Netëve, kur rri zgjuar me Xhaxhiun

699
Intervistoi: Engjëll MUSAI 


Konsiderohet si një ndër emisionet më të ndjekura në News24. Startoi në shkurt të 2013 kur Rezear Xhaxhiu iu drejtua audiencës së orës 22:30 me “Mirëmbrëma, nisim sot rrugëtimin tonë të përbashkët. Unë jam Rezear Xhaxhiu dhe ju do të jeni me mua çdo natë në një emision ndryshe”. Dhe tre vjet me pas “Natë me Xhaxhiun” ka disa sekrete të cilat e mbajnë atë në ritmin e një makinerie, që siç thotë moderatori, nuk di të stopohet. Xhaxhiu rrëfen se talk-show i tij është edhe “lavdia”, por edhe “mallkimi” i tij. Dhe ka një arsye…


 
Pse ti thua që emisioni yt është si një makineri përpindeshe, që nuk ndalon?

Sepse realisht është i tillë. Të jesh çdo natë në ekran nga fillimi i shtatorit deri në fund të korrikut, vit pas viti, nga e hëna në të premte në mbi 60 minuta live, a nuk është një makineri që nuk fal, diçka që të kërkon ta ndjekësh hap pas hapi, me të njëjtin ritëm, pasi nëse lodhesh apo e bën pa qejf, nëse e lë të vdesë, të asfiksohet apo të zvarritet, të merr hak dhe të lë në mes të rrugës. 

Si arrin ti ta mbash këtë ritëm. Pra, a je ti i lodhur?

I lodhur? Fizikisht edhe po, pasi ka raste kur e ndjej lodhjen veçanërisht afër fundit të sezonit, por profesionalisht jo! Kam disa mekanizma të mi të brendshme që më mbajnë në tonus, pra në ritëm. Kur diçka e bën me dashuri, me pasion, kur ke lirinë e të shprehurit, kur merr nga njerëz të thjeshtë, nga ajo që unë e quaj audiencë anonime, konsiderata pozitive gjërat të bëhen më të thjeshta, por ka edhe sekrete të tjera. Eksperienca, stafi me të cilin punon, ekipi që të mbështet, menaxhimi i lirisë editoriale etj. 

Çfarë e bën talk-shoun tënd të shkueshëm, edhe pas tri vitesh transmetim?

Nuk e di. Ndoshta mënyra ndryshe e të pyeturit. Ndoshta për faktin se unë mundohem t’i jap audiencës tema dhe të ftuar që janë në interesat e saj. Shikoni, unë i pyes të ftuarit e mi në studio, cilëtdo qofshin ata, ministra, deputetë, drejtorë drejtorish, artistë, shkrimtarë, kritikë, siç do të donte t’i pyeste çdokush që më ndjek nga shtëpia, por që nuk e ka atë mundësi ta bëjë. Ndaj mundohem të jem i drejtpërdrejtë në pyetje, i saktë, ndonjëherë “i pamëshirshëm”, ndonjëherë ironik, në ndonjë rast këmbëngulës apo hera-herës edhe sarkastik. 

Është kjo arsyeja që thuhet ruhuni nga Xhaxhiu?

Nuk e di. Për këtë duhet të pyesni Edison Ypin. Ai ka bërë një shkrim me këtë titull. Miku im Ypi, thotë se unë të punokam qindin, të heq tabanin apo të luaj tepelekun. Nuk e di sa të vërteta ka në to, ose nëse me këto Ypi ka dashur të thotë që unë bëj gazetari të mirëfilltë, atëherë duhet të jenë të vërteta. Unë përpiqem vazhdimisht të bëj më të mirën për të tejkaluar steriotipet dhe klishetë në mënyrën e të pyeturit apo në mënyrën se si i trajtoj të ftuarit në studio. 



Kam unë përshtypjen apo ti i ke shmangur bisedat për politiken e ditës dhe nuk para fton aktorë politikë. Perse kjo zgjedhje?

