Myslym Keta, 50 vite i larguar (26 shkurt 1966-2016)

895
Myslym Hysen Keta u lind në Tiranë, më 11 tetor 1925, në një familje të dëgjuar patriote e arsimdashëse. Babai i Myslymit, Hysen Keta, ka qenë mësues dhe gjithë jetën e tij ia ka kushtuar çështjes së edukimit dhe arsimimit të brezave të tërë në zonën e Shqipërisë së Mesme e të Malësisë së Matit. Lymi, fillimisht ka ndjekur Shkollën Teknike (sot Harri Fulc) dhe më pas gjimnazin e Tiranës. Myslym Keta e filloi luftën që në moshë të njomë, kur sapo kish mbushur 14 vjeç. Në këtë kohë ai bëhet njëri nga anëtarët më aktivë të njësiteve guerile të kryeqytetit dhe kryen njëri pas tjetrit me dhjetëra aksione tepër të guximshme në Tiranë. Pas çlirimit, Myslym Keta ka pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Kështu, ai fillimisht emërohet komandant i Gardës Kombëtare dhe i Repartit të Parë të Kavalerisë. Më pas, ai dërgohet në Bashkimin Sovjetik, për studime në Shkollën e Lartë të Këmbësorisë. Ndërsa në vitin 1954, mbaron me rezultate shumë të mira edhe Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik, atë të Tankeve, në Fakultetin e Inxhinierisë. Pas mbarimit të kësaj akademie, Lymi, emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë që qëndronte në mbrojtje të kryeqytetit. Për merita të veçanta që gjatë luftës e më pas, Myslym Keta gradohet kolonel. Ai është ndër kuadrot e para të ushtrisë shqiptare, që ka dhënë një kontribut të veçantë në themelimin e Armatës së Tankeve. Ai ka shërbyer edhe si komandant i zoti në këtë armë sa të vështirë, aq edhe të rëndësishme në mbrojtjen e atdheut. Myslym Keta, si oficer madhor ka një meritë të madhe në modernizimin e ushtrisë shqiptare, sidomos në mekanizimin e trupave tokësore. Ai ka qenë një qitës i shkëlqyer i revolverit, automatikut, i mitralozit të lehtë e të rëndë, po ashtu edhe kalorës e tankist. Ai mbante titullin e lartë të “Mjeshtrit të klasit të parë” në përdorimin e tankeve. Vdiq në një aksident me makinë, në 26 shkurt 1966. 
Epopeja e luftës kundër okupatorit
Epopenë e luftës kundër okupatorit, Lymi e kishte filluar që në vitin 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Pagëzimin e parë me luftën e mori në vitin 1941, në demonstratën e popullit të Tiranes kundër okupatorit, ku përndrydhi edhe dorën. Në ballë të kësaj demonstrate, ai u përlesh pa frike me milicët italianë. Në verën e këtij viti, i ati i gjen Lymit një punë si çirak elektricist, tek një i njohuri tij dhe si peshqesh ai i bleu atij një biçikletë. Me këtë biçikletë, për një kohë fare të shkurtër, gjithë Tiranën e kishte nën këmbët e tija. Me këtë dhuratë, i ati dëshironte ta largonte të birin nga shoqëria e keqe dhe njëkohësisht ti siguronte atij jetesën për të ardhmen. Zanati për fëmijët, në atë kohë ishte ëndrra e shumicës së prindërve. Në moshën 16 vjeç, Lymi hodhi shumë shtat. Nuk mund të ndodhtë ndryshe, pasi i tillë ishte edhe xhinsi i tij. Me bukurinë, shtatin e lartë dhe elegancën, Lymi dallohej midis shokëve të tij në Tiranë. Megjithëse vishej thjeshtë, pasi të tilla ishin mundësitë ekonomike, ato hijeshonin në trupin e tij, si të ishin prodhuar apostafat për të. Në shkollën e mesme teknike, Lymi njihet me Adnan Qatipin, shokun e tij të ardhshëm në Njësitet Guerrile të Tiranës. Për riparimin e defekteve të ndryshme elektrike, Lymi dhe Adnani shkonin derë më dera nëpër Tiranë. Për këtë arsye në një kohë fare të shkurtër, ato u bënë shumë të njohur në këtë qytet. Ky zanat, i bëri të njohur edhe me familjet e oficerëve italianë, që në atë kohë banonin në Tiranë. Siç tregonin shokët e tyre, Lymi dhe Adnani u bënë edhe “beniaminët“ e grave të tyre të bukura. Nga këto njohje, ata u pajisën me leje për të hyrë kudo, duke i shërbyer kështu më mirë edhe luftës antifashiste. Lymi ishte shumë i guximshëm dhe trim, ishte autoritar, por njëkohësisht edhe i thjeshtë. Nuk e njihte frikën dhe kjo veti ja kishte shpëtuar atij jetën me qindra herë. 
