Në Kroaci, me grupin folklorik “Bilbili”

721
Sigal

Të bëhesh pjesë e një turi me profil artistik kulturor, jashtë vendit, sigurisht që është një sadisfaksion. Por, kur kjo mundësi të krijohet, në një udhëtim disa ditor me një grup folklorik të njohur, atëherë impresionet janë të shumëfishta. Në 10- ditëshin e parë të korrikut, grupi folklorik “Bilbili”, zhvilloi një tur disa ditor në Kroaci, për të marrë pjesë në Edicionin e 7-të të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik të Koprivnicës në Kroaci. Ky aktivitet që zhvillohet në Qarkun e Koprivnicës, në veri të këtij vendi, në kufi me Hungarinë, ka një emërtim të veçantë, “Iz bakinje skrinje”. Në shqip përkthehet “Sënduku i gjyshes”, që në një kuptim dhe domethënie më të gjerë, emeton simbolikën e ruajtjes dhe kujdesit ndaj traditave. Kjo metaforë do të na shoqëronte gjatë ditëve të festivalit. Atë do ta konstatonim, në të gjithë elementët përbërës të këtij aktiviteti. Në mënyrën e organizimit, në strukturën dhe infrastrukturën e tij, në performancën e grupeve vendase dhe atyre të ftuara. Në këtë njësi administrative, në veri të vendit, ne do të shihnim konkretisht se çfarë kujdesi tregohej nga autoritetet vendase, nga strukturat vendore dhe komuniteti, për ruajtjen dhe ridimensionimin e traditave. Ky festival ishte një referencë, një shfaqje e dukshme e këtij koncepti që reflektohej ngado. Festivali Folklorik Ndërkombëtar i Koprivnicës, është një nga aktivitetet më të spikatura që zhvillohet sot në Evropë në fushën e folklorit. Në të ftohen dhe marrin pjesë, grupe të njohura dhe me “background” të pasur nga vende të ndryshme. Prandaj dhe pjesëmarrja në të dhe përfaqësimi i Shqipërisë, është jo vetëm një sadisfaksion, por edhe një detyrim, një përgjegjësi për të përcjellë në të, nivelet më të larta të artit popullor, të trashëgimisë dhe pasurisë shpirtërore të vendit.

Grupi folklorik “Bilbili” e ka krijuar tashmë këtë profil. Si një strukturë e kompletuar artistike, në sasi dhe cilësi, stafi dhe artistët, janë shndërruar në një ansambël vlerash, jo vetëm të trevave të caktuara dhe të lokalizuara të jugut, por shumë më tepër se kaq. Grupi “Bilbili”, në vetvete ka krijuar një standard përfaqësimi që është reflektuar në dhjetëra pjesëmarrje në aktivitete të njohura të folklorit, në shkallë kombëtare, rajonale e më gjerë. Artdashës në qytete të njohura të Europës, kanë përjetuar emocionet që përcjellin vallet dhe këngët e interpretuara nga vajzat dhe djemtë, nga këngëtarët e njohur të këtij grupi, nga një instrumentist i pakrahasueshëm, siç është Vendim Kapaj, i vlerësuar nga specialistë botërorë të fushës.

Të ndërgjegjshëm për këtë rekuizitë vlerash të akumuluara në vite, të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që krijon një raport i tillë me historinë e largët dhe atë të afërt, pjesëtarët e grupit “Bilbili”, përcollën me dinjitet, me finesë e energji, emocionet që të krijojnë vallet e trevave të jugut, të Shqipërisë se Mesme dhe të Veriut. Skenat e qyteteve të Xhurxhevacit dhe të Koprivnicës, gjëmuan nën ritmin e valltarëve të talentuar vlonjatë, të mësuar tashmë me aktivitetet më dinjitoze. Qytetarët e shumtë kroatë, duartrokitën gjatë dhe pritën me mjaft ngrohtësi dhe entuziazëm gjithçka gjeneronte repertori i pasur i grupit nga Shqipëria. “Bravo”, “Ju lumtë”, ishin shprehjet më të zakonshme, që na përcollën gjatë ditëve të festivalit në Kroaci, ne që ndiqnim nga salla  interpretimin e grupit tonë, por që emocionet i përjetonim po aq, sa edhe artistët në skenë. Sepse ne ishim një, artistë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit. Secili në detyrat e veta.

