Në Fterrën e bukur të historisë dhe kulturës

1053
Agron MEMA
Sot, 20 gushti është një nga ditët më të shënuara për Fterrën, madje më tej, për bregun dhe Shqipërinë nëpër ngushticat dhe monopatet e historisë së popullit tonë, në luftën për ekzistencën dhe përparimin e tij. Sot, në qendër të fshatit vendoset busti i një prej figurave të shquara të këtij fshati dhe mbarë kombit tonë, Prof. Dr. Ismet Elezit, një prej intelektualëve me kontribute dhe krijimtari të gjerë e të shumtë shkencore, aq voluminoze sa punimet e tij i kapërcejnë të 9000 faqeve, autor i disa librave, fitues i “Çmimit të Republikës”, në 1998 shpallet si “Njeriu Ndërkombëtar i Shkencës”, vlerësim i ardhur nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh të Anglisë si dhe autor i librit “E drejta zakonore e Labërisë”. Një prej skulptorëve më në zë të Labërisë, Murat Kërraj i ka kushtuar profesorit bustin që do t’i vendoset në vendlindjen e tij. Momenti tjetër përkujtues në festën fterriote të 20 gushtit është edhe 585-vjetori i dokumentit të parë të shkruar për ekzistencën e Fterrës, këtij fshati me tradita e kulturë të bregdetit dhe Labërisë, që mund të themi se është pasaporta e këtij fshati, moment dhe fakt historik që fterriotët e festojnë si përkujtim çdo pesë vjet. Është një gëzim i ligjshëm që i mbledh fterriotët nga çdo anë të vendit e jashtë kufijve, kudo ku ndodhen e jetojnë. Pikërisht për këtë jemi nisur drejt Fterrës për të qenë pjesë e emocioneve dhe krenarisë së këtij festimi popullor, disi të veçantë në përkujtime të këtij lloji gjatë trazicionit të shoqërisë shqiptare. 
Historia e ndritur e Fterrës
Por Fterra nuk ka harruar të festojë e të kujtojë historinë e saj, ata janë krenar e ndihen të lumtur për çka kanë lënë nga pas dhe për çka do të shikojnë para. Historia është gjë e shenjtë për ta. Të vetmet gjurmë që ka lënë erozioni social e shoqëror i tranzicionit politik të pas viteve ‘90, është boshatisja e fshatit dhe rendja drejt qendrave urbane brenda vendit dhe një pjesë edhe në emigracion. Por ndryshe nga fshatrat e tjera të zonës, ka boshatisje dhe jo braktisje, një e veçantë tjetër kjo e këtij fshati. Udhëtojmë drejt Fterrës me protagonistin kryesor të organizimeve të këtyre festimeve, Profit Zanin. Kthejmë në kryqëzim të Borshit rrugës për në Fterrë. Një rrugë që gjarpëron rrëzës së malit të Omloit për të dalë në kalanë historike të Borshit. Fokusohen para syve historitë plot luftëra, qëndresë, sakrifica dhe përpjekjet e paraardhësve tanë për të ruajtur të paprekshme kufijtë e shenjtë, gjuhën amtare, traditën dhe gjenezën tonë. Mure të lashtë me gurë të mëdhenj që brenda heshtjes thonë shumë… Rruga, lë shumë për të dëshiruar, aq sa makina është e detyruar të ndalojë herë pas here dhe shoferi të shikojë gomat, gjarpëron përmes shkurresh të shumta e të shumëllojshme me gjelbërim gjithëvjetor ku përmes tyre dëgjohen blegërima e zile, tingëllima këmborësh e cicërima zogjsh, kalon në lagjen Krizë e Borsh i vjetër. Vende të pasura me pyje, bimë medicinale, shpendë e kafshë të shumëllojshme, na thotë Profiti, një rezervat natyror i veçantë, po gjuetia e parregullt e pa kritere i ka rralluar ca specie, po prapë është i pasur e i lakmuar nga gjuetarët. Papritur Profiti e pret bisedën. Ja shikoni, na thotë, kjo është Langadha dhe na zgjat dorën duke na uruar mirëseardhjen. 
