Në 75-vjetorin e rënies së heroit Astrit Murat Toto

1112
Sigal

Zabit HIDA   

Veteran i LANÇ                       

Astrit Toto ka lindur në vitin 1926 në qytetin e Gjirokastrës, në një familje patriote dhe liridashëse. Astriti në moshën 16- vjeçare, në fillim të vitit 1942, u lidh ngushtë me lëvizjen A.N.ÇL. Megjithëse shumë i ri, ai do të dallohej për akte trimërie e heroizmi,shumë shpejt u hodh në veprim duke marrë pjesë në shumë aksione të rëndësishme, duke shkruar parulla në vende të dukshme, përballë zyrave të Fashios në qytetin e Gjirokastrës si; “Vdekje Fashizmit-Liri Popullit.” Herë me shokë e herë vetëm, natën apo në kohën e drekës kur pushonin zyrtarët e Fashizmit, Astriti i afrohej rojës me revolverin në dorë gati për shkrepje, futej brenda në zyrat e Fashios dhe grabiste makinat e shkrimit, letër dhe i çonte në bazat ilegale, në lagjet e qytetit, ku shtypeshin komunikatat dhe materiale të rëndësishme nga komunistët dhe luftëtarët e lirisë, me të cilat i bëhej thirrje gjithë popullit që të ndihmonte LNÇL moralisht, materialisht dhe të ngrihej në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashist. Astriti ishte një djalë shumë i gjallë dhe i mprehtë, Ai nuk kishte frikë nga vdekja. Nga Qarkori i Partisë Komuniste të Gjirokastrës, u caktua për asgjësimin e agjentit të fashizmit Hasan Çami, i zuri pritë dhe pasi e njohu, nxori revolverin nga brezi dhe para se ta qëllonte i tha: “Për tradhti ndaj Atdheut je i dënuar me vdekje!”, e goditi me tre plumba,e shtriu përtokë dhe u largua si era. Shtëpia e Totajve ku lindi dhe u rrit Astriti, ishte një nga bazat ilegale të qytetit, aty strehoheshin dhe merrnin mjekime të plagosurit, grumbulloheshin materiale luftarake, bomba e fishekë. Një ditë, në pranverën e vitit 1943 milicët e fashizmit i bënë një kontroll në shtëpi xha Muratit, por nuk i gjetën asgjë, sepse ai ishte lajmëruar më parë nga informatorët e partisë dhe kishte marrë masa, kishte fshehur çdo gjë në vende të sigurta. Në këtë situatë kur armiku e ndiqte për ta kapur dhe asgjësuar, Astritit iu bë e pa mundur qëndrimi në qytet dhe me urdhër të Qarkorit të Gjirokastrës doli në mal dhe u bashkua me partizanët. Në fillim të Qershorit 1943, caktohet sekretar politik i rinisë në çetën partizane “Koto Hoxhi”, që vepronte në krahinën e Lunxhërisë. Me kapitullimin e Italisë fashiste, Divizioni “Peruxhia” në qytetin e Sarandës bëri dorëzimin e armëve dhe mjeteve në komandën partizane. Në këtë aksion ishte dhe çeta partizane “Koto Hoxhi”. Në datën 2 Tetor 1943, Astriti me katër shokët e tij partizanë u nisën me shërbim me një makinë transporti për grumbullimin e armatimit, municioneve dhe materialeve të tjera luftarake që do të transportoheshin e grumbulloheshin në bazën partizane të Cepos. Pasi kaluan urën e lumit Bistrica udhëtonin drejt Butrintit, iu afruam Manastirit e aty ranë në pritë me një grup zbulimi të forcave gjermane, të cilët kishin ardhur në fshehtësi, pa u diktuar nga forcat partizane dhe në befasi me armët automatike hapën zjarr në drejtim të forcave tona. Aty mbetën të vrarë dy partizanë, ndërsa Astriti me dy shokë partizanë luftuan dhe asgjësuan tre ushtarë nazistë dhe dy të tjerë i ndoqën këmba këmbës, por mundën të shpëtonin duke u futur në drejtim të kënetës. Gjatë luftimit, grupi partizan pati shumë humbje, u vranë dhe dy shokë të tjerë partizanë, në fund Astriti luftoi i vetëm kundra dy ushtarëve gjermanë, ku njërin prej tyre e shtriu përtokë dhe në fund luftoi ballë përballë me një ushtar gjerman. Ushtari gjerman e vuri Astritin në shenjë dhe e goditi me një plumb, ai u rrëzua përtokë. Partizanët që mbërritën në atë moment e asgjësuan dhe ushtarin e fundit gjerman. Astritin e kishte mbuluar gjaku dhe në momentet e fundit të jetës ai iu la amanetin shokëve “Mos qani e mos vajtoni për mua, unë u vrava për Shqipërinë, sepse doja ta shikoja të lirë”. Për të përjetësuar aktin heroik të pesë Dëshmorëve, që ranë duke luftuar në Manastir afër Qytetit të Sarandës, në krahun e majtë të rrugës automobilistike, është ngritur një lapidar madhështor, që në shenjë respekti e mirënjohjeje, me shumë dashuri janë gdhendur emrat e dëshmorëve Astrit Toto, Niko Stefani, Selim Myftari, Miltjadh Marjani dhe Sadik Rusto. Ata ranë heroikisht duke luftuar në përpjekje me forcat naziste në datën 2 tetor 1943. Pas çlirimit të vendit në vitin 1946 nga organet e shtetit Shqiptar, në qytetin e Gjirokastrës u zhvillua ceremonia e rivarrimit të të rënëve në luftën N.CL. Nga ajo ditë ruaj shumë kujtime që më mbushin me krenari, ndjeva shumë dhimbje për shokët e mi partizanë që dhanë jetën në ato kohë të lavdishme që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë. Atë ditë kudo kishte qetësi, kurora me lule, lot malli, familjarë të Dëshmorëve dhe ne partizanët që kalonim pranë tyre, duke nderuar me grushtin lart.