Nga loja me kungulleshka për subvencionet e fermerëve, tek qeverisja e hapur

604
Koço BROKA 

Prej vitesh, që në Shtator 2011, Qeveria shqiptare ka përqafuar iniciativën globale – Open Government Partnership, dhe ka hartuar disa plane veprimi që përmbajnë zotime konkrete për realizimin e një Qeverisjeje të hapur. Vetë Iniciativa Partneritet për Qeverisje të Hapur, (www.opengovpartnership.org) dhe organizata e ngritur në funsion të saj (OGP), ka të bëjë me një nismë shumëpalëshe që synon të shfrytëzojë teknologjitë e reja dhe të sigurojë angazhime konkrete nga ana e qeverive për të forcuar mirëqeverisjen, demokracinë, politikbërjen duke nxitur transparencën, pjesëmarrjen, bashkëpunimin, pra për t`i konsultuar e fuqizuar qytetarët në procesin politikbërës e vendimmarrjes. Synimi është një menaxhim sa më efiçent dhe efektivitet i burimeve, rritjen e efikasitetit të institucioneve, përmirësimin e shërbimeve publike; parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit etj. E njohur si “Open Government” apo “Wikikracia” qeverisja e hapur është një inisiativë që ka lindur nga interneti dhe rrjetet sociale që e shoqërojnë atë, nga ‘electronic government’ ose “e-government”, ”qeverisja digjitale” dhe njihet edhe si demokracia që lind nga web. Ajo është shprehje e përdorimit të gjerë e masiv të internetit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, por dhe përqafimit sa më të shpejtë të tyre nga qeveritë, sidomos në marrëdhëniet me zgjedhësit e tyre. Rritja e transparencës është mënyra më e mirë për një përdorim sa më efiçent dhe efikasitet të burimeve publike, llogaridhënien e institucioneve, por dhe për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin, duke e shndërruar atë në një qeveri të përgjegjshme dhe njëkohësisht llogaridhënëse. Në kushtet kur qeveria, sado e aftë dhe korrekte të jetë, nuk mund t’ia dalë përballimit të sfidave ekonomike e sociale e vetme, pa kontributit kreativ të vetë zgjedhësve, Qeverisja e Hapur është parë dhe shihet kudo si një potencial i madh zgjidhjeje e zhvillimi si të ekonomisë, por dhe vetë demokracisë. Objektivi i shumë qeverive ka qenë dhe është- duam të bëhemi një qeveri e hapur dhe sa më transparente, për të sjellë risi në marrëdhënie me publikun. Por krijimi i një qeverisje të hapur nuk po rezulton një çështje e lehtë. Rezultatet e arritura deri më tani janë shumë më inferiore në krahasim me çfarë pritej, si në botë p,or veçanërisht në Shqipëri e sidomos për subvencionet ndaj fermerëve. Natyrisht këtu ka efektin e vet fakti se kohë më parë, informacioni konsiderohej si një pronë e Shtetit dhe institucioneve, se sa edhe si një pronë e gjithë qytetarëve. Institucionet qeveritare ndërmerrnin vendime me dyer të mbyllura, dhe ai në mjaft raste nuk publikohej ndonëse ato prekin si individët ashtu edhe publikun e gjerë. Vetë statistikat shpesh herë janë manipuluar për avantazhe politike etj. Këto praktika kanë prodhuar koraca, prapa të cilave mund të fshihen jo thjesht të paaftët por pse jo dhe të korruptuarit, duke ngritur pengesa midis qytetarëve dhe qeverisë e qeveritarëve, duke minuar respektin dhe besimin ndaj këtyre të fundit. Kur bëhet fjalë për Qeverisje të Hapur, komponentë të saj janë transparenca, hapja, besimi por jo privatësia, sekreti shtetëror apo qoftë ai konfidencial. Në këtë spektër vetë koncepti Qeverisje e Hapur, mund të paraqitet disi i mjegullt, e pse jo dhe konfuz. Por obligimet dhe zotimet e Qeverisë sonë në kuadrin