Nesër do të lexoni/ Myfarete Laze: Si fitova çmim të parë në Festivalin “Lule Borë” në Shkodër

764
Albert Z. ZHOLI
Sigal

Myfarate
Laze me zërin e saj, me mirësinë e saj, me këmbënguljen e saj, ka marrë shumë
trofe në Festivale apo organizime spektaklesh, por trofeu i fundit ku fitoi
çmim të parë në Festivalin e Këngës Popullore Shkodrane në qytetin e lindjes
mbetet i veçantë. Myfaretja u paraqit me këngën e kompozitorit Edmond Zhulali
dhe me tekst të Agim Doçit, të cilët kanë marrë pjesë dhe në Festivalin Evropian
dhe shumë çmime në Festivalet shqiptare. Pra ishin “Tre mjeshtrit e mëdhenj” në
këtë Festival. Me këtë bashkëpunim kishin të tre besim në fitore. Titulli
këngës ishte: “Me ty u rrit kënga shkodrane”.

Çfarë aktiviteti u zhvillua kohët e fundit në Shkodër?

Në Shkodër u zhvillua për herë të dytë Festivali i Këngës Qytetare Shkodrane i titulluar: “Lule Borë”. Tashmë po i kthehet traditës, pasi ky Festival ka qenë traditë qysh kur unë kam qenë në shkollë të mesme. Pra, që nga matura e vitit 1978 që jam unë këto Festivale. Kanë filluar qysh në vitin 1974-’75. Ky Festival vazhdoi disa vite e më pas pati një ndërprerje, por ishte këmbëngulja e Pjetër Gacit dhe Zef Çobës që ky Festival të merrte formën e duhur. Më vonë u ndërpre sërish dhe tani ka dy vite që ka rifilluar bindshëm. Këtë herë në nëntor zhvilluam Festivalin e Dytë “Lule Borë” i cili u zhvillua në teatrin “Migjeni”. Formacioni orkestral ishte live, çka përbën një risi në këto 27-vjet. Orkestra ishte live, këngëtarët ishin live dhe të gjithë instrumentistët kishin ardhur me partitura. Ishte një kënaqësi kur i shihje instrumentistët si dikur me partitura. Gjithçka direkt pa super-pozim siç bëhet në disa festivale të tjerë, por edhe në shumë aktivitete të tjera muzikore, shprehet artistja per “Telegraf”.

Si ishte punuar paraprakisht për këtë Festival? Sa këngëtarë dhe sa këngë u paraqitën në të?
Ishin shumë këngëtarë dhe këngë. Në radhë të parë dua të përgëzoj z. Markeljan Kapedani dhe stafin e tij që organizuan diçka shumë të bukur. Ishte një staf i Bashkisë dhe sektorit të Kulturës në Shkodër që bashkëpunuan në mënyrë të shkëlqyer. Puna kryesore ishte përzgjedhja që bënë organizatorët në fazën e parë. Ishte një përzgjedhje profesionale dhe korrekte, pasi që këtu fillon serioziteti dhe vlera e një Festivali përgjigjet për “Telegraf” Laze. Duke pasur parasysh këtë përzgjedhje dhe këtë seriozitet, mund të them me bindje se 10 këngë ishin aq të bukura sa ishte vështirë të zgjidhje për vend të parë. Pra mund edhe të dilte një këngë tjetër për vend të parë dhe unë nuk do kundërshtoja, aq të bukura ishin. Pra, këngë tepër profesionale që juria e kishte vështirë kë të zgjidhte. Nga ana tjetër ajo që më ka bërë përshtypje në këto dy Festivale, vjet dhe sivjet, është se u paraqit denjësisht kënga qytetare shkodrane e traditës, kënga shkodrane e stilizuar, dhe kënga shkodrane e vitit 2017. Pra një ndërthurje kohore e këngës në mënyrë perfekt. Të gjitha këto mbështetur në traditën e këngës së bukur popullore. Nëse do vazhdojë kjo traditë, nëse do ecet me këtë seriozitet dhe këndvështrim atëherë kjo është një dhuratë e bukur që i bëhet qytetit të Shkodrës në traditën e saj shekullore për këngën popullore, një dhuratë e bukur që i bëhet historisë së kësaj kënge. Mos harro se Shkodra është i vetmi qytet që ka 150 këngë për lulet. E kupton, 150 këngë? Ne këto këngë i kemi traditë nga kompozitorët tanë, nga kompozitorët që kanë ditur të marrin nektarin e kësaj kënge që i kanë kënduar luleve, vajzave të bukura, dashurisë së vajzave të bukura. Duhet të themi se lulja përfaqësonte vajzën, bukurinë dhe hiret e saj, veçoritë e ngjyrave, pastërtinë e një qyteti, ngjyrat reale të luleve-vajza, etj. Them me bindje se, jo në Shqipëri, por as në Ballkan apo më tej nuk ka një qytet kaq shumë këngë për lulet. Ashtu siç trashëguam shumë gjëra të bukura me kalatë madhështore, ashtu siç trashëguam shumë gjëra të bukura me pikturat e Kol Indromenos, ashtu siç trashëguam Marubin, besoj dhe se ky Festival do të hyjë në historinë e kulturës së qytetit por edhe më tej.
Mos vallë fillimet tuaja i keni në këto Festivale?…
Për më shumë nesër në gazetën Telegraf