Naxhi Kasoruho: Vizita e parë në Kardhiq të Gjirokastrës

980
Sigal

Kur vajta për herë të parë në Kardhiq

 

Nga Naxhi Kasoruho

 

Nuk ka ndonjë moment të caktuar se kur ka qenë kontakti im i parë me zonën e Kardhiqit, por unë do ta quaj vajtjen time të parë në këtë krahinë 7 gushtin e vitit 1958, kur në Bandën Muzikore të Gjirokastrës shkuam për të marrë pjesë në përvjetorin e Batalionit “Asim Zeneli”, që u formua aty tek Rrepet në fushë poshtë fshatit Prongji buzë lumit të Kardhiqit.

 

Labëri mbushur me këngë

Isha prestar i Bandës Muzikore që e drejtonte mjeshtri i mirënjohur Tolo Njocka dhe duke qenë se ishte hera e parë që merrja pjesë në një ceremoni festive jubilare ndjeja emocion dhe një gëzim të pa përshkruar, prandaj më ka ngelur në kujtesë si një kujtim i bukur.

Duke qenë se këtë ditë dua ta konsideroj si kontaktin tim të parë me krahinën e Kardhiqit e njerëzit e saj, për mua nuk është një kujtim por edhe një eveniment me vlerë në ndërgjegjen time, të cilin po e kujtoj me nostalgji edhe tani pas 57 vitesh.

Para kësaj dite unë kisha parë shumë fshatarë që vinin nga krahina e Kardhiqit në Gjirokastër me qylafin e bardhë në kokë, si simbol i të qenit lab dhe që sillnin për të shitur napat me djathë të njomë apo kafshët e ngarkuar me dru-qymyr e gëlqere por edhe qengja e desh që i merrnim për dasma e festa të ndryshme familjare. Por këto kontakte me këta lebër, që na vinin në shtëpi ishin spontane dhe sekondare para asaj që pashë e ndjeva në festën e 7 gushtit si një kontakt i drejtpërdrejtë me vetë krahinën dhe banorët e saj. Si u vendosëm në anën e djathtë të tribunës, që ishte ndërtuar nën hijen e rrepeve e që ishte zbukuruar me flamuj të kuq e banderola që evokonin ato ngjarje, Banda ekzekutoi Himnin e Flamurit, që u përcoll në heshtje nga të pranishmit e shumtë. Atmosfera e festës ndihej në tërë hapësirën ku ishin ulur kardhiqiotët të ardhur nga fshatrat e krahinës, por edhe nga gjithë rrethi, nga bashkëfshatarë me banim në Tiranë, Vlorë e gjetkë. Dollitë e shumta, këngët epike kushtuar ngjarjes që i mblodhi rreth lapidarit më dukeshin shumë interesante dhe emocionuese sidomos përmbajtja e tyre me fjalët aq domethënëse. Që i vogël kam parë e kam qenë në shumë dasma në Gjirokastër, por kjo festë ishte shumë më tepër, më masive dhe më e zhurmshme ku merrte pjesë e gëzonte një krahinë e tërë, një popull i gëzuar që në një farë mënyre kishte lënë bosh e braktisur shtëpitë e fshatrat e kishte zbritur aty tek Rrepet, buzë lumit të Kardhiqit, jo vetëm për të festuar e nderuar të rënët, që flijuan jetën e vunë rininë e tyre në themelet e lirisë, por edhe për t’u çmallur e takuar me njeri-tjetrin në mënyrë kaq masive si në një tubim bese për t’i qëndruar krah për krah njeri-tjetrit, si në vargun e valles labe, si fishekët në gjerdan e si vargu i maleve. Duke ndjekur me vëmendje dhe emocion koncertin që u organizua me këtë rast, nuk e mendoja se kur të rritesha e të mbaroja shkollën për muzikë do të njihesha e bashkëpunoja shumë ngushtë dhe do t’i bëja miq të gjithë këta këngëtarë popullorë. Me kuriozitetin e një të riu e aq më tepër, që kisha filluar studimet për muzikë në Tiranë në Liceun Artistik “Jordan Misja” me impresiononin ato motive të polifonisë labe, që i shoqëronte një iso e stërgjatur si një gurgullimë ujëvare. Nuk pretendoj se mbaj mend ndonjë titull të ndonjë kënge apo melodi që u paraqit në atë koncert, madje nuk kujtoj asnjë nga këngëtarët, që me siguri do të kenë qenë më të dëgjuarit e krahinës, por ky koncert si kontakt i drejtpërdrejtë me këngën labe, ndikoi maksimalisht, që unë të doja, pëlqeja e vlerësoja më vonë këtë pasuri folklorike si vlerë të trashëgimisë tonë kombëtare. Ndonëse deri në kohë kisha dëgjuar shumë këngë popullore nga altoparlantët, që ishin vendosur në bedenat e Kalasë historike të Gjirokastrës, ky koncert i gjithi me këngë labe në një kontakt të drejtpërdrejtë më la mbresa e më krijoi emocione që i kujtoj me nostalgji dhe tani në “rininë e vonë.” Të gjithë e dinë atë thënien popullore për Labërinë se: “Po u mblodhën dy lebër ja marrin një kënge”. Kjo dukuri vërteton atë përmbajtjen që unë e kam vënë në titullin e librit: “Labëri mbushur me këngë“.

