Në albumin e Lumnive, Kisha do shkruaj emrat e 38 katolikëve që kanë pësuar martirizim në periudhën e errët të komunizmit ateist

506
Sigal

Letër qarkore e konferencës ipeshkvore të Shqipërisë, drejtuar
meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltreve dhe të gjithë besimtarëve

 

Fort të dashur,

I jemi shumë mirënjohës Zotit, i cili sivjet na ka mbushur me shumë gëzim
kur, nëpërmjet Papa Françeskut, ka ngritur emrin e së Lumes Tereza ndër emrat e
shenjtërve të Kishës. Dhe sikur kjo nuk mjaftonte, pas disa ditësh Kisha do të
shkruajë në albumin e Lumnive emrat e tridhjetë e tetë katolikëve që kanë
pësuar martirizim në periudhën e errët të komunizmit ateist.

Shën Tomë Akuini përkufizon martirizimin si “derdhjen e gjakut të
dikujt për hir të Krishtit” dhe si “qëndresën e duhur ndaj vuajtjeve
të shkaktuara padrejtësisht”. Fjala “martir” do të thotë “dëshmitar”.
Prandaj martiri është ai që jep dëshmi të besimit të tij. Jezusi tha: “Dashuri
më të madhe nuk ka, sesa ajo e një njeriu që jep jetën për miqtë e tij” (Gjn
15, 13). Kështu martirizimi është shfaqja më e lartë e dashurisë së Krishtit. Papa Gjon Pali II
ka deklaruar se martirizimi i krishterë “e ka shoqëruar gjithmonë dhe
vazhdon të shoqërojë jetën e Kishës, edhe sot”.

Komunizmi që, për gati një gjysmë shekulli, ka sunduar Shqipërinë shfaqi
një urrejtje të veçantë ndaj katolikëve. Në një bisedë që Enver Hoxha dha në
Konferencën e Pezës, në vitin 1984, ai tha: “Hierarkët katolikë ishin njerëz pa
atdhe, vareshin plotësisht nga Vatikani … Të gjithë hierarkët e Kishës Katolike… ishin të mësuar, të shkolluar me shkollë teologjike, me disiplinë të
hekurt, me metodat dhe dredhitë e shtypjes së vullnetit të njerëzve me frikën e
Zotit … Kisha Katolike dhe hierarkia e saj ishin në kulm obskurantiste,
konservatore … gjithmonë në aleancë më regjimin reaksionar …” Janë fjalë që
tregojnë paragjykimet e tij kundër Kishës Katolike.

Toka shqiptare u lag me gjakun e martirëve. Por sot gëzohemi se, më 5
nëntor, Kisha do të ngrejë mbi altaret tona tridhjetë e tetë martirë të vrarë
në atë periudhë të tmerrshme. Të gjithë këta ishin priftërinj (ose klerikë), me
përjashtim të katër laikëve: një vajzë, Marije Tuci, e vrarë barbarisht sepse
ajo ishte kandidate e Motrave Stigmatine dhe katekiste; dhe tre burra, Mark
Çuni, Qerim Sadiku dhe Gjelosh Lulashi. Renditur i pari në mesin e dëshmorëve
është Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit. Ai u akuzua si
“armik i popullit”, “reaksionar”, “spiun i
Vatikanit”, dhe i dënuar për njëzet vjet burgim, ku ai ishte torturuar,
fyer dhe poshtëruar në shumë mënyra të ndryshme, derisa ai vdiq.

Në një fjalim të tij, Papa Pali VI pyeti: “Çfarë nevoje ka Kisha
sot?” Dhe ai u përgjigj se në rrethanat e tanishme “Kisha ka nevojë
për burra të fortë”, që domethënë, njerëz të pajisur me virtytin e
guximit. Shën Pali kishte paralajmëruar tashmë të krishterët e Romës: “Dhe
mos u konformoni me këtë botë”, që nënkupton se jeta e krishterë gjithmonë
nënkupton një luftë kundër një mentaliteti të një bote që përpiqet ta
përjashtojë Zotin.

Ju përcjellim me bekimin tonë baritor.

Ipeshkvinjtë
tuaj