Njohja me Beqir Ballukun dhe Gogo Nushin
Nga fundi i vitit 1941, Lymi njihet me Beqir Ballukun dhe Gogo Nushin, të cilët ishin edhe më të mëdhenj në moshë. Ata kishin dëgjuar shumë për trimërinë e këtij djali tiranas, prandaj i kishin kërkuar atij të aktivizohej më shumë me lëvizjen anti-fashiste. Mbas vrasjes së Vojo Kushit në vitin 1942, Gogo Nushi ishte drejtues i Qarkorit të partisë së Tiranës, ndërsa Beqir Balluku, i Njësiteve Guerile, ku Lymi kishte filluar të aktivizohej. Me vete kishte marrë edhe shokun e tij të shkollës, Adnan Qatipin.Duke qenë një nga anëtarët e parë të njësiteve guerile, kryen njërin pas tjetrit me dhjetëra aksione të guximshme. Ishte verë e vitit 1942. Lymi po shëtiste nëpër rrugët e Tiranës. Kishte rënë në mendime, mbasi atë mbrëmje, pas ndalimit të qarkullimit, do të kryente një aksion, djegien e barakave të karabinierisë, të cilat ndodheshin në rrugën e “Elbasanit”. Adnani shoku i tij i vegjëlisë, e priste në shtëpi, kurse Lymi po vazhdonte shëtitjen duke shikuar çdo gjë me vëmendjen më të madhe. Ai shikonte sorollatjen e patrullave nëpër rrugët e qytetit, shikonte kolonën me makina të mbushura me ushtarë fashistë dhe me municion, dëgjonte zhurmën e motorëve, të cilët gjëmonin duke ngritur përpjetë pluhurin e rrugëve, që mbulonte çdo gjë përreth si një vello bojë hiri. Njerëzit kalonin rrugës të menduar dhe të ngrysur. Lymi gjatë kalimit përshëndeste me përzemërsi dhe me buzëqeshje të ëmbël, që e karakterizoi Heroin deri në ditët e fundit të jetës, të gjithë ata të njohur që ndeshnin sytë e tij. Ai u dallua jo vetëm si atentator i guximshëm, por edhe si një shpërndarës i shkathët traktesh, të cilat i merrte nga baza kryesore dhe ua shpinte përgjegjësve të celulave, ndërsa këta të fundit nëpërmjet aktivistëve i shpërndanin deri në skajet më të fundit të Tiranës. Lymi i bënte këto shpërndarje me biçikletën e tij. 

Ndarja nga jeta
Më 26 shkurt të vitit 1966, Myslym Keta niset për në Fushë-Arrës për arsye pune, së bashku me shoferin e tij, ushtarin Petrit Topi. Në momentin e kthimit për në Tiranë, makina, e cila drejtohej nga Petrit Topi, përplaset me një shkëmb gjatë rrugës. Gjatë përplasjes së fortë të makinës, një nga hekurat e shkëputur prej aksidentit ngulet në kokën e ushtarakut të lartë, Lym Keta. Shoferi gjatë këtij aksidenti pëson disa tronditje të forta, por pa rrezik për jetën e tij. Lymi nga ajo përplasje ngeli i plagosur rëndë dhe në këtë gjendje ai urdhëron shoferin të qëllojë në ajër për lajmërimin e aksidentit, por më kot, pasi shoferi ishte i traumatizuar. Myslym Keta, duke parë gjendjen e rëndë të shoferit, por dhe agoninë e vet, del nga makina dhe qëllon vetë me armë duke dhënë alarmin. Pas afër 20 minutash, një makinë e rastit i jep ndihmën e parë. Kështu niset për në spitalin në Fushë-Arrëz. Edhe pse i plagosur rëndë, ai u mbajt pa e humbur kujtesën deri sa mbërriti në spital. Sipas dëshmisë së shoferit që e transportoi, ai mblodhi forcat dhe u ngjit vetë në makinë edhe pse një pjesë të kokës e kishte të dëmtuar rëndë. Sapo mbërrin në urgjencë të vetmet fjalë të fundit që nxjerr nga goja në formë amaneti ishin “mos dënoni ushtarin tim, pasi nuk ka faj për aksidentin”. 
Sigal