Muzeu Historik Kombëtar, streha e mijëra vizitorëve

1500
Sigal

Blerina Braho

Jeta kulturore dhe sezoni turistik në kryeqytet çdo ditë e më shumë po tërheqin vëmendjen e publikut vendas dhe të huaj. Një pikë e rëndësishme turistike në qendër të Tiranës është pa dyshim edhe Muzeu Historik Kombëtar, i cili po shton kureshtjen e shumë vizitorëve nga viti në vit. Sipas të dhënave të dërguara nga Muzeu Historik Kombëtar, numri i vizitorëve për periudhën janar-korrik të këtij viti është 27.712 vizitorë nga të cilët 8397 vizitorë janë vendas dhe 16,058 janë vizitorë të huaj, ndërsa një vit më parë shifrat arrinin në 17,912 vizitorë nga ku 4821 vendas dhe 11,090 nga vendet jashtë Shqipërisë. Pra, siç shihet numri i vizitorëve vendas dhe të huaj gjatë muajve janar-korrik 2018 është dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë për vitin 2017.

Muzeu Historik Kombëtar synon të nxitë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare. Për këtë qëllim, ai përfton, ruan dhe studion, provat materiale dhe jo materiale të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat i komunikon dhe i paraqet në një mjedis, që nxit edukimin dhe argëtimin. Ai organizon dhe mundëson gjithashtu aktivitetet, të cilat përkrahin vizionin dhe misionin e tij. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. Godina e “Muzeut Historik Kombëtar” zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27.000 m2 dhe ka sipërfaqe ekspozimi prej 18.000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81.000 m3. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe relativisht të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu është konceptuar që prezantimi i tij të bëhet nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar me afro 400 objekte të ndryshme. Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së bronzit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e popullit ilir.

Por ky vit është nga më të suksesshmit dhe kjo falë politikave të ministrisë së kulturës e cila ka mbështetur MHK, dhe përkrahur të gjitha aktivitetet Që kanë lidhje me promovimin e vlerave muzeale, kulturore dhe trashëgimisë sonë kombëtare. Një fjalë e urtë thotë se Bukuri e vërtetë nuk janë rrobat e hijshme e të stolisura, por bukuri e vërtetë është kultura,edukimi dhe mirësjellja”. Pikërisht me këto cilësi i janë përgjigjur vizitorëve të huaj dhe vendas edhe ekipi i MHK duke treguar kulturë dhe mirësjellje në mënyrë që që miqtë e Muzeut, jo vetëm të rikthehen përsëri në tempullin e lashtësisë sonë kombëtare, por edhe të përcjellin tek miqtë dhe dashamirësit e tyre, Shqipërinë e vërtetë të së djeshmes dhe të sotmes. E ku ka më mirë se sa diturinë dhe filozofinë e Kombit ta marrësh nga Muzeu Historik Kombëtar.