Në ditën e para të Edicionit të 7-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar të Koprivnicës, drejtuesit e grupeve pjesëmarrëse, nga Shqipëria, Austria, Maqedonia, Nigeria dhe Kroacia, u pritën në një takim të veçantë nga drejtues të Qarkut të Koprivnicës, të cilët uruan mirëseardhjen. Si në çdo takim formal mirëseardhjeje, u bënë edhe dhurata, ndërkohë që me drejtuesit e grupeve u shkëmbyen impresionet e para. Duke qenë vetëm pak ditë pas 1 korrikut, anëtarësimit të Kroacisë me të drejta të plota në BE, drejtori i grupit “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, uroi mikpritësit për këtë ngjarje,ndërkohë që u ndal në lidhjet e forta që janë vendosur me Koprivnicën.

Koprivnica, si qendër e Qarkut me të njëjtin emër, me rreth 35 mijë banorë, ofron edhe një fakt tjetër të këndshëm për në, Shqiptarët. Në të jetojnë e punojnë rreth 500 shqiptarë, kryesisht me origjinë nga Kosova e Maqedonia, të cilët kanë mbërritur këtu në kohë e periudha të ndryshme dhe janë integruar plotësisht në jetën e komunitetit vendas . Ky është një detaj mjaft interesant dhe, një faktor i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Kjo është edhe një nga arsyet, që e çuan grupin shqiptar “Bilbili”, në veri të këtij vendi, që në datën 1 korrik, u bë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Kroacia, si një vend i zhvilluar tashmë dhe me një standard demokracie të admirueshëm, të reflektuar katërcipërisht në aspekte të ndryshme të jetës politike, sociale, ekonomike, ofron edhe një standard të lartë në trajtimin e pakicave. Prandaj dhe komuniteti, ose bashkësia e shqiptarëve në këtë qytet, është mjaft aktive, ndoshta si askund tjetër. Memet Ristemi, miku dhe bashkëpunëtori ynë, shqiptari me zemër të madhe që nuk na ndahet asnjë çast, që drejton këtë bashkësi duke e përfaqësuar edhe në këshillin bashkiak, është  ai që ka nxitur dhe mundësuar pjesëmarrjen e grupit “Bilbili”, në këtë aktivitet. Për disa vjet me radhë, ai ka qenë pranë grupit tonë, ka dhënë ndihmesën e vet në vendosjen e urave të komunikimit me kulturën dhe strukturat kroate, në këtë rajon. Së bashku me mikun tjetër të afërt tonin, shqiptarin e palodhur, Vedat Zogëjani, ata janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm në përafrimin, bashkëpunimin mes dy kulturave, shqiptare dhe kroate. Prandaj dhe, Certifikata e Mirënjohjes për këta dy personalitete të komunitetit të shqiptarëve në Kroaci, përbën një nga momentet më të bukura të udhëtimit tonë 5 -ditor në këtë vend.

 Certifikata e Mirënjohjes si Anëtar Nderi i Grupit “Bilbili”, do t’i dorëzohej Memetit nga Drejtori i Grupit “Bilbili”, zoti Sejmen Gjokoli, në pritjen që dhanë drejtuesit e Qarkut të Koprivnicës.  Ndërsa, Vedatit do t’i jepej në një tjetër moment të rëndësishëm të turit tonë, në darkën që shtroi për nder të miqve nga Vlora, shqiptari tjetër i njohur, Memetali Zenuni, kryetar i Këshillit të Shqiptarëve në Prefekturën e Zagrebit.

 Nata e parë e Edicionit të 7-të të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik të Koprivnicës, do të zhvillohej në sallën e qendrës kulturore të Xhurxhevacit, qyteza ku jemi akomoduar. Struktura e organizimit të kësaj nate, parashikonte që, secili prej grupeve pjesëmarrëse do të interpretonte pjesë të repertorit, dy herë nga 8 minuta.