e Organizatës për Qeverisje të Hapur, aktet për qeverisjen dixhitale, ofrimin e shërbimeve elektronike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të dhënëve Personale, Ligji nr 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”dhe risitë e tij , portali E-Albania, “open data” dhe portale të tjera, krijimi i Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA), Planet e veprimit të Qeverisë sonë për qeverisjen e hapur, Regjistri elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike; VKM për “Për krijimin dhe administrimin e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve/PPP” etj, hedhin dritë, si për lëvizjen për një Qeverisjeje të Hapur në tërësi, por dhe aspektet e realizimeve të saj në vendin tonë. Edhe duke u kufizuar sa më sipër arritjet ligjore dhe institucionale, lidhur dhe në funksion të lëvizjes për një Qeverisje të Hapur janë fakt. Por duke pasur parasysh shpenzimet në tre vitet e fundit për qeverisjen digjitale e sidomos, thelbin arritjen e synimeve të saj si në tërësi ose të paktën lidhur me subvencionet e qeverisë ndaj fermerëve vitet e fundit, ato janë më se zhgënjyese. Thelbi dhe arritja e synimeve për një qeverisje të hapur kanë të bëjnë me hapjen e “kutive të zeza” duke krijuar transparencë, por dhe duke nxitur angazhimin e qytetarëve dhe bizneseve për t’u bërë të qartë se çfarë po ndodh brenda qeverisë, por dhe për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në politik bërjen dhe zbatimin e në përputhje me nevojat reale te zgjedhësve, lënë mjaft për të dëshiruar. Me sa duket ka ndodhur si me vrapimin mbi një pistë rrotulluese ku vrapuesi duke u mburrur se, jo vetëm nuk ecën, por po vrapon, duke vrapuar në drejtim të kundërt me pistën rrotulluese, jo vetëm që ka mbetur në vend, por në mjaft raste ka bërë hapa prapa në raport me pikën e nisjes. Po i referohem për këtë, qeverisjes së hapur lidhur me subvencionimin e fermerëve. Bujqësia konsiderohet motor i ekonomisë kombëtare apo si përparësi absolute. Por në kushtet e produktivitet të ulët, të ardhurat dhe kursimet në fermë janë të ulëta. Për rrjedhojë, investimet e brendshme në fermë për zhvillimin e tyre dhe bujqësisë janë të limituara. Në këto kushte grantet dhe subvencionet janë hallkë kyç për të dalë nga kjo situatë. Por jo më pak rëndësi ka lloji, struktura, efikasiteti dhe efiçenca e granteve dhe subvencioneve të adresuara në bujqësi si dhe volumi i tyre. Fatkeqësisht këto të fundit duke u bërë me të drejtë objekt i debatit politik, kanë marrë trajtën e lojës me kungulleshka. Shumë kush mund të kujtojë, se gjatë zgjedhjeve të Qershorit 2013, garën e alternativave e zuri gara e premtimeve. “Gjatë katër viteve të ardhshme, ne do të trefishojmë mbështetjen për fermerët shqiptarë” deklaronte një parti. “Do të rishikohen skemat e mbështetjes financiare për bujqësinë, duke i orientuar ato drejt rritjes së prodhimit bujqësor dhe lidhjes së tij me tregun dhe agro-përpunimin, Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural- ia kthente tjetra. E njëta gjë mund të thuhet për punësimin. -Ne kemi një plan real, një program të qartë dhe të sigurt për krijimin e 250 mijë vende pune (pra thuhet qartë krijimin dhe jo numrin e vendeve të punës së formalizuar), deklaronte një Parti. -Angazhohemi të krijojmë 300.000 vende të reja pune ja priste partia tjetër. E njëjta këngë vazhdon në 2017 ende pa filluar mirë fushata elektorale. “Zgjidhja për fshatin, zgjidhja për fermat, zgjidhja për