Nexhmije Pagarusha-Mbretëresha e këngës shqiptare

244

Ambasada e Republikës së Shqipërisë organizon një koncert madhështor për këngëtaren e madhe kosovare

 

86-vjetori i lindjes së Mbretëreshës së këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha

 

Nga Ramazan Çeka

 

Para pak ditësh, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë organizoi një koncert madhështor me rastin e datëlindjes së këngëtares së madhe, Nexhmije Pagarusha që në të vërtetë u kthye në një festë mbarëkombëtare në nder të kësaj embleme të melosit popullor, në nder të këtij bilbili të këngës shqipe, që me zërin e saj do të mbetet e pavdekshme në Panteonin e muzikës shqiptare. Në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, Ambasada Shqiptare organizoi një koncert solemn me rastin e 86-vjetorit të ditëlindjes së yllit shqiptar, Nexhmije Pagarusha. Këtë mbrëmje e kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre shumë artistë, këngëtarë, miq e adhurues të shumtë nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët ishin mbledhur që ta urojnë së bashku, por edhe të festojnë së bashku për këtë mbretëreshë të madhe të muzikës shqiptare.

Në këtë eveniment të mrekullueshëm përformuan këngëtarë me zë nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët, përfshirë Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë, pa anashkaluar ata që jetojnë e punojnë në Evropë e SHBA. Ndër këngëtarët të cilët erdhën në Kosovë që me ëmbëlsinë e zërit të tyre të festojnë ditëlindjen e artistes së madhe Nexhmije Pagarusha, ishin: Shpresa Gashi, “Mjeshtri i Madh” Bujar Qamili, Shkurte Fejza “Mjeshtre e Madhe”, Selami Kolonja, Era Rusi, Shyrete Behluli, Vjoleta Kukaj, Enkelejda Arifi, Rona Nishliu, Gresa Bahluli, Learta Jakupi e shumë të tjerë.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, ndër të tjera tha: “Është privilegj pjesëmarrja në ditëlindjen e Zonjës së këngës shqiptare Nexhmije Pagarusha, është privilegj për secilin prej nesh për të marrë pjesë në ditëlindjen e saj, sepse ajo vetë na ka frymëzuar për t’i bërë këtë dhuratë modeste për figurën dhe veprën e saj të çmueshme“.

Mbrëmja filloi me përformancën e Korit të Shkollës së Muzikës në Prishtinë. Më pas u ngjitën në skenë këngëtarë nga më të shquarit e muzikës shqiptare. Me duartrokitje të zjarrta u pritën performancat e këngëtarëve Shpresa Gashi, Shkurte Fejza, Bujar Qamili, Selami Kolonja, Era Rusi, Rona Nishliu e shumë të tjerë. Në këtë mbrëmje të konceptuar e realizuar si një koncert festiv u recitua edhe një poezi nga artistja Safete Rugova, e po ashtu u kënduan edhe këngë kushtuar Nexhmije Pagarushës. Qershia mbi tortë ishte një nga këngët kushtuar këngëtares së madhe kosovare, titulluar “Lauresha Kosovare” që u interpretua në këtë mbrëmje. Ajo ishte kompozuar nga një tjetër artiste e madhe, muzikantja e njohur Pranvera Badivuku dhe u interpretua nga këngëtari i njohur Selami Kolonja për herë të parë në ditëlindjen e 86-të të Bilbilit të Kosovës.

Në këtë shkrim do të shpreh edhe unë kënaqësinë e madhe që sjell për mua, edhe për krijimtarinë time si poet, bashkëpunimi me kompozitoren virtuoze, profesoreshën Pranvera Badivuku, orkestruesin Kreshnik Aliçkaj, Kujtim Shalën për regjistrimin e vokalit në studion e tij në Pejë dhe këngëtarin e mrekullueshëm Selami Kolonja, me këngën kushtuar Nexhmije Pagarushës, me titull “Lauresha Kosovare”, e cila u mirëprit me shumë sukses nga të pranishmit, duke krijuar një emocion të jashtëzakonshëm, si për publikun, ashtu edhe për mbretëreshën Pagarusha. Të gjithë i uruan nga zemra që të arrijë shekullin, jo vetëm me një shëndet të plotë dhe jetë të lumtur, por edhe me zërin si Lauresha e Këngës Shqiptare. Ta dëgjofshim gjithmonë zërin tënd të bukur, o Zonjë e nderuar shqiptare!

