“Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi, sot 67 vjeç

981
Aktori i mirënjohur Mirush Kabashi do të ndërrojë sot një fletë tjetër në kalendarin e jetës së tij. 67 vjeç dhe me një karrierë shumë të pasur, Kabashi do ta kujtojë vitin që la pas edhe për titullin e lartë “Nderi i Kombit” me të cilin u nderua nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Më parë Institucioni i Presidencës i ka akorduar atij titujt Artist i Merituar në vitin 1983, Mjeshtër i Madh i Punës në vitin 1998. Një karrierë 45-vjeçare si profesionist, që ka nisur në bankat e shkollës së mesme me rolet e kuestorit te “Qielli i kuq” të Tefik Çaushit dhe doktor Adhamudhit në komedinë e Çajupit “Pas vdekjes”. Fëmija i tretë mes katër djemve në familjen e Musa dhe Menduhije Kabashit, aktori i ardhshëm u dallua menjëherë për cilësitë e tij sportive dhe artistike, çka i bëri drejtuesit e vëmendshëm të jetës artistike në Durrës që ta drejtojnë atë në Institutin e Arteve. Një shkollë ku Mirushi u fut me vështirësi, po ku e gjeti veten mirë në klasën e profesor Pirro Manit. Pak javë pasi ishte emëruar në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, regjisori Vangjel Heba i beson atij rolin e Hlestakovit në komedinë “Revizori” të Gogolit. Pjesa konsiderohet një sukses, që e ndal vetëm fshirja nga repertori me urdhër nga lart, ndërsa aktori vlerësohet si një zbulim. Vetëm 23 vjeç, Mirush Kabashi hyn kështu me këmbën e djathtë në skenën e teatrit shqiptar. Për 23 vjet të tjera, artisti durrsak nuk mungon thuajse në asnjë premierë teatrore. Kabashi matet njëlloj si me dramën, ashtu edhe me komedinë, e cila gjithsesi i jep më shumë popullaritet. “Kartela e verdhë” bëhet shfaqja më e shikuar e teatrit të Durrësit, edhe për shkak të rolit të Telit. Ai fiton vendin e parë dhe të dytë si aktori më i mirë në dy festivale kombëtare në pjesën “Mirë se erdhe Elona” dhe “Hija e tjetrit”. Në të njëjtën kohë i përkushtohet prezantimit televiziv, ku dallojnë Koncertet festive të natës së ndërrimit të viteve, ndërsa nuk lë pa provuar edhe shfaqjet e Estradës me trupat e Durrësit dhe të Lushnjës. Në moshën 30-vjeçare vjen debutimi në kinema. Regjisori Ylli Pepo preferon ta ketë për rolin e Veniamin Papës në filmin televiziv “Emblema e dikurshme”. Më pas interpreton rolin e toger Shazivarit në filmin “Koncert në vitin 1936” të Saimir Kumbaros. Në teatrin e Durrësit kolegët vazhdojnë të kujtojnë rolin e Marin Mirojut te drama “Ylli pa emër” me regji nga Mario Ashiku, ndërsa në kinema Kabashi e ndërton suksesin me rolet episodikë. Kanë mjaftuar disa batuta të veçuara në skenarin e filmit të Rikard Ljarjes “Radiostacioni” për të ndërtuar rolin e njërit prej punonjësve të Radio-Tiranës. Në filmin e Spartak Pecanit “Kohë e largët”, Mirushi bën të kundërtën. Ai e fshin tekstin për ti dhënë jetë figureës së heshtur e misterioze të eremitit. Batutat “bisht qeni do të mbetesh” apo “Bakja për dy orë kap Korçën” lidhen me interpretimet në dy filma të tjerë dhe që hyjnë shpejt në zhargonin e shikuesve shqiptarë. Bëhet fjalë për “Dora e ngrohtë”më 1983, apo “Gëzhoja e vjetër”më 1980. Pasi zhvendoset në Tiranë aktori tashmë i njohur punon më shumë vetëm. Në gjysmën e parë të vitit 1997 ai ndërton “Sokratin” e tij, një rol që fitoi statusin e zëdhënësit popullor. Ishte monodrama e parë e skenës shqiptare e përshtatur nga vetë Kabashi. Në 10 vjet Apologjia e Sokratit regjistron 100 shfaqje, brenda dhe jashtë vendit. Një premierë që të bind për forcën e madhe dramatike dhe aktoriale. Në këto vite, Mirushi nis të lëvrojë poezinë e autorëve rilindas, duke përçuar traditën më të mirë dhe duke u bërë pjesë e trupave artistike që mbronin çështjen e Kosovës në skenat evropiane. “Poemi kosovar” i Mitrush Kutelit në këtë periudhë vjen në çdo familje shqiptare përmes ritransmetimeve televizive. Aktori me origjinë kosovare zgjeron në këto vite gjeografinë e shfaqjeve të tij, të cilat, përveç Evropës, janë të pranishme edhe në SHBA e Kanada. Më shumë se 100 premiera teatrale e 20 filma artistikë janë vetëm një pjesë e kontributit të aktorit që ka lindur në Shkodër më 17 prill 1948. Megjithëse ka dalë zyrtarisht në pension, artisti i njohur nuk e ka ndalur asnjë çast veprimtarinë artistike personale. Në tetor të vitit të kaluar ai u prit me ovacione në Londër me monodramën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, që mund të konsiderohet “kali i betejës” së tij në skenat e teatrove të Prishtinës, Athinës, Vjenës, Kievit, Torontos, Plovdivit, Beogradit, etj. pa harruar thuajse të gjitha skenat shqiptare anë e mbanë vendit. Festat e nëntorit i kalon në Siatëll (SHBA) mes bashkatdhetarëve me poezinë e tij. Më pas në janar të këtij viti ai shfaq me sukses një tjetër vepër, e cila e ka zanafillën në vitin 2009 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Kabashi shkon në Gjenevë (Zvicër) me monodramën “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”. Pa harruar asnjë çast të ushtrojë pasionin e vjetër, notimin dhe atë të më të riun, skijimin.

