Myfarete Laze: Nuk harrohen Kurti, Fanko, Hafizi, Ndoja, Gaci, Zadeja, Dahija dhe Harapi…

560
Sigal

Flet këngëtarja Myfarete Laze: Jam shkodrane me shpirt e këngë…!

  Bujar Ferhati

 Myfarete Laze një këngëtare  mjaft e mirënjohur si në Shkodër, Shqipëri, madje edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo nëpër Europë, ku jetojnë e punojnë  shqiptarë. Falë zotit dhe shpirtit të saj të talentuar aq dhe dinjitoz ka një karrierë mjaft të pasur artistike, ku spikat me  këngën shkodrane, si dhe një interpretuese e shkëlqyer e këngëve të muzikës së lehtë si në festivalet në radiotelevizion ashtu edhe në koncertet e tjera të çdo lloji. Në bashkëpunimet dhe në interpretimet e asaj gjithmonë duhet vlerësuar ajo që quhet madhështi e talentit e shpirtit dhe e ndjesisë së artistes që i përkushtohet dëgjuesit, teleshikuesit dhe dashamirësve të këngës. Artistë të tillë vërtetë janë vlera që admirohen e vlerësohen plot respekt.

-Je një personalitet në këngën shkodrane si edhe atë kombëtare. Prej sa e sa vitesh apo dekadash  shkon e vjen flladi i këngës sate?

Që në fëmijërinë e hershme, që kur luaja me kukulla, që kur isha vetëm 9 vjeçe dhe dola për herë të parë në skenën e festivalit  lokal e më pas kombëtar të këngës për fatosa e pionierë që duhet theksuar dikur  ishin shumë të rëndësishëm në jetën e përditshme. Më kujtohet dhe kënga e parë me titull “Ec makina” që pati shumë e shumë duartrokitje nga spektatorët atëherë. E unë qeshja e fluturoja me krahë pëllumbi  pa e ditur se, vërtetë një ditë do të bëhesha këngëtare. Që atë ditë unë nuk iu ndava më këngës dhe emocioneve të skenës. Në festivalin tjetër prapë një këngë e veçantë me titull. “Beni Mira dhe reçeli” që fitoi dhe çmim të parë etj., etj.. Pra flladi i këngës sime shkon e vjen prej 45 vjetësh në skenën shqiptare që nga fëmijë e deri më sot për të rritur.

-Ka disa vite që ke ardhur në kryeqytet, po je tamam shkodrane në shpirt e këngë?

Dhe ti je një penë prej dekadash, në gazetari, radio, televizion, madje, edhe si autor librash si dhe tekste këngësh për fëmijë e të rritur. Gjithmonë, në zemrën tonë kemi një synim që t’i japim kënaqësi  njerëzve, artdashësve. Gjithmonë, na e kanë  shpërblyer me duartrokitje, dashuri dhe respekt. Jam krenare për këtë. Erdha në Tiranë jo se Shkodrën e dua më pak, por në këtë periudhë tranzitore, mendova ashtu si shumë të tjerët do të gjeja një perspektivë të re, diapazon të ri sepse duhet pranuar se Shkodra sikur është frenuar disi, sidomos në fushën e artit e të kulturës. Pra erdha si mijëra të tjerë dhe nuk jam e  penduar, por e theksoj se i jam mirënjohëse Shkodrës, shpirtit të saj artistik, kompozitorëve, regjisorëve, mësuesve, intelektualëve, mbarë qytetarëve që na investuan, që unë sot të jem dikushi, një perlë e këngës shqiptare.

– Vitet  gërryejnë gurin, shkrijnë hekurin, por a e mposhtin zemrën e artistit apo artistes!?

