Në muzeun e Statujës së Lirisë kishte veshje të emigrantëve shqiptarë

180

INTERVISTA/ Flet regjisori dhe operatori Ilia Terpini: Si ma rrënjosi babai im dëshirën për një film për Vatrën

 Filmi Vatra i shfaqur para disa ditësh mbetet një ndër realizimet më të bukura të regjisorit dhe operatorit Ilia Terpini. Këtë dëshirë për të realizuar këtë film atij ja kish rrënjosur babai i tij, i cili ka qenë një ndër Vatranët më aktiv kur ishte emigrant në Amerikë. Ai ishte njëkohësisht anëtar i bandës muzikore të Vatrës. Në sistemin komunist kjo ëndërr e tij nuk mund të realizohej pasi për regjimin e Hoxhës Amerika ishte armiku më i madh “Xhandari Ndërkombëtar”. Me ardhjen e demokracisë ëndrra e tij u bë realitet ku ai në këtë film gjeti dokumente dhe sende të vatranëve të panjohura më parë. Kamera e Ilias u fut në çdo skutë të New Yorku-t dhe të Bostonit ku kishin shkelur vatranët dhe Noli me Konicën. Pas këtij filmi kaq të suksesshëm ai ftohet nga shoqata “Bashkimi Shqiptar” në Lion, ku xhiroi aktivitete nga më të ndryshmet për një film tjetër dokumentar.

 -Si ju lindi ideja për filmin dokumentar “Vatra e shqiptarëve të Amerikës”?

-Ideja për këtë film ka qenë shumë e vjetër, që në vitin 1993. Para ‘93-t që më ka dhënë këtë ide është e gjithë jeta pranë babait tim, i cili erdhi nga Amerika në vitin 1920 në Luftën e Vlorës. Pas kësaj lufte, ku Vlora u çlirua babai erdhi në fshatin tonë dhe mbylli shkollën greke dhe hapi shkollën e parë shqipe. Në bisedat gjatë mbrëmjeve ai dhe vazhdimisht na fliste për aktivitetin e Vatrës. Babai erdhi nga Amerika, ku jetonte në Boston. Ai kishte mbaruar shkollën fillore në Korçë dhe pastaj shkoi në Greqi, ku atje mësoi në një shkollë amerikane dhe mbaroi të mesmen. Pastaj iku në Amerikë dhe atje u  lidh me shoqatën Vatra, ku drejtuesit e kohës e aktivizuan shumë sepse ai kishte prirje për muzikë dhe u fut në një konservator ku mbaroi për flaut. Dirigjenti i bandës Vatra i organizoi dhe filluan të jepnin shfaqje në të gjithë qytetet e Amerikës me këngë patriotike. Kur erdhi momenti kur filloi lufta e Vlorës i thirri Fan Noli dhe u bëri prezent gjendjen në Shqipëri. Kështu nga Vatra shkuan në Vlorë 250 vullnetarë luftëtarë dhe bashkë me një pjesë e të cilëve  ishin nga banda Vatra. Vazhdimisht na fliste për Amerikën dhe punën e madhe që bënte Vatra që t’i bashkonte. Të gjithë qytetet e ndryshme të Amerikës kishin nga një shoqatë. Merita e madhe e Fan Nolit ishte që të gjithë këta shoqata i bashkoi në një dhe formoi Vatrën. Ne na mbeti një ëndërr e madhe që ta bënim këtë film por ne si shtet në monizëm ishim kundër Amerikës.

 Po veglat muzikore a u përpoq babai t’ua mësonte?

