Nektar artistësh nga Dragobia, mjaltë në folklorin e Tropojës.

1785
Sigal

Dragobia, njëra prej 7 grykave, e përshkuar në gjithë gjatësinë e saj prej lumit Valbona, e në të dyja anët e saj epohen kreshtat e Kollatës, Pecmarës, Margacës, Gjarpërit, Majave të Gjata, e zgjaten drejt saj gryka e Motinës, Milloshit, e Petishit, me mbretëritë e pyjeve të ahut, Tangallës, Picimalit, Sonopatës, Lestranës, kullat tre katëshe e banorët shtatlartë krijojnë një peizazh ndër më të rrallët në Shqipërinë e Veriut.

Këtu, në Grykën e Dragobisë mbeti njëri prej 7 Omerëve të Mujit, heroi i Epikës Legjendare. Ngjarjet, historia, kënga, vallja, melodia e poezia, këtu vijnë me jehonën e grykës e përcillen nga brezi në brez…Rrallë në ndonjë vend tjetër si në Dragobi të kemi një sinkron të plotë midis peizazhit natyror me atë njerëzor, duke krijuar atë që quhet, “Mrekulli prej 7 grykësh”…E në këtë mrekulli natyrore e njerëzore, arti dhe artistët e Dragobisë u kthyen në nektar, nga i cili u prodhua mjalti i artit popullor tropojan i njohur brenda e jashtë vendit.

Këtu, në këtë mrekulli natyrore lindi edhe poeti i pari i Tropojës dhe poezia e parë…

 * * *

Poeti i parë tropojan, Idriz Bashë Metaliaj.

“Sytë e mijë -sytë e zemrës”

Idrizi lindi më 1928 në Dragobi. Kur ishte në moshën 9-vjeç, kur mësuesi e nxori në dërrasë të zezë atij iu ndalua shikimi, tashmë ai nuk do të shijonte më me sy bukuritë e jetës, të familjes dhe të vendlindjes së tij, Dragobisë, por ato ishin të pikturuara dhe në shpirtin e tij dhe ai do ti shijonte vetëm me sytë e zemrës. Jeta e tij është një aventurë prej të verbëri. I ati i tij e dërgoi tek një mjek okulist gjerman në Prizren, kur u fut aty Idrizi e përshëndeti me fjalët “vdekje fashizmit” doktori e nxori jashtë pa e vizituar. Ai u nis për në shtëpi dhe ashtu i verbër më pas mori pjesë në një demonstratë antifashiste në Gjakovë dhe bashkë me shumë shqiptarë të tjerë antifashistë e morën dhe e çuan në kampin e shfarosjes në Mat’hausen. Familjarët e tij të trishtuar për fatin e birit të tyre jetuan me zemërimin se i biri i tyre humbi pa ditur se nga shkoi, deri kur ai i dërgoi një letër motrës së vet ku i tregonte për tmerrin në kampet e shfarosjes. Në vitin 1946 ai u kthye në Dragobi por nënën nuk e gjeti të gjallë e cila kishte vdekur me emrin e tij në gojë. Ai i kushtoi asaj një poezi me titullin “Mori nanë”. Ai u ndie mjaft keq që familja e tij ishte persekutuar dhe internuar nga regjimi i kohës. Mbyllja e kufirit me Jugosllavinë, më 1948, e gjeti Idrizin në Gjakovë dhe më vonë ai shkoi në Beograd për të protestuar kundër padrejtësive ndaj shqiptarëve, u burgos dhe me ndërhyrjen e Ambasadës Shqiptare ai u kthye në Tiranë ku i gjetën strehim dhe i dhanë pension si luftëtar e invalid. Idrizi u martua dhe pati 4 djem. Ai u shqua si një talent në fushën e poezisë dhe ishte ndër poetët më interesantë të kohës, i cili u pranua si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Më 1956 arriti të botojë vëllimin e tij të parë poetik me titullin mjaft prekës “Sytë e mijë”. Ai la në dorë shkrim dhe shumë shkrime në gjini të ndryshme, duke kërkuar pranë lidhjes së shkrimtarëve për botimin e tyre ata i shprehën pamundësinë e botimit dhe Idrizi i revoltuar u tha: “Unë pa sy e ju pa zemër”. Një nga poezitë e tij më mbresëlënëse është “Malli për atdhe” mes të cilave thuhet:

“…N’gjumë të parë sa kisha ra

Sikur isha në Malësi

Në shpinë timë n’Dragobi

Edhe m’qajshin baba e nana

N’fund t’katundit ndihej gjama

Dhe dy lot më shkuen prej mallit

Mall i kam edhe gurt’e malit…”

Idriz Bashë Metaliaj mbetet edhe themeluesi i parë i medias së shkruar në Tropoje, në vitin 1946 ai botoi gazetën “Zani i Dragobisë”.