Këtë pyetje të veçantë, sa profesionale dhe  artistike dua ta rikthej në një pikëpyetje nga ana ime: A harrohet Tinka Kurti, Serafin Fanko, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja, Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Tish Dahija, Tonin Harapi, Hysen Pelingu, etj., etj… Në pafundësi!? Të na falin sa qindta e qindra artistë  të tjerë që nuk po i përmend. Të gjithë janë shkodranë, janë  botë artistike shkodrane, pra një fllad i paharrueshëm që gjithnjë të flladit të përkëdhel shpirtin e të kënaq zemrën, trupin. Vitet  vërtetë siç thatë ju gërryejnë gurin, shkrijnë hekurin, por kurrë nuk e mposhtin zemrën e artistit apo artistes!

– Jeta artistike dje, jeta artistike sot, dy dilema që duhet të shihen e të diskutohen denjësisht për të ardhmen e këngës shqiptare në përgjithësi!?

 Më fusin në një botë shumë të veçantë  pyetje të tilla sa profesionale aq edhe morale. Zoti më fali një bashkëshort shumë dinjitoz, shumë të veçantë si dhe dy vajza po aq. E ku ka më bukur. Ku ka më madhështore që jeta për mua të jetë e bukur dhe e ëmbël, e qeshur dhe plot emocion si dhe vetë kënga që unë këndoj. Ku ka më të dashur se skena, si duartrokitjet!? Është fat dhe është mrekulli që mi fali geni apo ndoshta vetë  zoti. Ndoshta si geni apo dhe vetë karakteri im i rritur dhe i edukuar në vite dhe në dekada.

 -Jeta artistike, kënga shkodrane, popullore apo e lehtë, teatri i dikurshëm “Migjeni” skenat e shumta në Shkodër, ç’do të nënvizoje ti më shumë sot!?

 Jeta në Shkodër teatri “Migjeni”, atje ishin mrekulli që më rritën, më ngritën e më bënë të jem kjo që jam. Dikur ndoshta kishte shumë politikë, por kënga popullore dhe ajo e lehtë ruante  fizionominë origjinale të saj. Dallohej çdo trevë, çdo qytet nga njëra-tjetra, tamam aromë shqiptare, gjë për sot lë për të dëshiruar. E mbështes shumë këngën, që edhe sot mbas shumë vitesh  e dekadash  shumë prej tyre janë si himne për shumë njerëz. Jam krenare që jam pjesë e asaj  kategorie këngëtarësh që në natën gala të 45- vjetorit të çlirimit u cilësua në 5 këngëtarët më të mirë të viteve 1960-1980. Këngët “Pragu i vegjëlisë”, “Bozhuret”, “Udhët e atdheut më thërrasin”, “Shoqet ilegale”, “Eja”,  etj., etj., nuk humbasin kurrë, por janë shkrirë në shpirtin  e dëgjuesve në breza. Duhet theksuar që edhe sot ka këngë jo pak të bukura. Ne kemi poetë e kompozitorë të talentuar, madje të shkëlqyer. Më vjen keq që ka shumë paradokse që paraprin leku, manipulimi ndoshta edhe antivlera. Ka jo pak tekste pa tekst, muzikë pa muzikë, apo zëra që lënë për të dëshiruar, nuk dua të përmend emra, por ndjehem jo pak ngushtë. Besoj se edhe lexuesi do të më kuptojë drejtë nga këto futje të reja.

 -Një nënë e dashur, një grua shembullore, një qytetare nderi, por në punësim çuditërisht në Drejtorinë Kombëtare të Burgjeve!? Çudi!?

 Jeta, koha ka shumë çudi, por jeta ka ligjet e veta. Kështu na erdhi dita, ç’ti bësh nuk ja vlen të flas shumë për këtë temë, sepse më vret disi.

 -Populli thotë fjalë të urta p.sh “Shumë e për lumë” çfarë domethënie ka kjo gjë te kënga në përgjithësi!? Ekonomia e tregut si përjetohet tek kënga!?