-Babai meqë kishte mbaruar për flaut na e vuri edhe ne në gjak muzikën. Vëllai mësoi kitarën dhe unë mësova mandolinën. Të dy motrat këndonin dhe ne u bënim si një grup i vogël. Babai për çdo vit grumbullonte nga një grup të madh artistik në fshat dhe i mësonte kitarën ose mandolinën. Nuk kishte njeri në fshat që kishte mbaruar filloren që mos të dinte kitarën ose mandolinën. Ai na e futi në gjak dhe Vatrën. Na tregonte për punën e madhe që bëri Fan Noli. Kur erdhi fillimi i demokracisë unë punoja në Kinostudio dhe kisha një dëshirë të madhe për ta bërë këtë film, por duhej një investim. U bashkova me Angjelina Xharon. Ajo punonte në atë kohë skenariste dhe unë isha operator. Gjetëm një moment që erdhi Antonio Athanas në hotel Dajti dhe u ulëm aty dhe biseduam dhe i thamë se duam të bëjmë një film për Vatrën. Unë tha ai jam kryetar nderi i Vatrës. Ne i thamë për një shumë të vogël që të rrinim 5-6 ditë dhe  pastaj do ta xhironim filmin në Shqipëri. Me ardhjen e demokracisë erdhi momenti dhe ne e realizuam këtë film. Vështirësia ishte se ne kishim  shumë gjëra teorike por nuk kishim foto tek arkivat. Duhet që patjetër të shkonim pranë Vatrës dhe më në fund e realizuam.

 -Cili ishte roli juaj në këtë film?

-Unë në  këtë film mora detyrën e regjisorit. Operator mora djalin tim që kishte bërë  një seri filmash si operator. Ramë në kontakt me kryetarin e Vatrës Gjon Vuçaj, i cili na prezantoi me sh kryetarin e Vatrës Agim Karagjozi ( ai kishte mbi 50 vjet kryetar i Vatrës dhe kishte bërë një punë  kolosale për ta mbajtur të gjallë Vatrën. Vatra në fillim  ishte në Boston. Pastaj njerëzit u shpërngulën dhe ai u vendos në Nju Jork. Vatra sot është e vendosur në  Nju Jork dhe emri i saj në hyrje është  e shkruar me  germa të mëdha. Agimi ishte një burrë i moshuar nga Gjirokastra dhe ai kishte një aktivitet shumë të madhe dhe ai na lidhi me shumë persona të cilët  ishin pjesëtarë të asaj kohe të Vatrës. Ai na tregoi të gjithë historinë e Vatrës. Fan Noli me Konicën kanë pasur divergjenca, por në momente kyçe të Vatrës kur I thërriste atdheu ata bashkoheshin. Këtë e vumë si detyra që ta realizonim në film. Një ndihmë të madhe për neve ka qenë gazetari  Dalip Greca që na vuri në dispozicion të gjithë arkivin e Vatrës. Ndenjëm afro 1 muaj në Nju Jork dhe në Boston. Aty u futëm thellë tek arkivi i kishës së Bostonit.  Na vunë në dispozicion të gjithë arkivin që kishte Noli aty dhomën ku punonte dhe të gjithë librat që kishte.

 -Cili ishte roli i intelektualëve për çështjen kombëtare tek Vatra?

-Vatra ka rëndësi shumë të madhe se është quajtur një qeveri në mërgim. Intelektualët që ishin atje si Noli, Konica dhe shumë të tjerë nuk menduan vetëm për veten e tyre dhe ata menduan  shumë për Shqipërinë. Shqipëria ishte në prag të copëtimit. Ata kontaktuan me të dy presidentë amerikanë me Willsonin, i cili i ndihmoi shumë. Presidenti amerikan tha se vota ime është për ju.

-Kjo ishte merita kryesore në konferencën e Londrës, Versajës etj.

-Të gjithë delegacionet që vinin në konferenca si nga Londra, Versaja të ardhurat I merrnin nga ndihmat që jepnin patriotët. Merita e Vatrës ishte që diti ti elektrizojë mërgimtarët shqiptarë që të ndihmonin për delegacionet shqiptarë në këto konferenca ku luhej fati i atdheut. Dhe komuniteti shqiptar aty ndihmoi jo pak.

 -Si ishte fillimi i punë së filmit në Amerikë?

