‘Nderi Kombit’ Mirush Kabashi, shkëlqen përsëri në Gjenevë, këtë radhë më ‘……..ulet e Kuranit’

573
Sigal

Ishte shfaqa e parë shqiptare në këtë teatër të njohur. 500 spektatorë duartrokitën gjatë aktorin shqiptar

Te shtunën (24/Janar/1015) në Teatrin Qendror “Madelene” të Gjenevës, të mbushur me mbi 500 spektatore, u shfaq për herë të parë një shfaqje teatrore Shqiptare: “z.Ibrahim dhe lulet e Kuranit” e shkrimtarit të shquar francez Erich Emmanuel Schmitt.

Mos kini frikë nga arti!

Librin “Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit”,  Shkrimtari Eric Emmanuel Schmitt e ka shkruar brenda disa ditësh, në një cep tavoline në një kafene që zhurmonte jetë. Autori nuk do ta imagjinonte kurrë se ato faqe që i shkroi me lehtësinë me të cilën merrte frymë, do të përktheheshin e do të bënin xhiron e botës nëpër salla teatresh. E si mund t’i mungonte kjo pjesë teatrale skenës së teatrit shqiptar? E si mund t’i mungonte Mirush Kabashit ky rol në karrierën e tij artistike?

Në pjesën teatrale “Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit” kemi një copë Paris, që nuk ngjan me Parisin që njohim. Jemi në Lagjen Blu që nuk është blu. Arabi i ushqimores nuk është vërtet arab. Kurani i tij, që i ka mësuar gjithçka di, në vend të bindjes së verbër fsheh dy lule të thara dhe një letër.

Skena është e thjeshtë: një kanape, një karrige; në sfond një bibliotekë e zymtë. Mirush Kabashi është i vetëm në këtë dekor pothuajse të zhveshur. Dekor i zhveshur deri në çastin kur ai hyn në skenë. Si kameleon, ai u jep jetë personazheve diametralisht të kundërt : një baba i ftohtë që rrit pa dashuri një vogëlush të trishtuar; prostitutat e rrugës “Parajsa”, Brixhid Bardonë tërë naze, një nënë që ka braktisur një foshnje disa ditë pas lindjes;, djalin e vogël që vjedh konserva në dyqanin e arabit që ëndërron të bëhet burrë por, mbi të gjitha, të mençurin zotin Ibrahim.

Mirush Kabashi na i sjell të gjitha këto personazhe, plot emocion, me artin e tij të madh. Në këtë pjesë që të mban frymën pezull, spektatori lëkundet mes të qeshurave e lotëve. Ekuilibrin e gjejmë tek urtësia që rrjedh si lumë nga Zoti Ibrahim, që i mëson vogëlushit të braktisur që e vjedh se ç’është jeta, ç’është dashuria, ç’është ngrohtësia, ç’është buzëqeshja, ç’është falja, ç’është mirëkuptimi.

Titulli i pjesës i lë skeptikë shumë njerëz. Kur dolëm nga shfaqja dëgjova shkarazi njerëz që thoshin se shumë veta nuk kishin ardhur vetëm nga titulli i saj. Besimtarët kishin frikë se do të fyheshin, mosbesimtarët gjithashtu. Më erdhi keq për paragjykimet e tyre.

Zoti Ibrahim na mëson me urtësi se besimi i vërtetë nuk është bindje e verbër. Është liria për t’i pranuar njerëzit siç janë e t’i duash për atë që janë, me të metat e me cilësitë, të mëson t’i kuptosh e të mos i paragjykosh aktet e tyre, deri të falësh një nënë që braktis një fëmijë, apo një baba që nuk di të japë ngrohtësi. Ja shpjegimi i këtij titulli misterioz, që i le në dyshim njerëzit para se të blejnë biletën për të hyrë në teatër.

Të shunën mbrëmë, me rreth pesëmbëdhjetë veta të Shoqërisë Shqiptare Iliria, u nisëm nga Lioni për në Gjenevë në teatrin Madëlene. Në skenë një copëz Paris që nuk ngjante me Parisin që njohim. Rruga Blu nuk ishte blu. Arabi i ushqimores nuk ishte vërtet arab. Por Mirush Kabashi ishte gjithnjë i njëjti aktor i madh. Që na bëri të qeshim e na bëri të qajmë. E në fund ta duartrokasim me sa fuqi kishim për artin e tij. Ky art që, si vera, me kalimin e viteve, bëhet edhe më i çmuar.

 Rina Çela Grasset-Përkthyese