 6 grupet pjesëmarrëse, mes të cilave, dy nga Kroacia, performuan për të pranishmit e shumtë që kishin mbushur sallën kryesore të shfaqjeve të këtij qyteti, pjesë nga repertori i tyre. Artdashësit kroatë vlerësuan vallet e këndshme të grupit të Austrisë, atij maqedonas, ndërkohë që, duartrokitën interpretimin dinamik të grupit të Nigerisë të përbërë nga 5 artistë.

 Por, performanca e grupit folklorik “Bilbili” i qytetit të Vlorës, me një gjeografi të gjerë pjesëmarrjeje në aktivitete të kësaj natyre, u prit me mjaft entuziazëm.

 Grupi i valleve, shkëlqeu me dinamizmin, forcën, ngjyrat e pasura, me elegancën në interpretim. Duke patur në repertorin e vet, motive të trevave të ndryshme nga e gjithë Shqipëria, vajzat dhe djemtë nga Vlora, dominuan për minuta të tëra sallën.

 Grupi polifonik, përcolli një atmosferë ndryshe tek artdashësit e këtij qyteti, që shijonin një repertor të tillë, zëra që përcillnin magjishëm aromën e trevave shqiptare dhe që bashkoheshin në një, apo tingujt qiellorë të fyellit të mjeshtrit Vendim Kapaj.

Aktiviteti dhe të pranishmit u përshëndetën nga drejtuesit më të lartë të Qarkut të Koprivnicës dhe të Bashkisë së Xhurxhevacit.

 Drejtori i Grupit Folklorik “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, u shpreh se, prania e artistëve nga Vlora, në këtë festival në veri të Kroacisë, është një përfaqësim i vlerave më të mira të pasurisë shpirtërore dhe kulturës folklorike të popullit shqiptar.

Aktivitete të tilla ndërkombëtare, gjenerojnë dimensione të shumta e të veçanta. Por, mbi të gjitha, ato ndërtojnë ura shpirtërore mes popujve, mes njerëzve. Rrëzojnë mure e shkurtojnë distancat, ato që dikur na mbanin të ndarë nga njeri tjetri. Prandaj dhe festivalet ndërkombëtare të folklorit, janë shndërruar në momente e ngjarje të veçanta për vendet ku ato zhvillohen, për komunitetet respektive, ashtu si edhe për vetë protagonistët, artistët që sjellin në skenë trashëgiminë e popujve që përfaqësojnë. Këto festivale shndërrohen në festa të vërteta, ku protagonistë janë njerëzit e thjeshtë. Në to përfshihen artistë e artdashës, të cilët qëmtojnë e gjejnë tek njeri tjetri vlera të munguara.

 Prandaj dhe Grupi folklorik i Vlorës, “Bilbili” u vlerësua me nota maksimale për performancën, cilësinë e interpretimit, pasurinë shumëdimensionale shpirtërore dhe trashëgiminë që përcolli tek artdashësit kroatë gjatë dy netëve të Edicionit të 7-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Iz bakinje skrinje”, që u zhvillua në Qarkun e Koprivnicës(Kroaci).

 Në natën e dytë të këtij aktiviteti të njohur ndërkombëtar në fushën e folklorit, që u zhvillua në sallën kryesore të qytetit të Koprivnicas, në prani të qytetarëve të shumtë, ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Zagreb, Pëllumb Qazimi, si dhe qytetarë me origjinë shqiptare nga Zagrebi.

 Artistët vlonjatë, u duartrokitën gjatë nga të pranishmit, për performancën e shkëlqyer, çka u vlerësua dhe u vu në dukje nga specialistë të folklorit. Ata u shprehën mes të tjerash se, grupi shqiptar është ndër më të mirët që kanë qenë në këtë aktivitet ndër vite, duke theksuar se, polifonia është një aspekt mjaft i veçantë dhe mjaft interesant i folklorit shqiptar. Ndërkohë, vallet plot ritëm, bukuri dhe elegancë, krijuan një atmosferë festive në sallë, ku spektatorët i shoqëronin ato me duartrokitje të vazhdueshme.