Bukuritë e Fterrrës
Tani jemi në Fterrë. Para nesh një përrua gjarpërues mes shkurresh e pyjesh të shumta e të shumëllojshme që rendte drejt detit për tu bashkuar me lumin e Fterrës, lumë që mbledh ujërat e 40 burimeve të territoreve të Fterrës. Më tej një lapidar në përkujtim të betejës së LANÇ dhe më tej, mes një gjelbërimi natyror, panorama e Fterrës. E bukur… Po kemi akoma rrugë për të mbërritur në qendër të fshatit. Profiti rrëfen se e gjithë kjo hapësirë që shikoni numëron rreth 208 toponime, ku secili bart një histori më vete. Por po kaq sa mbitoka, është e pasur edhe nëntoka… Dhe kështu biseda na i bën të pakuptueshme e të palodhshme rrugëtimin deri në qendër të fshatit. Kodra të taracuara ku gjelbërimi nuk humbet asnjëherë dhe të mbjella me pemë e drufrutorë të shumëllojshme e me shije të veçantë, por edhe male me bimë aromatike dhe kullota të bollshme ku mishi ka shijen ndryshe nga ato të fshatrave dhe kullotave të tjera. Profiti na fton në klubin e tij për kafe. Por përsëri befasia nuk ka fund. Na fut në disa mjedise bibliotekare. Është biblioteka që kam krijuar me forcat e mia, na thotë dhe ndërsa nis shpjegimin: Kam rreth 900 tituj librash të ndarë në tre skedina. Në skedinën e parë janë autorë të Fterrës që janë të shumtë e në shumë fusha, në skedinën e dytë janë autorë të bregdetit dhe në të tretën autorë shqiptar dhe të huaj që kanë shkruar për Fterrën dhe bregdetin, edhe për Shqipërinë. Por në bibliotekë ka edhe një fond të pasur me dokumente e fotografi në vite të lidhura me identitetin dhe historinë e Fterrës e deri tek pema gjenealogjike e fshatit. Gjithçka është ngritur me forcat e mia, thotë Profiti dhe na tregon edhe gazetën “Fterra jonë”, gazetë periodike që arrin numrin e 94 të saj në 10 vite jetë me 1200 faqe të botuara në to momentet historiko-kulturore e shoqërore të Fterrës. Ja, ky është dokumenti, karta e identitetit tonë si Fterrë, na thotë duke na treguar një dokument të vjetër. Është dokumenti i parë i shkruar që kemi gjetur deri tani që bën fjalë për ekzistencën e fshatit tonë dhe daton më 1431, pra para 585 vjetësh. Është defter Osman ku thuhet se Efterran-Iftirran, siç emërtohej Fterra, bënte pjesë në nahijen e Sopotit, kazaja e Gjirokastrës. Më pas nuk kemi dokumente të shkruara se nuk kemi gjetur akoma. Ndërsa në kryengritjet e njohura të Tanzimatit, ku në krah të prijësve labë si Tafil Buzi, Zenel Gjoleka etj, ishte dhe çeta e Fterrës me komandant Lazo Kofina (i parë) ku për vlerat, trimërinë dhe zgjuarsinë e tij, prijësi Zenel Gjoleka e zgjodhi pranë vetes këshilltar. Luftërat historike janë të shumta e Fterra krenohet me to. 
Në Pavarësinë e Shqipërisë
Një pllakë guri me dy pëllumba dhe në mes një degë ulliri, ku në krye të sajë duket viti 1912 dhe poshtë Fterra, të gdhendura me mjeshtëri në ato vite para një shekulli, tregojnë mbështetjen që fterriotët dhanë për aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Pëllumba dhe ulli, dy simbole paqeje që tregon edhe karakteristikën kryesore të këtij fshati paqtor. Janë luftërat e vitit 1913 me grekët të cilët kryen masakra të papara në popullatë e pasuri. Rendin momentet historike deri tek Lufta e Vlorës ku këta patriotë nuk do të rrinin sehirxhinj, por çeta e tyre nën komandën e Xhafer Shehut u rreshtua përkrahë luftëtarëve të lirisë e deri në mbështetje të Qeverisë demokratike të Fan Nolit, luftës NAÇL e ndërtimit të socializmit. Ndërsa demokracia solli boshatisje me rikthimin e migrimit dhe kurbetit si plagë e dhimbshme shoqërore. Gjatë këtij udhëtimi historik Fterra nuk i është ndarë përpjekjeve për arsimim. Në vitet e pushtimit otoman shumë kurbetlinj fterriotë u arsimuan në shkollat turke, pa humbur identitetin e tyre kombëtar. Isa Hizmo arriti deri dekan i drejtësisë në Universitetin e Stambollit e shumë e shumë të tjerë me kontribute të çmuara në kulturën dhe përparimin e vendit të tyre dhe të vendit tu jetuan. Në fshat mësimet e gjuhës shqipe thuhet se kanë filluar në vitin 1905 me sjelljen e abetare, por me dokumente kemi vitin 1910 ku u çel edhe shkolla e parë shqipe në fshat, shkollë që pati jetëgjatësi të shkurtër për shkak të luftës së Parë botërore.

