Naxhi Kasoruho/ Grupi i pleqve të Gjirokastrës, forumi më i lartë i polifonisë

1264
Sa herë që ulem për të shkruar në Gjirokastër, mendja menjëherë më shkon te kënga polifonike dhe grupi i pleqve të qytetit, si simbol i trashëgimisë folklorike “Monumenti” më prestigjioz, që tashmë është kthyer në legjendë. Shikojeni këtë fotografi të grupit të pleqve të Gjirokastrës dalë para “Obeliskut” në vitin 1978. Sa herë që shikoj atë fotografi emocionohem dhe përhumbem në kujtime të thella, prandaj atë foto e kam vendosur në librat e mi si një monument të gjallë, simbol dhe përfaqësim të këngës gjirokastrite këtë perlë të polifonisë tonë. -Shikojeni me vëmendje!
-Janë 10 burra me gjatësi jo të njëjtë që më kujtojnë lartësitë e kodrave të qytetit dhe brigjet e tyre që herë ngrihen e herë ulen duke formuar atë peizazh befasues e të jashtëzakonshëm të qytetit të gurtë mbështetur në shpatin e “Malit të Gjerë“. Po i shikoj me vëmendje me radhë të gjithë këta burra fisnikë gjirokastritë, këngëtarë të mrekullueshëm popullorë siç janë vendosur në foto nga e majta: Demo Çenko, Jonus Shehu, Myrteza Çeribashi, Lavo Erindi, Xhevat Avdalli, Skënder Tushe, Braho Çoçoli, Behandin Dobi, Kamber Duduni, Haseni Kore.
Mbi gjysmë shekulli kanë qëndruar kështu sup më sup pranë njeri-tjetrit pranë këngës në prova, kafeneve, koncerte e festivale.
Tre ishin korifejtë e grupit: Marrësi Xhevat Avdalli, kthyesi Lavo Erindi, hedhësi Skënder Tushe, por kur këndonin në kafene ja merrnin të gjithë, këndonin me radhë dhe jo vetëm bukur por kishin edhe zëra të veçantë midis tyre.
-Obelisku i Arsimit dhe Obelisku i këngës.
E shikoj me vëmendje këtë foto dhe shpesh mendoj se çfarë i vendosi pranë njeri-tjetrit këto dy simbole dy monumente?
Rastësia sigurisht, por një koincidencë befasuese që e përjetëson grupin e pleqve të Gjirokastrës. Obelisku ky monument simbol i Arsimit , Kulturës, Diturisë është gdhendur në gur nga Mjeshtri i Madh i Skulpturës tonë Kombëtare “Artisti Popullit”, gjirokastriti fisnik Mumtaz Dhrami
Ka ardhur koha që edhe grupi i pleqve të qytetit të përjetohet në një obelisk si simbol i këngës gjirokastrite. E mendoj këtë vepër artistike mbasi vite më parë i paharruari Baftjar Dobi, gjirokastriti fisnik ka dashur ta përjetonte në një Monument Madhështor grupin e këngës e të vendosej në bedenat e Kalasë historike të qytetit që do të shikohej nga kushdo që do të vinte në qytet.
Baftjar Dobi donte ta sponsorizonte vetë këtë monument por nuk arriti dot se u nda papritur nga jeta. Por ai na ka lënë një tjetër kujtim një poezi brilante, melodioze, emocionuese në formën e një monumenti artistik kushtuar grupit të pleqve të qytetit.
Ja disa pjesë nga kjo poezi:
Ka kohë që me radhë,
S’jeni gjallë më,
Si male të lartë,
Ratë një nga një.
Kënga tuaj shtruar
Hapur fustanellë,
Futej në bedena
Hiqte mbi kështjellë.
Kur të na marrë malli
Ku t’u gjejmë vallë,
Ku ta gjejmë këshillën
Kur të kemi hallë.
Ku ta gjejmë grupin
Kur të duam këngën,
Kur të kemi dhimbje,
Si ta zbusim zemrën.
Një jetë të tërë mes këtyre këngëtarëve të papërsëritshëm të këngës gjirokastrite, habitesha me talentin e tyre, me zëra brilant dhe variantet më të veçanta e autentike të këngës tradicionale, me thjeshtësinë e tyre dhe më kujtohet ajo vjersha e Kadaresë për Mësueset e Fshatit ku thotë:
“Ato të mirat deri në dhembje,
të thjeshtat deri në madhështi.”
Për gjithçka që thamë për grupin e pleqve mendoj se ka ardhur koha t’ua ngremë një monument. është në nderin e Bashkisë së Gjirokastrës, të kryetare së nderuar, vajzës gjirokastrite znj. Zamira Rami të realizojë këtë monument.
Nëse arka e Bashkisë nuk ka aq lekë për ta ngritur këtë monument atëherë le të veprojmë si të parët tanë, 80 vjet më parë më 1936 kur mblodhën lekët për të ngritur monumentin Madhështor të kapedan Çerçiz Topullit si simbol i qytetit të gurtë.
Këto po mendoja kur po pija një “kafe guri” këtu në Mesin e Pazarit të Gjirokastrës në këto ditë të vjeshtës së parë të vitit 2015
Gjirokastër , shtator 2015
Sigal