhi ai aksident, por dhe u ndjeva mirë që ndodhesha në atë shtëpi të fshatit dhe mu dha mundësia të ndihmoj. Pas pak ditësh u lidhëm me telefon. Murgesha ishte bërë shumë mirë dhe nuk kurseu falënderimet e ngrohta dhe të sinqerta për gatishmërinë dhe kujdesin që neve treguam për të. Në shtypin italian kjo ngjarje u pasqyrua me shumë bujë. Shkruhej se si familjet shqiptare dhe shqiptarët janë shumë bujar, mikpritës dhe të gjindshëm në nevojë. Flisnin për rastin e tre murgeshave. Unë mbaja ende në sy fytyrën e saj dhe në buzë atë ëmbëlsi joshëse të buzëve të ëmbla të një murgeshe. Një mesazh falënderimi na erdhi edhe nga Ambasada e Vatikanit këtu në Tiranë. Nuk kishin kaluar as dy muaj, kur murgesha që ndihmova me një ekip, mbërriti sërishmi në fshat. Me takuan dhe falënderuan për atë që bëra për të, se me frymën që i dhashë, i shpëtova jetën. Në të vërtetë, ndër vite kam parë filma të ndryshme që flasin për jetën e murgeshave, për ndjenjat e tyre, bukurinë e mbuluar. Unë në një fare mënyre pata rastin të prek të pjesë te bukurisë së fshehur të saj dhe e mbaja si një gjë të rrallë, të ngrohtë, të ëmbël në kujtesë. Ndofta dhe ajo përjetonte në të njëjtën mënyrë emocione, por kur më takoi dhe puliti sytë e zezë, dukej aq e ndjeshme dhe e bukur. “Kam një mik të vërtetë për jetën, më tha duke buzëqeshur. Më shpëtove në një moment, ku nuk dija se ku isha, as gjallë dhe as vdekur.. Nuk është pak ajo që bëre për mua. I shtrëngova lehtë dorën, ndërsa ndjeja akoma aromën e buzëve të saj të trëndafilta dhe ndonjë rënkim të lehtë, që hynte ngadalë ende në qenien time si një kujtim nga ata që shpirti dhe zemra i mban brenda vetes, në një kënd të veçantë për jetën. Me dëshirën e saj, na nxori viza turistike për në Itali. Kjo në shenjë falënderimi. Një natë para se të niseshim, sërishmi rikujtova atë mëngjes të ëmbël pranvere, aty pranë pusit, shtëpinë tonë të veçantë dhe zhurmën tronditëse. Tre murgeshat e plagosura dhe murgeshën që ishte në gjendje kritike për jetën, ajo që u bë mikja jonë. Venecia na pëlqeu shumë. Qyteti i të dashuruarve, qyteti më romantik i Italisë, qyteti i njohjeve dhe i artit, këngës dhe melankolisë. Vozitëm me gondola dhe nuk kishim të ngopur duke parë atë pamje që na rrethonte. Aty takuam dhe shumë shqiptarë dhe për një moment e ndjemë veten si në vendin tonë. Murgeshat u bënë shkak për mbërritjen e shumë ndihmave me ushqime dhe veshmbathje, aq shumë sa plotësoheshin mjaftueshëm nevojat e të gjithëve. Murgesha, u bë shumë e dashur me ne, si një pjesëtare shtëpie. E thjeshtë dhe e butë, dukej sikur na prekte me fjalët e saj, në atë pjesë te dëshirave që njeriu i kërkon dhe i gjen rrallë. Pas dy-tre muajve, ajo kaloi sërishmi në fshatin tonë. I pëlqente ai fshat dhe shtëpia jonë. Qëndroi aty disa ditë sikur të ishte në shtëpinë e saj. Nuk di pse kur e shikoja atë aq të sinqertë dhe të matur, të ëmbël dhe njerëzore, kujtoja momentin kur bëra frymëmarrje gojë më gojë. Ajo më vështroi dhe si për të kuptuar atë që ndjeva, buzëqeshi dhe më ftoi të shkonim jashtë në oborr. Ndofta bënim mirë të lanim fytyrat me ujin e kulluar të pusit. E ndoqa pas. Aty, rreth pusit të gurtë, të ngritur, të rrumbullakët qëndruam në krah të njëri-tjetrit. Ajo hodhi kovën dhe të dy e ngritëm atë lart. “Miqësia jonë është si ky uji, më tha ajo dhe më hodhi uji nga kova, duke më krijuar mundësinë të freskohesha dhe të harroja një dëshirë të kaluar, të ndihesha ndryshe.
Sigal