Në Tetovë, ku “tingujt e pranverës” mbledhin shqiptarët…

601
Sigal

Prezenca e Pagarushës paralajmëroi një mbrëmje  vërtet magjike, të papërsëritshme

Një ftesë e ardhur nga organizatorët e koncertit  “Tinguj Pranvere”  do bëhej sebep të ishim përpara pak mbrëmjesh në Tetovë, më saktë, në sallën koncertore të qytetit më të madh shqiptar të Maqedonisë.

Dy arsye madhore na shtyjnë të udhëtojmë nga Vlora bregdetare e Shqipërisë amë drejt Tetovës shqiptare përfund Sharrit të dëgjuar për burime e dëborë.

Shkodran Tolaj , ky tenor i ri nga Deçani i Kosovës, ka vendosur të çojë në Tetovë, përmes një mbrëmje Gala, për të parën herë në historinë e këtij qyteti, këngën operistike.

Por “këmbët” drejt Tetovës na i nxit edhe njoftimi për prezencën në këtë koncert të një këngëtareje të jashtëzakonshme, të adhuruarës së madhe, bilbilit të Kosovës, por edhe të vet këngës shqiptare, Nexhmie Pagarusha.

Kam patur rastin të jem edhe herë të tjera në këtë qytet e të përcjell nga këtu atmosferën e krijuar në ditët e mbajtjes së Festivalit Folklorik “Burimet e Sharrit”.

Tjetër gjë kësaj radhe. Një publik i zgjedhur, siç mësojmë, personalitete të artit e kulturës jo vetëm nga Tetova e qytete të tjera të Maqedonisë, por edhe nga Kosova e Shqipëria kanë mbushur tej e tej sallën e platenë e Qendrës së Kulturës. Një organizim i jashtëzakonshëm i Operës dhe Baletit të Maqedonisë në bashkëpunim me shoqatën “Artal”. Më shumë se pesëdhjetë instrumentistë të vendosur në skenën e bukur të sallës së koncerteve përballë një publiku me rreth gjashtëqind vetë krijuan një atmosferë klasike të pa ndodhur kurrë më parë , në këtë sallë e në këtë qytet.

Me duartrokitje frenetike e me ovacione të jashtëzakonshme publiku përcjell hyrjen në sallë të këngëtares së madhe Nexhmie Pagarusha, e cila edhe pse në një moshë të thyer ruan ende freskinë e tiparet e saj të një kohe të shkuar. Plot hijeshi e nur, emër madhe, lavdi madhe.

Prezenca e Pagarushës në sallë duket se paralajmëron një mbrëmje  vërtet magjike.

E zonja e shtëpisë, kryetarja e komunës Teuta Arifi, çel siparin e mbrëmjes duke uruar mirëseardhjen për artistët dhe shikuesit e shumtë që kanë ardhur nga çdo anë.

Por edhe duke thënë se, kjo mbrëmje për Tetovën është krejt e veçantë duke vërtetuar se ky qytet mbetet një gur i rëndë dhe i përhershëm i kulturës shqiptare.

Pastaj në skenë ngjitet ministrja e kulturës e Maqedonisë, Elizabeta Kaçevsaka Milevska, që siç mësojmë, është rasti i parë që një ministre kulture ngjitet për të përshëndetur shqiptarët në një qytet shqiptarësh.

E shikoj shumë të rëndësishme ta përcjell fjalë për fjalë diçka nga përshëndetja e zonjës ministre : Tetova – një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës maqedonase- tha ajo, duke pranuar haptazi fuqinë kulturore të kësaj kryeqendre shqiptare. Duket se pikërisht kjo mbrëmje muzikore me një okelio të mirëmenduar me emrin “Tinguj prnvere” ka mbledhur shqiptarët nga trojet etnike.

Mbrëmja klasike ka bërë bashkë në Tetovë edhe njerëz të artit e kulturës nga Shkupi, Gostivari, Struga, etj., por edhe nga Shqipëria e Kosova.

Këtu takon edhe Veton Firzin, Baki Jasharin,Enkelejda Arifin e Kamuran Gorancin nga Kosova, por edhe “Mjeshtrin e Madh” Zhani Ciko, prof. Zana Shuteriqi, kompozitorin Naim Gjoshi e Arben Breshani nga Shqipëria, pa përmendur personalitete të shumta të artit e kulturës nga Tetova e qytete të tjera të Maqedonisë. Midis tyre këngëtarët Besiana Mehmedi e Selami Kolonja.

Shkodran Tolaj  “pushton” skenën dhe zemrat…

Duhet të theksohet se, që nga hyrja e publikut në sallë ishte përgatitur gjithçka në mënyrën më të veçantë. Kështu një CD me titull “Impresione”, e përgatitur me arie të operave, operetave dhe me këngë të popullarizuara, të incizuara nga tenori Tolaj në Gjermani dhe Maqedoni, iu dhurua publikut. Binin në sy për veçantinë e tyre edhe programet e përgatitura në shqip dhe maqedonisht te cilat pasqyronin tërë biografitë e solistëve e veçanërisht për tenorin Tolaj.

