Nesër do të lexoni/ Spiro Bellkameni, atdhetar dhe luftëtar i vendosur

910
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Çeta kryengritëse e Spiro Bellkamenit
Në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Perandoria Osmane, ishte e brejtur nga kriza dhe kontradiktat e thella. Ajo ishte e detyruar të bënte mjaft lëshime në dëm të interesave shqiptare, me qëllim për të kënaqur lakmitë e Fuqive të Mëdha dhe të përkrahësve të tyre. Në Shqipëri, në këto kushte po rritej lëvizja antiosmane, antiimperialiste e antishoviniste, gjë që çoi dhe forcoi më tej ndjenjën kombëtare. Kështu u krijuan disa komitete të fshehta “Për lirinë e Shqipërisë”. Nën kryesinë e patriotit Bajo Topulli, një i tillë u krijua në Manastir në vitin 1905. Si qëllim kryesor kishte “Të ngjallurit e Shqipërisë, mbjellja e vëllazërisë, dashurisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar, përdorimi i çdo mjeti për mbrothësinë e Shqipërisë”. Më tej edhe Spiro Bellkameni me çetën e tij u përfshi në këtë lëvizje të madhe. Ai jetoi dhe luftoi në këtë periudhë plot me ngjarje të mëdha për kombin tonë. Në vitin 1907 Spiro Bellkameni si përfaqësues i patriotëve shqiptare, dërgohet për ngritjen dhe hapjen e shkollës shqipe të Progrit. Aty ai përshëndet popullin për këtë shkëndijë të shqiptarizmës dhe i uron nxënësit, duke iu drejtuar: Ju “u bëfshi të vlefshëm për mbrothësine e mëmëdheut”. Ndërsa më 1 nëntor 1907 shkollën shqipe ai e çel edhe në Bellkamen, fshatin e tij të lindjes. Përfaqësuesit e klerit, në këto krahina i kërkuan që t’i ndihmonte për të mos lejuar ngritjen e shkollave. Qëllimi i tyre ishte se “elenizmi” nga shkollat shqipe po humbet. Por, Spirua iu përgjigj se “shkolla shqipe do të hapet patjetër dhe se unë do t’i dal zot, se jam shqiptar”. Spiro Bellkameni, si shumë patriotë e luftëtarë të tjerë që kishin mbushur radhët e çetave kryengritëse, ishin të bindur se liria e pavarësia e Shqipërisë nuk do të vinin me reformat dhe premtimet e xhonturqve e shërbëtorëve të tyre, por përmes rrugës së luftës të armatosur kundër sunduesve turq dhe planeve të fuqive imperialiste e shoviniste, të cilët synonin të pushtonin dhe të gllabëronin tokat shqiptare. Jehonën e kryengritjes së Kosovës dhe të Malësisë së Madhe kundër ekspeditave ndëshkimore ushtarake turke të Xhavit Pashës e Turgut Pashës, si dhe Memorandumi i Grërçes, pati jehonë të madhe në Shqipërinë e Jugut.
Zona e Korçës, nën udhëheqjen e Themistokli Gërmenjit, Qamil Panaritit, Spiro Bellkamenit, Mendu Zavalanit, Pandeli Calës, Sali Butkës e të mjaft patriotëve e luftëtarëve të tjerë gjatë vitit 1911, ngritën dhe shtuan me luftëtarë të rinj mjaft çeta kryengritëse. Presioni i çetave ndaj administratës turke u bë i gjithanshëm dhe nga të gjitha drejtimet. Ndaj dhe në këto kushte, qeveria turke kërkoi me çdo kusht që të shtypte kryengritjen. Kështu, më 21 korrik 1911 ushtria turke, e armatosur me mjetet më moderne të kohës futet në Korçë. Ajo me dhunë dhe forcë shpërthen me tërbim kundër popullsisë e patriotëve. Nis kudo bastisje dhe arrestime në masë, ku midis tyre ishin dhe Themistokli Germenji dhe Mihal Grameno. Me kushtet dhe situatën e krijuar vihet në lëvizje çeta kryengritëse e Spiro Bellkamenit. Me çetën e tij ai takohet me çetën e Qamil Panaritin dhe bisedojnë për gjendjen e vështirë dhe situatën të krijuar. Në këto kushte ata vendosin të sulmojnë burgun e Korçës për të liruar patriotët e arrestuar. Kështu, të dyja çetat zbresin në fushën e Korçës afër fshatit Orman Çiflik. Në natën e 29-30 korrikut 1911, këto çeta u ndeshen me forca të mëdha të ushtrisë turke. Këtu u ndez një luftë e ashpër dhe e pabarabartë, në forca dhe mjete. Luftëtaret e lirisë luftuan kundër më shumë se 400 forcave ushtarake turke të armatosura më së mirë, të cilët synonin të rrethonin luftëtarët e lirisë. Me një mbrojtje të manovruar dhe të vendosur, si dhe me një luftë të guximshme plani i armiqve për shpartallimin e çetave dështoi. Çetat, mbasi vranë e plagosën pushtuesin, çanë rrethimin dhe u sistemuan në vende të sigurta në krahinë.
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf
Sigal