 Alma, Ida, Silja, Ornela, Anxhela, Suena, shkëlqyen me hijeshinë artistike, shpirtërore e fizike, me perfeksionin në interpretim. Ameli, Ilxhiano, Elidoni, Andi, Romeo, dominuan skenën me ritmin, energjinë dhe dinamizmin e valleve. Tahireja, Dëfrimi, Vendimi, Trifoni, Pirro, Sinani, Tori, befasojnë spektatorët me atë lumë zërash,që duket sikur zbresin nga qielli.

 Në këtë aktivitet të folklorit u përfaqësuan me grupet e tyre, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Nigeria dhe Kroacia.

 Gjatë dy netëve të këtij festivali, të pranishmit vlerësuan gjithashtu vallet e këndshme të grupit të Austrisë, atij të Maqedonisë, ndërkohë që duartrokitën interpretimin dinamik të grupit të Nigerisë të përbërë nga 5 artistë.

 Por, performanca e grupit folklorik “Bilbili” i qytetit të Vlorës, me një gjeografi të gjerë pjesëmarrjeje në aktivitete të kësaj natyre, u prit me mjaft entuziazëm.

  Aktiviteti dhe të pranishmit u përshëndetën nga drejtuesit më të lartë të Qarkut të Koprivnicës dhe të Bashkisë së Xhurxhevacit.

 Gjatë një interviste, Ambasadori i Shqipërisë në Zagreb, Pëllumb Qazimi, u shpreh mes të tjerash se, prania  grupit folklorik “Bilbili”, nga qyteti i Vlorës, është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë sot mes dy vendeve, ku kultura zë një vend të veçantë.”Por, pjesëmarrja e grupit shqiptar në këtë festival, shënon edhe një kulm në këto marrëdhënie, në fushën e kulturës”, shtoi më tej ai. Sipas ambasadorit Qazimi në Kroaci jeton  një komunitet i spikatur shqiptarësh, me rreth 20 mijë qytetarë, që shërbejnë si një faktor shumë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Nënkryetari i Qarkut dhe drejtori i Festivalit, vlerësojnë maksimalisht pjesëmarrjen dhe nivelin e grupit folklorik “Bilbili”, duke e cilësuar atë një ansambël perfekt në interpretim dhe ngjyra.

 Ndërkohë, Drejtori i Grupit Folklorik “Bilbili”, Sejmen Gjokoli, theksoi se, prania e artistëve nga Vlora, në këtë festival në veri të Kroacisë, është një përfaqësim i vlerave më të mira të pasurisë shpirtërore dhe kulturës folklorike të popullit shqiptar.

…Por, aktivitete të kësaj natyre, sigurisht që kanë edhe dimensione të tjera. Sepse, ato synojnë që t’i përafrojnë popujt me njeri tjetrin. Dhe mënyra më e mirë, në këtë drejtim është njohja reciproke kulturave, e historisë dhe e trashëgimisë respektive. “Duke e njohur tjetrin, di si ta vlerësosh, ta duash e respektosh”, thotë një fjalë e urtë. Edicioni i 7-të i Festivalit Folklorik Ndërkombëtar të Koprivnicës, e kishte të spikatur këtë dimension. Organizatorët kishin planifikuar në detaje, që gjatë kohëqëndrimit tonë në Prefekturën e Koprivnicës, grupet pjesëmarrëse të njiheshin me elementet që përbëjnë profilin e pasur historik e kulturor të kësaj zone, të atij komuniteti të spikatur në Kroaci. Vetë, Xhurxhevac, qyteza ku ne qëndruam duke u akomoduar në një hotel mjaft të këndshëm, përfaqëson një ikonë të historisë së Kroacisë. Me të është e lidhur emblema e këtij vendi, që ka në qendër një gjel.

