Naime Beqiraj/Për ekspozitën e Haxhi Kastratit, e cila u hap më 17 maj në Galerinë e Arteve në Pejë

585
Sigal

Ngjyrat autentike të Haxhi Kastratit

Vibrimi i ngjyrave që dinë të marrin trajtat e relievit është përkushtim i hershëm i pikturës së Haxhi Kastratit. Vibrimet plot pasion, janë më të theksuara në këtë ekspozitë. Sa do që duken vija të holla, të thyeshme deri në detal, thellë, në nënshtresat e pikturës, shfaqet epikja. Ajo epikë që nuk ngre krye, por vepron. Është e kuqja, ajo bojëgjakja e Kosovës që përbën elementin më së paku befasues në pikturën e Kastratit. Nuk është befasuese sepse është autentike. Këtij autenciteti, autori nuk i rikthehet sepse qëndron aty, i shtresuar, jo i printuar. Ato nënshtresa nuk krijojnë as pikëllim, as zemërim. Ato rrëfejnë siç din të rrëfejë edhe heshtja. Edhe Haxhi Kastrati, si natyrë zhvillimi krijimtarie është i heshtur. Fjalë pak, pa bujë, pa pluhur, autori vjen edhe në këtë ekspozitë me pikturë- mesazh. Autor, i cili në periudhën e luftës në Kosovë, i është djegur pothuaj komplet krijimtaria, duket që në periudhën e krijimtarisë së pas luftës, kërkon më shumë dritë në heshtjen e tij, duke na sjellë një autobiografi autentike.

Te ky autor, janë paksa të ndera raportet me ngjyrat e fjetura, ndërkaq e verdha e pikturave monumentale që i sjell në këtë ekspozitë, pastaj e kaltra me nuancat e detit, realizuar në Dhërmi e Vlorë, ku spikat edhe pikturuarit me rërën e detit, e përforcon mendimin e thellësisë ajsberg të Kastratit. E kaltra e detit është lirike dhe në këtë oazë qetësie të frymës së tij, asaj oaze drejt së cilës ai rresht se kërkuari. Nuk mund të quhet piktor i ngjyrave të forta sa ngjyrave autentike plot dritë.

Haxhi Kastrati, ka krijimtari. Ai nuk resht pas modës. Domethënia poetike e modernes karshi vrapit pas modës, te ky autor, diametralisht është refuzuese. Ai nuk synon as të çlirohet nga moda, as ta ndjek pas. Të krijuarit në atelie në natyrë, në periferi të Pejës, në fund të së cilës qëndron shtëpia e vjetër prindërore e shekullit të kaluar, ndërtuar me gurë, tipike e Rrafshit të Dukagjinit e rindërtuar atelie pas luftës, s’do mend se e nis gurin e qoshes së pikturës së tij. Ai nuk është thjesht mur prej guri, është mur i gjallë që lë gjurmë brenda jo vetëm një kornize.

Studioz, analitik, fantastik me ngjyrat, ai në këtë ekspozitë na rivjen si shenjëzues i historisë. Dhe shkon përtej asaj, kur ngjyrat në realitet dinë të përjashtohen. Aftësia për të guxuar, te Kastrati, nuk është patetike. Ajo vjen si kontrast, cilësi kjo gjysmëshekullore që nga Muslim Mulliqi, e deri te piktorët e rinj, duke krijuar kështu shkollën kosovare të ekspresionizmit. Dhe kësaj i shtohet edhe faktin se Haxhi Kastrati është koshient se publikut të arteve pamore duhet tu ofrohen vepra të panjohura (të reja), cilësi, e cila sipas estetëve është respekt për artin dhe auditorin.