* * *

Në vitin 1957, në festivalin ndërkombëtarë të rinisë në Moskë, surpriza e festivalit ishin 6 valltare tropojanë, të cilat në vallen e vajzave tropojane  u vlerësuan me çmim të parë. Mes tyre ishin dy vajza nga Dragobia, Zade Zymeri dhe Nafie Ukja. Mediat dhe personalitete të fushës së folklorit i bënë jehonë dhe dhanë vlerësimin e tyre për suksesin e valltareve tropojane, si pararendëse të valles së çikave të Tropojës. Po kështu, edhe Sose Dul Metaliaj, mori pjesë në festivalin Folklorik në Gjirokastër dhe u shqua për vallen tipike të gruas tropojane si dhe me këngën tradicionale “Me gisht në fyt”. Këto artiste, megjithëse nuk patën ndonjë të kaluar të gjatë në artin e valles popullore, mbeten në kujtesë si valltare virtuoze.

* * *

Prelud në çifteli- Fatime Sokoli, Mjeshtre e Madhe e Punës.

“… Jam një çikë nga Dragobia

          Hije m’ka n’dorë çiftelia…”

Është ky lajtmotivi që do ta shoqëronte gjithë jetën e saj të shkurtër, por shumë të gjatë e të suksesshme në fushën e këngës popullore tropojane. Fatime Sokoli do të shndërrohej në një identitet kulturor e artistik mjaft përfaqësues për Tropojën dhe artin folklorik shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Ishte ajo që u shndërrua në një “Mbretëreshë të dytë”, pas Argjirosë, në Kalanë e Festivalit në Gjirokastër. Fatime Sokoli lindi në Dragobi më 1948 dhe u rrit jetime pa nënë. Vështirësitë e jetës fëmijërore të saj ia kthyen lotin në këngë. Qysh e vogël, duke dëgjuar rapsodët brilant të vendlindjes së saj, Dragobisë, Riza Zymeri e Syl Shabani, ajo e mësoi çiftelinë dhe u shndërrua në një mit të këngës tropojane. Pas mbarimit të Liceut Artistik, ajo punoi si mësuese e lëndës së edukimit muzikor duke zhvilluar një jetë të gjallë e të dendur koncertale brenda e jashtë vendit. Pjesëmarrëse në 5 festivale folklorike në Gjirokastër, në përbërje të Ansamblit të Shtetit më 1971 në Dizhon të Francës dhe më 1974 në Festivalin e Ohrit, e mjaft koncerte e turne ajo u bë figura qendrore e Ansamblit Valbona e më pas Dardania. Me dhjetëra kanë qenë çmimet, medaljet e mirënjohjet. Ajo është nderuar kur ishte gjallë me titullin “Artiste e Merituar” ndërsa pas vdekjes Presidenti i Republikës e nderoi me titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Ajo i qëndroi besnike këngës popullore duke qenë edhe vetë instrumentiste. Repertori i saj ka qenë kryesisht epik, këngët e Fatime Sokolit janë një kronologji e ngjarjeve e figurave historike të kombit shqiptar. Është vështirë të dallosh cila është kënga e saj më e bukur, por një këngë që u bë historike është ajo me tekst të Hamit Aliajt, “Me krahë shqipesh nga Tropoja, ty Kosovë këtë kënga ta këndova”. Fatime Sokoli u nda nga jeta më 1987 duke lënë pas këngën dhe artin e saj të pavdekshëm.

***

…Deli Metaliaj, koreograf dhe valltar i talentuar…

“Dhe vallja rrokullisej tutje

Mbi male hedhur si hobe

Dhe prilli sipër i hedh lulet

Dhjetori borën shkund atje…”

Një jetë në skenë, pjesëmarrje të shumta në veprimtari artistike e koncertale brenda e jashtë shtetit. Valltar elegant e skenik dhe i përkushtuar në fushën e krijimtarisë së valles popullore. Fillon karrierën në vitin 1960 dhe që nga ai vit pjesëmarrës në të gjitha festivalet folklorike-kombëtare dhe takime e konkurrime brenda e jashtë shtetit. I diplomuar në degën e koreografisë, ai bën një punë mjaft të mirë në krijimin e valleve dhe interpretimin e tyre, të shumta janë vlerësimet, çmimet dhe medaljet në karrierën e tij të gjatë afro 50 vjeçare. Ndër krijimet e tij më të njohura janë, tablo koreografike “pranverë, verë, vjeshtë, dimër” si bashkë autor me Panajot Kanaçin, vënë në skenë me Ansamblin e Shtetit, valle festive “Çikat e rudinave” në dekadën e majit 1983 “Çmim të parë”, “Idil baritor” prezantuar në Friburg, Zvicër më 1989 në duet me Lume Shabanin, vallja “Shqipet e Bjeshkëve” me grupin e Plavë-Gucisë, nderuar me çmim të parë. Është interpretues dhe krijues virtuoz, tani punon me grupet e moshave të reja për të ruajtur traditën e valles së bukur tropojane. Mbetet ndër identitetet më përfaqësuese të valles së burrave të Tropojës.