 Në vitin 1552, në vijim të synimit të perandorisë turke për të pushtuar Evropën, trupat ushtarake u vendosën këtu, duke rrethuar kështjellën. Komandantët otomanë vendosën t’i thyenin kështjellarët përmes rrethimit të gjatë, që do të thoshte edhe përmes urisë. Por, përkundër kësaj, të rrethuarit bënë një veprim të zgjuar, duke gjuajtur me topa, por duke vendosur gjela në vend të gjyleve. “Kemi për të ngrënë aq sa, ushqimet mund t’i përdorim edhe për qëllime luftarake”,ishte domethënia e këtij veprimi, që i detyroi trupat turke të braktisnin këtë kështjellë dhe bashkë me të edhe idenë për të vërshuar më tej, drejt Evropës, në këtë anë të saj.

Në fakt, këtë ngjarje do ta shihnim të konkretizuar ngado. Ajo është fiksuar në gjini të ndryshme të artit, në vepra të piktorëve më të njohur të këtij vendi, në elementet dekorativë në mjedise publike, në ato zyrtare. Emblema e gjelit, si simboli i historisë së shkuar dhe asaj aktuale, është e pranishme për aq sa ajo duhet të flasë dhe të evokojë domethënien e saj të largët dhe kuptimplotë.

 Gjatë ditëve të qëndrimit, ne vizituam  objekte e mjedise të ndryshme me vlerë historike, kulturore, sociale e ekonomike. Arritëm të shohim e të njohim nga afër aspekte ta caktuara të jetës në këtë vend, që, brenda 18 vitesh nga momenti i shpalljes së Pavarësisë nga Federata e ish Jugosllavisë, në 1995, të arrijë standardet e duhura, për t’u bërë pjesë e BE-së me të drejta të plota.

 Në axhendën e vizitave të planifikuara përfshihej Muzeu i Arteve të Bukura të Xhurxhevacit, ku ishin ekspozuar punimet e piktorit me emër, Ivan Generaliç (1914-1992).

Një nga më mbresëlënëset, ishte vizita në mjediset e kompanisë së njohur “Podravka”, e cila ka një shumëllojshmëri prodhimesh, ku përfshihen produktet ushqimore, lëngjet e ndryshme të frutave, prodhimet farmaceutike “Bellup”.

 Pjesë e këtij holldingu, është edhe  VEGETA, kompania e njohur në të gjithë botën për koncentratet e supave, e treta në listën e patentave botërore, pas Coca- Colës. Ajo është shtrirë me filialet e saj në 20 vende të botës, si në Bullgari, Mali i Zi, Leoni, Australi, SHBA, Turqi, Gjermani, Çeki etj., ku ka 1000 të punësuar, ndërkohë që vetëm në Kroaci, funksionojnë 7 kompani bija, me 4600 të punësuar. Për të kuptuar dimensionet e kësaj kompanie, mjafton të përmendet që, gjatë vitit 2012, ajo realizoi 480 milionë euro produkte.

 Vizita në një kantinë vere, diku në një mjedis tërësisht rural, ishte një nga kënaqësitë më të spikatura të ditëve të qëndrimit në këtë vend…..

Por, nuk mund të largohesh nga Kroacia pa vizituar Zagrebin, një nga qytetet dhe kryeqytetet më të vjetra në Evropë.

 Drejtues të komunitetit, apo bashkësisë së shqiptarëve këtu, do të na rezervonin një pritje. Pjesë e qëndrimit një ditor në këtë qytet, ishte edhe një shfaqje e përbashkët me grupin folklorik “Zeljezniçar” dhe të MNK Shkëndija. Dhjetëra shqiptarë do të ndiqnin me mjaft ngrohtësi këtë performim të ngrohtë.

Zagrebi është qyteti më i madh dhe në Kroaci dhe njëkohësisht edhe ndër qytetet më vjetra në Evropë. Qyteti ka një popullsi prej pak më shumë se 800 mijë banorësh.

