Në Shkodër, Nexhmije Pagarusha u mbulua me lule

885
Sigal

NEXHMIJE PAGARUSHA/ Si u futa në moshën 15-vjeçare në studion e Radio-Prishtinës

Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.

Ishte prilli i vitit 1971

Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri. Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës.  Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj. “A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin  njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit, krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me  ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës. Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.

-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.

-Ka zë të artë e të kristaltë…

-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.

Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”

Kënga e saj

Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i  mallëngjente, i mbushte me jetë.

…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe. Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar. Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë. Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël.  Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh. Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.

– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare… Kënga e  bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit. Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço,  ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë. Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:

– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.  Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!… Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vdekje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…

Fjalë zemre

Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.

– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time. Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë  vullkani. E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.

– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…

Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.

– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…

Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.

-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj. Kur këndova këngën “Unë ty, moj,  të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër.

ISA  ALIBALI