Nga vajza, në monstrat e Aushvitcit

629
Në 13 dhjetor të 1945 në qetësi në një burg gjerman të Hamelinit një “krak” njoftoi se ishte thyer qafa e Irma Grese, 22 vjeç, naziste, kriminele lufte. Në 24 janar të 1948 në qetësi në një burg gjerman të Montelupich, në Krakovë një “krak” njoftoi se ishte thyer qafa e Maria Mandel, 36 vjeç, naziste, kriminele lufte. Kush ishin dhe pse u dënuan me vdekje këto dy femra?
Irma Ilse Ida Grese lindi në një fshat të Wrechen në 7 tetor të 1923 në një familje të varfër, mori një edukim të ulët në një shkollë fillore deri në moshën15 vjeç kur mbeti jetime nga e ëma. E detyruar të ushqente 4 vëllezërit jetimë si ajo punoi në gjithçka mundi, në fermë, shitëse, pastruese në një spital, punëtore në një baxho etj. E dërguan si ndihmëse të trupave femërore në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut. U pa në pasqyrë dhe nuk kishte më lopë dhe baltë dhe uniforma e SS-ve i rrinte mjaft mirë. Trupa femërore e SS-ve nuk mbanin armë dhe nuk mund t’i jepnin urdhër asnjë ushtari të çfarëdo rangu. Kampi i Ravensbrukut ishte uzina mëmë nga ku dolën torturat më çnjerëzore. Irma në atë kohë ishte 19 vjeç, më e reja e kampit dhe puna e saj e parë ishte recepsioniste telefoni, fitonte 54 marka në muaj. Një gabim në punë dhe u dërgua në krye të një grupi që transportonte gurë, ndoshta për të ndërtuar barakat dhe dhomat e gazit. Aty njohu dhe bashkëpunoi me Jozef Mengele, mjek, një Frankeshtajn i jetës reale që kreu makabritete në emër të një race superiore. E quajtën ëngjëlli i vdekjes ose koleksionistja me sy blu. Përkrah tij Irma u transformua.
Nga vajza jetime, fshatare e butë, pastruese e dyshemeve dhe infermierja e frustruar lindi një djall, një djall bjond që në fillim i dominon të burgosurat, i godet dhe më pas i dënon, perverse që nganjëherë kulmon me një abuzim seksual. Djalli fshihet pas asaj uniforme të papërlyer me çizme të gjata e të lustruara, me flokët të krehura, me parfumin e trëndafilit që janë në kontrast me aromat e vdekjes. E keqja rritet dhe përsoset dhe i jep mirëseardhjen viktimave të reja, të cilët në fillim e ngatërrojnë me një engjëll dhe kështu e thërrasin. Më pas mbretëron mbi 30 mijë të burgosura nga të cilat mbeten vetëm 3000. 5 oxhaqet punojnë ditë dhe natë, ndotin ajrin me hirin e trupave të vdekur nga një plumb ose dhomë gazi. Irma dyfishon bastin përditë, ndien kënaqësi në martirizimin e të sëmurëve, të dobtëve, invalidëve. Në një ditar të gjetur nga një ushtar i aleatëve shkruhet: “Gjatë përzgjedhjes engëlli bjond i Belsenit (Belsen-Belsen ishte kampi i saj i dytë) e përdorte kamzhikun mbi të gjithë trupin tonë. Ndrydhjet tona nga dhimbja dhe gjaku që humbnim e bënin të buzëqeshte dhe dhëmbët e saj perfektë dukeshin si perla. Me kalimin e kohës shtoi kalvare të tjera, na lëshonte qentë e uritur që të na hanin dhe torturonte fëmijët.” Kur u çlirua kampi në strehën e saj u gjetën llamba tavoline të bëra nga lëkura e hebrenjve që vetë ajo kishte vrarë dhe rrjepur. Mes dëshmitareve të akuzës, një gjinekologe hebree, ish e burgosur, do të deklaronte se Irmës i pëlqente të godiste me kamzhik gjoksin e vajzave në mënyrë që plagët të infektoheshin dhe më pas i detyronte t’ua priste pa anestezi. Në të njëjtën mënyrë i detyronte të kishin marrëdhënie seksuale me të dhe kur i mërziteshin i dërgonte në furrat e djegies pasi i kishte vrarë me pistoletë. Ishte e vetmja femër e rangut të saj që mbante armë.” U dënua me varje, ekzekutimi u bë në orën 9:34 të mëngjesit në 13 dhjetor të 1945. Kishte dy muaj që kishte mbushur 22 vite jetë. Tek shihje trupin që varej ishte e vështirë të besoje së 3 vjet më parë kishte dashur të bëhej infermiere për t’u kujdesur për tjetrin dhe për ta ngushëlluar atë në dhimbje.