Është konstatim i drejtë. Audienca është e lodhur nga politika. Sepse ajo nuk po prodhon asgjë dhe se aktorët e saj janë bërë të pabesueshëm, të lodhshëm, prozaikë. Ka një inflacion fjalësh, qëndrimesh, idesh. Shqiptari sot ka nevojë për modele të vërteta, për njerëz që të inspirojnë me arritjet dhe përpjekjet e tyre, për histori të thjeshta njerëzore, për personazhe që bëjnë diçka në jetën e përditshme, që mundohen, që ja dalin apo dështojnë, por serish ngrihen. Dhe të tillë ka shumë në Shqipëri. Ata janë mes nesh, njeri është kampion në karate, një tjetër ka mundur të jetë i suksesshëm në biznes, dikush tjetër ja ka dalë të jetë i pari apo të shkëlqejë në skenat artistike botërore. 

A ke ti disa të ftuar të tutë të preferuar. Nga ata që do të doje ti kishe sa më shpesh në studio?

Po janë shumë të tillë. Janë intelektualë të nivelit të parë. Njerëz të ditur, të mençur që kanë arritur shumë në jetë. Ke qejf të intervistosh tenorin Agim Hushi, një artist i vërtetë me përmasa ndërkombëtare, njeri i thjeshtë dhe i talentuar. Ndjehem mirë kur bisedoj me Agim Baçin, një kritik par ekselencë që nuk fal dhe që të mëson se çfarë dhe si duhet të lexosh, jam i kënaqur kur intervistoj këngëtarë të vërtetë vlerash si: Kujtim Prodanin, Eli Farën, Mariana Lekën, Ramona Tullumanin e shumë të tjerë, aktorë të vërtetë, balerinë regjisorë e piktorë, sportistë. 
Me veço dikë që nuk ngopesh duke e intervistuar, ose dikë që të bën të ndjehesh mirë…

Ka disa të tillë, por do të veçoja këtu prof. Përparim Kabon. Një euridit i frikshëm. Profesori vjen rrallë në studio, por biseda me të ka një impakt të paparë, pasi ai arrin të zbërthejë deri në inde personazhe e ngjarje, zhvillime dhe fenomene. Me të e ndjej që jam brenda një gazetarie evropiane, ku pyetja është pyetje dhe përgjigja, përgjigje. Dhe ndjehem i kënaqur personalisht, por do të veçoja këtu edhe Zamira Çavon, këtë zonjë të guximshme të dashuruar me lirinë e fjalës dhe të mendimit të lirë apo analistin Dritan Hila, një tjetër intelektual që nuk fal në qëndrimet e tij. Prof Civici është një i ftuar që ke qejf të bisedosh jo vetëm për ekonominë dhe problemet e saj, por edhe për tema jashtë financave. Ky grup të ftuarish, por edhe shumë të tjerë si ata janë mendimi që duhet të amplifikohet në eter, sepse përbejnë modelin e mendimit të guximshëm, të mendimit ndryshe. 
Çdo të thotë për ju një talk-show nate, a ka ai një risk, duke qenë se është i përnatshëm?!

Një emision i tillë do të thotë të arrish të mbash zgjuar audiencën. Natë për natë, muaj të tërë. Një talk nate, do të thotë të mos dhunosh tjetrin, atë që është duke të ndjekur nga shtrati apo në kuzhinë, por që ti hysh atij natyrshëm në dhomë duke arritur të nxjerrësh nga brenda tij shikuesin që reflekton, mediton, revoltohet dhe kërkon të bëjë pyetjet e tij të ftuarit që ti ke në studio. Nëse ti i bën pyetjet sikundër do të donte ti bënte audienca jote, basti është i fituar, misioni është i kryer dhe ti ke fituar një shikues besnik. Ky është sekreti i jetëgjatësisë së një emisioni dhe i faktit që ai duhet dhe pëlqehet. 
Çfarë është News24 për ju?