-Fillimi ishte pak i vështirë pasi shpenzimet e fillimit ishin tonat. Por në Amerikë ndryshoi gjithçka. Ne na priti mjaft mirë poetja Ilirjana Sulkuqi, e cila na hapi dyert. Ajo na shoqëroi  neve kudo duke u vënë në dispozicionin tonë.  Një ndihmë të madhe na ka vënë edhe Konsulli ynë i cili na shoqëroi në shumë vende dhe na dha një ndihmë kolosale. Edhe në Boston gjetëm  patriotë, si Sotir Pano, ku babai i tij nga Dardha e Korçës kishte qenë kryetar i Vatrës. Ai kishte bërë  muze një dhomë në Boston me fotografitë e Vatrës. Babai i tij kishte qenë mik i ngushtë me Konicën. I bëmë dhe një intervistë. Një ndihmë të madhe  na ka dhënë  një ish punonjës i kinostudios që ishte vendosur në Boston I cili na shoqëroi në të gjitha pikat kryesore të Bostonit  si, në bibliotekat ku shkonte Fan Noli, në Universitetin e Harvadit, ku ka qenë Fan Noli bashkë me Konicën… Kudo gjetëm shumë shqiptarë të cilët u treguan shumë entuziast për realizimin e një filmi për Vatrën.

 -Por kush është e veçanta e këtij filmi?

-E veçantë për ne ka qenë Statuja e Lirisë. Afër Statujës së Lirisë ishte edhe ishulli muze. Në muze ishin të gjithë valixhet, çantat, rrobat e vatranëve që kishin shkuar në atë kohë në Amerikë që në vitin 1897. Këto rroba na befasuan. Na bëri përshtypje se gjetëm edhe pasaportën e një gruaje shqiptare të shkruar origjinal me të gjitha të dhënat e ruajtur me shumë kujdes. Pamë këpucët e një fëmije të vogël të shqiptar. Këto veshje muzeale na shërbyen shumë për filmin. Janë detaje që zor se mund ti gjesh në gjithë muzetë e botës.

 -Ju ditët e fundit keni bërë një vizitë në Francë ku do të realizonit një dokumentar-reportazh, me shoqatën shqiptare “Bashkimi” të Lionit. Si u ndjetë aty?

-Mbasi mbaruam me sukses filmin “Vatra”, mua më marrin në telefon nga shoqata “Bashkimi shqiptar” i krijuar para 15 vjetësh në Lion. Aty pashë një organizim të përsosur. Një patriot nga Kosova kishte ngritur shkollën e parë shqipe. Ai pati një përkrahje nga qeveria franceze. Më bëri përshtypje se fëmijët e familjeve shqiptare dhe pse kishin lindur aty nëpërmjet kësaj shkolle kishin mësuar shkrim e këndim shqip. Madje xhirova klasë më klasë ku nxënësit recitonin dhe flisnin shqip. Në këtë shkollë shqipe kishte shkuar edhe  Dritëro Agolli dhe shumë shkrimtarë të tjerë.

Njëri nga ata që ishte edhe kryetari i shoqatës kishte lindur dhe rritur atje dhe e dinte shumë mirë shqipen. Kur u bë festa e Pavarësisë ata u mblodhën dhe natën e festës mbi 100 veta dolën me flamuj nëpër qytet dhe policia nuk mori asnjë masë. Emigrantët aty  kanë lënë gjurmë të mira dhe janë shumë të respektuar. Unë shkova edhe në universitet, ku  fëmijët vazhdojnë universitetin pa e lënë mënjanë gjuhën shqipe.  Ne ramë në kontakt edhe me disa francezë që në festë erdhën dhe kërcyen bashkë me shqiptarët.

 -Kush ka qenë takimi më  mbresëlënës në këtë vizitë?

-Më bëri përshtypje se këta kishin një program shumë të përpiluar dhe nuk mund të lëviznin fare nga ai. Në Lion ishte edhe një shoqatë tjetër, ku dhe ata bënë festën  së bashku ku unë isha i ftuar. Në festë ku isha i ftuar më detyruan që të flisja. Në sallë ishin mbi 1000 vetë.  I përshëndeta të gjithë. Ishte një çast i bukur, magjik. Atdhedashuria tek ta ishte e ndezur më shumë se kurrë.