Ndërron jetë  ikona e TVSH-së, Kiço Fotjadhi

945
Sigal

Gazeta “Telegraf” boton pjesë nga intervista me folësin dhe gazetarin e mirënjohur Kiço Fotjadhi, dhënë para se të ndahej nga jeta

Dje u nda nga jeta një ikonë e televizionit shqiptar, Kiço Fotjadhi. E mbaj mend intervistën e parë me të në vitin 2002. U takuam tek Radio -Tirana, aty në një lokal të thjeshtë, pasi ai nuk shqitej nga ai institucion me të cilin lidhi pjesën më të bukur të jetës. Pas atij takimi ne flisnim dhe lidheshim shpesh. Kur shkonte në Greqi, nuk harronte të thoshte do kthehem shpejt, nuk rri dot pa Tiranën time. Ishte një njeri i thjeshtë, i dashur, gjithmonë i qeshur, që kurrë nuk u mor me jetët e të tjerëve, gjë që ndodh rrallë në vendin tonë. Vetëm mirësi kishin fjalët e tij. Takimi i fundit ka qenë para 6 muajsh tek një lokal tek rruga e trenit, ku ai rrinte zakonisht në mesditë. Më foli për gjëra të cilat s’i kishim rrekur më parë. Më foli për detaje jetësore si gazetar, si folës. Ai nuk kursehej të të mësonte diçka të re. I tillë ishte Kiçoja, i cili do na mungojë të gjithëve. Sëmundja e rëndë nuk e kurseu jetën e këtij njeri të madh. Lamtumirë Kiço Fotjadhi! Sot po përcjellim një pjesë të bisedave që kemi zhvilluar për “Telegraf” me të madhin Kiço Fotjadhi -siç thotë Tefta Radi.

 Ju shkollën fillore e bëtë në Lezhë ?

Unë  fillova  klasën e parë në  shkollën  “Idajet Lezha”. Mësuesi im i parë ka qenë Gjergj Lacaj, prift katolik i  cili më  jepte  piano. Mbaj  mend  që në atë  kohë  Lezha  ishte një vend  tërësisht i prapambetur, i varfër. Në  ato vite  filloi të ndërtohej  gjimnazi i  Lezhës që është edhe sot. Në qershor të ‘49-s, babai pati një operacion të stomakut, por në mungesë të antibiotikëve, ku u operua në Shkodër ai kaloi në infeksion dhe vdiq. Kishin  zbritur të gjithë fshatarët e Lezhës  të  gjithë  krahinës rreth e  qark. Më dukej  i gjithë ai oborr i  shkollës  dhe kodrat  përreth sikur  ishin të lulëzuara nga gjithë njerëzit që ishin atje për babain tim. Pastaj na shoqëruan deri në Himarë (Dhërmi) ku e varrosëm  babanë. Ai vdiq në krye të punës dhe ishte një nga mësuesit më të shkëlqyer.

Sa fëmijë ishit ?

Ne ishim 6 fëmijë. Për meritat që kishte bërë babai në fushën e arsimit dy nga ne djemtë, qeveria na mori dhe na çoi në Shtëpinë  e Fëmijës në Vlorë sepse mundësitë ekonomike të familjes ishin tepër të pakta. Në shtator  të vitit 1949, unë dhe  vëllai  im më i  madh Dhimitri  u vendosëm në  Shtëpinë e Fëmijës  të Vlorës.

Ku e mbaruat shkollimin dhe kur trokitët për herë të parë në Radio- Tirana?

Unë edhe kur  isha i vogël e kam pasur pasion  teatrin. Në Vlorë merrja pjesë në rrethet teatrale të Shtëpisë së Pionierëve të Vlorës. Isha një bashkëpunëtor i Shtëpisë së Kulturës së Vlorës. Doja të studioja për dramaturgji. Konkurrova në vitin 1957dhe nuk fitova. Konkurrova përsëri në vitin 1958 dhe fitova. Fillova Liceun Artistik… Kam pasur pedagog Sandër Prosin, Naim Frashërin, Kadri Roshin, Prokop Mimën, Mihallaq Luarasin etj.. Kam pasur  fatin që letërsinë  dhe teatrin grek e kam bërë  katër  vjet rresht në dy segmente, me Profesorin e madh Myzafer Xhaxhiu (na jepte letërsinë antike greke) dhe Xhemal Broja  profesor  (na jepte teatrin e lashtë grek). Jemi ushqyer me nivelet shkencore pedagogjike kulturore më të bukura që kishte ai brez pedagogësh. Në bazat tona hodhëm parimet më të shenjta të artit shqiptar  dhe të artit botëror  në përgjithësi. Këto vlera  që ne  morëm nga profesorët  tanë i përcollëm me bashkëpunëtorët tanë  që kishim. Mbas Liceut që e mbarova me rezultate shumë të larta, unë  kam mbaruar  Institutin e  Lartë Dramaturgjik “Aleksandër Moisiu”. Akademia e Arteve fillimisht  ishte Instituti i Lartë Dramaturgjik “Aleksandër Moisiu”. Rezidenca e tij ishte në Teatrin Popullor. Aty ishin studiot, klasat dhe kjo u krijua  në vitin 1958. Mbas  disa vitesh u zgjerua, përveç teatrit dramatik  filloi dhe u krijua edhe muzika, piktura  dhe kështu u  krijua Akademia. Akademia u krijua në vitet 1970. Studentët e parë  të  atij Instituti janë Sarefin Fanko, Piro Sava etj.. Në  vitin 1966, kur  mbarova Institutin u emërova  direkt spiker  kryesor  në Radio Televizionin Shqiptar.