Në biografinë e tenorit Tolaj, mësohej për një aktivitet të begatshëm në skenën operistike gjermane ku edhe është shkolluar. Kjo mbrëmje është e tij dhe pesha kryesore e koncertit i takon atij duke përballuar me shumë sukses një repertor nga më të larmishmit.

Në një koncert recital  e me pjesë të zgjedhura nga fondi i kompozitorëve më në zë të muzikës klasike ,përmes arieve të denja për skenat më të njohura europiane,tenori Tolaj u shoqëruara nga orkestra simfonike e Teatrit të Operës dhe Baletit të Maqedonisë, dirigjuar nga Bisera Çadllovska. Shkodran Tolaj i porsa kthyer nga Gjermania me koncertin e Tetovës hapi një faqe të re për  një pjesë të publikun shqiptar që e njihnin si këngëtar të spektakleve dhe festivaleve. Ai interpretoi ariet  “La fleur que tu m’avais jetée” nga opera Carmen e Bizet , “E luce van le stele” të Puçinit nga opera Toska, që vunë në pah karakterin dramatik të tij. Më pas arien nga opereta “Cigani Baron” Shtraus,që pasqyroi karakterin kapriçioz e skercoz dhe aftësinë e tenorit për t’u adaptuar në stile të ndryshme muzikore.

Me pika të veçanta u paraqiten dhe dy solistët mjaft të njohur të Operës së Maqedonisë, Sllavica Petrovka Galiq, një soprano kolovatur  dhe basi Vlladimir Sazdovski . Befasia e mbrëmjes ishte paraqitja e primadonës së  Teatrit të Operës së Tiranës, Edith Mihali, e cila falë dashurisë së madhe për këngën, edhe pse ishte e ftuar nderi, shkëlqeu  në  arien  e Santuces nga Kavaleria Rustikana e Maskanjit. Koncertit veç arieve të mëdha, nuk i mungonin këngët e njohura botërore “Granada” spanjolle, “O sole mio” napolitane, “Conte partiro” neoklasike italiane, interpretuar nga tenori Tolaj.  Pra tenori Tolaj, në këtë koncert u paraqit si këngëtar shumëplanësh.

Magjia Pagarusha…

Mrekullia e mbrëmjes ndodhi me paraqitjen e bilbilit të këngës shqipe Nexhmije Pagarusha për të cilën kishte aq mall publiku i Tetovës por edhe të ardhurit e shumtë. Për herë të fundit këngëtarja e madhe ishte paraqitur në skenën e Tetovës shumë vite të shkuara, kur kishte vendosur që të ndahet nga skena fizikisht.  Shumë lot në sy të publikut, mall e emocione. Teksa ngjitej ngadalë drejt skenës, si jehone, përmes altoparlantëve dëgjohej himni i saj: kënga e rrallë, “Baresha”.  Pastaj fjala e saj pushton hapësirat e sallës e skenës duke i lënë spektatorët pa frymë e duke i bërë sy e veshë.  Diçka nga shënimet që munda të mbaja nga përshëndetja e saj: Një natë e shenjtë që e kemi pritur shumë. Jam me fat që këndova këngën shqipe, këngën e bukur të melosit shqiptar… Dhe publiku është ngritur i tëri në këmbë, me duartrokitjet zjarr e sytë flakë.  Shqiptarët e pranishëm por edhe mijëra të tjerë që e përcollën përmes transmetimit direkt nga  Televizioni shtetëror i Maqedonisë, por edhe grupet e xhirimit nga Tv të Kosovës e Televizioni publik shqiptar,  kanë edhe një herë rastin të shikojnë e dëgjojnë zërin e divës së tyre, magjinë e këngës popullore shqiptare. Pastaj tenori Tolaj këndoi  “ Këngë moj” te Musa Piperkut nga Dibra, orkestruar nga Valton Beqiri si  surprizë për këngëtaren e madhe por edhe si nostalgji për kohën e saj.

E, në fund si për  të përmbyllur me të njëjtën madhështi këtë koncert, të gjithë solistët kënduan arien e famshme “Libiamo” të Verdit.  Koncerti i 20 marsit në Tetovë, veç të tjerash tregoi se hapja e dyerve për artistët dhe solistët shqiptarë ka ardhur po edhe se gjuha më e mirë e komunikimit është ajo ndërkulturore.  Bashkëpunimi i Operës maqedonase me solistin Shkodran Tolaj, hap një faqe të re të historisë kulturore jo vetëm për Tetovën, por për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë.