Në Panairin e 17, mungojnë autorët emigrantë

642
Sigal

Shtëpitë Botuese “ “Morava”, “ArgetA-LMG”, “Toena”,  më të preferuarat e lexuesve

Dje ishte dita e tretë e Panairit të 17 të librit. Ishte një ditë me shumë aktivitete, me shumë promovime, me shumë vizitorë. Veçori tjetër e këtij panairi ishte dhe botimi i shumë librave për fëmijë, botime që panairet e mëparshëm kishin krijuar shumë boshllëqe. Kjo veprimtari e gjerë e librit shqip që do të zhvillohet në datat 12-16 nëntor 2014 nuk po kalon pa diskutime mes shumë shkrimtarëve dhe poetëve. Një prej temave më të prekshme është pasi në të nuk kanë marrë pjesë shumë shtëpi botuese dhe pse janë me një listë të tërë autorësh, që kanë në prodhimtarinë e tyre disa tituj si në prozë po ashtu dhe në poezi. Por më e dhimbshme është se shumica e shtëpive që nuk kanë marrë pjesë janë shtëpi botuese që në botimet e tyre kanë autorë emigrantë kryesisht në Amerikë, Greqi, Itali, Gjermani etj… Në rrjetet sociale shikon dhimbjen që ndjejnë emigrantët që librat e tyre nuk janë në stendat e shtëpive botuese që i mungojnë këtij panairi të shumë pritur. Dhe nuk janë pak po rreth 340 autorë emigrantë që e shohin veten jashtë dëshirës për t’u bërë pjesë e reklamës së panairit, por edhe dashamirësve dhe fansave të tyre. Ndihma që krijuesit emigrantë u japin lexuesve por edhe shtëpive botuese shqiptare është e madhe. Mund të themi se me librat e tyre mbahen gjallë shumë shtëpi botuese, por edhe shumë korrektorë, redaktorë, por edhe përkthyes. Dërgesat e emigrantëve për botimet e tyre janë më shumë 150 mijë euro në vit, por edhe pse japin një ndihmë të konsiderueshme në botimet dhe krijimtarinë shqiptare, ata janë jashtë reklamës për vetë faktin se shtëpitë botuese ku ata botojnë dhe që shohin veten e tyre janë lënë për të dytën herë jashtë Panairit, për shkak të preferencave individualiste apo klienteliste të drejtuesve të Panairit. Por më e dhimbshme është se krijuesit emigrantë, tashmë jo vetëm që kanë krijuar fizionominë e tyre, por librat e tyre po botohen ën gjuhën e vendeve ku punojnë dhe jetojnë duke bërë emër në këto vende dhe duke e ngritur lart emrin e letërsisë shqiptare.  Ky aktivitet që organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të mos lënë jashtë kësaj feste të librit ato shtëpi botuese që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë festë.

  Shtëpia Botuese “Morava”

Në këto 17 vjet shtëpia botuese “Morava” ka marrë pjesë në 13 panaire. Për ne ky është Panairi më i rëndësishëm jo vetëm për sasinë e titujve, por edhe për cilësinë e tyre. Librat më të shitur të “Morava” kanë qenë ata me tema historike, triller dhe romanet psikologjik. Romani i ditëve të fundit “Treni i Jetimëve” është në krye të klasifikimit botëror për numrin e lexuesve. Ndër romanet më të shitur dhe më të kërkuar në treg janë “Pallati i dimrit”, “Perandoresha e natës”, “Të katër motrat mbretëresha” dhe “Zotëria i jetimëve” që flet për Korenë e Veriut. Po hedhim në treg në këtë Panair 10 tituj të rinj ndërsa në stendën tonë do të ketë më shumë se 150 tituj.

 Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG”

Shtëpia Botuese “ArgetA -LMG” në panairin e librit ka menduar dhe për fëmijët, ku në këtë panair ka botuar librat si: Aventurat e Hakelber Finit, Aventurat e Din Pakut dhe një libër që botohet enkas për panairin e Librit Abetarja e lojës së shahut me autor Edmond Bushin

Shtëpia Botuese “ArgetA-LMG” vjen në Panairin e 17-të të Librit me kryeveprat e letërsisë botërore si: “Panairi i kotësive” i Ulliam Theker, botim i plotë i “Novela” të Stefan Cvajg, botim i plotë “Novela & Tregime” të Anton Çehovit , “Lirika & Poema” të Sergej Eseninit, “Kostandinopoja” me autor Edmondo De Amiçis dhe një botim enkas për Panairin e Librit, “Femrat” e Çarls Bukovskit.

Nga autorë shqiptarë në këtë panair prezantohet me tre botimet e tij të librave të shahut, nga mjeshtri i shahut Edmond Bushi. Një tjetër autor shqiptarë vjen me dy botime enkas për panairin e librit, Nuri Plaku me titujt “Ekologjia e Kulturës” dhe “Bibla e udhëve të mia”.

Shtëpia botueseToena”

Panairi i Librit që nisi sot në Tiranë konsiderohet nga ne si një stacion i bukur dhe i rëndësishëm i punës sonë botuese dhe promovuese.

“Toena” vjen këtë vit me shumë tituj të rinj, mbi 120 të tillë, shumë prej të cilëve promovohen për herë të parë në stendën e saj në këtë Panair.

E nisën ditën e parë me katër takime të rëndësishme. Të dytën me gjashtë dhe të tretën me tetë takime. Në këtë shtëpi botuese përmendim autorët Mira Meksi, prof. Rexhep Qosja, prof. Paskal Milo me librin e ri “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”.

Botim i veçantë

Më datë 15 Nëntor 2014, ora 10:00, Akademia e Shkencave organizon promovimin e librit të Akademik Kristo Frashërit “Jeta e një historiani”

Albert Z. ZHOLI

***************************************************

Ne panairin e librit që po zhvillohet në Tiranë, gjenden këto libra të autorit

 Kastriot Myftaraj

 1) “Gjyqi intelektual i Kadaresë”, Ndërmarrja Botuese “ Gjon Buzuku”, Prishtinë 2008

2) “Ballkanadolli gjeostrategjik: Një histori e realiteteve strategjike, përplasja mes Neo-Otomanizmit dhe Neo-Bizantizmit dhe shqiptarët”, Ndërmarrja Botuese “Gjon Buzuku”, Prishtinë 2011

3)“Terrorizmi historiografik: kritikë librit të Nathali Clayer ‘Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë”, Shtëpia botuese “Plejadë”, Tiranë 2009

4) “Enigmat e sundimit të Enver Hoxhës: 1944-1961”, Shtëpia botuese “Plejadë”, Tiranë 2009 (stenda është në bllokun e parë të stendave, në mes të sallës, djathtas hyrjes, pas stendës së Kosovës, në katin e parë)
5) “Prilli që nisi në idetë e marsit: Konti Çiano dhe ngjarjet enigmatike që çuan në pushtimin e Shqipërisë në 1939”, Shtëpia botuese “Morava”,

6) “Blendi Fevziu: biografia dhe lidhja nga gjyshja me Enver Hoxhën”, Shtëpia botuese “Princi”, Tiranë 2012
7) “PARTIA SOCIALISTE: Historia e pabesueshme juridike e një partie të paregjistruar ligjërisht”, Shtëpia botuese “Plejadë”, Tiranë 2013.