Është shtëpia e parë e lajmit të vërtetë dhe shtëpia ime e dytë. Një pjesë të madhe të ditës e kaloj atje. Është një nga ato shtëpi ku ndjehesh mire, komod, sepse ka hapësirë dhe punon në mënyrë të qetë. Forca e këtij ekrani është puna në skuadër çka ka bërë të përballohet shpejtësia e veprimit të detyruar, të imponuar nga dinamika, si dhe e shoqëruar me saktësinë e lajmit. Ndoshta pikërisht për këto News24 është “i dënuar” të fitojë gjithmonë, është “i dënuar” të arrijë çdo ditë i pari tek lajmet. Ndaj duke qenë se je pjesëtar i kësaj shtëpie brenda së cilës ke bere një pakt me të vërtetën, mendoj se ke gjetur jo një shtëpi, por një pallat të vërtetë. 
Si është tani gazetaria. A ka pasion në të, ka profesionalizëm dhe çfarë të bezdis ty si një profesionist?
Më shumë sesa pasion është një gazetari dembele. Gazetari e konferencave të mërzitshme shtypi, ku ti vendos një mikrofon dhe zbardh me pas gjithë broçkullat që ke regjistruar. Kam përshtypjen se tani gazetaria është kthyer në një punë me mëditje. Nuk ka nerv, nuk ka krijimtari nuk gjëmohet lajmi. Madje edhe kur ai gjendet kalon si hije dhe nuk shkohet me tej drejt investigimit, kronikave apo lajmeve tronditëse. Pastaj ka shumë gazetarë që rastësisht janë në këtë shtëpinë tonë të përbashkët dhe të madhe që është gazetaria. Reporterë që nuk kanë adrenalinë, që e konsiderojnë televizionin si administratë dhe që mezi presin të mbarojë orari zyrtar për të shkuar në shtëpi. 

Nga reporter i shtypit të shkruar në moderator televizioni. Perse ju tërheq ekrani i vogël?

Sepse ka një magji ajo kuti e vogël. Sigurisht nëse di ta bësh mirë me profesionalizëm dhe me dashuri. Mund të shkruash një artikull keq ose mund ta bësh mirë dhe nuk arrin të pëlqehesh dhe kaq, por nëse drejton keq një emision në TV je dyfish i humbur. Njerëzit të largohen me lehtësi dhe me e keqja është se nuk të rikthehen me. Nëse di të bësh televizion je mbret, respektohesh si nga një prostitutë, ashtu edhe nga një politikan i çdo krahu, si nga një polic, ashtu edhe nga një ambulant që të shet poshtë pallatit. Dhe me besoni, e kam prekur vetë këtë ndjeshmëri të njerëzve, ndaj e them me bindje dhe ndjehem mirë kur e prek.  

Kur ke menduar të ndalosh?

Kur të mos më pëlqejnë më njerëzit, audienca, kur të më lënë fuqitë fizike dhe kur të më mungojë raporti me lirinë. 
Pasaporta Xhaxhiu

Mban mbi supe 56 vite dhe në horoskop i përket shenjës se Luanit. Xhaxhiu i hyri profesionit të gazetarisë në fillim të viteve ‘90. Fillimisht si reporter politik në Radio Tirana, ku mbuloi për katër vite informacionin e brendshëm. Me pas ai kalon si reporter për politikën në “Gazetën Shqiptare”, ku mbuloi zhvillimet politike për katër vite me radhë. Më 1997 bëhet kryeredaktor i revistës kulturore “AKS” dhe në fillim të 1998 gjendet si drejtor informacioni në TVA, post që e mbajti deri në 2003. Kësaj kohe i takojnë edhe emisionet e përjavshme “Spektër”, si dhe emisioni “Kosova luftë apo paqe”, ideator i së cilës ishte Xhaxhiu. Me 2005 Rezearin e gjejmë në ekranin e Vizion Plus si moderator i emisionit “ZIP”, format të cilin e drejtoi deri në 2012. Që nga mesi i viteve ‘90 Xhaxhiu njihet edhe si korrespondent i Këshillit të Evropës në Shqipëri, si dhe për raportimet e tij të paanshme dhe me profesionalizëm nga ky Institucion Europian. Është i martuar me Laurën dhe baba i një vajze që quhet Loris. 


Sigal