Ndini R. Bardhi/ Shijet artistike të njeriut

760
Shija artistike e njeriut artdashës është në vetvete një ndjenjë e kultivuar brenda qenies së tij, me botë e shpirt të madh për të bukurën fenomenale e të krijuar nga mjeshtëria e artistit. Ajo është sens ndjeshmërie e një shkalle të lartë potenciale në shpirtin e njeriut e jashtëzakonshme, që gëzon në formatin e tij cilësi rrezatimi, energji ndjesore dhe inteligjente, shqisore e pamore, emocionale dhe psikologjike, intuitive dhe imagjinative, që, në vijimësi njerëzore marrin atributet e një ndërgjegjeje për të bukurën natyrore dhe atë artistike. Në realitetin e përditshëm të jetës njerëzore e artistike, shija (shijet) sintetizohet në një vlerë të vetme e universale nëpërmjet ndjenjës së zhvilluar të njerëzve me ide, koncepte, botëperceptimi për të bukurën e shumëdëshiruar nga të gjithë. Shijet, sidomos nga arti dhe artisti, strukturohen si objekte dhe subjekte preferenciale të ndërgjegjes së tij krijuese artistike, si energji aktive sintetizuese dhe përpjekje sinkron me realitetin e jetës së përditshme njerëzore. Në shijet artistike të njerëzve artdashës dhe të kulturuar përthithen shpirtërisht si ndërgjegje të gjithë dukuritë e bukura natyrore dhe artistike, rreth tyre. Natyrisht, në ndërgjegjen e njeriut artdashës si vetvete funksionojnë elementët përbërës shpirtërorë dhe emocionalë në qenien e tij për shijet artistike në përgjithësi dhe veprën produktive në veçanti. Shijet artistike për të bukurën janë një potencial shpirtëror i individit, që përjeton çdo dukuri jetësore të realitetit dhe merr prej tyre vlerën e vlerës emocionale në kuptimin më final të tyre. Ato dhe të gjitha këto të fundit, për artdashësin, krijojnë tone dhe tundime shpirtërore, perceptime të aftësive krijuese të artistit dhe vlerës së pallogaritshme të artit nëpërmjet veprës produktive të shijuar prej tij. Shijet artistike si vetvete dhe të bukurës fenomenale, shfaqen te çdo njeri si dukuri e papritur, e pamenduar, spontane, instinktivisht në përjetimin e tyre të përditshëm. Natyrisht, shijet e shumëllojta të kënaqësisë shpirtërore, njerëzore, jetësore dhe ato artistike çmohen si vlerë e nevojshme për ekzistencë, pikërisht ato që kanë trajtën e shprehive të bukura, të arsyes për të qenë të tilla në kuptimin e vetëdijshëm dhe gjykimit preferencial të individit. Shija artistike te njeriu artdashës, i kulturuar dhe intelektual është edhe racionale e gjykimit, por edhe si ndjenjë e thjeshtë emocionale dhe përjetuese fenomenale e tij. Midis dukurive të shumta të realitetit, të së bukurës dhe të shëmtuarës, që në thelbin artistik përbëjnë strukturën komplekse të shijeve artistike e në të njëjtin sens edhe ndjeshmërinë shqisore, ka individë artdashës që për të bukurën investojnë dhe e pëlqejnë, por ka edhe refleksione të të kundërtës artistike të tyre, që nuk e pëlqejnë. Pra, shijet artistike në njerëz të ndryshëm, janë komplekse, të ngatërruara, preferenciale dhe të ndryshme. E në këtë vijimësi të mendimit tonë na lind arsyeja të themi, se shijet në anën e jashtme të shfaqjes së tyre kanë strukturë esenciale të njëllojtë, por në aspektin e përjetimit shpirtëror, ndjenjësor dhe emocional, marrin trajtën e një strukturë komplekse dhe të lëvizshme sipas individit apo individëve ekzistues në realitet, të angazhuar dhe pasionant në këtë drejtim. Shijet ndjenjësore dhe pamore te njeriu i kulturuar, natyrisht konceptohen, shfaqen dhe përjetohen ndryshe nga njeriu i zakonshëm. Ato zhvillohen, në unitet me aftësinë perceptuese të tyre, që do të thotë, nga përjetimi i dukurive më të thjeshta të së bukurës e të shëmtuarës, drejt përjetimit të dukurive më komplekse, nga përjetimi i dukurive të realitetit e deri në përjetimin e shijeve artistike nga vetë njeriu e më gjerë. Shijet, kur ato çmohen si vlerë shpirtërore dhe kënaqësi emocionale, marrin vlera identike me shijet artistike, sepse këto të fundit janë forma dhe struktura më e kultivuar nga arti dhe artisti, për të bukurën. Ndryshe është të kesh shije për pamjen e jashtme fizike, të veshjes e prezantimit në mes të tjerëve, e ndryshe të kesh shije konceptuale e me kulturë të pasur artistike, sepse kjo e fundit kërkon në vetvete një ndërgjegje të zhvilluar e të kultivuar gjatë gjithë jetës së jetuar nga njeriu artdashës e kushdo qoftë. Shijet artistike, natyrisht janë