Ndahen nga jeta personalitete të artit dhe kulturës, Alfred Uçi dhe Melpomeni Çobani

560
Sigal

Akad. Alfred Uçi la një trashëgimi të pasur studimore


Më 26 tetor 2016, pas një sëmundjeje, u nda nga jeta
në moshën 86-vjeçare Prof. Dr. Alfred Uçi, anëtar i Akademisë së Shkencave,
profesor, studiues i filozofisë, estetikës, folklorit, letërsisë dhe kulturës
kombëtare, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta
shkencore dhe zyrtare. Akademik Alfred Uçi lindi më 15.12.1930 në qytetin e Korçës,
në një familje të njohur me tradita atdhetare, kulturore dhe arsimdashëse. Në
moshë të re, ai, ashtu si dhe familja e tij, u rreshtuan në krahun antifashist,
rrjedhën më të përparuar të asaj periudhe. U formua si studiues në
Universitetin Lomonosov në Moskë, Rusi. Me themelimin e Universitetit të
Tiranës ai u emërua profesor i filozofisë dhe kontribuoi si hartues i teksteve
të para universitare të kësaj lënde. Akad. Alfred Uçi është themelues i lëndës
së estetikës në historinë e arsimit universitar në Shqipëri. Ai iu kushtua për
dekada me radhë kësaj disipline, duke u bërë faktor primar për tejkalimin e
traditës fragmentare të deriatëhershme. Me studimet e tij si estet akad. Alfred
Uçi e vendosi këtë disiplinë teorike në raporte të kushtëzuara me letërsinë,
traditën folklorike, kulturën dhe artin shqiptar. Si studiues Akad. Alfred Uçi
la një trashëgimi të pasur studimore në historinë e mendimit filozofik e
estetik që nga Rilindja Kombëtare e në vijim, në leximin estetik të veprës
letrare të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë (Migjeni, Kadare). Autor i rreth
20 veprave monografike në disa fusha të dijeve albanologjike, ai zhvilloi
mendimin shkencor shqiptar në fushë të filozofisë (me veprat kushtuar Jani
Vretos dhe Teodor Kavaliotit); në studimet teorike-letrare për kategoritë
estetike (duke përfshirë ciklin e studimeve për groteskun në traditën letrare
shqiptare.


Në karrierën si veprimtar publik në jetën e Ak. Alfred
Uçit shënjohen veçmas:


Në vitet 1979-1986 ishte drejtor i Institutit të
Kulturës Popullore dhe kryeredaktor i revistës shkencore Kultura popullore. Në
këtë detyrë ai ndryshoi në kahe pozitive funksionet e këtij institute dhe
raportet e tij me botën. Ai është një vargu botimesh shkencore e dokumentare të
atij instituti. Në vitet 1987-1990 kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe
ministër i Kulturës. Pas kësaj iu kushtua tërësisht punës shkencore duke botuar
një varg studimesh nga fusha e estetikës dhe duke marrë në vështrim jo vetëm
autorë shqiptarë, po edhe autorë nga më të njohurit e letërsisë botërore. Ndër
veprat kryesore të tij janë: Estetika, jeta, arti (1970), Probleme të estetikës
(1976), Mitologjia, folklori, letërsia (1982), Çështje teorike të estetikës dhe
të kulturës (1986), Estetika (në tri vëllime, 1986-1988), Shekspiri në botën shqiptare
(1996), Dostojevski në kohën tonë (1997), Ferr-Parajsa danteske (1998),
Prometeu dhe Hamleti (bot. greqisht, Athinë 1998), Grotesku kadarean (1999),
Estetika e groteskut (vëll. I-IV, 2000), Estetika në letërsinë shqipe (2001),
Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi: N. Frashëri,
Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni (Shkup 2003), Filozofia e Teodor
Anastas Kavaliotit (2004), Estetika e folklorit (2007), Universi estetik (vëll.
I-III, 2004-2007). “Estetika metateorike mbi artin: klasikja apo nonklasikja?”
Vëllimi I, 464 f. (2008), “Filozofia e DonKishotizmit” (2010), “Petro Nini
Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare: 1865-1911: jetëshkrimi,
studime, vepra” (2011), “Estetika Migjeniane: fryma moderne në letërsinë
shqipe” (2013), “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), “Ese dhe etyde
filozofiko-estetike” (2015) Akad. Alfred Uçi është fitues i tri Çmimit të
Republikës të Shkallës I dhe i disa mirënjohjeve dhe nderimeve të tjera.
Largimi fizik nga jeta i Akad. Alfred Uçit është një ngjarje e dhimbshme jo
vetëm për familjen e tij, por edhe për bashkësinë e studiuesve shqiptarë dhe
për breza të tërë studentësh që formoi.


Akademia e Shkencave e Shqipërisë humbi një anëtar,
koleg e mik me veprimtari të gjatë shkencore, të shtrirë në dy periudha, me
koherencë kërkimi dhe me kërkesa cilësore. I paharruar kujtimi dhe vepra e Tij
e rëndësishme!

 

 Ndahet nga jeta në moshën 88 vjeçare “Artiste e
Popullit” Melpomeni Çobani

 Aktorja e
njohur e skenës, u nda nga jeta ditën e mërkurë rreth orës 10:00. Melpomeni
Çobani ka lindur në 6 Qershor të vitit 1928 në Tiranë. Që në fillim merr pjese
në festivalet amatore të punëtorëve në stabilimentin “Mihal Duri” ku punonte në
shtypshkronjë . Aty vihet re nga “Artisti i Popullit”, Pandi Stillu i cili e
fton të punojë si aktore në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Roli i saj
i parë do të jetë në dramën “Liza dhe Sula”. Në këtë periudhë shkëputet nga
teatri për tu marrë me aktivitete sportive. Kështu si sportiste e klubit më të
famshëm sportiv në Shqipëri, “Partizani” Melpomeni do të vendoste disa rekorde
në atletikë dhe do të behet kampione e vendit me këtë skuadër në volejboll dhe
në ping-pong. Në vitin 1952 i kthehet përfundimisht aktrimit por kësaj radhe në
Estradën e Tiranës. Melpomeni Cobani është një ndër themelueset e para të
Estradës së Tiranës në vitin 1952, e cila shënon gjatë karrierës së saj
artistike rreth 2500 role në teatër, estradë dhe film. Të shumta kanë qenë
rolet e saj në Teatër si në drama ashtu edhe në komedi . Këtu mund të përmendim
“Fejesa”, “Halili dhe Hajria”,“Prefekti”,” Rrënjët e thella”, “Vajza nga
fshati” etj. Në vitin 1961 nderohet me çmimin “Artiste e Merituar” dhe në vitin
1976 me titullin e lartë “Artiste e Popullit”. 
Ajo mban gjithashtu Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të I-rë