fermerët është subvencioni.. Subvencionet në vitin tonë të parë do të jetë 100 milionë euro dhe nuk do të shkojnë tek grumbulluesit, do të shkojë drejtpërdrejtë tek fermeri, pa NIPT, pa burokraci. E vetmja gjë që do të matet do të jetë është prodhimi, kaq prodhim ke kaq subvencion meriton, do të marrësh subvencionin-premton një forcë politike”. “Objektivi kryesor që ne kemi vendosur është pesëfishimi i buxhetit të shtetit në fushën e bujqësisë, duke arritur në nivelin e 250 milionë eurove në vit…Ky financim, pra ky pesëfishim, lidhet me krijimin e rreth 50 000 vendeve të reja pune. Një nga gjerët më të rëndësishme që realizon kjo rritje, do të thotë, dyfishim të prodhimit kombëtar në fushën e bujqësisë dhe automatikisht, më saktë dyfishimi i të ardhurave të çdo familjeje dhe çdo fermeri”ja pret një forcë tjetër politike.” Hiç po Habili,- dyfishim i të ardhurave të çdo familje dhe çdo fermeri, do t’ja priste me qesëndi, një miku im nga Golemaj i Kurveleshit…Do le dhe unë partinë time tradicionale, ndonëse kam qenë e jam i djathtë, do bëhemi forcë e parë…
Kemi zgjedhës të paaftë, të kërkojnë llogari dhe të japin me votë atë që të takon, apo kemi liderë mjeshtër e të shkathët që të tejkalojnë çdo stuhi e trambundanë?! do t’ia priste golëmasi tjetër… 
Është e njohur se Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatorit ka botuar deri në vitin 2011 Vjetarin Statistikor, që e gjeje dhe të printuar dhe online, në faqen e saj zyrtare. Aty midis të tjerash jepej një informacion mbi shumën e Skemave mbështetëse në bujqësi që kishte dhënë qeveria, të cilat ishin respektivisht 1350 milionë lekë në vitin 2009, 1003 milionë lek në vitin 2010 dhe 723 milionë lekë në vitin 2011. Në vitet më pas, në faqen zyrtare të kësaj Ministrie ndonëse ekziston rubrika: Statistika, nuk gjen informacion mbi ecurinë e mbështetjes buxhetore për fermat dhe fermerët në vitet e fundit, por as edhe para 2013-s. Pra nuk bëhet fjalë për qeverisje të hapur, por për Mbyllje të Qeverisjes. Por nga ana tjetër duke iu drejtuar faqes zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU) mëson se në rubrikën Lajme- Njoftime për shtyp në Dhjetor 2013, midis të tjerash lexon një lajm “Më tej u zhvillua një vizitë në Agjencinë e Zhvillimit Rural të Maqedonisë (Agjencia e Pagesave) për t’u njohur nga afër me skemën e subvencionimit të fermerëve në shtetin fqinj. Në fakt Maqedonia jep subvencion për fermerët në masën 135 mln euro në vit, ndërkohë që në Shqipëri fermerët marrin një subvencion prej 7 mln euro në vit.” Më pas i jam drejtuar në vazhdimësi kësaj faqeje për të mësuar, se si janë realizuar premtimet për 5 fishimin e subvencioneve për fermerët, apo nëse është reflektuar nga shqetësimi i ngritur nga ish zv/Ministri, për mungesën e aftësisë thithëse të fondeve grant nga BE. Por më kot nuk kam gjetur gjë. Por gjithsesi në Maj 2017 po nga kjo faqe zyrtare mëson se drejtuesit e (MBZHRAU) deklarojnë “ Unë nuk po krahasohem me Evropën, por me fqinjët tanë. Po krahasohem me Kosovën, që i jep bujqësisë 64 milionë euro në vit, ndërkohë që ne i japim rreth 13 milionë euro, ndërkohë që Maqedonia i jep 150 milionë euro. Në këto shifra rrotullohemi dhe në subvensionin aktual, të 2017, i cili për fat të keq është aty aty, ose diçka më pak se buxhetet e viteve të mëparshme.” Pra nuk thuhet asgjë se si u realizua programi i Qeverisë 2013-2017 lidhur me atë se ”Do të 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e zhvillimit rural-“ Por nga ky premtim kalohet në premtimin tjetër “pesëfishimi i buxhetit të shtetit në fushën e bujqësisë” duke vazhduar të tregohet ajo që është thënë që në Dhjetor 2013 mbi nivelin e mbështetjes buxhetore për fermat dhe fermerët në vendet fqinjë, pa u ndaluar se si është vepruar që praktikat më të mira ndërkombëtare të realizohen edhe në vendin tonë. Ironia është se këtë herë ky ripremtim bëhet në kushtet kur për infrastrukturën digjitale janë shpenzuar nga shteti shqiptar në tre vjet rreth 100 milionë euro dhe janë miratuar e ngritur një seri ligjesh dhe institucionesh posaçërisht për të mundësuar Qeverisjen e Hapur. Mbështetur në Ligji nr 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”(një ligj vërtet i mirë, për çdo person që është i interesuar për informacione zyrtare, e sidomos për punonjësit e medias) në mënyrë personale kam mundur të siguroj nga AZHBR, informacionin për subvencionet e dhëna nga Qeveria Shqiptare, fermave dhe fermerëve Sipas tij mbështetja ka qenë respektivisht 648.2 milionë lekë, në vitin 2014, 776.5 milionë lekë, në vitin 2015 dhe 769.6 milionë lekë në vitin 2016. Por kjo nuk do të thotë Qeverisje e Hapur. Edhe në vitin 1986, mbasi mora një autorizim për të siguruar informacionin mbi ecurinë e të ardhurave kombëtare për periudhën 1980-1985, m’u bë e mundur vënia në dispozicion e atij informacioni, me shënimin rezervat, jo të botueshme. Hapja dhe transparenca e qeverisë si elementë bazë të Qeverisjes së Hapur konsiston në atë, se të dhënat publikohen me nismën e qeverisë dhe institucionet e saj dhe nënkupton se qytetarëve nuk iu nevojitet të bëjnë kërkesë për të dhëna e këto të fundit të jenë të aksesueshme pa kufizim. Demokracia presupozon vendime transparente dhe taksapaguesit të njihen me përdorimin e buxhetit, sa para janë shpenzuar, për cilat qëllime e alternativa janë përdorur ato, si në rastin e subvencioneve për fermerët. Është e tepërt të thuhet se me këtë nivel mesatar të mbështetjes të fermerëve, jo vetëm nuk është bërë i mundur 5- fishimi i subvencioneve, por niveli mesatar i tyre, paraqitet dukshëm më i ulët se mesatarja në vitet 2009-2011. Analizat e studiuesve tregojnë se qeveritë marrin qasje të ndryshme ndaj synimit të shpallur për qeverisje të hapur. Ndërkohë synimi për Qeverisje të Hapur, rezulton jo i lehtë për t’u realizuar, për të mos thënë mjaft i vështirë. Faktet në vendin tonë dëshmojnë e konfirmojnë se të paktën ai nuk kryhet automatikisht me aprovimin e legjislacionit dhe ngritjen qoftë të një seri institucionesh për të mundësuar këtë qeverisje të hapur. Procesi i realizimit të një qeverisjeje të hapur përbëhet nga një cikël i integruar hapash. Ai paraprihet nga digjitalizimi dhe fillon me hapin e parë ku qeveritë dhe institucionet e saj, krijojnë dritaren e tyre- faqen zyrtare online, për të ofruar informacione dhe shërbime online për qytetarët, bizneset, nga mund të hidhet dritë për qeverisjen e tyre. Ajo pasohet me hapa e shtylla të tjera të rëndësishme si transparenca, →përgjegjshmëria →pjesëmarrja →besimi. Kjo dritare siç e përshkruan studiuesi Marijn Janssen, profesor në Universitetin e Teknologjisë Delft i përngjet, jo një dritare të mbyllur, por një dritareje të hapur ku duken re të cilat nuk janë në vetvete transparente. Ato flasin për një nga sfidat kryesore të qeverisjes së hapur, krijimi i transparencës reale. Ky moment është mjaft sfidues, por në të njëjtën kohë është hallka që mundëson atë për të cilën ka nevojë