Labëri është ndër trevat e rëndësishme të vendit tonë me rite, zakone, histori e ngjarje lufte e përpjekje për liri e pavarësi, treva që ka nxjerrë figura të shquara të kombit tonë me kontribute të jashtëzakonshme në trashëgiminë tonë nga lashtësia deri në ditët e sotme. Për të gjitha këto janë shkruar me mijëra faqe librash si dhe janë regjistruar tashmë në memorien mbarë popullore e përcjellë me dashuri në breza. Në këtë trashëgimi të vyer si pjesë e identitetit tonë kombëtar një vend të rëndësishëm zë edhe folklori tradicional. Kënga është pjesë e jetës së labit. Ajo e ka shoqëruar atë në një udhëtim shekullor të pandërprerë e befasues, autentik, të veçantë e të papërsëritshëm në ambientet e shtëpisë e në lëmin e fshatit, në arë e në mulli, në stane e kudo, duke filluar nga linja e fëmijës me ninullat melodike të dashurisë së nënës e deri tek të qarët me botë kur e përcillnin të vdekurin në botën tjetër. Kënga polifonike labe si pjesë kryesore e polifonisë shqiptare është një pasur e jashtëzakonshme dhe perlë në gjerdanin e shndritshëm të folkloristikës sonë kombëtare. Për këto veçori organizata botërore e UNESCO-s e ka përfshirë polifoninë tonë në listën e pasurinë shpirtërore e botërore. Ndoshta që këtu e ka zanafillën dashuria ime për këngën gjirokastrite, këtë perlë të polifonisë tonë dhe të kaloj një jetë të tërë në mes këngëtarëve popullorë të qytetit tim të dashur. Po kështu e dua deri në pafundësi këngën polifonike labe prandaj kam punuar me përkushtim e pasion dhe së bashku me këngëtarët popullorë të krahinës së Kardhiqit e kemi prezantuar atë me gjithë madhështinë dhe dimensionin e saj në skenën e festivalit duke bërë të tronditen bedenat e Klasës Historike të Gjirokastrës.

Ja pra këto po mendoj tani që po shkruaj për këngëtarët e Labërisë këta korifenj virtuozë mes të cilëve njoha deri në imtësi traditat, zakonet, ritmet, këngët, vallet, polifoninë hyjnore të kësaj treve folklorike, të cilët i dua me tërë dashurinë e shpirtit dhe u jam mirënjohës për gjithçka që na lanë si vlerë unikale e të pazëvendësueshme të kulturës tonë kombëtare. Për të gjitha këto do të ndalem në një libër të titulluar “Labëri mbushur me këngë“, si shenjë respekti e vlerësimi të lartë që kam për artistët popullorë.