Vlerësime nga personalitete vendase dhe të huaja për Mirush Kabashin

Kadri Roshit ( Nderi i Kombit ) – “Kur e shikoja Mirushin duke interpretuar Sokratin në skenën antike të Butrintit, e kisha zili, por të kuptohemi, aspak smirë. Unë e dua shumë atë dhe gjithmonë. I kam vlerësuar maksimalisht talentin, këmbënguljen, modestinë, si dhe krijimtarinë e tij të mrekullueshme”
Sabri Godo – “Nuk i kam pasur qejf superlativat, por jam i detyruar të them se Kabashi e interpreton shkëlqyeshëm këtë rol. Që sot unë nuk mund ta përfytyroj ndryshe filozofin e madh Sokrat”
Josif Papagjoni – “Apologjia e vertetë e Sokratit” e Teatrit Kombëtar i ngjan një mitingu njerëzish të përthithur nga magjia dhe paradokset e një aktori brilant, e një “magjistari” do të thoja të shëmbëllimit aktorial si Mirush Kabashi. Me talentin e tij të padiskutueshëm dhe aftësitë e shquara komunikative, ai arriti të shkrijë në një individualitet ndjesor dhe racional gjithë këtë masë njerëzish të moshave, sekseve, profesioneve, bindjeve apo karaktereve të shumëllojshëm, të cilët mbushin sallën e teatrit
Luigi Maria Musati – “…Por shumë e rëndësishme për mua, në këtë Festival , ishte zbulimi i këtij aktori, një aktor i jashtëzakonshëm. Por nuk ishte vetëm për mua i jashtëzakonshëm , ai shtangu të gjithë Jurinë, që mbetën të mahnitur. Për 1 orë e 20 minuta, ai zotëroi skenën me një gjuhë, të cilën asnjë nuk e kuptonte, por që ai e beri të kuptueshme nëpërmjet shpirtit të tij, nëpërmjet mesazhit të asaj që ai thoshte. . . 
Krisanthi Duzi – “E vutë re i dashur koleg, se nga 1000 artistët pjesmarrës që përfaqësonin 46 shtete nga e gjithë bota, “Sokrati” shqiptar dhe “Atrida” greke u vlerësuan si Aktori dhe Aktorja më e Mirë e këtij Festivali Madhështor” 
Aleksei Kuzhjelni – “Aktorë të tillë botërorë si Mirush Kabashi përbëjnë një thesar për njerëzimin. Ai është një emër i nderuar dhe dinjitoz jo vetëm për teatrin shqiptar, por edhe për atë botëror. Në qoftë se më pyesni: A kishte yje ky festival, unë do tu përgjigjesha: A nuk është I tillë aktori shqiptar Mirush Kabashi.
Igor Negresku – “Unë mund të them vetëm një fjalë: Falënderoj Zotin që më dha mundësinë të shikoj këtë shfaqje të mrekullueshme dhe këtë aktor të shkëlqyeshëm. Mirushi është një aktor gjenial, me një teknikë të përsosur, që për asnjë sekondë nuk të le të marrësh frymë.
Agim Çiraku, botues i “Telegraf”: Urim dhe mirënjohje për Mirush Kabashin! 
Në përvjetorin e 67-të të ditëlindjes së aktorit shqiptar më famë botërore, si mik, si botues dhe si përkrahës pa rezervë të artistëve të vendit tim, gjej rastin ta uroj dhe përgëzoj këtë mjeshtër të madh që ka shkëlqyer brenda dhe jashtë vendit, në teatër dhe në kinematografi dhe që është bërë një ambasador i veçantë i hapësirave shqiptare. Gazeta “Telegraf” dhe unë i jam mirënjohës këtij artisti me përmasa shumëdimensionale që ka qenë mjaft herë i pranishëm në faqet e saj dhe që është mirëpritur nga lexuesit tanë.
Ja se çfarë kanë shkruar gazetat
Gazeta Koha e Prishtinës, 17 maj 2003 (Jeton Neziraj)
“Nuk mund të bëhet fjalë për regji, apo për ndonjë efekt të veçantë. I tërë potenciali ishte përqendruar në lojën e aktorit Mirush Kabashi. . . Nga një materie më tepër letrare, Mirush Kabashi gjen, ose më mirë të themi krijon impulse dhe tone dramatike, të cilat së
Sigal