Mystehak XHEMALI: Mos lejoni, që institucionet e kulturës të kthehen në… shtëpi publike!

839
Zonja Ministre!
Duke marrë shkas nga një konflikt ndërmjet një gazetari dhe drejtorit të TK, jo për të dhënë ndonjë mendim, pasi nuk mund të thuash gjë kur nuk di asgjë, por për të ngritur fare shkurt një shqetësimin tim si qytetar, rreth një dukurie që po vihet re këto kohët e fundit tek disa drejtues institucionesh, të cilët po shfaqin fillesat e një degradimi të këtyre institucioneve, përfshi edhe ato kombëtare, për t’i shndërruar (këtë po e shkruaj jo pa dhimbje) në shtëpi publike. E them këtë jo pa keqardhje, por faktet tregojnë se në mjaft premiera ka dukuri që gjoja në emër te eksperimenteve, novacioneve, modernizmit, të arrihet në disa inskenime, në të cilat mbizotërojnë skena ku intimiteti është vulgarizuar deri në ekstrem e në shfaqje perversiteti të neveritshëm. Disa nga figurat e personazhet më emblematikë kanë humbur vlerat e tyre, pasi janë trajtuar deri në pështirosje. Si shembull mund të sjell figurën e Hamletit, vënë në skenë nga TK, ku edhe vetë Shekspiri do të ishte revoltuar po të shihte në skenë atë personazh aq të përçudnuar, as burrë e as grua. Dhe jo vetëm kaq: Kohët e fundit kam lexuar në një të përditshme, se në teatrin e Vlorës po përgatitet një spektakël, ku sipas organizatorëve do të ketë skena seksualiteti homoseksualësh, lesbikesh, heteroseksualësh e tjera e tjera skena të turpshme, sipas tyre në emër të një konceptualiteti të ri artistik, ku mesa duket vetëm art nuk ka! Një gjë e tillë duhet paraprirë për të mos arritur deri këtu, edhe pse organizatorët premtojnë se këto lloj spektaklesh do të tërheqin mjaft shikues. Në të vërtetë po ndodh e kundërta: Premierat teatrore sa vijnë e po braktisen nga spektatori, aq sa drejtuesit e teatrove, në qendër e në bazë, janë të detyruar të organizojnë shfaqje me ftesa, e jehona e “suksesi” i këtyre premierave domosdo që harrohen shumë shpejt. Shikuesit, të të gjitha moshave, janë të prirë të ndjekin shfaqje me nivel artistik, e jo ato në të cilat mbizotërojnë skena banale, të mbushura me fjalor rrugësh e monologë e dialogë vulgare, sa të vjen turp t’i dëgjosh! Në një vepër artistike, e sidomos në ato skenike, shikuesi pëlqen të bukuren, e jo të shëmtuarën. Zonja Ministre! Duke iu drejtuar publikisht me këtë letër të hapur, nuk dua të krijoj përshtypjen që krijuesit, ekzekutuesit, interpretuesit, si dhe organizatorët në fushën e skenës, të privohen nga e drejta e tyre për të shfaqur individualitetin e vet, përfshi dhe atë skenik, pasi e drejta e krijimit nuk i nënshtrohet asnjë lloji censure. Gjithkush ka të drejtë të shprehë individualitetin e tij krijues. Dhe për ta realizuar atë, qoftë kjo edhe manierë, apo tekë, i ka dyert e hapura në mjaft institucione private, në organizma e organizata jo-shtetërore, por gjykoj se kapriço të tilla nuk mund të promovohen në institucionet shtetërore, të cilat mbahen nga buxheti i shtetit, pra mbahen me taksat e paguara nga qytetarët shqiptarë. Në të kundërt, kemi të bëjmë me shpërdorim detyre. E kjo nuk duhet lejuar!

Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 20.01.2016
Sigal