Myzafer BERBERI/ Risia dhe vlerat letrare të shkrimtarit Sterjo Spasse

963
Prof. Dr. Ilinden Spasse shfaqet sërish përpara lexuesit shqiptar me librin e tij të ri “Im atë, Sterjo”, botuar nga Universiteti Europian i Tiranës UET Press 2016. Në këtë libër paraqitet një analizë e thellë studimore për jetën dhe për të gjitha vlerat krijuese, letrare e pedagogjike, si dhe virtytet e larta njerëzore të shkrimtarit të shquar altruist Sterjo Spasse. Studimi i autorit është bazuar në krijimtarinë e gjerë të të atit dhe me një numër të madh dokumentash ka plotësuar në mënyrë të përkryer dhe tepër të veçantë monografinë dhe bibliografinë e pasur, në një mënyrë aq tërheqëse dhe të lakmueshme saqë ngjan me një roman mjaft joshës dhe që shumëkush do ta kishte zili një vepër të tillë. Në këtë studim ndeshen vlera krijuese dhe një erudicion i admirueshëm edhe i vetë autorit, i cili duke dalë përtej vetvetes fiton respekt të veçantë nga lexuesi.

Të merresh me studimin e jetës dhe të veprave letrare të Sterjo Spasses është kënaqësi, por edhe një përfitim vlerash në erudicionin e vetvetes. Krijimtaria e Sterjo Spasses e ka burimin në traditën, historinë dhe kulturën kombëtare, në veprat e tij spikasin virtytet themelore të popullit tonë ë thjeshtësia, dëshira për punën, dashuria, ndjesia e lartë kombëtare, dëshira për arsimim, për dije, për përparim e kulturë, vetëmohimi për të qenë i lirë, shpirtmadhësia, dashuria për fqinjët e shumë virtyte të tjera të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Këto virtyte Sterjo Spasse i ka ngritur në vlera arti, me gjuhë të thjeshtë , të pasur dhe tërheqëse në të lexuar, por edhe me mendësi të thellë në të cilat përcillen mesazhet e tij ideore.
Eugjeneza e tij mbart virtytet më të larta të njeriut, prandaj në subjektet dhe në personazhet e veprave është vetë Sterjo Spassja me botëkuptimin, shpirtin e ndjesitë e tij, me një shpirt të pastër, të prekshëm, të dhimbshëm dhe me ide rrëfyese për përparim. Në këto vlera ai është një nga shkrimtarët tanë më të rrallë.

Në të gjitha veprat e Sterjo Spasses është i fuqishëm ndjeshmi i tij atdhetar, i shkrirë në një mënyrë mjaft të dashur, origjinale dhe që e bën atë një nga shkrimtarët më të lexueshëm e më të dashur jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ai futet thellë në perceptimin, analizën dhe interpretimin e aspekteve të shoqërisë, të kulturës, të marrëdhënieve dhe shqetësimeve të ndryshme në kohët përkatëse. Qysh në moshë të re ai ishte lexues i zellshëm i letërsisë më të jehonshme të kohës ë Ivan Vazovit, Elin Pelinit, L. Tolstoit, I. Turgenievit, F. Dostojevskit, L. Andrejevit, M. Gorkit, L. Pirandelos, F.Nitçes, V. Hygoit, S. Cvajgut etj, të cilën ia mundësonte zotërimi i disa gjuhëve bullgarisht, maqedonisht, rusisht, frëngjisht, italisht, greqisht, që ishin jo vetëm premisa në dijen dhe krijimtarinë e tij letrare, por edhe si refleksione të prurjes së kulturës së huaj në vendin tonë.
Sterjo Spasse është një shkrimtar i ndjesive të mëdha shpirtërore, në atë shoqëri të mjeruar përplaseshin bota e tij e brendshme, mendimi e dëshira me pamundësinë e mugët në të cilën shpresa mbetej në mjegullimin që kishte mbërthye shoqërinë shqiptare në fillimet e shekullit XX. Në ato kushte, në vitin 1935, ai botoi romanin e jehonshëm “Pse ?!”, që në fund të fundit ishte një realitet i shoqërisë së atëhershme, në të cilën shpresat për përparim ishin të zymta. Në atë kohë ai ndodhej në një botë dilemash mendore e shpirtërore në të cilën siç thotë Markez (Gabriel Garcia Marquez) “Krijimtaria është në një luftë mes fantazisë dhe arsyes”.

Është me vend të kujtojmë që ky fenomen, i përplasjes së dëshirës dhe pamundësisë, është vënë re edhe në shumë shkrimtarë të tjerë të shquar. Të tillë ishin përfaqësuesit e “Brezit të humbur” si nobelisti amerikan Heminguej (Ernst Miller Hemingwej) me romanin “Të kesh e të mos kesh”, ku tregon pamundësinë e individit për t’u bërë ballë vetëm vështirësive të jetës ë Remarku (Erich Maria Remarque) me romanin “Gjithçka e qetë në frontin e perëndimit” në të cilin tregon pasojat tragjike të luftës në shpirtin e njeriut e zhgënjimet e hidhura të tij. Një dukuri e tillë është dhe në romanin “Fati i njeriut” të nobelistit rus Shollohov (Mikhail Alexandrovich Sholokhov), apo të nobelistit tjetër francez Romain Rolland dhe tek Prusti (Marcel Proust), të cilët në krijimtarinë e tyre përcjellin luftën e mundimshme të njeriut kundër mashtrimeve dhe hipokrizisë, po ja që ëndrrat humbisnin në mjedisin social që i shkatërronte ato. E tillë ishte shoqëria shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX, mjerimi dhe zymtësia e së cilës krijuan shqetësime mendore dhe shpirtërore tek djaloshi përparimtar Sterjo Spasse.

