Naxhi KASORUHO/ Polifonia labe në Festivalin e Gjirokastrës

1091
Sigal

Treva folklorike e Labërisë është shumë e gjerë dhe përfshin një hapësirë gjeografike që nis nga rrethi i Vlorës- Tepelenës- Gjirokastrës e deri në Delvinë e Sarandë. Në gjithë këtë trevë të gjerë folklorike një vend të rëndësishëm zë edhe krahina e Kardhiqit e rrethit të Gjirokastrës si pjesë e zonës labe të Kurveleshit.  Labëria është ndër trevat e rëndësishme të vendit tonë me rite, zakone, histori e ngjarje, luftëra e përpjekje për liri e pavarësi, treva që ka nxjerrë figura të shquara të kombit me kontribute të jashtëzakonshëm në trashëgiminë tonë nga lashtësia deri në ditët e sotme. Në këtë trashëgimi të vyer si pjesë e identitetit kombëtar një vend të rëndësishëm zë edhe trashëgimia tradicionale folklorike.

Kënga është pjesë e jetës së labit. Ajo e ka shoqëruar atë në një udhëtim shekullor të pandërprerë e befasues, autentik, të veçantë e të papërsëritshëm në ambientet e shtëpisë e në lëmin e fshatit, në arrë e në mulli, në stane e kudo, duke filluar nga lindja e fëmijës me ninullat melodioze së dashurisë së nënës e deri tek të qarët me lot kur përcillnin të dashurin e tyre në botën tjetër. Kënga labe si pjesë kryesore e polifonisë shqiptare është një pasuri e jashtëzakonshme dhe perlë në gjerdanin e shndritshëm të folkloristikës tonë kombëtare.  Për këto veçori e vlera organizata botërore UNESCO e ka përfshirë polifoninë tonë në listën e pasurisë shpirtërore të njerëzimit që mbrohet nga ajo. Ndoshta që këtu e ka zanafillën dashuria ime për këngën labe këtë perlë të polifonisë tonë që e duan deri në pafundësi, prandaj kam  punuar me përkushtim e pasion dhe së bashku me këngëtarët popullorë të krahinës së Kardhiqit e kemi prezantuar atë me gjithë madhështinë dhe dimensionin e saj në skenën e Festivalit të Gjirokastrës duke bërë të tronditen bedenat e kalasë historike. Në një vështrim panoramik do të sjellë këtu disa shembuj ku grupe të këngës polifonike labe e korifenj virtuozë kanë prezantuar në kalanë historike, në sofrën e këngës, në Festivalin e Gjirokastrës së Kardhiqit si vlera e pjesë të identitetit tonë kombëtar. Në vitin 1988 grupi polifonik i të rinjve Valare solli në festival këngën baladë për luftëtarin Sinan Malo me fjalët”

Sinan Malua çerpe verdhë

Ngrehu nga varri dhe njëherë

Që të bësh dyfek me mbrenë

Ashtu si e kishe adenë

-O Sinan labi o lule.

Ishte kjo baladë një befasi e polifonisë labe që erdhi në skenën e kalasë me tërë bukurinë e saj si një variant nga më interesantët e më kontraktueset të një kënge që vinte nga trashëgimia folklorike e lashtë e që evokonte një kohë, ku heroi i saj Sinan Labi luftoi me trimëri kundër krajlëve e mbretërve të huaj.

Ndërtuar në shtratin e një kënge me një motiv muzikor të shtruar ku notat e thella e të dhimbshme të epikës heroike përputhur me tekstin e këngës, ajo materializon në tërë gjerësinë e saj trimërinë e luftëtarëve të  trevës së Labërisë dhe dëshirën e popullit për liri. Këtë mesazh të fuqishëm në formën më të lartë emocionuese e përcolli me një zë melodioz të ngrohtë e drithërues në një forcë shpërthyese në finale tek vargu:

– O Sinan Labi o lule.

Këngëtari Piro Këlliçi ndonëse ishte hera e parë që ngjitej në skenën e kalasë na befasoi të gjithëve dhe meritoi çmimin: “Laureat i Festivalit”.

Në Festivalin e vitit 1978 grupi miks i të rinjve Golem u paraqit me këngën : “Jelekverdha portokalle”.

Kënga është ndërtuar në një motiv muzikore të lirikës, erotike në formën e një  dialogu në polifoninë 4 zërshe dhe i përket folklorit bashkëkohor. E prezantuan këngën korifenjtë e saj, Veledin Korkuti e Vitori Qori, si një nga interpretimet më të bukura të lirikës labe.

