Në Panairin e 17 interes jo i madh, shitje e vogël

515
Sigal

Stendat i pushtojnë të gjitha ato firma që pothuajse e kanë kaluar në traditë botimet e krijimit të tyre pikërisht në datat e panairit

 Panairi i librit “Tirana 2014”  hyri në ditën e tij të dytë. Në edicionin e 17-të të këtij festivali libri duket sikur nuk është ai interes, angazhim, që pritej. Kishte shumë deklarata “bombë” kishte shumë komente, por si në shitje ashtu dhe në vizitorë mund të themi se nuk e ka justifikuar interesin e madh të mediave po ashtu dhe pompozitetin e drejtuesve. Në orët e paradites më shumë e vizitojnë Panairin të papunët, pensionistët si dhe ndonjë klasë nxënësish në mënyrë të organizuar. Por në kësi rastesh nxënësit më shumë janë të pritur të prekin titujt e shumë të librave pa mundur t’i plotësojnë dëshirat e tyre pasi dhe çmimet janë të shtrenjta. Vihet re se janë të pakta ato shtëpi botuese që bëjnë ulje në kësi rastesh, që përbëjnë vente për librin dhe rëndësinë e tij. Interesi më i madh duket pas orës 18:00, kur fillojnë dhe vijnë grupmosha të ndryshme pas pushimit të drekës. Duke e parë në këndvështrim krahasues mund të themi se këtë vit kemi më shumë shtëpi botuese, më shumë tituj librash, por më pak interes dhe  mënyrë organizmi që vlen për të dëshiruar. Ky Panair aq i diskutueshëm do të qëndrojë i hapur për të gjithë dashamirësit e librit deri në më 16 nëntor 2014, prej orës 08:00 deri në orën 21:00. Vihet re se stendat i pushtojnë të gjitha ato firma që pothuajse e kanë kaluar në traditë botimin e krijimit të tyre pikërisht në datat që fillon Panairi. Kjo tregon se kjo mënyrë reklamimi ka qenë për ta efikas, por në sytë e një kritiku, thuhet se tashmë kjo modë e propagandës individuale sikur është shterpëzuar, pasi të njëjtat fytyra të përvitshme sikur sjellin të njëjtin produkt. Por më kryesorja, ose më mirë risi është se në këtë Panarit mungojnë si vite më parë promovimet e librave me autor politikanët. Kjo ndoshta për arsyen se kritikat në këtë adresë kanë gjuajtur në shenjë, pasi nuk mund të tentohet të reklamohet në një Panair me krijimtari artistike dhe libri politik. Ajo që duhet përshëndetur për organizatorët është ajo, se Panairi i dedikohet 200-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të shquar Jeronim de Rada.

Albert Z. ZHOLI