Maria Mandel.
Kafsha e Aushvitcit, lindi n ë 10 janar t ë 1912 n ë Münzkirchen, Austria veriore, pjesë e atëhershme e perandorisë austrohungareze. Në ndryshim nga Irma Grese nuk vuajti nga varfëria, as jetime s’mbeti. Ishte vajzë dhe mbesë e një familje këpucarësh dhe nuk i mungoi asgjë në jetën e saj. Në moshën 17 vjeçare u përball ashpër me të ëmën dhe u përzu nga shtëpia, filloi të kërkonte punë. Në filim si guzhiniere në Zvicër dhe më pas në vende të ndryshme, derisa në vitin 1938 filloi t’i ndryshonte fati, një kurs rojesh burgu në Lichtenburg, Sajonia me 50 gra të tjera. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore u transferua në burgun e Ravensbrukut, jo shumë larg Berlinit, kapitulli i saj i parë i tmerrit. Ishte e ashpër nganjëherë më shumë se një burrë, e palodhur, e pamposhtur, naziste, kritere më se të mjaftueshme për t’u kthyer mbrapa në zemër të makabritetit, në Aushvitc (1942). Në tetor të atij viti bëhet shefe e kampit. Detyra e parë: të drejtonte ndërtimin e një sektori të dytë meqë barrakat nuk mbanin më njerëz të sjellë nga dhjetra vagonë të burgosur në ditë. E ndërton sektorin nga më mizorët në mënyrë që vuajtja të ishte akoma më e madhe. Shfaqte një sadizëm më tepër psikik sesa fizik.Qëndronte përballë të burgosurve duke pritur që dikush të guxonte ta shihte. Më vonë njerëzit do ta kujtonin kështu: “Ishte e aftë të qëndronte për orë të tëra në atë pozicion. Ai që e thyente këtë rit zhdukej, nuk e pamë kurrë. Shkonte nga dhoma e gazit në furrën e djegies.” Sipas llogaritjeve të sakta rreth gjysëm milion shpirtra vdiqën direkt nga urdhërat e “kafshës”. Ndërkohë që ndodhnin këto vrasje urdhëronte një bandë muzikore të luante marshe të vjetra ushtarake dhe më vonë organizoi orkestrën e parë me gra që luante para ndonjë shefi të Rajhut. Arriti në Aushvitc mjaft e trajnuar. Në Ravensbruk kishte kryer eksperimente mjeksore mbi kaviet njerëzore me misionin për të treguar inferioritetin e racave të tjera dhe përsosmërinë e racës ariane. Në vitin 1944 fituese e kryqit për merita ushtarake u dërgua në Mühldorf, një degë e ferrit të quajtur Dachau, por qëndroi aty për pak muaj. Me ardhjen e aleatëve në prill të vitit 1945 dhe me rënien e Rajhut u arratis në male duke u përpjekur të shkonte në Münzkirchen,qytetin e saj të lindjes. U fsheh aty deri në 10 gusht, kur u kap nga një komandë amerikane. Qëndroi në burg për një vit, derisa u ekstradua në Poloni, ku u gjykua më vonë në Krakovë, u dënua me vdekje për krime kundër njerëzimit. Ato zgjodhën metamorfozën. Nga vajza në përbindësha.
Sigal