Mynever Shuteriqi/ Ja të pathënat që mori me vete Dhimitër Shuteriqi

310

Dhimitër S. Shuteriqi

Emri Dhimitër
Mbiemri Shuteriqi
Lindur më 1915
Lindur në Elbasan
Vdiq më 22 korrik 2003
Kombësia shqiptare
Profesioni shkrimtar

Dhimitër S. Shuteriqi lindi në vitin 1915 në Elbasan dhe vdiq më 22 korrik të vitit 2003, ishte shkrimtar, poet dhe studiues i shquar shqiptar.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Liceun e Korçës. Me shkrime filloi të merret që në rinin e hershme duke u përqëndruar në poezi, romane dhe novela.

Flet e shoqja e shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, Mynever Shuteriqi 

Kjo intervistë është marrë vite më parë, por që për vetë jetën e shkrimtarit mbetet e veçantë. E takoj vazhdimisht Muneverin dhe në çdo takim patjetër do flasim për veprimtarinë e Dhimitrit. Ajo, është një grua e rrallë, me një art të vërtet të rrëfyeri për gjithçka, por mbi të gjitha kur është fjala për bashkëshortin e saj, Dhimitrin, me të cilin ajo “rri, flet dhe punon çdo ditë”. Biseda me të, të ngjall kënaqësi intelektuale. Kur flet ajo Dhimitrin e ke të gjallë. Jo vetëm se ajo ndau me të 60 vjet të jetës së saj, por se përsëri jeton me të në kujtime, në shënime, në dorëshkrime, fotografi, në libra ku është shpirti i tij.
Kur jeni njohur me Dhimitrin? 

Me Dhimitrin unë kam pasur shumë lidhje se kemi punuar gjithmonë bashkë edhe në kohën e luftës, në një zonë në periferi të Elbasanit ilegalë. Kemi punuar në një nga fshatrat më të thella se ne ishim tek shtypi ilegal. Që nga kjo kohë ne kemi punuar bashkë, ku në isha redaktor ai ishte kryeredaktor. Kur unë isha punonjëse i propagandës në Elbasan ai ishte shef. Edhe këtu në Tiranë ai u interesua që unë të isha brenda këtij kuadri që merresha me shtypin dhe me botimet dhe kam punuar me shtypin dhe botimet në të gjithë jetën time. Unë kam qenë në Komitetin Qendror të Partisë në sektorin e shtypit, pastaj kam qenë zv/ drejtore e shtëpisë botuese “8 Nëntori”. Kam qenë gjithnjë afër veprimtarisë shkencore të Dhimitrit. Po të isha një mjeke, apo agronome , nuk do të isha kaq afër me veprën e tij dhe nuk mund të flisja me kompetencë.

Dhimitër Shuteriqi ka një vepër madhore në disa fusha, por cila është e përbashkëta në to?
Është geni i fortë patriotik që përshkon të gjithë veprën e tij, veprën shkencore dhe veprën letrare. Kjo është e dukshme në faktin që ai është lidhur me rrënjët e qytetërimit shqiptar, duke filluar nga “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850”, të botuar në vitin 1962. Kjo vepër është biografia e gjithë librit shqip që përpara Buzukut e këtej. Pra, botimi i parë i shkrimeve shqipe fillon që nga viti 1332 dhe vjen deri në vitin 1850. Këtë libër Dhimitri e pasuroi dhe pse u botua pas vdekjes se tij. Në këtë libër ai tregon se tekstet shqipe, pra gjuha e shkruar fillojnë në vitet 800. Ai qe një gërmues dhe një kërkues i çmueshëm i rrënjës së gjuhës shqipe. Libri i shkrimeve shqipe që e botoi në vitin 1962, erdhi si rezultat i një pune shumë të madhe nëpër biblioteka dhe nëpër arkiva, sepse ai kishte mendimin se shqipja është shkruar shumë hershëm. Dhe gjeti këto tekste shqipe që ne i botuam në vitin 2006, mbasi iku nga jeta, Në këtë libër ai e sjell shumë më përpara origjinën e shqipes. Të gjitha janë dokumentuara dhe janë hedhur në tekstet shqipe.

Po libri “Aranitët”? 
Pastaj vijnë Arianitët, që është botuar në vitin 1965 dhe që hedh dritë në periudhën përpara Skënderbeut. Aranitët janë një nga familjet kryesore të mesjetës shqiptare para Skënderbeut, të cilët u dalluan për rezistencën ndaj turqve. Kjo ishte një familje shumë e madhe. Selinë e kishte në Sopot dhe u shtrinë në shumë krahina të tjera të Shqipërisë në veri dhe në jug, Librazhd. Elbasan. .Më vonë vajza e Gjergj Arinaitit, Donika u martua me Skënderbeun. Donika është e bija e Gjergj Arianitit. Arianitët nuk është një monografi e plotë, sepse ai mendonte se kjo vepër do të kishte edhe dy kapituj të tjerë, ku i fundit do ishte pasardhësit e Skënderbeut në emigracion në Itali. Kjo nuk u realizua dot dhe në parathënien e librit për “Aranitët” unë i kam dhënë botuesit një shënim për Dhimitrin, ku thuhet se përse nuk e realizoi këtë vepër të plotë.

