Nderim e respekt për shkrimtaren, Shpresa Vreto dhe veprën e saj

482
Vangjush Saro
Ka kohë që nuk është më mes nesh shkrimtarja dhe skenaristja Shpresa Vreto, një grua fisnike, një intelektuale nga më të rrallat, një institucion i promovimit të krijuesve, veças më të rinjve. Natyrisht, ky aktivitet, si dhe librat e skenarët e saj, janë tashmë pjesë e përvojës dhe pasurisë kulturore të vendit. Vepra e Shpresa Vretos ishte e thjeshtë, e ndjerë, gjithnjë pranë së vërtetës; në të, nuk munguan asnjëherë gjetjet interesante. Krahas emrave më të njohur të letërsisë për fëmijë e të rinj, Bedri Dedja, Odhise Grillo, Musine Kokalari, Tasim Gjokutaj, Skënder Hasko, etj. Shpresa Vreto mbetet një nga krijueset e realizuara të kulturës shqiptare; nga filmi i animuar, te tregimi e skenari, përkthimet dhe botimet, ajo tregoi shumë pasion e ndjeshmëri për letrat dhe filmin, për kolegët dhe fëmijët në veçanti. Në krijimtari, ishte sociale dhe njerëzore. Skenari i filmit “Fillim i vështirë” (mbështetur në romanin e saj “Një vit i paharruar”) na tregon deri diku për këtë vështrim jashtë kufijve të vendosur nga koha. Sigurisht, në këtë qasje ka dorë edhe regjisori i filmit, Albert Xholi; dhe këtë e them me bindje (duke pasur parasysh, nga përvoja ime, kontributin e tij në skenarin e kinokomedisë sonë “Shkëlqim i përkohshëm”.) Po ai impenjim qytetar e social i shkrimtares edhe në filmat “Kur xhirohej një film” dhe më pas “Një vajzë dhe një djalë” (bashkëpunim). Shpresa realizoi anëtarësimin e vendit në një organizatë botërore shumë të rëndësishme, si IBBY (Bordi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë e të Rinj); krijoi një bibliotekë që frekuentohej mirë nga fëmijë e prindër (diku pranë Politeknikumit); themeloi revistën e suksesshme “Sirena e vogël”. Shpresa Vreto ishte një mecenat për autorët dhe letrat shqip. Në agjendën e saj, pat gjithnjë përparësi mbrojtja dhe promovimi i krijuesve; (organizoi edhe për mua një aktivitet të tillë, bashkë me Tatjana Nurin, emër gjithaq i nderuar i bibliotekës dhe aktivitetit me fëmijët, në kohën kur Qendra Kombëtare e Fëmijëve – kam shkruar disa herë në këtë temë të dhimbshme – ishte në majë të kuvlisë së Piramidës, se tani s’e di ku është…) Shpresa Vreto krijoi në të dy kohët, në të dy rendet; por pa u trazuar shumë në përqafimin e prirjeve ideologjike. Në mënyrë të veçantë, filmat e saj, na flasin bindshëm për këtë. Kam përshtypjen që jemi mjaft hileqarë në vlerësimin e figurave të kulturës; (por jo vetëm ato). Shumëkush mbetet me vështrimin vetëm tek ylli i vet i shuar apo ashtu njëfarësoj… (Ka asish, mes këtyre “yllkave”, që Shpresa i ka ndihmuar gjithfarë dhe në këtë pikë nuk po zgjatem, se e di që do të hidhen përpjetë.) Por ja, kështu janë punët; ka ardhur një kohë që vendi, kombi, gjuha, nuk kanë një institucion të kujtesës, njerëzit jo se jo. Kjo është jeta në këtë shoqëri me probleme. Edhe ajo e një krijueseje të pafat, që edhe ose me një dramë të madhe familjare, i dhuroi shoqërisë shqiptare më të mirën e vet: Filmat, librat, mbështetjen për kolegët, ndjeshmërinë, pasionin dhe një shembull nga ata, që jo gjithkush mund t’i realizojë. Nderim për veprën e saj!