e dëshiron të shohë publiku, gjatë realizimit të qeverisjes së hapur. Natyrshëm lind pyetja:- A mundësohet nëpërmjet dritares të ofruar, web-it,(hap i kapërcyer) informacioni i nevojshëm e i domosdoshëm, aksesi për t’u njohur sa më lehtësisht me këtë ose atë informacion apo të dhëna dhe, për rrjedhojë, dialogu online, institucione-qytetarë, ku këta të fundit mund të gjejnë e përdorin informacionin e shërbimet e qeverisë për interesat e tyre?! Në cilësinë e kësaj transparence shprehet qartë, se cili është qëllimi real i qeverisë dhe institucioneve të saj?! A janë ato të gatshme të hapin kutinë e zezë apo e kanë shndërruar faqen zyrtare, në një kuti të zezë, ku mund të gjesh shumçka, por jo atë, që hedh dritë reale mbi veprimtarinë e qeverisë dhe institucioneve të saj!? Nëse digjitalizimi i ofrimit të të dhënave, informacionit e shërbimeve dhe motorët e kërkimit mundësojnë teorikisht edhe gjetjen e gjilpërës në kashtë, gjetja e tyre nuk realizohet automatikisht. Por edhe nëse ato janë gjetur, përdorimi dhe interpretimi i të dhënave dhe informacionit ka rolin e vet të pazëvendësueshëm. Mjetet e komunikimit të printuara apo vizive luajnë një rol të dorës së parë duke u shndërruar në ura reale komunikimi midis publikut nga njëra ana dhe qeverisë dhe institucioneve që ofrojnë shërbimet e informacionin nga ana tjetër. Por zor mund të thuhet e njëjta gjë në vendin tonë. Angazhimi për një qeverisje të hapur nuk kufizohet me hapjen e kutisë së zezë, krijimin e transparencës reale, por nëpërmjet qeverisë dhe institucioneve të përgjegjshme dhe që ndjehen llogaridhënëse ndaj zgjedhësve përkrahin dhe stimulojnë në të njëjtën kohë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe bizneseve për të bërë të qartë se çfarë po ndodh brenda. Por këtë e mundësojnë ato qeveri dhe institucione që janë të përgjegjshme dhe ndjehen llogaridhënëse dhe jo ato që vetëm deklarohen si të tilla. Vetëm institucionet e përgjegjshme ofrojnë një transparencë të tillë që mundësojnë pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve dhe biznesit në gjithë ciklin e politikbërjes. Qeverisja e Hapur mundësohet e realizohet kur përfshihet publiku në të gjithë stadet e politikbërjes-që nga diagnostikimi i saktë i problemit, përpunimi zhvillimi dhe formulimi i politikave, zbatimi, por dhe monitorimi dhe vlerësimi i tyre. Kjo nga ana e vet bën të mundur që, qytetarët të bëhen bashkëpunëtorë, partnerë që zgjerohen duke transformuar rolin e nga pasivë në zgjidhës aktivë të problemeve që nuk i presin vetëm apo kryesisht nga qeveria, por ku kjo e fundit kryhen detyrat e veta. Kur mundësohet kjo pjesëmarrje Qeverisja e Hapur ngjall besim. Nëse nuk realizohet kjo qeverisje e hapur në të gjithë elementët përbërës të saj ka zhgënjim. Kur takohesh me fermerë nuk mund të mos shohësh se zhgënjimi i fermerëve është jo i vogël dhe kudo i përhapur, si për subvencionet e qeverisë por dhe për ato të BE-së dhe vendeve të tjera donatore. Nëse takon fermerë që kanë përfituar nga mbështetja me grante p.sh nga SARED, ato nuk kanë asnjë shqetësim si për kartën e fermerit apo NIPT-in e fermës apo publikimin e fermave dhe fermerëve që kanë përfituar grante, përse është kryer investimi, vlerën e investimit, shkallën e grantit, vendndodhjen e fermerit etj. Vetë drejtuesit e SARED të thonë se, transparenca- qeverisja e hapur e dhënies së granteve është një kërkesë më se e natyrshme e qeverive, por dhe taksapaguesve të tyre, se si po përdoret financimi