Sigal

Gjëja e parë, e cila duhet të preokupojë ministren e Kulturës sipas artistëve duhej të ishte koordinimi dhe planet afatshkurtra dhe afatgjata për sistemin teatror në Shqipëri. Por sipas tyre përderisa drejtori i Teatrit Kombëtar, propozohet nga ministrja përkatëse e Kulturës dhe firmoset nga kryeministri përkatës, do të thotë që kemi një shtet dhe pushtet që vendos politikën e tij mbi institucionin bazë siç është Teatri Kombëtar. Autor veprash dramaturgjike, regjisor dhe aktor Naun Shundi në intervistën për “SOT” flet për situatën në jetën artistike dhe problemet me të cilat po përballen artistët. Për Shundin është një situatë që artistët, në qoftë se janë të lirë, mundet të krijojnë institucionet e tyre të pavarura dhe vetëm atëherë nuk do të pinë më ujë shantazhet politike. Për regjisorin Naun Shundi komuniteti teatror, është e vërtetë që është i përçarë, por kjo ka ardhur për disa shkaqe dhe mes tyre edhe presionet politike. Regjisor dhe aktor Naun Shundi pohon se në qoftë se Teatri Kombëtar dhe ata që e përfaqësojnë realisht atë, do të heqin dorë nga shfrytëzimi politik, do të jenë më të besueshëm dhe më rehat me veten e tyre. Në problemet me teatrin Shundi ndalet dhe në dramaturgjinë shqiptare dhe pohon se nuk ka asnjë politikë kombëtare për stimulimin e dramës shqipe. Sipas tij, dramaturgët ata që kanë mbetur, duhen ftuar pranë teatrit për të qenë pjesë organike, që në bashkëpunim me regjisorët përkatës të krijojnë vepra të mirëfillta teatrore.

-Presidenti i republikës hodhi poshtë ligjin për shembjen e teatrit, mendoni se ishte i saktë motivimi?

Po, arsyet që presidenti i Republikës hodhi poshtë ligjin për shembjen e teatrit ishte i saktë. Presidenti tregoi që është mbi palët. Uroj të vazhdojë në këtë paanshmëri politike, sepse çështja e teatrit po politizohet më shumë seç duhet. Dëgjova dhe lexova disa prononcime të krerëve të pozitës së sotme, që ishin të indinjuar me këtë akt të presidentit. Në asnjë rast nuk kam dëgjuar ose lexuar që 9 pikat e presidentit të hidhen poshtë me argumente ligjorë. Madje dëgjova që në shtator parlamenti do ta rivotoj ligjin, duke treguar kështu arrogancën qeveritare. Të tërë deputetët e PS vihen në rresht dhe votojnë siç kanë votuar dhe pretendojnë të rivotojnë këtë ligj antikushtetues. Përderisa kemi një maxhorancë absolute, vendi me këta qeveritarë dhe pushtetarë po shkon drejt një diktature “pluraliste”. Opozita nuk ka bërë aq sa duhet për tu përballur me këtë rrezik shoqëror.  Marrëveshjet e fshehta dhe të pabëra publike, në mungesë të plotë të transparencës midis pozitës dhe opozitës, na rrezikojnë neve si qytetarë shqiptarë që duam një klasë politike, e cila duhet të na shërbejë neve, dhe jo vetëm vetes.

-Dikur jeni shprehur se nuk ka ministri arti, por kulture. Sot, si e shihni situatën?

Gjëja e parë, e cila duhet të preokupojë ministren e Kulturës dhe jo të artit, duhej të ishte koordinimi dhe planet afatshkurtra dhe afatgjata për sistemin teatror në Shqipëri. Përderisa drejtori i Teatrit Kombëtar, propozohet nga ministrja përkatëse e kulturës dhe jo e artit dhe firmoset nga kryeministri përkatës, do të thotë që kemi një shtet dhe pushtet që vendos politikën e tij mbi institucionin bazë siç është Teatri Kombëtar. Ata e dinë fare mirë që arti, teatri dhe çdo lloj gjinie tjetër ka qenë dhe do të mbetet në opozitë  me shtetin dhe pushtetin.  Drejtorin e Teatrit Kombëtarë duhet ta zgjedhë një përfaqësi artistike, jashtë ndikimeve politike. Artistët, në qoftë se janë të lirë, mundet të krijojnë institucionet e tyre të pavarura. Vetëm atëherë nuk do të pinë më ujë shantazhet politike dhe opinionistët e blerë nga pushteti, që na japin mend duke mos pasur mend dhe njohuri mbi problematikat e vërteta. Komuniteti teatror, është e vërtetë që është i përçarë, por na kanë përçarë duke na joshur ose duke na bërë presione. Në qoftëse Teatri Kombëtar dhe ata që e përfaqësojnë realisht atë, do të heqin dorë nga shfrytëzimi politik, do të jenë më të besueshëm dhe më rehat me veten e tyre. Është normale që çdo njeri në gjumë, shikon ëndrra. Çfarë lloj ëndrrash i shfaqen në gjumë atyre që duan të shembin teatrin? Në qoftëse ata shohin buldozerë, që shembin teatrin, duhet të zgjohen të llahtarisur.