Si u realizua  kjo?

Në vitin 1959 funksiononte Radio Difuzioni Shqiptar, i cili transmetonte me orë  të reduktuara  nga ora 06:08 e mëngjesit dhe 12-18:00 dhe  nga ora  20:22  e darkës. Kërkonin elementë, spikerë dhe kishin shumë emisione, të gjalla, të dramatizuara dhe jo të dramatizuara, të gjitha ishin me krijimtari letrare. Bazën e spikerëve ato e kërkonin tek shkollat artistike. Profesori ynë Prokop Mima  punonte në mënyrë tepër serioze, për të mësuar se si të flasësh bukur, si të dublosh bukur, si të recitosh  bukur etj.. Ata erdhën një ditë në Lice dhe incizuan zërat më të bukur. Midis tyre konkurrova  edhe unë. Më  dhanë një gazetë dhe lexova  diçka. Atyre u pëlqeu zëri, tingulli, shqiptimi etj., dhe mbas  20 ditësh  u kthyen  përsëri në Lice. Ai që na inçizoi më tha  se mund  të  bashkëpunosh me ne në emisione të ndryshme në radio, kjo i përket vitit 1959. Unë e kisha zërin më të pjekur se sa të tjerët  dhe më caktuan në emisionin e fëmijëve. Në atë kohë folësit nuk i vinin në mikrofon menjëherë. Mua më jepnin skica letrare dhe tregime të ndryshme. Atëherë ishte krijuar  një  personazh në emisionin e  fëmijëve që quhej “xhaxhi korrespondenti”. Ky ishte një figurë, i cili korrespondonte me të gjithë Shqipërinë për të  gjithë problemet që kishin fëmijët. Kështu e kishin përgatitur redaktorët. Këtu mbaj mend një redaktor të mirë që nuk është sot, Konstandin Leli.

Kë gjetët tjetër në radio?

Kur  shkova për  herë të parë në vitin 1959 në Radio-Difuzion që ishte në Rrugën e Kavajës gjeta Alfons Gurashin. Ai i kishte kaluar këto faza dhe në atë kohë bënte Enciklopedinë e Radios. Ai kishte një emision që transmetohej çdo të diel në orën 10:00. Nga emisionet e  fëmijëve, unë vazhdova në emisionet e kulturës, me emisione letrare. Kisha emisionin “Universiteti Popullor”  në  radio. Kisha emisionin për  figura të shquara të muzikës klasike botërore, rubrika e prindit, tryeza familjare. Një emision në vitin 1964 që titullohej “Shqiptarët  në  mërgim”, ku ne komunikonim me mërgimtarët tanë etj..

Kur filloi të funksionojë Televizioni Shqiptar?

Në vitin 1960, filloi televizioni eksperimental shqiptar. Stoli Beli ishte redaktore e emisioneve të fëmijëve dhe të rinisë. Ajo ka bërë prezantimin e parë duke u drejtuar nga studio “të dashur  teleshikues  televizioni   eksperimental Shqiptar  fillon  emisionin e tij të parë”. Në fillim  ky televizion  jepte emisione dy herë në javë nga një orë  dhe pastaj  3 herë në  javë nga një orë me një kapacitet të vogël dhe vetëm për Tiranën. Unë nuk kisha pikësynime për televizion dhe për radio. Po studioja për aktor. Mendoja  se në cilin teatër  profesionist do të emërohesha  dhe çfarë roli do të bëja, por  edhe televizioni bënte punën e vet. Ne kishim një drejtor shumë të nderuar, i cili ka hedhur themelet e televizionit, Petro Kito. Në  vitin 1963, Stoli Beli më  propozon mua për të dhënë lajmet në televizion. Unë shkova dhe fillova të punoja me kamerën. Bëra një javë praktik.

Studioja ishte një sallë  e thjeshtë 5x6m, një  tavolinë  e thjeshtë  dhe një stol i vogël. U formua stafi parë teknik me inxhinier Saliun, Lulzim Tomçiun, Jani Mele, Gëzim Hoxha. Ishin djem të përkryer, atdhetar. Ata janë themelet e atij televizioni që ne përjetojmë sot.

N.q.s do flasim për teknikën e asaj kohe?

Ishte një kamerë  e thjeshtë gjermane  me katër  objektiva. Nuk ishin këto sisteme kompozimi që janë sot. Në atë kohë as  tavolina  nuk duhej të dukej. Nga ana trupore duhej të dukej gjysma e duarve (jo duart e plota), nuk duhet  të dukej  mikrofoni, letrat. Meqenëse edhe muret  nuk  ishin të veshura  duhej të flisje  me zë më të lartë nga  ç’flet një folës sot. Nuk kishim sistem komunikimi me regjinë. Aty regjinë e bënte Stolia, ajo ishte edhe redaktore edhe  regjisore. Lajmet ishin 6-8 minuta.

Albert Z. Zholi