Në 55-vjetorin e lindjes përkujtohet Agim Neza, promovohen tre librat e fundit

814
Dr. Neza me kontribut të veçantë që i mungon familjes gazetarisë dhe botës akademike
Në 55-vjetorin e lindjes, së gazetarit, analistit, pedagogut dhe shkrimtarit Agim Neza janë promovuar tri librat e tij të fundit. “Diplomacia Publike”, “Marrëdhënie publike, strategjitë dhe taktikat”, “Dashuri dhe trishtim në një vend komunist”. Këto janë tre tituj të librave të autorit të ndjerë Agim Neza. Personalitete të politikës, kolegë e të afërm, si edhe studentë të tij përkujtuan kontributin e çmuar të Agim Nezës në gazetarinë shqiptare dhe botën akademike.

Si një takim përkujtimor për të ndjerin, familjarët e Dr. Nezës zgjodhën pikërisht 55-vjetorin e lindjes së tij për të promovuar 3 veprat e tij.

Presidenti (i zgjedhur) i vendit, z. Ilir Meta, ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Luan Hajdaraga, Artan Fuga, Bashkim Gjergji, Agim Doçi, Ilirian Çelibashi, Rezear Xhaxhiu, , Engjëll Musai, Roland Qafoku etj ishin disa nga emrat pjesëmarrës, që nderuan me fjalën e tyre kujtimin dhe kontributin e Agim Nezës.

Në këtë aktivitet ku kishte mjaftë pjesëmarrës, mbajtën fjalën disa personalitete duke ndarë me të ftuarit kujtimet dhe vlerësimet që kishin për figurën e lartë të autorit.

I pari që referoi ishte akademiku Artan Fuga. Në fjalën e tij, ai vlerësoi kontributin e gazetarit dhe publicistit Neza, veçanërisht mbi promovimin e pashoq të Shqipërisë në rang ndërkombëtar dhe si një mjeshtër i Fjalës në Departamentit e Gazetarisë.

“Njihem prej vitesh me mikun tonë dhe kolegun Agim Neza dhe kur më thanë që do flisja për veprën e tij, për librat e tij, për artikujt dhe shkrimet e tij… e pranova me dëshirë, por me vete thashë që, duhet të përgatitem. Vajta në Bibliotekën e Departamentit. Mora librat, i pashë edhe një herë dhe më doli para sysh jeta e Gimit. Sepse jeta e tij, ndofta si specialist i Marrëdhënieve të Komunikimit mund të ketë qenë e vështirë, pasi shpeshherë punën e pedagogut e konsiderojnë si të lehtë dhe nga jashtë e konsiderojnë si një punë që është statike me ato leksionet që bën dhe kaq. Harrojnë që nganjëherë nga mbrapa ka një evolucion të shpirtit, të mendjes dhe e bukura… me librat, botuesit kishin shkruar që me këto libra, Agim Neza është rindërtuar shpirtërisht, se profesionalisht dihet tashmë. Ai është një nga promovuesit më të mirë të vendit tonë”, u shpreh Fuga në fjalën e tij, duke ndarë njëherësh me të pranishmit kujtime, si dhe bisedat e fundit me mikun dhe kolegun e tij.

Presidenti i vendit, Ilir Meta vlerësoi gjithashtu profesionalizmin e Nezës, thjeshtësinë e njeriut të mirë,me një botë të madhe shpirtërore, si dhe qytetarinë e tij. “Ruaj eksperiencë të mrekullueshme me Agim Nezën në kohën kur ai ishte zëdhënës i Ministrisë së Jashtme. Ne kemi punuar shumë ngushtë me të dhe kam përshtypjet më të mira për figurën e tij. E vlerësoja shumë jo vetëm për profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe luajalitetin në marrëdhëniet bashkëpunuese, por mbi të gjitha për sensin e humorit dhe aftësinë për të ç’tensionuar situatat e vështira dhe delikate. Do ta kujtojmë gjithmonë ”, theksoi Meta”.
Më pas fjalën e ka marë ish kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ku foli shumë e emocionuar, “ Unë do të them që vajzat e Agimit do të jenë shumë krenare për babain e tyre, i dashur për të gjithë i ndershëm me të gjithë dhe i edukuar dhe i lexuar si pak kush”.

Të afërmit shprehën mirënjohje ndaj atyre që u qëndruan pranë pas largimit nga jeta të Agim Nezës. “ Erdhën gjithë ata miq e dashamirës si në Tropojë dhe në Tiranë dhe efektivisht e ndanë dhimbjen dhe na e lehtësuan përditshmërinë tonë”. 

Në fund të aktivitetit, u transmetua një dokumentar mbi jetën dhe karrierën e Agim Nezës. Mesazhi i ndjerë i dy vajzave të tij, Ergia dhe Edona Neza gjatë transmetimit të Speciales përlotën të pranishmit. Vogëlushet i premtuan të atit që do të ndjekin shembullin e tij të mirë dhe që do të jenë gjithmonë krenare që janë bijat e tij. Fatkeqësisht ai u largua nga jeta në moshën 54 vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Dr Neza do të kujtohet gjithmonë për kontributin e veçantë që ka dhënë në Gazetarinë Shqiptare dhe botën akademike.

Jeta
Agim Nezaj ka lindur në Tropojë. Është diplomuar në Universitetin e Historisë dhe Filologjisë në vitin 1987, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999. Ka përfunduar studimet Master të Nivelit të Dytë në Marrëdhënie Ndërkombëtare në vitin 2009-2011. Është kualifikuar dhe specializuar për Lajme Ndërkombëtare, MP, Përgjegjësia e MP, etj. në Londër, Holandë, SHBA, etj.. Që nga viti 1999 deri më 2014 ishte pedagog i lëndës MP në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. 2013-2014, Neza ishte kryeredaktori gazetës Koha Jonë (kohë kur edhe u shkëput përfundimisht nga jeta publike). Ai ka qenë Këshilltar i Medieve në Ministrinë e Drejtësinë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Jashtme, në Kryesinë e Kuvendit etj..
Sigal