Sigal

Gjirokastra, qyteti që duket si polifoni gjigante në Malin e Gjerë

 

Nga Naxhi Kasoruho, “Mjeshtër i Madh”

Duke e soditur qytetin nga bedenat e kalasë, kodra e obeliskut, qafa e Pazarit, sheshi i Çerçizit apo kodra mbi universitet më krijohet përshtypja se ky qytet me ngjyrën gri në shpatin e malit të Gjerë të  duket si polifoni gjigante. Po çfarë ka të ngjashme Gjirokastra me polifoninë? Polifonia është zhanri muzikor i shumëzërshit vokal “a kapela” në formën klasike më të lartë dhe një trashëgimi e çmuar e kulturës tonë kombëtare që nga 25 nëntori i vitit 2005 është në listën e trashëgimisë botërore që mbrohet nga UNESCO. Për të kuptuar ngjashmërinë e këtij grupimi vokal pra të polifonisë me Gjirokastrën le të shprehemi se çfarë është vetë polifonia? Polifonia si çdo krijim artistik popullor e të kultivuar ka elementët e saj përbërës si: struktura e ndërtimit të grupit me marrësin- kthyesin- hedhësin e ison, tematikën dhe veçoritë tonalo-modale që shpesh janë dimensionalisht të largëta jo vetëm në trashëgiminë midis trevave e krahinave por edhe brenda fshatrave apo lagjeve të qytetit siç ndodh në Gjirokastër. Grupi polifonik ka veçoritë e tij të  krijimit si: uniteti timbrik ku nuk mund të ketë  zëra të ndryshëm e kontradiktues në tingëllim. Madje edhe në grupet e përziera zërat e burrave dhe grave qëndrojnë në regjistra të afërta siç ndodh me korifenjtë Paro e Goliku te grupi polifonik i Bënçës apo  Katina Bejleri në grupin e Himarës. Kostumi popullor është veçoria kryesore që përcakton identitetin e grupit nga vjen si krahinë, trevë apo fshat. Motivi muzikor është një tjetër veçori e grupit polifonik që përfshin variante melodike që i përkasin karakterit lirik,epik,heroik etj, që së bashku me tematikën e larmishme përbëjnë vlerat e mëdha të këngës polifonike. Duke i njohur këto veçori, kritere, struktura, kontraste, timbrikën e deri tek kostumi popullor le të  ndalemi tani të shikojmë përafërsinë që ka polifonia me Gjirokastrën qytetin e gurtë në shpatin e Malit të Gjerë. Ashtu siç kontrastojnë këngët polifonike nga treva në trevë po ashtu kontrastojnë e kanë identitetin e vet edhe qytetet dhe fshatrat me pamjet dhe ndërtimet arkitekturore.

Nuk do të ndalem në këto kontraste mbasi midis tyre ato janë të shumta, të veçanta, të papërsëritshme në arkitekturë dhe gjithë elementët përbërës që ka çdo qytet por mjafton të ballafaqojmë Gjirokastrën me Tropojën apo shtëpinë e Zekatëve me kullat në malësi dhe jemi në gjendje të kuptojmë identitetin përcaktues të tyre. Shumë vite më parë në librin tim “Gjirokastra e këngës” kam shkruar për kompleksin arkitektural të Angonatëve që më befason se herë që e shikoj kur rri e pi kafe te kafe “Kotorri” aty tek mesi i pazarit. Ky kompleks arkitektonik është një nga vlerat më të rralla të arkitekturës të shtëpive gjirokastrite ndoshta më të bukurat në gjithë Ballkanin. Vendosja e shtatë kulmeve të çative në dy rreshta pranë njëra-tjetrës më kujtojnë një grup polifonik të këngës gjirokastrite. Ndërsa tani po mendoj se si ky kompleks është i gjithë qyteti i shtrirë në shpatin e Malit të Gjerë. Siç folëm për polifoninë se ka formën dhe veçoritë e saj po ashtu më duket edhe Gjirokastra si një polifoni gjigante si qytet uniformë dhe i veçantë në qytetet e tjera të rajonit. Për kostum qyteti ka veshur ngjyrën gri të çative mbuluar me rrasa guri një pamje mahnitëse kjo që e bën këtë qytet të veçantë e të papërsëritshëm me qytetet e tjera. Si marrës, korife të polifonisë qyteti ka kalanë që qëndron në pikën dominuese që me madhështinë e saj e “udhëheq” dhe e përfaqëson atë duke i dhënë autenticitetin dhe identitetin e tij. Gjithë kompleksi i mijëra shtëpive që qëndrojnë rreth kalasë në krah të njëra-tjetrës krijojnë ison e stërzgjatur në polifoninë gjirokastrite .

Ja si e tregon madhështinë e Gjirokastrës kënga e Petrit Lulos “bilblit” të këngës gjirokastrite kur këndon: “Nuk ka Shqipëria,

As bota e tërë,

O pikë e floririt,

Në malin e Gjerë“.

Ja pra, për të gjitha këto e përfytyroj Gjirokastrën si një polifoni gjigante në formën e saj më të lartë të traditës që si qytet ka pamjen befasuese, ngjyrën gri, ndërtimin arkitektonik, shtrirjen e tij në një lartësi 2000  shkallëve e gjitha e ndërtuar në gur, një qytet me vlerë në kulturën tonë kombëtare.

Ndoshta është rastësi por sidoqoftë është një realitet i prekshëm ku Gjirokastra dhe polifonia janë tashmë në Listën e Trashëgimisë Botërore që ruhen nga UNESCO. Na takon ne dhe brezave të ardhshëm t’i ruajmë të pastra këto dy polifoni të jashtëzakonshme si pjesë e identitetit tonë kombëtar ashtu siç na e kanë lënë prindërit dhe prindërit e prindërve tanë.

Këto që mendoja këto ditë që isha në Gjirokastër për të marrë pjesë në 50-vjetorin e krijimit të Teatrit Profesionist të qytetit, një festim madhështor që u përcoll nga një takim kombëtar teatror me emrin e ikonës së teatrit dhe kinematografisë gjigantit, Kadri Rroshi që në këtë jubile u bë korifeu i polifonisë teatrore.