***

Rapsodët Riza Zymeri dhe Syl Shabani.

‘’Dy bylbyla këndojnë bashkë’’

Një nga këngët më tipike të hershme të Malësisë së Gjakovës ka qenë kënga Asqerçe-majekrahu. Zakonisht ajo këndohej nga dy këngëtarë. Nga shumë duete të kësaj kënge që ka pasur Tropoja, ndër më të spikaturit ka qenë dyshja Riza Zymeri dhe Syl Shabani, dy bylbyla nga 7 grykat. Të dy përbënin një dyshe të mrekullueshme në interpretimin e këngës epike dhe lirike në odat e burrave dhe në skena. Kanë marrë pjesë në festivale folklorike-kombëtare dhe në jetën koncertale dhe brigadat kulturore në rrethin e Tropojës. Ata u shquan edhe si instrumentistë të mirë. Megjithëse, jo shumë regjistrime nga repertori i gjerë i këtyre këngëtarëve, mbetet si një margaritar kënga e kënduar nga Riza Zymeri kushtuar masakrës serbo-malazeze ndaj shqiptarëve në Qafën e Previsë. Mbeten në kujtesën e artdashësve tropojanë, si dy këngëtarë të mirë të Malësisë.

***

…Kastriot Sokolaj, vazhdues i traditës së artistëve të Dragobisë…

“… Kastrioti kur kërcen

Krenaron Valbona valët

Me oshtimë orteku bjen

Si shqiponja kur hap krahët…”

Kënga, vallja e shpirti artist në Dragobi përcillet nga brezi në brez, duke dhënë gjithnjë artistë me vlerë, për të përfaqësuar artin tonë denjësisht brenda e jashtë vendit. E pikërisht aty, në Sokolaj, aty ku lindi e u formua artistja e madhe Fatime Sokoli, po aty tani spikat në fushën e valles valltari Kastriot Sokolaj. Megjithëse i diplomuar për inxhinieri pyjore, ai është edhe “inxhinier” i valles popullore, pasi arti është në shpirtin e tij. Ka disa vite që aktivizohet me Ansamblin “Dardania”, të shumta kanë qenë koncertet dhe veprimtaritë që ka marrë pjesë në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Ka qenë i preferuar për elegancën dhe paraqitjen skenike, sidomos në vallen me koreografi të Deli Metaliaj dhe muzikë të Skender Dozhlanit me titull “Shqipet vallëzojnë”. Nëse veprimtaritë artistike të ansamblit të Tropojës do të ishin në agjendën e dikurshme, valltari Kastriot Sokolaj do të ishte një nga valltarët që bënë emër duke çuar denjësisht përpara stafetën e artistëve cilësorë të Dragobisë e Tropojës.

***

Këngëtari Agim Motina.

“… Mes njerëzve të dashur në vendlindje

Mësova këngën e çiftelinë

Harrova mbi rrugë kërcet me dhimbje

Por Dragobia e kënga në shpirt më rrinë…”

Agim Motina, i lindur në një familje artistësh, babai i tij Riza Zymeri dhe e motra Zade Zymeri, vazhdon traditën e familjes dhe të vendlindjes së tij, Dragobisë, si këngëtar dhe instrumentist i talentuar. Pjesëmarrës në shumë veprimtari koncertale brenda vendit si në festivalet folklorike kombëtare në 1983 në Gjirokastër dhe më 1995 në Berat. Jeta shpeshherë ka të papritura jo të këndshme. Agimi aksidentohet në punë e sipër dhe tashmë ai është si paraplegjik, por kënga e ka burimin në shpirt dhe Agimi asnjëherë nuk e ndan atë nga vetja. Ai tani jeton në Diasporë, në Belgjikë, dhe kënga e tij ka pushtuar Diasporën Shqiptare në Amerikë dhe në Evropë. Ka kënduar në lokalet shqiptare në Amerikë me këngëtarët Anita Bitri, Xhemile Nokshiqi e Enkeleda Basha. Kënga e tij vazhdon të jetë pjesë e pandarë e jetës së tij.

***

Valltarët Arben Metaliaj e Avdi Metaliaj.

Këta dy bij të Dragobisë janë shquar në fushën e interpretimit të valles popullore, në mjaft aktivitete të ansamblit Dardania dhe të grupeve amatore brenda e jashtë rrethit. Megjithëse me një karrierë jo të gjatë, janë shquar si valltarë cilësorë dhe virtuoz në interpretimin e valles popullore tropojane.

***

Rapsodi Bashkim Metaliaj.

Një këngëtar dhe instrumentist i mirë nga Dragobia, pjesëmarrës në shumë veprimtari lokale zonale dhe në festivale folklorike. Është shquar për zërin e tij të bukur dhe interpretimin e këngës folklorike të Tropojës. Jeton jashtë shtetit dhe aktivizohet në grupet folklorike në Diasporë.