-Dramaturgët kërkojnë stimulimin për dramën shqipe, çfarë ka munguar sipas jush deri tani në politikat e institucioneve?

Drama ose komedia ose çfarë do lloj vepre e shkruajtur për tu vënë në skenë është brumi me të cilin merren regjisorët skenografët dhe aktorët për të bërë petulla pica ose byrek. Pa këtë brum nuk bëhet dot asnjë nga këto të tria. Mendoj, që dramaturgët shqiptarë janë heronj të vërtetë që vazhdojnë të shkruajnë për skenat shqiptare, pavarësisht vlerësimit qesharak që ju bëhet.

-Kur pohoni se përballë problemeve që janë sot në fushën teatrit dramaturgët nuk kanë stimulim për veprat kombëtare, por vlerësim qesharak, sipas jush çfarë mungon?

Nuk ka asnjë politikë kombëtare për stimulimin e dramës shqipe. Asnjë dramaturg nuk është i motivuar financiarisht , për të shkruar një dramë shqiptare. Veprat e vërteta teatrore kombëtare lindin dhe marrin jetë në teatër. Dramaturgët, ata që kanë mbetur, duhen ftuar pranë teatrit për të qenë pjesë organike, që në bashkëpunim me regjisorët përkatës të krijojnë vepra të mirëfillta teatrore. Autori nuk bën dot shfaqje pa regjisorin si kundër dhe regjisori nuk bën dot pa materialin baze, që është dramaturgjia. Kjo lloj politike i mungon teatrit.

-Keni deklaruar në media se i keni lënë armët ngrehur pas falimentimit dhe paktizimit të aktorëve me shtetin. Keni pasur reagime nga kolegët?

Me keqardhje po ju them që nuk ka më komunitet teatror. Kur më pyesin rëndom njerëz të çfarë do lloji se çfarë po bëjmë ne artistët, unë i përgjigjem: “Nuk ka më ne”. Jemi katandisur si arrat kur i ndan kaqoli. Çdo kush mund të thotë çfarë të dojë, mund ta dredhi sa herë ti dojë interesi, sa herë që interesi i vet prevalon mbi atë të përgjithshmin. Unë nuk dua të luftoj. Nuk jam natyrë luftarake. Dua të debatoj, të bisedoj, të dëgjoj dhe në qoftë se mund të më dëgjojnë të them argumentet e mia personale. Nuk jam ai që mendon për veten se është kriteri i së vërtetës. Të vërtetat janë gjithmonë relative dhe ato marrin vlerë nga gjykimi i brezave që do të vijnë. Unë shpresoj që e vërteta ime për atë çka them dhe mendoj, dikur do të vlerësohet dhe do të përkrahet, pavarësisht nga opinionet e kundërta që mbizotërojnë sot në tregun mediatik.

-Nëse do kishit takim me kryebashkiakun, si mendoni se do ishte reagimi juaj?

Për ato çka unë mendoj dhe them mbaj përgjegjësi personale. Mendimet dhe pikëpamjet e mia ja gati t’ia them sy më sy, jo vetëm Veliajt, por edhe kryeministrit dhe vetë presidentit. Unë ndjehem rehat me jetën time të varfër dhe nuk më tundon asnjë ofertë fitimprurëse, për arsyen e thjeshtë, sepse unë jam ky që jam. Nuk bëj dot ndryshe. Mos u përpiqni të më korruptoni. Nuk korruptohem për asnjë gjë! Në varfërinë time, dua të jem ky që jam. Nuk i vë faj atyre që devijuan nga ato çka kishin thënë dhe deklaruar. Kush e di si e kanë pasur hallin?! Nuk i dënoj por nuk jam me ta. Fali o zot se nuk di çka bëjnë.