Po vetë Dhimitri nga cila familje rrjedh? 
Dhimitri ka qenë nip i Kristoforidhit. Dhimitri ka pasur një fat në jetën e tij, se ka lindur në një familje ku ndjenja e patriotizmit dhe e arsimit ka pasur rëndësi jetike. Librat e Kristoforidhit, Dhimitri i kishte në shtëpi dhe i ruante si sende të shenjta. Familja e tij ishte një familje ku ndjenja e patriotizmit dhe e dashurisë për shkrimin e shqipes kanë qenë ndjesia dhe krenaria brenda familjes. Këtë, e kishin si pasuri shpirtërore. Babai i Dhimitrit ka qenë një njeri që ka pasur një jetë aktive në kohën para Shpalljes së Pavarësisë. Ai ka qenë në luftë, dhe në Kongresin e Manastirit ka qenë delegat (babai i Dhimitrit që quhej Simon). Ai ka qenë edhe mësues i parë i normales së Elbasanit. Shoqata që themeloi në vitin 1909 shkollën e parë të mesme në Shqipëri, Simoni ka qenë sekretar i kësaj shoqate, themeluesi i kësaj shoqate. Me këtë dashuri për atdheun dhe gjuhën shqipe e edukoi të birin Dhimitrin ai.

Pra, traditën e babait e vazhdoi Dhimitri? 
Po! Ai kishte një pasion në mësimin e gjuhës shqipe. Dhimitri brenda familjes kishte një atmosferë patriotike. Kjo ishte ajo nxitja që i dha Dhimitrit dëshirën e zjarrtë për t’u marrë më shumë me traditën e hershme shqiptare, me kërkimin e rrënjëve të qytetërimit shqiptar.

Pengjet e Dhimitrit? 
Ai ka ikur me tre pengje nga jeta. Ai vazhdimisht më thoshte se nuk m’u dha mundësia asnjëherë të shkoja në Napoli, në Spanjë, Turqi për të parë dokumentet që ka atje mbi këto figura që ka përshkruar në libra. Pra ai s’kishte të dhëna të plota, qoftë mbi Arianitët, Naim Frashërin dhe Marin Barletin etj.. Ky ishte një nga pengjet e veçantë të Dhimitrit. Peng tjetër është edhe leksiku i shqipes. Fjalë të shqipes para Buzukut. Kjo është një vepër e botuar në formë studimi me titullin “Fjalori parabuzukian”. Më vonë Dhimitri këtë e pasuroi dhe unë kur kam folur për këtë vepër, kam thënë që ai nuk e botoi si vepër të plotë për arsye se ai donte ta pasuronte me fjalë të tjera. Pra, ai kishte akoma për të bërë. Kjo kanë qenë vepra shumë e mundimshme për të. Veprat si “Leksiku i shqipes”, “Fjalori parabuzukian”, “Arianitët” kanë qenë vepra shumë të mundimshme për të. Ai i kishte botuar si shkrime në Buletinin e Shkencave historike, por luftoi gjithmonë për t’i pasuruar. Në Shkrimet Shqipe në vitet 1332-1850, ai ka thënë që shqipja është shkruar më herët se kaq. Ai kërkoi, hulumtoi, luftoi me të gjitha mundësitë e tij. Unë kam disa dokumente, shkrime që i kam gjetur në dosjet e tij që i kanë ardhur nga Spanja, Madridi dhe nga shumë vende të tjera, nga bibliotekat që ai kërkonte. Këtë libër që unë po përgatis për botim, “Leksiku i shqipes para Buzukut”, them që unë e botoj me një peng, me pengun që kishte ai që nuk e botoi vetë. Dhimitri kishte mendimin se Historia e Letërsisë, meqenëse ishte si tekst shkollor, duhej të paraqitej e plotë me të gjithë autorët pavarësisht gjykimit politik. Jeta duhej ndarë nga vepra, pasi kjo vepër është botuar mbi 12 herë. Madje ishte botuar dhe në Kosovë. Sa herë bëheshin ribotime Dhimitri kërkonte gjithmonë që të futeshin këta autorë, duke e ndarë jetën nga vepra. Për të ditur jetën e Fishtës ai bëri disa kërkesa në Ministrinë e Arsimit të kohës dhe përgjigjja e Ministrisë së Arsimit ka qenë gjithmonë kjo: Ne nuk bëjmë tekst për publikun, ne bëjmë tekst për shkollën sipas Historisë së Shqipërisë, ndaj në të do të jenë vetëm ata autorë që janë në programet e shkollës. Ky ishte pengu i Dhimitrit që ai mendim i drejtë që kishte ai, se në histori nuk duheshin bërë dallime, përjashtime, pavarësisht ideve, duhet studiuar vepra e gjithkujt për të qenë larg politikës të ndahet autori nga vepra. Në atë periudhë në qoftë se kishe një jetë politike jo të drejtë edhe vepra trajtohej e tillë.

Kush figurë tjetër është që Dhimitri ka dashur ta fusë për t’u studiuar? 
Koliqi. Sot është shkruar apo ka dalë si dokument, ku Koliqi paraqitet si një fashist i veshur me rroba fashiste. Njeri që donte që ta fashistizonte të gjithë shkollën shqipe. Por vepra e tij është shumë e mirë. Pra ndahet jeta nga vepra. Këtë bënte Dhimitri apo donte të bënte.