Që njeriu është i destinuar të dëshirojë gjithnjë atë që është e pamundur nuk është fatalizëm, por dhunti e cytje. Brenda këtij botëkuptimi të thellë duhet të vihen në veprim forca të jashtëzakonshme, të cilat nuk janë vetëm një aspiratë, por që shndërrohen nga “pamundësia” në mundësi lëvizjeje dhe përparim. Ky është një mision i thellë dhe i vështirë për krijuesit. Në kuptimin filozofik kjo gjë vërehet edhe te romani “Pse?!” i Sterjo Spasses. 
Ishte realiteti shqiptar në një gjendje të mjeruar shpirtërore, sociale dhe ekonomike të shoqërisë në gjysmën e parë të shekullit të XX që i nxiste krijuesit për të shkruar me këtë frymë, për të nxjerrë lakuriq shoqërinë e katandisur në atë gjendje. Mbi këtë realitet, përveç Sterjo Spasses do të shkruanin vepra edhe sentimentalistë të tjerë sië Haki Stërmilli me romanin “Sikur të isha djalë”, Mustafa Greblleshi me “Gremina e Dashurisë”, e po ashtu edhe Mitrush Kuteli nuk i largohet këtij sentimentalizmi ne veprën e tij të shquar “E madhe është gjëma e mëkatit”. Të gjithë këta kishin ndjesi të thellë dhe revoltë shpirtërore mbi këtë realitet fatkeq, ndaj e ndienin me dhimbje që ai duhej të dilte ashtu siç ishte, në mënyrë që shpresa të mos mbetej peng e errësirës, por të merrte besim në shpirtin dhe mendjen e njerëzve. Veçanërisht me vepra të tilla hidhej dritë e besim në rininë apatike të atij rendi shoqëror të sëmurë nga xhelozia e plot vese të tjera.

Mjaft intelektualë të kohës shkruan me mbresa për këtë roman origjinal dhe e përgëzuan shpirtërisht autorin duke theksuar stilin e kulluar, tërheqës e plot magji, luftën e ashpër kundër zakoneve të tmerrshme, të frikës, të kumarit e veseve të tjera, luftën kundër botës dinake dhe hipokrizisë, veçanërisht në nivelet e larta ky roman u vlerësua si një vepër sentimentale e plot mendime filozofike.
Sterjo Spasse ka përjetuar drejtpërsëdrejti jetën e thjeshtë të shtresave të varfra të popullit, të cilën ai e shkruan në veprat e tij me një realizëm të rrallë. Bota e tij shpirtërore pasurohet gjithnjë e më shumë. Atje në shtresat e varfra, tek njerëzit e thjeshtë ai i gjen më të pastra virtytet e larta, idealizmit të të cilave ai u përkushtohet. Si intelektual përparimtar, i shqetësuar për të ardhmen e kombit, ai trajton në mënyrë të veçantë në dy veprat e tij, modelimin dhe misionin e mësuesit, konceptimin e figurës së tij, etikën dhe estetikën, aftësitë e mësuesisë përkushtimin dhe përgjegjësinë e madhe të kësaj figure dritëdhënëse për kombin. Të gjitha këto ai i ka realizuar me një pjalm estetik të përzgjedhur në romanet “Afërdita” (1944) dhe “Afërdita përsëri në fshat”. Kujtojmë që romani “Afërdita” u ribotua shtatë herë në Kosovë dhe Sterjo Spasse u vlerësua si shkrimtari më popullor dhe më i lexueshmi.
Në vazhdim Sterjo Spasse konsolidon botëkuptimin e tij si shkrimtar realist i romantizmit përparimtar duke përfaqësuar në art psikologjinë e shtresave të gjera të popullit, të traditës, të virtyteve të larta, thjeshtësinë , shpirtmadhësinë, devotshmërinë, vetëmohimin, besnikërinë etj. Në krijimet e më pasme heronjtë e tij shprehin shfrime e dëshpërime, por edhe shpresë sepse tashmë në shoqërinë shqiptare kishin ndodhur ndryshime, heronjtë e tij janë pjesë e popullit, lindin, rriten e aftësohen në gjirin e tij, perëndojnë dhe përjetësohen në memorien e tij. Me vlera të tilla, në vitin 1952, ai botoi romanin “Ata nuk ishin vetëm”, i cili u përpi menjëherë nga lexuesi dhe u vlerësua nga kritika si romani më i mirë që kishte dalë në vendin tonë, ndërkohë autori u dekorua me disa çmime. Në vitin 1960, Sterjo Spasse arrin një tjetër sukses me romanin “Buzë Liqenit”, gjithashtu u vlerësua me çmim të parë.
Sigal