Nderim për Kamber Ali Dede, sot në 65 vjetorin e ndarjes nga kjo jetë

1397
Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Kamber Ali Dede mbetet një klerik i rrallë i bektashizmit në Shqipëri dhe në botë.

Në listën e gjatë të klerikëve bektashinj të persekutuar gjatë regjimit monist të shekullit të kaluar, është dhe Kamber Ali Dede. Më 12 prill të vitit 1944, ai zgjidhet Kryegjysh Botëror i Bektashizmit, por shumë shpejt arrestohet dhe ndërron jetë më 5 prill të vitit 1950 në burgun e Tiranës. Sot, në Selinë e Shenjtë Bektashiane organizohen ritet e përkujtimit të këtij kleriku bektashi. “Kammber Ali Dede ia kushtoi gjithë jetën e tij bektashizmit, ndonëse pati fat të keq në këtë jetë për shkak të persekutimit. Ai mbetet një klerik i rrallë i bektashizmit në Shqipëri dhe në botë…”- Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Kamber Ali Dede
Kamber Ali Dede, lindi në vitin 1870, në një familje me besim bektashian. Referuar dokumenteve zyrtare të kohës, babai dhe nëna e Kamberit ishin myhib në teqenë e Frashërit qysh me themelimin e saj nga Nasibi Tahir Babai. Dy xhaxhallarët dhe babai i Kamberit kanë qenë dervishë në teqenë e Frashërit, por, meqë familja kishte shumë nevojë për të përballuar punët e bujqësisë, babai, Mehmeti, u emërua dervish nderi dhe u lejua të martohej. Xhaxhallarët vijuan të shërbenin deri në fund si dervishë. Njëri prej tyre, dervish Kasoja, pati fatin të qëndronte në teqe, kur atë e drejtonte i madhi baba Alushi, i cili, siç dihet, priste e përcillte patriotin rilindës, Abdyl Frashërin. Mbas vdekjes të dervish Kasos, të cilin Kamberi e kishte pasur atin e tij shpirtëror, mori përsipër që traditën bektashiane ta çonte më tej. Ishte viti 1910 kur shoqëroi për në Haxhi Bektash të Turqisë, Ahmet Turhanin dhe baba Sulejmanin e teqesë së Gjirokastrës, të cilët u dorëzuan gjyshër nga Kryegjyshi Botëror i atëhershëm, Fejzi Dedei. Dervish Kamberi në këtë udhëtim, përveç Turqisë, mundi të vizitonte Sirinë dhe Libanin, nga mori përvojë të vyer si bektashi. U kthye në Atdhe në vitin 1911, pikërisht kur kish filluar lëvizja kombëtare. Në teqenë e Frashërit baba Kamberi punoi me përkushtim për të ruajtur traditën bektashiane. Pushtimi i Shqipërisë së Jugut nga andartët grekë e gjeti, bashkë me dhjetëra e qindra familje të tjera, në ullishtet e Vlorës si muhaxhirë. Aty u bë pjesë e ndihmëtarëve për popullatën e mbetur në mes të katër rrugëve. Nga pjesëtarët e familjes së tij nga sëmundjes së kolerës, familja Meço humbi 13 anëtarë. 

Në shërbim të bektashizmit
Sapo filloi Lufta e Dytë Botërore, dervish Kamberi mori rrugën për në SHBA, me synimin për të mbledhur ndihma për ringritjen e teqeve të shkatërruara e të djegura nga lufta. Sipas dokumenteve, dervish Kamberi është pritur mirë nga drejtuesit e Federatës “Vatra”, Konica dhe Fan Noli. Ka qenë fundi i vitit 1920 kur ai takohet me Mithat Frashërin dhe erdhi në Shqipëri. Sapo mbërriti në Shqipëri, ai mori lajmin se ishte caktuar delegat, si pjesëmarrës në Kongresin Bektashian që mbahej në Prishtë. Mbas vdekjes së baba Hysenit ai mori drejtimin e teqesë së famshme të Prishtës në Skrapar. Gjithçka u krijua pas ardhjes së baba Kamberit, sidomos në shtimin e pemëtarisë dhe vreshtave, mollë, rrush, qershi, dardhë, kumbulla, fiq, mëna etj. Çdo ditë në teqe punonin mbi 15 fshatarë dhe 25 dervishë. Teqeja e Prishtës u bë një ndër më të mëdhatë e Shqipërisë së Jugut me prona të pasura, bagëti, bletë etj. Baba Kamberi ishte shumë aktiv, madje zinte një vend të rëndësishëm në radhët e klerikëve më të lartë të asaj kohe. Fakti që edhe pas Kongresit të Parë Bektashian që u mbajt në Prishtë, baba Kamberi do të qëndronte në ballë të veprimtarive për organizimin dhe forcimin e tarikatit bektashi. 

Kryegjysh botërror i bektashizmit
Në shtator të vitit 1929 në teqenë e Turhanit, në Korçë, u mbajt Kongresi i Tretë Bektashian, i kryesuar nga baba Kamber Prishta, i cili dha ndihmesë shumë të madhe për hartimin statutit dhe rregullores të bektashianëve. Më 12 prill 1944, kleriku i shquar baba Kamberi u zgjodh si Kryegjysh, por nuk e lanë të qetë, në vitin 1945, ai u arrestua nga shteti dhe u dënua me 15 vjet burg. Vuajtjet në burg për këtë klerik të rangut të lartë bektashi kanë qenë shumë të mëdha. Ndërroi jetë në burgun e Tiranës më 5 prill të vitin 1950. Është dekoruar nga presidiumi i kuvendit të Shqipërisë mbas vitit ’90-të me Urdhrin për veprimtari patriotike të Klasit të Parë. Urdhrin” Nderi i Kombit”. Mbetet një klerik i rrallë i bektashizmit në Shqipëri dhe në botë.
Përgatitën: S. Xhelaj, K. Boriçi, N. Çuni
“Sot, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, përkujtohet jeta dhe vepra e ish-Kryegjyshit Botëror, Kamber Ali Dede, i cili ndërroi jetë në burgun e Tiranës në vitin 1950. Vizitat e besimtarëve do të fillojnë në orën 10:00 të kësaj dite, për t’u kurorëzuar me filmin dokumentar rreth jetës e veprës së Kamber Ali Dede, i cili do të shfaqet në mjediset e odeonit në orën 17:30. Ejani të ndajmë së bashku nderimin për figurat që na falin kujtime të tilla!”
Sigal