nga taksat e tyre. Megjithatë për subvencionet e ofruara nga Qeveria shqiptare ka barriera të qarta dhe të dukshme për këtë gjë. Zhgënjimi i fermerëve që ankohen është shtrirë deri aty, sa shumë prej tyre kanë hequr dorë madje, si nga subvencionet e qeverisë, por dhe grantet e BE-se apo qoftë dhe SARED që është më i moderuar. Kjo jo vetëm për shkak të dokumenteve të shumta që kërkohen, por sidomos për vonesat e pengesat burokratike deri të paarsyeshme për sigurimin e tyre, certifikatës të tokës, lejet e ndërtimit etj. Ndërsa herë pas here, shihen në televizion takime me fermerët ku u shpërndahen në mënyrë solemne certifikatat e pronësisë për tokën por të shumtë janë fermerët që nuk përfitojnë grante për shkak të vonesave të shumta për sigurimin e certifikatës së pronësisë për tokën. Në këtë mënyrë qeverisja e hapur është e lidhur ngushtë dhe e ndërvarur me digjitalizimin e shërbimeve publike si një mënyrë e konfirmuar për shkurtimin e kohës së pritjes për marrjen e shërbimeve. Nuk mund të mos bëjë përshtypje se, megjithëse angazhimi i Qeverisë së Kosovës, në lëvizjen e partneritetit për qeverisje të hapur, angazhimet e saj në planin e veprimit janë mjaft konkrete, madje edhe në funksion të ofrimit të subvencioneve dhe granteve për fermerët. P.sh në planet e saj të veprimit për një qeverisje të hapur, midis të tjerash është parashikuar : -“Veprimi 6. Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Bujqësisë do të përgatisë dhe lancojë modulin shtetëror E-BUJQËSIA, përmes së cilës qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në informata dhe do të ju ofrohen shërbime në lëmin e bujqësisë në Kosovë. Nën-veprimi 6.1.: Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Bujqësisë në kuadër të modulit shtetëror të bujqësisë do të publikojë të gjitha thirrjet për aplikim për grante dhe subvencione në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. Në kuadër të këtij portali Ministria e Bujqësisë do të ju mundësojë aplikimin online të bujqve dhe fermerëve për grante dhe subvencione. Procesi i përzgjedhjes së përfituesve të granteve dhe subvencioneve do të prezantohet online përmes publikimit të listave të aplikuesve, përfituesve dhe raporteve vlerësuese të komisioneve individualisht për secilin përfitues.” Ja pse lajmet e MBZHRAU mbi atë se në Kosovë apo në vendet fqinjë ka shumëfishin e ofrimit të subvencioneve, kishin sens në gojën e drejtuesve të saj, ky lajm është pa sens në Maj 2017, kur do kishte kuptim se, si rezultat i angazhimit të përgjegjshëm edhe i zbatimit të praktikave më të mira të vendeve fqinjë të bëhet transparenca e plotë, ashtu si në Kosovë apo programi SARED lista e aplikuesve, por dhe përfituesve të subvencioneve, për të shmangur dhe çdo shfaqje minimale të shitblerjes së votës. Gjithsesi nuk është kohë ankimesh. Fushata e zgjedhjeve ka filluar. Simbioza midis subvencioneve dhe qeverisjes së hapur, fton që zgjedhësit të përdorin të drejtën e tyre, të njihen se çfarë subvencionesh u janë ofruar fermerëve vitet e fundit, kujt i janë dhënë, kush ka përftuar. Nëse në pjesën e parë të fushatës llogaridhënia është e qeverisë dhe drejtuesve të MBZHRAU-së , më 18 Qershor gjuajta e topit është në duart e taksapaguesve, fermerëve…Qeverisja e hapur është një rrugë e shtruar për përdorimin e tatim taksave për subvencionet e fermerëve, për shtimin e tyre, por dhe për rritjen e efiçencës dhe efektivitetit, për të luftuar korrupsionin dhe shpërdorimet e tyre. 
Sigal