Ja disa nga vargjet e këngës :

Djali- Jelekverdha portokalle

       Ndrite si hëna në male

       Ngjyrën-o si lule ardhe.

Vajza- Gruri u bë për t’u korrë

       Pa shih si shkoqet në dorë.

Djali- E hënkshim në dasmën tënde

       Bureqe edhe lakrorë.

Lazarati është fshati ndër më të veçantët e me dukuri interesante në trashëgiminë folklorike të trevës së Labërisë. Banorët e fshati i kanë ruajtur të pastra e çuditërisht autentike deri në kohët moderne zakonet, ritualet, këngët, vallet , ninullat, kostumet dhe gjithçka që kanë trashëguar nga thellësia e shekujve.

Ndonëse fshati i tyre është kufizuar nga veriu me qytetin e Gjirokastrës dhe nga jugu me Dervicianin, fshat i minoritetit grek në Shqipëri, lazaratasit as u tunduan dhe as u influencuan apo të ndikohen nga këto dy kultura kontrastuese e të veçanta midisi tyre. Një nga këto motive të mrekullueshme të trashëgimisë folklorike grupi i burrave të fshatit e prezantoi në kalanë e Festivalit në vitin 1983. Kënga ishte ndërtuar në një polifoni katër zërëshe në kohën 3/8 me një motiv muzikor të strukturës me strofë e refren dhe i kushtohet dëshmorëve të Atdheut.

Kënga ishte një interpretim i shkëlqyer i grupit të burrave të Lazaratit që ja merrte me një zë të veçantë e të papërsëritshëm korifeu i polifonisë Beqo Allaçi.

Ja disa nga fjalët e këngës:

“Ç’e pushoi këngën thëllëza brigjeve

Dëgjon ligjet që u thotë nëna trimave

Yje kini për të mbetur

Nëpër breza nëpër shekuj”.

Varianti melodik, forca emocionuese, zëri i veçantë e shumë melodioz, karakteri epik e disi elegjiak e isua e fuqishme e rendisin këngën ndër më të bukurat dhe interpretimin më dinjitoz të burrave të  Lazaratit dhe ka hyrë në fondin e artë të këngës politfonike shqiptare. Grupi i të rinjve të Picarit është ndër grupet më të mira polifonike të Rajonit të Gjirokastrës.  Organizatori dhe drejtuesi i grupit – rapsodi dhe njohësi i folklorit të krahinës, këngëtari i talentuar Shkëlqim Guçe ka meritën kryesore në konsolidimin e grupit polifonik të të rinjve të Picarit. Dituri Thana është këngëtarja e mrekullueshme me zërin melodioz të veçantë të shndritshme e plot kolorit që i jep  shkëlqim e atmosferë këngës. Të dy këta këngëtarë, Dituria e Shkëlqimi këndojnë së bashku këngën polifonike mikse shumë e përhapur në krahinën e Kardhiqit. Ata janë ngjitur disa herë në Kalanë e Festivalit duke na emocionuar me këngët e tyre që i përkasin lirikës erotike dhe epikës historike.

Ja disa nga fjalët e këngës:

Jam behar që ndez strallin

Prushi që përvëlon mallin

Si qiri do t’i shkrij yjet

Do ndez llambat do ndrit pyjet.

Jam nga ku rriten sorkadhet

Zogëlarat nazemadhet

Lule shkëmbi jo e sheshit

Jam labike Kurveleshit

 

Ç’janë ata shkëmbinj të bardhë

Zenel Gjoleka mbi kalë

Çobo Golemi Dhimpalë

Besën me Çelo Picarë

Jatagan mbi pashallarë.

 

Për vatan për këto  troje

Dhe në varr do bëjmë roje.

Në Festivalin e Gjirokastrës nga viti 1968 deri më 2009 nga artistët popullorë të krahinës së Kardhiqit si përfaqësuese e trevës së Labërisë së Kurveleshit janë prezantuar rreth 70 këngë e valle duke bërë të buçasin bedenat e kalasë legjendare nga zërat brilantë, të bukur, befasues, të fuqishëm e melodiozë duke entuziazmuar publikun e gjerë artdashës gjirokastrit dhe duke marrë vlerësimin e lartë “Laureat i Festivalit”. Janë të shumtë këngëtarët e kësaj treve që kanë kënduar në festival për të cilët kam një konsideratë të lartë, i dua, i vlerësoj dhe ju jam mirënjohës për gjithçka kanë bërë për prezantimin e polifonisë labe dhe për bashkëpunimin me ta për ta prezantuar këtë folklor të mrekullueshëm me tërë madhështinë e tij në Kalanë e Festivalit si pjesë e identitetit tonë kombëtar.