“Në kohën e Enver Hoxhës nuk e dinim një skëterrë të tillë”

573
Sigal

FILMI ARTISTIK/Dy producentë italianë në përkrahje të skenaristit Mark Topollaj për filmin”Revolta e Spaçit”

Këto ditë të fillimit të shtatorit rastësisht u takova në Rinas me skenaristin dhe regjisorin Mark Topollaj, që ishte së bashku me dy producentë italianë të filmit, me  Xhuzepe Kolombo  (përfaqësues i CIC) dhe Kritian Vitale, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të gjetur mbështetje financiare për filmin “Revolta e Spaçit”, njëkohësisht për të parë nga afër disa sheshe xhirimi. Të dy producentët vinin për herë të parë në Shqipëri, prandaj Shqipëria për ta paraqiste interes të dyfishtë. Ata ishin tejet të impresionuar pasi nuk e prisnin ta shinin Shqipërinë me këtë zhvillim, pasi për ta ende ruheshin gjurmët e së kaluarës komuniste.

Skenari

Skenari bën fjalë për revoltën në burgun e Spaçit, ku prezantohet preludi i degradimit komunist.  Historia e kësaj utopie në Shqipëri shihet në panoramën e eliminimit të mijëra njerëzve të thjeshtë, intelektualë dhe artistë që kishin kurajo të shprehnin mendimin e lirë. Ky fakt interpreton mendimin tragjik të një realitetit të pashembullt në hapësirën kohore jo larg nesh. Ky skenar hap një dritare për të parë të vërtetën jo të largët dhe nis rrugën e investigimit të kësaj epoke. Për epokën e komunizmit ai nuk shprehet me realizmin e imagjinatës, por i përgjigjet realitetit me reagime të forta psikologjike dhe dramatike. Kohët e fundit Këshilli i Europës është shprehur disa herë se nevoja për të dënuar krimet e komunizmit është e domosdoshme. Në bazë të tri pikave që udhëzon Këshilli i Europës, autori shpalos një moment historik të një realiteti të dhunshëm.  Shpenzimet që duhet të bëjë qeveria për xhirimin e këtij filmi janë një detyrë patriotike dhe politike. Është mirë që krimet e komunizmit të marrin dënimin me rrugën e kulturës demokratike, të marrin dënimin për hir të atyre që kanë bërë burg më shumë se mosha e tyre kur u dënuan.

Bisedë me z.  Xhuzepe Kolombo

Cili ishte qëllimi i ardhjes tuaj në Shqipëri?

Qëllimi ishte që pas miratimit dhe marrjes së të drejtës si sponsor gjeneral të filmit artistik “Revolta e Spaçit”, me skenar të mikut tonë Mark Topollaj, të gjejmë dhe një përkrahje financiare nga QKF në Tiranë me President Z. Minarolli, që ky film të realizohet sa më shpejt. Kur e pashë këtë skenar, u impresionova dhe u emocionova dhe menjëherë vendosa  ta mbështes financiarisht për realizimin e tij.  Për mua ishte ky është skenari i parë shqiptar që shoh dhe vërtet them me bindje se skenarë të tillë s’mund të besohen në botën perëndimore. Aty ka shumë dhimbje, shumë vuajtje, shumë sakrifica mbinjerëzore.

Keni ardhur herë të tjera në Shqipëri?

Jo. Sot e ndjej se duhej të vija më parë.

Në kohën e regjimit komunist, a kishit njohuri për filmin shqiptar?

Thuajse fare jo. Ju kishit një sistem totalitar komunist dhe ishit shumë të mbyllur me perëndimin. Tek tuk dëgjonim ndonjë fjalë apo në ndonjë takim mes artistësh, por asgjë konkrete. Me ardhjen e demokracisë kam parë disa filma nëpër konkurse apo festivale dhe të them të drejtën, shumë prej tyre më kanë pëlqyer për origjinalitetin. Këtu ka shumë subjekte për filma artistikë duke përfshirë dhe filmin në fjalë. Por përveç skenarëve kam parë dhe realizime artistike të mira, çka do të thotë se keni aktorë të mirë.

Në vitet e eksodit të madh në vitin 1990 drejt Italisë çfarë menduat për shqiptarët?

Ishte një ikje e dhimbshme. Ishte një ikje e paparashikuar. Ne habiteshim se si largoheshin njerëzit nga atdheu i tyre me lloj-lloj formash, duke marrë përsipër dhe rrezikun e vdekjes. Njerëz të sakrificave. Në fillim media e amplifikoi negativisht këtë eksod, pasi midis pjesës dërmuese të njerëzve të mirë dhe të thjeshtë erdhën dhe të tjerë shqiptarë me vese. Por koha bëri seleksionimin dhe sot në Itali ka shumë balerinë, sportistë, instrumentistë, të cilët po bëjnë emër.

Si e mendonit dhe si e gjetët Shqipërinë?

E mendoja ndryshe. Me shtëpi të thjeshta, me rrugë të ngushta, me hotele të vegjël. Por jo. Këtu gjeta çdo gjë që mund të gjesh edhe në Romë. Madje mund të them se lokalet janë në po atë nivel të lartë sa ato më luksozët e Romës. Por më bëri përshtypje se dhe në fshatrat që pashë buzë autostradës pashë fshatra me shtëpi të shkëlqyera dhe makina tepër luksoze. Jeni njerëz shumë të ngrohtë dhe të ofroni menjëherë.