energji konceptuale e brendshme, mentale dhe dëshirore e pavarur e individit, por edhe të kultivuara nga dinamika jetësore në veçoritë e saj politike, ekonomike, tradicionale, mirëqenia, preferenciale, shoqërore, kombëtare e deri nga veçoritë e individualitetit të njeriut të ditës. Shijet e zhvilluara artistike të individit e shoqërisë përbëjnë një vlerë të madhe për zhvillimin e gjithëkohshëm të botës shpirtërore e të personalitetit të njeriut të kulturuar e artdashës. Shijet artistike të njeriut (njerëzve) kanë dhe marrin karakter social, sepse në vetvete, nëpërmjet konceptimit individual marrin trajtat e një përfytyrimi të thjeshtë subjektiv të tij. Në botën njerëzore dhe artistike, në shekuj kanë ekzistuar dhe ekzistojnë deri më sot në kohën moderne, përfytyrime dhe shije të njerëzve për të bukurën dhe të shëmtuarën, për natyrën dhe jetën, artin dhe kulturën, një pafundësi kozmike dhe e mistershme. Nocioni i shijes ndjenjësore, shpirtërore dhe artistike është formuluar në këndvështrime teorike nga më të ndryshme në këtë botë të madhe njerëzore dhe universale. Teoritë për shijet e çfarëdoshme e deri në ato artistike kanë ekzistuar dhe ekzistojnë si diskutim i hapur dhe i përhershëm njerëzor. E, ndonëse fenomeni i shijeve është sa i diskutueshëm dhe i ndjeshëm, për të ka përpjekje të shumta shpjeguese e argumentuese, të cilat janë të pafundme teorikisht dhe artistikisht. Ka mendim teorik për shijen, se ajo, si shfaqje e ndjenjës së brendshme të njeriut është në vetvete një preferencë konceptuale dhe emocionale e individit të kulturuar dhe jo e faktorëve të jashtëm të realitetit ndaj tij. Ajo është energji e njeriut me botëperceptim të pasur shpirtëror, emocional, shqisor, optiko-vizual, pamor, natyrisht, si mëvetësi ndjenjësore dhe hera-herës shpërthyese momentale kundër dëshirës së vetë njeriut që e zotëron apo edhe si apriori, arsye, gjykim, nevojë, interes etj. Shija në tërësinë e saj fenomenale dhe në veçanësinë artistike, duke i referuar përvojave, studimeve, teorive dhe eksperiencave jetësore, njerëzore dhe artistike, në gjithëkohësi të ekzistencës së saj objektive dhe subjektive, ka pasur tek njeriu si individ i veçantë, karakter të brendshëm dhe intim të ndjenjës dhe nevojës shpirtërore të tij. Për shijet njerëzore dhe artistike ekziston një hapësirë e pafundme preferencash, teorish, tezash e antitezash, hamendjesh, apriorish, diskutimesh, miratimesh e kundërshtish, që nuk kanë e s’mund të kenë fund asnjëherë. Të gjithë arrijmë në konkluzionin e përbashkët, se për shijet e njerëzve mund dhe s’mund të diskutohet, sepse është një temë sa e ndjeshme aq edhe e bukur, sa e dashur dhe komplekse, sa reale aq edhe subjektive. Le ta pranojmë këtë dukuri siç na dhe u pëlqen të gjithëve! Natyrisht, edhe në kohën tonë moderne të lirisë dhe demokracisë ka shumë elementë objektivë dhe subjektivë me karakter preferencial në dukurinë e shijeve, të cilat këto të fundit klasifikohen pafundësisht në shije ekstra dhe ordinere, në të pranueshme e mospërfillëse, të artikuluara bukur dhe me art etj. Dhe gjithçka tjetër, që për mendimin tim të veçantë, është e nevojshme të cilësojmë momentin kohor dhe moshor të njeriut, interesat për t’i vlerësuar si ushqimin e përditshëm, por mjaftohemi të themi, kjo apo ajo më pëlqen ose nuk më pëlqen njëra ose tjetra etj. etj. Pra, konvergojmë në një emërues të përbashkët, natyrisht edhe ky jo absolut, që shijet në përgjithësi dhe artistike në veçanti, kanë të bëjnë me gjykimin subjektiv të njeriut dhe për më tepër në lirinë shpirtërore, konceptuale, emocionale, ndjenjësore, intelektin dhe kulturën e tij, që do të thotë, shija në kuptimin universal të saj, është aftësi dhe potencë individuale e njeriut të veçantë që karakterizon si vetvete personalitetin e tij, aq më tepër në botën e artit. Këto mendime si teza dhe hipoteza për karakterin individual të shijeve ndjenjësore dhe artistike hera-herës mbeten në hapësirën e pafundme të diskutimeve njerëzore, në këndvështrimin relativ dhe subjektiv të njeriut, artit dhe artistit. Në këtë drejtim, një shpjegim të mundshëm dhe të pranueshëm nga të gjithë njerëzit, është vendosja e një kriteri objektiv dhe subjektiv të pranimit të së bukurës dhe harmonizimit dinamik të së përgjithshmes dhe individuales në botën e pafundme të shijeve njerëzore dhe artistike.
Sigal