Pak hapa nga stacioni i trenit, ngrihet statuja e mbretit Tomisllav, që sundoi mes viteve 910 dhe 928, që i ka dhënë edhe emrin sheshit. Më tej, parku “Zrinjevac”, që evokon kujtimin e një djaloshi, që luftoi kundër perandorisë austrohungareze, që kishte pushtuar vendin. Në parkun “Zrinjevac” ngrihet një stacion meteorologjik, që është ndërtuar 150 vite më parë dhe, sot, është po aq i saktë sa edhe në fillimet e historisë së tij, i ndërtuar nga një arkitekt gjerman. Më tej, vetëm 15 minuta me tramvaj, ndodhet  sheshi qendror i qytetit, dikur i quajtur Sheshi i Republikës, sot sheshi i heroit kombëtar “Ban Josip Jelaçiq”. Dikur mëkëmbës i perandorit të Austrohungarisë, Jelaçiq udhëhoqi luftën kundër kësaj perandorie.

 Në këtë shesh, ndodhet edhe një burim uji, një shatërvan, me të cilin nis edhe historia e vetë qytetit dhe emrit të tij. Sipas legjendës, në shekullin 12-13, një kalorës që mbërriti aty, i kërkoi ujë një vashe. “Za greb manto”, (Një pikë ujë në kroatisht), ishte edhe pikënisja e këtij emërtimi dhe e vetë shatërvanit, që sot quhet Mantova.

 Më tej, vjen qyteti i vjetër, ose pjesa e sipërme e qytetit, e vendosur në dy kodra, “Gradec” dhe “Bishop”, ku ngjitemi me teleferik.  Këtu ndodhet edhe kështjella prej druri, si dhe kulla e lartë 30 metra. Në orën 12:00 të çdo dite, një top shtin në mënyrë simbolike, në kujtim të një ngjarjeje, që ka ndodhur në shekullin XIII, kur ky qytet u bë mburojë ndaj rrezikut të pushtimit të Vjenës nga turqit.

 Kjo është godina e qeverise kroate, e thjeshtë, përballë saj Parlamenti. Kuadrati në mes është simbolika e rebelimit të popullit. Kjo e ka zanafillën në një ngjarje të vitit 1725, që shënon edhe rebelimin e parë të plebenjve kundër aristrokacisë, të udhëhequr nga një aristokrat, Matias Gubes, i cili u ekzekutua më pas.

Katedralja e Zagrebit, në restaurim prej vitesh, është një nga ato objekte që përbëjnë krenarinë e historisë së këtij qyteti të mrekullueshëm. Me këto ndjesi, shkuam në darkën që shtroi për grupin, Memetali Zenuni, bashkatdhetari ynë, një nga njerëzit më të spikatur në bashkësinë e shqiptarëve të Kroacisë, kryetar i Këshillit të Shqiptarëve në Prefekturën e Zagrebit.

Komuniteti i shqiptarëve, në kryeqytet, i përbërë nga rreth 5000 qytetarë, është mjaft i organizuar, ashtu si edhe gjithë pakicat e tjera. Ato zgjedhin forumet drejtuese që i përfaqësojnë në  strukturat vendimmarrëse lokale. Përkujdeset shteti kroat për këtë gjë. Sepse, sipas parimeve të Kartës së Autonomisë Vendore, shkalla e respektimit të të drejtave të pakicave, përcakton edhe shkallën e demokracisë së një vendi. Në këtë drejtim, Kroacia, ka arritur standarde të admirueshme.  “Kjo tregon seriozitetin e shtetit dhe të qeverisë sonë”, thotë zoti Zenuni, kur diskutojmë lidhur me financimin e organizimit të shqiptarëve.

 Kështu, merr fund turi disa ditor i grupit “Bilbili” në Kroaci. Një pjesëmarrje dinjitoze, një margaritar më shumë në arkivën e artë të axhendës evropiane të këtij ansambli.

 “Grupi “Bilbili”, nuk përfaqëson vetëm Vlorën dhe trevat e saj, madje jo vetëm jugun, por gjithë Shqipërinë, sepse të tilla janë, repertori dhe niveli i artistëve dhe drejtuesve të tij, të një dimensioni kombëtar”, do të shprehej Ambasadori i Shqipërisë në Zagreb, zoti Pëllumb Qazimi.

Harilla Koçi