Në Kavajë prezantohen librat e Alfred Moisiut dhe Bashkim Hoxhës

546
Sigal

 SHTËPIA BOTUESE TOENA &INSTITUTI I LIBRIT DHE I PROMOCIONIT

Takim me Presidentin

ALFRED MOISIU dhe paraqitja e kolanës së kujtimeve të Tij në tre vëllime. Në takim edhe vlerësimet nga Presidenti REXHEP MEIDANI

Takim letrar me shkrimtarin

BASHKIM HOXHA dhe paraqitja  e romanit më të ri të tij. Fjala vlerësuese nga

poeti PREÇ ZOGAJ

Shtëpia Botuese TOENA e themeluar në 1993, ka në organikën e saj mbi 30 punonjës, si dhe një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh (mbi 100) nga të gjitha fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës.

Që nga dita e krijimit të saj ajo ka botuar rreth 2400 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, manualë për specialistët dhe profesionistët, letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe albume e harta të ndryshme.

Në katalogun e botimeve të Sh. B. Toena gjatë këtyre 20 vjetëve kanë hyrë emrat më të njohur të letrave shqipe, të traditës dhe bashkëkohorë. Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Luan Starova, Kristo Frashëri, Sabri Godo, Teodor Laço, Visar Zhiti, Bashkim Shehu, Kim Mehmeti, Natasha Lako, Diana Çuli, Zija Çela, Bardhyl Londo etj. etj., janë vetëm disa prej tyre.

Disa nga kolanat më të rëndësishme që ajo boton janë: “Poezia e zgjedhur shqipe”, “Tregime të zgjedhura shqiptare”, “Letërsi ballkanike”, “Përralla nga popujt e botës”, “Biblioteka e librit për shkollat”, “Letërsi e zgjedhur për fëmijë” dhe ajo më e rëndësishmja “Visare të letërsisë shqipe” (VLSH), që do të përfshijë veprën e plotë ose të zgjedhur të mbi 40 autorëve më të rëndësishëm të letërsisë së traditës. Kjo kolanë ka filluar me botimin e veprës së plotë të Naim Frashërit (6 vëllime), dhe është ndjekur nga botimi i veprës së plotë të Andon Zako Çajupit, Pashko Vasa, Jul Variboba, Filip Shiroka, Gavril Dara i Ri.

Shumë prej autorëve më të njohur bashkëkohorë të letërsisë së huaj kanë ardhur në shqip të botuar prej Botimeve Toena: André Gide, André Malraux, J. M. G. Le Clezio, Marc Levy, Eric Emmanuel Schmitt, Tahar Ben Jelloun, Veronique Ovaldé, Marie Ndiaye, Roberto Bolano, Alberto Bevilacqua, Carmine Abate, Raffaele Nigro, James Patterson, Christine Southerland etj. janë disa prej tyre.

Paulo Coelho, shkrimtari brazilian që ka thyer rekordet botërore të përkthimit, publikimit dhe shitjes i ka dhënë, gjithashtu, Sh. B. Toena ekskluzivitetin në gjuhën shqipe. Po ashtu, autorët e huaj klasikë, që nga letërsia greko-romake e deri te Shekspiri, Gëte, Tolstoi. Përfaqësuesit më të shquar të romantizmit, realizmit kritik etj. zënë vend të dukshëm në listën e gjatë të autorëve të botuar gjatë 20 vjetëve.

Në botimet për fëmijë, Toena sot është zotëruese e fushës me rreth 60 tituj të botuar në vit. Emrat më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë, si Odhise Grillo, Gaqo Bushaka, Tasim Gjokutaj, Bardhyl Xhama, Bedri Dedja, Skënder Hasko, Ferhat Çakërri, Dionis Bubani, Bekim Gaçe etj. do t’i gjeni gjithmonë në katalogët e kësaj shtëpie botuese.

Nga përkthyesit më të njohur të gjuhës shqipe kanë bashkëpunuar e bashkëpunojnë me Sh. B. Toena. Emra të tillë si Shpëtim Çuçka, Henrik Lacaj, Robert Shvarc, Vedat Kokona, Perikli Jorgoni, Nonda Varfi, Durim Taçe, Nasi Lera, Gëzim Qëndro, Amantia Kapo etj. kanë sjellë në shqip me siglën e Toena-s me dhjetra e dhjetra vepra të rëndësishme nga letërsia e huaj klasike dhe ajo bashkëkohore.

Aktualisht Shtëpia Botuese Toena boton mbi 150 botime të reja në vit, në çdo 2 ditë një libër të ri.

Shtëpia Botuese Toena ka shtypshkronjën e saj të nivelit bashkëkohor, një nga më të mëdhatë dhe më të kompletuarat në vend, me përgatitje të kompjuterizuar dhe me të gjitha proceset e mekanizuara, me kapacitet rreth 160 000 fletë tipografike në orë.

Sh. B. Toena organizon shpërndarjen dhe tregtimin e botimeve të saj në të gjithë vendin, si dhe disa prej qyteteve kryesore të Europës, kryesisht atje ku numri i emigrantëve shqiptarë është më i madh. Disa prej librarive të saj janë hapur në qytete të tilla si Tiranë, Durrës, Vlorë, Orikum, Sarandë, Prishtinë, Shkup.

Në vitin 2007, Sh. B. “Toena” themeloi edhe Institutin e Librit dhe të Promocionit, duke i dhënë përparësi promovimit të librit shqip kudo që ka shqiptarë. Bordi themelues i këtij instituti përbëhet nga personalitete të njohur të letrave shqipe si: Jorgo Bulo (kryetar), Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Piro Misha, Irena Toçi.