 Shkolla u rihap më 1916 me 20 nxënës me mësues Selim Gjonika dhe në vitin 1922, në detyrën e mësuesit vendoset Neim Zani, mësues që ju përkushtua arsimit gjithë jetën e tij dhe kontributi është vlerësuar me “Urdhrin e Flamurit” dhe “Qytetar Nderi” i Bregdetit. Në 1925 ndërtohet shkolla e re ku për herë të parë nis edhe rrugën emancipimi shoqëror i fshatit, fillojnë të mësojnë edhe 16 vajza . Pas çlirimit arsimi i këtij fshati njohu hapa të mëtejshme e të fuqishme sa kemi mësues të Popullit Lame Xhama e Xhevdet Kofina, pa numëruar dhjetëra kuadro të tjerë të mesëm e të lartë në të katër anët e vendit. Në vitin 1961 Fterra dekorohet nga Kuvendi Popullor për merita të shquara në arsim me motivacionin “Fshat nga gjiri i të cilit kanë dalë dhjetëra mësues që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit në krahina të ndryshme të vendit”. Deri në vitin 2004 shkollën për mësuesi nga ky fshat e kanë mbaruar rreth 130 djem e vajza, ndërsa arsimin e lartë mbi 300 fterriotë dhe të mesmin mbi 500 të specialiteteve të ndryshme deri doktor e profesor shkencash. Kjo do të thotë shumë për një fshat të vogël me 39 fise dhe 114 familje në vitin 1990 dhe 50 të tilla në vitin 2004 e aq më pak sot. Deri në ditët e sotme, fterrjotë mund të llogariten mbi 1000 me arsim të lartë e të mesëm, shumë arritje për sa i përket proporcionit të popullsisë së fshatit. Gjithë ky mund e përpjekje për dije dhe përparim i fterriotve ka nxjerrë edhe yje të ndritshëm si dy akademikët e shquar, Besim Elezi e Muzafer Korkuti, i cili është aktualisht edhe Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lista vijon me 15 profesorë e doktorë shkencash në fusha të ndryshme, 25 shkrimtarë, artistë e gazetarë, nga të cilët 15 prej tyre janë vlerësuar me çmime të ndryshme për veprat letrare të botuara. Shtatë arsimtarë mbajnë titullin “Mësues i Popullit” dhe të “Merituar”.

Janë shatë ushtarakë të lartë me në krye gjeneralin Vexhi Gjoni, dy mjeshtra sporti e shumë prej tyre në administratën e lartë shtetërore deri tek më e fundit, Ina Zhupa si pedagoge dhe politikane. Janë shumë libra shkencorë, poetikë, letrarë, memorialistikë e dokumentar që Profit Zani i ka sistemuar në bibliotekën e tij. Qëndruam pak gjatë tek arsimimi i Fterrës, për vet faktin se krahas luftës për liri me pushkën në duar, nuk e ka ndarë edhe librin. Etja për dituri e arsimim e radhit këtë fshat në fshatrat më të rrallë të Shqipërisë, një enciklopedi voluminoze më vete. Dhe Profiti rrëfen e mbaron …shohim se një ndjenjë krenarie ia përshkon fytyrën dhe shpirtin fisnik. Një gëzim i madh ndjehet në fytyrat gazmore e të qeshura të fterrjotve. Nuk mungon të thotë falënderimet për skulptorin Kërraj. Por Profiti, teksa tregon edhe ftesën e madhe për të gjitha fshatrat e zonës, përmend edhe një fakt të keqardhshëm e që na bën disi të tkurremi; piedestali i bustit është bërë me forcat e tij dhe të disa dashamirësve, ndërsa bashkia u dha 10 qese gëlqere. Madje edhe flamurin kombëtar na i dhanë të zbardhur, po le që mezi e gjetëm se në magazinat e bashkisë së Himarës gjeje vetëm flamujt e partive, flamuri kombëtar mungonte. Dhe këtij të zbardhurit që më dhanë e nuk e mora fare se bleva vet një të ri, ja kishte zënë frymën kopeja e flamujve të politikës. U ndjemë disi keq kur e dëgjuam këtë rrëfim. Por Fterra feston dhe gëzon në natyrën e sajë dhe gëzimi merr udhë të pandalshëm. Kjo është Fterra që na pëlqen ta quajmë edhe ne Fterra jonë, sepse është e të gjithëve dhe këto grimca momentesh historike e zhvillimi që përmendëm në këtë reportazh e justifikojnë disi këtë krenari që përjetohet sot në 20 gusht në Fterrën tonë të dijes, luftës, punë, krenarisë e përparimit. 
Sigal