Kompozitorja Pranvera Badivuku, tha që inspirimi për të kompozuar këtë këngë kushtuar Nexhmijes, i kishte ardhur nga teksti i cili ishte shkruar më herët nga tekstshkruesi shkodran Ramazan Çeka. “Unë i kam kushtuar dy këngë më herët kengëtares sonë të madhe që është zë i artë i këngës shqipe, por këtë rast më ka inspiruar tekstshkruesi Ramazan Çeka nga Shkodra, i cili e ka postuar këtë tekst para vitit të ri. Unë e gjeta atë që titullohej “Lauresha Kosovare”. Ky ka qenë pra inspirimi i tekstit që unë vendosa ta bëj këngë. Po më vjen mirë që kënga u realizua para ditëlindjes së saj dhe është një dhuratë për të” u shpreh Badivuku.

Ndërsa edhe këngëtari Selami Kolonja shumë i emocionuar u shpreh mjaft sentimental në lidhje me këngën që këndoi me aq shumë dashuri dhe sipas tij kishte një ndjenjë të veçantë.. Kështu spektakli vazhdoi me një atmosferë të paparë falë performancës brilante të këngëtarit Bujar Qamili, i cili gjatë interpretimit të këngës u shoqërua nga duartrokitjet e të pranishmëve, duke e shoqëruar vetë Pagarusha me zë të lehtë nga vendi ku ishte ulur. Nexhmije Pagarusha është një këngëtare dhe aktore shqiptare, e cila njihet si mbretëresha e muzikës shqiptare. Me një karrierë të ndritur Pagarusha është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe atë klasike. Mbretëresha e këngës shqiptare Nexhmije Pagarusha është një artiste që ka krijuar personalitetin e saj jo thjesht nga karriera e gjatë, por nga gërshetimi i saj me talentin e profesionalizmin, me pasqyrimin në krijimtari të frymës dhe vlerave më të mira të artit e kulturës sonë kombëtare. Këngët e saj të mrekullueshme, lirizmi, pathozi i zjarrtë që i mbushte zemrën penetronte në zemrat dhe familjet e çdo kosovari edhe atëherë kur hija e rëndë e nacionalizmit serb rrinte si një re e zezë mbi qiellin e Kosovës. Këngë të tilla si “Baresha”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kosovarja e bukur”, “E kujtoj atë takim” etj do të mbesin të pavdeshkshme bashkë me zërin e kësaj këngëtareje të madhe. Për vlerat e saja të mëdha si një artiste e madhe ajo do të dekorohet edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Donald Trump e ka dekoruar me medaljen e “Mirënjohjes”, mbretëreshën e muzikës shqiptare. Në ceremoninë e organizuar për 85-vjetorin e artistes së madhe shqiptare në Akademinë e Arteve në Tiranë, nga Shoqata Ress -Egnatia dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ishin të pranishëm Presidenti Ilir Meta, personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe Kosova, familjarë, miq, artistë dhe artdashës. “Mirë se ju gjeta. Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur dhe unë kaq e lumtur jam. Nuk di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju me mua”, u shpreh artistja e madhe, Nexhmije Pagarusha.

Në mes të shumë urimeve, mbretëreshën e muzikës shqipe, me rastin e 86 vjetorit të lindjes e ka uruar edhe një tjetër mbretëreshë e muzikës popullore shqipe znj.Shkurte Fejza, dhe është e pamundur të përshkruaj emocionet që krijoi para të pranishmëve në fjalen e saj, e cila me shumë dashuri tha: “Gëzuar ditëlindjen Primadona e këngës së bukur shqipe. Kjo legjendë e këngës shqiptare ka bërë histori suksesi në Kosovë e Shqipëri dhe emri saj është gdhendur në zemrat e shumë bashkëkombësve.Të uroj edhe shumë vite të lumtura në mesin tonë”. Me shumë emocione u shprehën pas koncertit këngëtarë e artistë të shquar ku po veçojmë kompozitorin Naim Krasniqi, i cili kishte bër një krijim ku Nexhmija nuk këndon por reciton