Me të vërtetë sot ka shumë prurje dhe shumë këngë dhe shumë këngëtarë. Një treg i stërmadh dhe sidomos i huaj. Këngëtarë e këngëtare të huaj e pranoj famozë, por edhe  shumë vulgar, muzikë mediokre, që as kuptohet dhe as përkthehet që nuk të fal asnjë emocionon. Tregun e mbyti korrupsioni. Fitimi mbi gjithçka thuajse asgjë origjinale. Këtu në  kryeqytet ka shumë prurje sepse përfitohet nga popullsia e madhe dhe e shumëllojshme që ka ardhur në këto dy dekadat e fundit. Ka jo pak të rinj që duan të dallohen me gisht përnjëherë apo edhe të tjerë që vijnë nga emigracioni dhe  duan të bëhen dikushi. Fatkeqësisht ka jo pak të tillë çfarë t’i bësh kohës!? Ajo nuk pyet, por besoj se do të vijë një ditë, një kohë që gjërat do të marrin udhë për mirë. Nuk dua të besoj të kundërtën që thuhet për ekonominë e tregut e sidomos në fushën e artit.

 -Je e kënaqur apo e zhgënjyer me bashkëpunëtorët tuaj të ngushtë, autorët e teksteve, kompozitorët si dhe regjisorët. Na veço  disa emra e tituj këngësh që kanë  mbetur dhe do të mbesin kulmore të karrierës tënde!?

 Unë kam pasur fat të punoj të bashkëpunoj me emra të mëdhenj të muzikës sonë kombëtare. Veçoj të mëdhenjtë: Agim Prodani, Limoz Dizdarin, Flamur Shehun, Edmond Zhulalin, Xhavid Ujkanin, Alfred Kaçinarin,  Zef Çobën, Luan Borovën si edhe poetët më të mirë në disa dekada si: Xhuliana  Jorgaxhiu, Gjokë Beci, Agim Doçi, Jorgo Papingji, Xhevahir Spahiu et, etj.. Për vitet dhe kohën kanë qenë dhe janë (ata që janë  gjallë të mëdhenj e mjaft cilësorë. Sot ka, por jo si dikur…. Leku është bërë një gangrenë që heshtje po tjetërson jo pak njerëz fatkeqësisht.

 -E fundit, artisti, këngëtari, gjithnjë kërkon majat, por majat duan talent, punë, djersë dhe domosdo lekë. A besoni se do të vlerësohet si duhet në të ardhmen  nga shoqëria dhe shteti!? Pra a duhen rizgjuar në art e kulturë vlerat e vërteta që kënga të marrë vendin që meriton sepse siç thotë një fjalë e urtë: “Kur të këndon zemra të qesh  shpirti”!?

 Po ripërsëris fjalët tuaja të fundit: Është mëse e vërtetë se kur të këndon zemra, të qesh shpirti sepse njeriu është njeri, ka nevojë për këngën, për këtë ndjenjë që të falë një lumturi të  pafundme. Ne këngëtarët e kemi këtë fat, të këndojmë, t’u falim njerëzve ngrohtësi dashuri që atyre në shumë raste dhe u mungon. Vërtetë  duhet talenti duhet puna dhe djersa që unë i kam sa dhunti nga zoti aq edhe nga karakteri, por theksoj se  edhe leku është bërë gjithçka, për disa është bërë si një gurë i rëndë që i rri i varur  në qoftë se i detyron t’i përulen pa pyetur se çfarë  je e kush je. Por ne artistët, këngëtarët që kënduam e këndojmë. Veç për këngën e vërtetë  ndjehem shumë krenare që kur kaloj rrugës marr përshëndetje  nga qindra e qindra njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme, madje jo pak, por dhe më përqafojnë. Tashmë dhe burri dhe vajzat qeshin dhe janë mësuar, kur dalim së bashku, pra kjo është forca e artit, magjia e këngës. Kjo është vetë jeta ime, për këngën, për familjen, për shoqërinë, për Shqipërinë. Uroj veçse lumturi e dashuri me shpirt!